KULTURË

Romano Montroni/ Miti i librarëve italianë, “një histori e madhe dashurie për mua”

14:50 - 13.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ai është miti i librarëve italianë. Një personalitet në fushën e menaxhimit dhe drejtimit të librarive ‘Feltrinelli’, ku ka punuar për 40 vjet. Vjen në Shqipëri gjatë Panairi të Librit në Tiranë, i ftuar nga Botimet Toena dhe Instituti Italian i Kulturës për të promovuar veprën “Të shesësh shpirtin – zanati i librashitësit” dhe për të përçuar përvojën e tij të një jete në drejtimin e të famshmeve librari “Feltrinelli”. Botimi i tij ka parathënien e Umberto Eco. Në intervistën e tij për ‘GSH’ ai flet për përvojën e gjatë, dashurinë për librin e libraritë dhe si t’i bëjmë njerëzit të lexojnë.




– Ju keni ushtruar profesionin e librashitësit, më pas atë të një trajnuesi librashitësish ashtu si edhe atë të një profesori universitar, dhe të gjithë këtë përvojë personale e profesionale e keni sjellë edhe përmes librave që keni shkruar. Me cilin prej këtyre profesioneve ndiheni më mirë?
Për mua është tejet e vështirë të ndaj tri komponentët – librashitës, trajner dhe profesor -, pasi i mendoj si pjesë të një tërësie të vetme. Por sigurisht që nëse nuk do të kisha patur fatin dhe privilegjin që të njihesha me Giangiacomo Feltrinelli-n, nuk do të isha shndërruar në një librashitës të mirë: pra nuk do të kisha pasur asgjë për t’u mësuar të tjerëve, asnjë dije për të përçuar dhe do të kisha humbur në këtë mënyrë një përvojë fantastike. Pra, “librashitës” është profesioni në të cilin identifikohem më së miri – dhe ai është fillesa e gjithçkaje – dhe nga ana tjetër ndihem mjaft mirë edhe si trajner apo profesor: të qëndruarit mes të rinjve është pothuajse gjithmonë zbavitje dhe stimulim.

– Profesionistë me emër në botën e botimeve në Itali ju njohin si një autoritet me peshë në fushën e formimit të librashitësve ashtu si edhe në fushën e administrimit funksional të një librarie. Si keni arritur të fitoni këtë vlerësim të veçantë e të çmuar në këtë fushë?
Për këtë duhet të pyesni të tjerët! Unë, thjesht, përherë kam punuar dhe vijoj të punoj, me po të njëjtën lumturi, mirënjohje dhe entuziazëm, duke zbuluar përherë mundësi aty ku të tjerët shihnin vetëm pengesa. Pra, nuk jam një njeri që bie lehtësisht pre e dekurajimit. Për më tepër, më karakterizojnë cilësi si të qenit mendjehapur dhe kurioz: më pëlqen të qëndroj mes njerëzve, të zbuloj gjëra të reja dhe përherë jam përpjekur të përmirësoj veten time duke u përballur kryesisht me realitete të ndryshme nga ai i imi. Më intereson, për shembull, të di se çfarë ndodh në libraritë e vendeve të tjera, të bashkërendis përvoja të ngjashme apo edhe të vjedh ndonjë sekret! Kam qenë me të vërtetë me fat: shumë njerëz janë të detyruar të bëjnë një punë që nuk e duan, unë punën time e kam dashur fort gjithnjë.

– Në mënyrë më specifike a mund të na thoni se si është e mundur që emri i një rrjeti librarish të fuqishme si Feltrinelli të lidhet në terma suksesi dhe rëndësie me emrin e një njeriu të vetëm? Ose më mirë a është e mundur të na tregoni çelësin e suksesit tuaj?
Duhet ta nis këtë përgjigje duke ju dhënë një ravijëzim të personalitetit të jashtëzakonshëm të Giangiacomo Feltrinelli-t, i cili falë intuitës, gjenialitetit dhe aftësisë për të entuziazmuar librashitësit e rinj, i dha fillesë aventurës së tij, ku u përfshiva edhe unë. Ai bëri revolucion në botën e librarive: i frymëzuar nga modeli gjerman, solli në Itali, raftet dhe tavolinat e realizuara për t’i ardhur në ndihmë klientit, ideoi formimin e librashitësve dhe i konceptoi libraritë si një vendtakim dhe një vend ku qarkullimi i ideve ishte element thelbësor. Një punë kjo e cila pas vdekjes së tij u vazhdua në të njëjtën lartësi nga e shoqja e tij Inge dhe i biri Carlo. Ndoshta kujdesi për detajet, pasioni dhe shija e punës së kryer më së miri ishin elementë që unë i zotëroja, por pa dyshim që ai më dha mundësinë që të fitoja vetëdije mbi to dhe këto karakteristika t’i zhvilloja më së miri. Është e ngjashme me vezën e Kolombit, sekreti ishte aty: të punuarit me pasion dhe dhënia e vëmendjes së duhur gjithçkaje. Me siguri që nuk do bëja më shumë se sa kam bërë për Feltrinelli-n edhe sikur libraritë të kishin qenë të miat dhe vërtet lidhja me to ka qenë një histori e madhe dashurie për mua. Këtë ndjesi jam përpjekur që t’ua përçoj të gjithë librashitësve që kam trajnuar dhe me të cilët kam punuar: do të shtoja se janë ata që i kanë dhënë emrin librarive Feltrinelli, aq shumë sa për një periudhë të gjatë emri Feltrinelli lidhej më së shumti me libraritë se sa me shtëpinë botuese. Madje në një moment krize vetë mbijetesa e shtëpisë botuese u mbështet fort në fuqinë e librarive.

– Për një botues profesionist, libraria mbetet vendi i duhur ku autori takohet me lexuesin e tij. Si një pjesë e rëndësishme e të gjithë sistemit botues, libraria ka funksione jo vetëm informuese, por edhe ekonomiko-finaciare. Por, pse sipas Jush, është i rëndësishëm roli i librashitësit në këtë zinxhir?
Libraria nuk është vetëm një sipërmarrje, por edhe një vend kulturor: nëse ajo mbështetet te një librashitës që do dijë t’i japë jetë e gjallëri, ajo do pushojë së qeni vetëm një dyqan dhe do të kthehet në një qendër përhapjeje dhe shkëmbimi idesh. Një librashitës i pasionuar dhe i përgatitur ka më shumë peshë se vetë kritikat letrare për suksesin e një libri: pasi ai njeh të gjitha mënyrat për t’i dhënë shikueshmëri të lartë librit dhe për të fituar vëmendjen e lexuesit.

– Çfarë mund të gjejë një librashitës shqiptar në faqet e librit tuaj? Mund të na jepni disa udhëzime për një publik, i cili edhe pse ka përvojë në këtë fushë, pra në atë të librarisë, nuk ka nga ana tjetër formimin e duhur, pasi në Shqipëri, fatkeqësisht nuk është parashikuar ende një drejtim universitar për librashitës?
Shpresoj që librashitësit shqiptarë të mund të gjejnë udhëzime praktike për të përmirësuar punën e tyre të përditshme: këshilla se si duhen ekspozuar librat, si i shërbehet klientit, si përgatitet një produkt… Por kryesisht, do isha shumë i kënaqur nëse libri im do të ndikonte në të kuptuarin e çështjes se formimi i tyre është i domosdoshëm dhe që ky zanat, pra zanati ynë realizohet nga një vëmendje e vazhdueshme ndaj atyre gjërave që duken si të vogla, por që nuk janë aspak të tilla si: higjiena, shëndeti, buzëqeshja, gatishmëria, mirësjellja, gjallëria etj. Nëse e mendoni, arsyeja kryesore, pse të gjithë ne dalim nga shtëpia për të blerë një libër, dhe nuk e porosisim atë përmes internetit, është ajo e të ndjerit të atmosferës së librarisë: mundësia për të marrë librin në duar, kërkimi duke u nisur nga propozimet e librashitësit, këshillimi për një libër të mirë. Është i ashtuquajturi faktori njerëzor që ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër. Janë njerëzit ata që i japin vlera librave! Dhe megjithatë ju kujtoj se Shqipëria e Italia janë shumë afër: përse të mos provojmë të krijojmë një bashkëpunim me Shkollën për Librashitës “Umberto dhe Elisabetta Mauri” (www.scuolalibraiuem.it), ku unë jap mësim?

– Ju e dini që zanati i librashitësit ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve, edhe se teknologjia po përpiqet të zëvendësojë librat në letër dhe librashitësit tradicionalë. Sipas mendimit tuaj sa mund ta ndihmojë dhe sa mund ta dëmtojë teknologjia një librashitës?
Teknologjia është padyshim një ndihmesë, nëse përdoret në mënyrë inteligjente. Për shembull: listat me të dhëna, ndihmojnë më së miri në kërkimet bibliografike, por unë zemërohem tej mase kur përpara një klienti, librashitësit e kryejnë kërkimin e tyre në kompjuter dhe nuk shkojnë në raftin e duhur. Teknologjia ka ndihmuar administrimin e librarisë dhe në ditët e sotme rrjetet sociale kanë rëndësi për të mbajtur një marrëdhënie me klientelën, për të realizuar reklama si: promovime, lexime, kurse të mundshme etj. Por gjithnjë bëhet fjalë për mjete ndihmëse, pra gjithçka varet nga inteligjenca dhe ndjeshmëria e atij që i përdor ato. Pastaj, për sa i përket e-librave, fenomeni ka pësuar disa shtresëzime, si provë e kësaj është fakti se shumë botues nuk i botojnë më librat e rinj njëkohësisht në të dyja variantet (e-libër dhe në letër). E-librat nuk kanë krijuar lexues të rinj, nëse për profesionistët, tekstet konsultuese dhe manualet mund të jenë më praktikë në formatin elektronik (edhe për arsye hapësire), lexuesit e tjerë vazhdojnë të preferojnë letrën, përveçse në rrethana të veçanta, si për shembull kur janë nisur për një udhëtim të gjatë. Libri letër nuk do të vdesë kurrë, pasi – si thoshte Umberto Eco – ai është pjesë e atyre objekteve që thjesht lindin të përkryer, si rrota dhe piruni.

– Meqenëse bota e librashitësit është një botë fantastike që të hap mendjen dhe të mbush shpirtin, çfarë këshille do i jepnit të rinjve shqiptarë, në mënyrë që ata të afrohen më shumë te leximi?
Në të vërtetë nuk ka asgjë si letërsia për të zgjeruar horizontin personal, për të shtuar kureshtjen dhe për të ngjallur entuziazëm. Që prej vitit 2014 kam patur nderin të jem në krye të Qendrës së Librit dhe Leximit, një organ i ministrisë së të Mirave Kulturore që ka si qëllim kryesor përhapjen e librave dhe të leximit. Ne kemi hartuar disa fushata kërkimore, për të kuptuar mënyrën se si mund të afronim italianët me librin dhe leximin dhe kuptuam se në vendet ku lexohet shumë (veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe në vendet skandinave) punohet kryesisht me fëmijët. Shteti investon shumë në edukimin e fëmijëve përmes leximit dhe në sensibilizimin e familjeve. Sipas të dhënave kemi kuptuar se fëmijët, të cilët rriten të rrethuar nga libra dhe mësohen që të vegjël me të lexuarin e historive apo përrallave, zhvillojnë një zakon leximi që i shoqëron gjatë gjithë jetës së tyre, duke i dhënë asaj gjallëri dhe kënaqësi. Është i njëjti mekanizëm që kishte nxjerrë në pah mjeshtri Abbado për muzikën klasike: zakoni i dëgjimit dhe dashuria për muzikën krijohen gjatë fëmijërisë.
Veç të tjerash, treguesit e leximit janë të lidhur ngushtësisht me mirëqenien sociale dhe ekonomike të një vendi, është evidente që të lexuarit i përmirëson! Këshilla që jap është të investohet te fëmijët, duke futur leximin me zë në programet mësimore, duke forcuar ose duke krijuar biblioteka shkollore dhe duke ndërgjegjësuar prindërit: është, gjithashtu, e nevojshme që ata t’u mësojnë fëmijëve që të kuptojnë se leximi është para së gjithash një kënaqësi, dhe para së gjithash një mundësi për t’u rritur të lirë dhe të vetëdijshëm.

– Ju mendoni që një libër mund të të ndryshojë jetën? Cili është libri që ka ushqyer te ju pasionin për librat dhe kryesisht pasionin për t’u bërë librashitës?
Ky nuk është vetëm një mendim, por një bindje për mua. Në vitin 2012 jam kujdesur për realizimin e një përmbledhje që titullohet kështu: “Librat të ndryshojnë jetën”, në të cilën u kërkoja njëqind shkrimtarëve që të më tregonin mbi librin që kishte patur një rëndësi shumë të madhe për ta. Për sa më përket mua, unë kam rënë në dashuri me librarinë, para se të bija në dashuri me librat. Nisa të punoj mes rafteve që fëmijë dhe aty e zbulova kënaqësinë e leximit. Libri im i parë ka qenë “Djemtë e rrugës Pal”. Fillimisht e lexoja me vështirësi, por pak nga pak nisa të hyj në brendësi të tij dhe nisa të marr pjesë në atë çfarë i ndodhte protagonistëve të tij. Dhe kjo ndodh sa herë zhytesh në lexim – duket sikur përjeton një magji që ripërsëritet pa fund.

– Mendoj që botuesit shqiptarë ashtu si edhe librashitësit në Shqipëri do e vlerësojnë shumë përvojën tuaj të rrëfyer me kaq shumë profesionalizëm, por cilat janë objektivat që do të donit të arrinit me botimin e veprës tuaj në gjuhën shqipe?
Profesioni i librashitësit është një zanat i mrekullueshëm, që ka shanse dhe mundësi reale për të ndikuar në kontekstin social-kulturor ku vepron. Me anë të këtij libri dua që të kuptohen kryesisht dy çështje: së pari, që librashitësi nuk del nga hiçi, formimi i tij është thelbësor. Ky zanat, i yni është një zanat që nuk mund të realizohet sipas një mënyre standarde dhe të ngurtë, por përkundrazi kërkon një vëmendje të madhe në disa plane dhe nisma që kanë qëllime të mirëpërcaktuara. E dyta është e lidhur me faktin se, nëse nga njëra anë libraria është një sipërmarrje, pra ajo duhet të arrijë dhe të ruajë një ekuilibër ekonomik, nga ana tjetër është edhe një sipërmarrje e veçantë pasi librat janë krijime që rrëfejnë shpirtin e botës njerëzore dhe kanë të bëjnë me emocionet. Që t’i shesësh ata duhet të kesh pasion, energji, dashuri për detajet, shije për punën e kryer më së miri, shpirt grupi… dhe shumë elementë të tjerë që do i gjeni brenda faqeve të librit tim.

– Në jetën tuaj profesionale si librashitës keni takuar mjaft njerëz të rëndësishëm, shkrimtarë e botues. Sa kanë ndikuar këto takime në përmirësimin e zanatit tuaj dhe sa e kanë shenjuar ato qenien tuaj?
Jam i bindur se harta e një jete njerëzore vizatohet nga takimet që bëjmë dhe unë kam qenë fatlum pasi, duke u nisur që nga takimi vendimtar me Giangiacomo Feltrinelli-n, atëherë kur isha pak më shumë se njëzet vjeç, falë punës sime kam pasur mundësinë të njoh njerëz të jashtëzakonshëm si: Giulio Einaudi, Valentino Bompiani, Umberto Eco, Gunther Grass, Nadine Gordimer, Doris Lessing dhe shumë e shumë të tjerë. Kam vënë re se ata më të rëndësishmit në fushën e tyre afroheshin tek unë me më shumë thjeshtësi e modesti. Një shembull fantastik i kësaj që sapo thashë: unë nuk kam shkuar në universitet si student, por të punuarit për një sigël të rëndësishme si Feltrinelli me një mendësi të hapur, më ka lejuar të grumbulloj një sërë përvojash, stimujsh dhe kërkesash që më kanë rritur jo vetëm si librashitës, por edhe si qenie njerëzore. Kujtoj me shumë dashuri, harenë që ndieja ndërsa shkoja në Panairin e Librit në Frankfurt me Inge Feltrinelli-n, e cila më ka prezantuar me gjigandë të botimeve botërore dhe gjithnjë ka qenë bujare në terma konsiderate, komplimentesh dhe vlerësimi.

– Si ndiheni tani nën petkun e një shkrimtari, të cilit i duhet një librashitës për të promovuar librin e tij më së miri? Apo keni menduar që këtë ta bëni vetë?
Duke thënë paraprakisht se nuk ndihem një shkrimtar (mbetem vetëm një librashitës edhe pse pata guximin – me mbështetjen e duhur – që të botoj tre libra), mendoj se është gjithmonë interesante ana tjetër e medaljes: jam i lumtur që dikush tjetër më ndihmon që të kuptoj se si argumente të caktuar kanë pasur një kuptim edhe për mua vetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.