SPORT

Daja: Ndaj Tiranës dua 3 pikë, Mema është një rival i denjë

08:13 - 21.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja foli sot në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjeve, ku garantoi se skuadra e tij do të luajë vetëm për fitore kundër Tiranës, pavarësisht se pranoi se është e vështirë të motivojë lojtarët. Pavarësisht emrit të bardhebluve, situata që ata po kalojnë vitet e fundit ka bërë që në kampin vlonjat t’i druhen më shumë angazhimit të lojtarëve të tyre sesa kundërshtarit. Daja “qan” mungesën e Bushiçit, dhe ngarkon me përgjegjësi Alveshin e Torrasën, duke pritur prej tyre që sot ndaj bardhebluve të zgjidhin situatat në sulm.




Luani me Tiranën, skuadër që po vuan në këtë sezon?

Është një ndeshje e vështirë për shumë arsye, pasi lojtarët janë jo 100% të motivuar. Kjo në raport me Tiranën nuk është njësoj, pasi ata janë në një pozicion që kërkojnë të ngrihen. Por edhe ne e duam diçka të tillë, pavarësisht se vijmë nga dy fitore radhazi. Kemi përballë një kundërshtar si Tirana, që pikët e marra nuk tregojnë nivelin e tyre. Ata kanë prodhuar lojë dhe nuk nisemi nga pozicioni që kanë në tabelë.

Thatë se është e vështirë të motivoni lojtarët?

Do e vlerësojmë maksimalisht, pasi janë klubi më i titulluar në vend. Me aq sa kam mundur ta ndjek, besoj se Tirana meriton më shumë nga sa ka në tabelën e klasifikimit. Ne vijmë pas dy fitoreve radhazi, por futbolli është i tillë që sapo mbaron një ndeshje duhet të ruash të njëjtin ritëm nëse do të shkosh drejt objektivave të vendosura. Ekipet ndryshojnë nga java në javë, jo më nga një fazë. Siç e njoh unë Memën, më njeh edhe ai. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që kemi punuar bashkë. Gjërat evoluojnë, çdo ekip ka problemet dhe armët e forta. Nuk ka rëndësi shumë njohja mes njëri-tjetrit, por leximi i lojës gjatë zhvillimit të saj.

Si paraqitet gjendja e grupit?

Gjatë kësaj periudhe, problematika jonë ka qenë fakti që nuk e kemi pasur grupin të plotë. Shpesh lojtarët kanë sakrifikuar dhe kanë luajtur jo në gjendjen më të mirë. Jemi mësuar me këtë gjë, as nesër nuk do e kemi të plotë. Mungon Veliu, por edhe Bushiç me shumë mundësi nuk do të jetë. Ata që kemi kanë shumë eksperiencë, sidomos në sulm ku janë Alvesh, Torasa e Kale. Nëse do mbështeten mirë, atëherë do ta bëjnë më të lehtë mungesën e Bushiç.

Sulmi atëherë ka një detyrë të vështirë?

Besoj se nuk do ta ketë Alvesh këtë pretendim, pasi në 18 javë kampionat nuk ka qenë prezent në shumë ndeshje. Por kësaj radhe nuk e plotësojmë dot, pasi Bushiç nuk mund të jetë. Sot do shihet konfirmimi. Do futemi edhe nesër ne fushë me kontingjentin jo të plotë. Kemi kohë për të qenë të gjithë bashkë. Problematika jonë kryesore ka qenë se nuk kemi qenë me ekipin e plotë. Shpresojmë të jemi në vazhdimësi, pasi jo vetëm rritet rivaliteti, por edhe shprehim potencialin tonë në fushë dhe të kënaqim tifozët me paraqitjen e bërë.

Do të kënaqeshit me barazimin nesër (sot)?

Nuk kënaqem me barazimin. Nesër, si në çdo ndeshje do të futemi për të marrë tre pikët, pavarësisht se e di që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

 

 

Superliga

 

Të premten

Kamza – Skënderbeu   13:30

Tirana – Flamurtari  16:30

Të shtunën

Teuta – Laçi    17:00

Të dielën

Kukësi – Kastrioti   13:30

Luftëtari – Partizani 13:30

 

Renditja

 

Skuadra    N    P

Partizani  17   36

Teuta      17   32

Kukësi     17   31

Skënderbeu 17   30

Laçi       17   29

Flamurtari 17   28

Luftëtari  17   16

Tirana     17   14

Kamza      17   12

Kastrioti  17   10


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.