OPINION

Studentë, jam njëra prej jush!

10:43 - 05.12.18 Etleva Farruku
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mu kënaq syri dhe zemra kur pashë rrugët e Tiranës dhe jo vetëm, të pushtoheshin nga uragani STUDENTË=RINI! Për herë të parë e ndjeva veten të përfshirë kokë e këmbë në një protestë. Për herë të parë mu bë zemra mal kur i pashë kaq të bashkuar këta mijëra të rinj!




Jemi mësuar të shohim tubime të shpifura politike, ku qytetarët, përfshirë edhe studentët dhe nxënësit detyrohen të dalin në rrugë për të protestuar për interesa meskine të politikanëve të paskrupullt!

Mjaft më! Erdhi koha që të rinjtë të dalin në rrugë për të drejtat e tyre dhe të luftojnë me çdo kusht për ti fituar ato. Asgjë nuk të dhurohet në këtë botë! Për çdo gjë duhet “luftë”.

Dhe sot është lufta e studentëve.

Jam sot me studentët si një ish-studente e Universitetit të Tiranës; Jam sot me studentët si një nga ato që më janë bërë padrejtësi si ish-studente;

Jam sot me studentët si një ish-studente që e di çdo të thotë të jetosh me kushtet e Qytetit Studenti; Jam sot me studentët si një ish-studentë që i ka zhvilluar leksionet në auditoret me xhama të thyer dhe pa asnjë mjet ngrohës kur temperaturat shënonin minus disa gradë jashtë;

Jam sot me studentët si një ish-studente që më është dashur të paguaj çdo vit dyfish të tarifës vjetore të fakultetit;

Jam sot me studentët si një ish-studente që edhe pse kisha 2 diploma të gjuhës angleze, më detyruan të bëj sërish provimin e anglishtes (TOEFL-in) vetëm sepse shtetit i duheshin ca para më shumë. (Kushti ishte nëse nuk i nënshtroheshe TOEFL-it nuk mund të merrje diplomën e masterit);

Jam sot me studentët e Tiranës si vajza e një mësuesi me përvojë 40-vjeçare të cilin sot e flakin në rrugë sepse vendin e tij të punës e kanë shitur me EURO!

Jam sot me studentët e Tiranës sepse unë jam një nga ata!

Mos u ndalni para asnjë manipulimi apo premtimi bosh. Derisa të shikoni në letër, të firmosura dhe të konkretizuara të gjitha kërkesat Tuaja.

Dhe mos u kushtëzoni vetëm në ato kërkesa. Tani që fuqia juaj është e pandalshme, kërkoni dorëheqjen e Ministres së Arsimit dhe zëvendësimin e saj me një prej akademikëve më të mirë dhe jo të përlyer në korrupsion!

Kërkoni reformim rrënjësor të sistemit arsimor, duke filluar nga flakja në rrugë të atyre pedagogëve që janë vënë në ato vende me politikë, që nuk janë të aftë dhe që ju kërkojnë para për provimet;

Kërkoni që të zëvendësohen rektorët dhe dekanët që kanë kapur kolltukun e tyre prej politikës me njerëz të aftë dhe të ndershëm;

Kërkoni ti shtohen fondet universitetit publik dhe mos t’ua japin ato klientëve të tyre në privat;

Kërkoni që ata që na udhëheqin sot, por edhe që pretendojnë të udhëheqin nesër, të vendosin mbi tavolinë diplomat e tyre të blera dhe të zhduken nga kolltuqet ku janë ulur;

Ah, mos harroni një gjë: Mos lejoni asnjë politikan, i cilësdo parti qoftë, që të përlyejë kauzën tuaj të drejtë, përndryshe kauza juaj vdes!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.