OPINION

Arsyetim mbi përqasjen tonë

07:40 - 05.01.19 Agred Tafaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Të gjithë biem dakord së Pakti për Universitetin nuk mund të zgjidhë asnjë nga kërkesat tona. Pakti është thjesht një manovër e qeverisë për të na shitur zgjedhjet e saj si zgjidhje. Në këtë situatë, ne ndiejmë si detyrë që ta kërkojmë vetë rrugëzgjidhjen për përmbushjen e 8 kërkesave.




Deri tani kemi rënë dakord se protestat tona nuk janë partiake, dhe se kemi bërë ç’është e mundur të shmangim ndërhyrjet e partive, mashave dhe zgjatimeve të tyre, si dhe të organizatave politike në procesin e orientimit dhe të vendimmarrjes. Deri tani kemi rënë dakord se ne nuk do të negociojmë me qeverinë, por qeveria duhet të marrë përsipër të zgjidhë kërkesat tona, gjë të cilën pretendon se e ka bërë nëpërmjet paktit për universitetin.

Deri tani ne NUK kemi rënë dakord me qeverinë dhe as ekziston një mënyrë që të biem dakord me të, pasi ne nuk kemi kryesi apo përfaqësi të asnjëlloj forme, por thjesht disa prej nesh, për shkak të angazhimit më të madh, janë quajtur koordinatorë të organizimit të protestës.

Në këto rrethana është detyrë e jona që të konsultohemi dhe të biem dakord për rrugën se si do të përmbushen 8 kërkesat tona. Prandaj u mblodhëm me date 3 janar ora 18:00 në Fakultetin e Drejtësisë salla 202 koordinatorë, studentë, dhe disa pedagogë nga universitete të ndryshme. U debatua rreth paktit për universitetin, vazhdimësinë e protestave dhe vendin e zhvillimit të tyre. Në përfundim ramë dakord që pakti për universitetin nuk zgjidh 8 kërkesat, dhe se kërkesat tona zgjidhen me ligj dhe jo me VKM dhe se protesta do vazhdojë para kryeministrisë nga data 7, ku të gjithë ne të mblidhemi pas bashkimit në 9.30 në fakultetet përkatëse, dhe të vazhdojmë marshimin në 10.00 para sheshit të protestës.

Shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë është kyçi ku përplasen interesat tona me interesat dhe pazaret e politikës, si dhe me keqmenaxhimin e sistemit tonë arsimor për arsye injorance dhe përfitimi.

Këmbëngulja jonë në këtë pikë është e vetmja rrugë e mundshme për përmbushjen e 8 kërkesave tona. Kushdo që shpreson se kërkesat tona zgjidhen me një VKM, me disa fonde shtesë të hedhura në formë lëmoshe, ose me pazare politike, vetëmashtrohet, ose synon të zhbëjë kauzën tonë në shërbim të interesave jashtë nesh.

Strategjia që do të ndjekim mbetet për t’u diskutuar nga masa e studentëve gjatë vazhdimit të protestës. Vetëm në sheshin e protestës mund të merren vendimet e drejta dhe të vërteta në dobi të kauzës tonë të përbashkët.

Pse qeveria nuk ka plotësuar kërkesat e studentëve

Ne studentët kemi paraqitur kërkesa shumë të qarta dhe bazike. Ne fillimisht kemi shkuar para parlamentit dhe kemi kërkuar që plotësimi i kërkesave tona të bëhet nëpërmjet amendimit të ligjit për arsimin e lartë dhe të ligjit të buxhetit, madje që në ditët e para i kemi bërë thirrje Presidentit të Republikës për të kthyer ligjin për rishqyrtim në parlament.

Qeveria ka nxjerrë disa vendime dhe urdhra sipas të cilave pretendon se i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Kjo nuk është e vërtetë. Qeveria ka premtuar se do të ulë tarifat për disa kategori studentësh dhe ka vënë kritere. Këto vendime kanë karakter deklarativ, për sa kohë nuk shoqërohen me shifra konkrete se cilat do të jenë kostot që qeveria do të financojë, si dhe ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit.

Vendimet deklarative janë thjesht premtime pasi nuk sjellin pasojat financiare konkrete të kërkuara nga ne. Lidhur me përmirësimin e kushteve të jetës në konvikte, qeveria ka folur me shifër konkrete duke vënë në dispozicion 300.000. 000(treqind milion lekë), afro 2.5 milion euro, por i gjithë procesi i rikonstruksionit të konvikteve shtrihet në 3 vjet.

Pra, do të thotë që financimi real është rreth 100.000.000(njëqind milion lekë) në vit. Nga ana tjetër flitet për tentativa dhe premtime për marrëveshjen me qeverinë gjermane. Edhe këtu financimet e reja janë në kuadër të premtimit dhe vullnetit të mirë. Kërkesat tona themelore ekonomike bazohen në dyfishimin e buxhetit publik për vitin që vjen, dhe në përmbushjen e premtimit në vazhdimësi për financimin në arsimin e lartë në masën 5% të GDP. Qeveria ka refuzuar përgjysmimin e tarifave për masterat, gjë të cilën ne e kemi parashtruar qartazi si kërkesë themelore.

  1. Për sa i përket grupit të 2-të të kërkesave, qeveria ka nxjerrë disa vendime të sforcuara, me anë të të cilave synon të korrigjojë e të mbushë boshllëqet e krijuara nga ligji në fuqi, dhe të rregullojë e zgjidhë ato probleme që janë krijuar po nga ligji I cili prej 3 vjetësh kur ka hyrë në fuqi, ka prodhuar këto anomali dhe krijuar problemet e përditshmërisë me të cilat ndeshemi ne.

Kërkesat tona në thelb synojnë rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimin shkencor, dhe ajo që është më e rëndësishmja vendosjen në piedestalin që i takon dijes që japin IAL. Qeveria është përpjekur të na marrë me të mirë duke na ofruar dhe karamele kompromentuese siç janë 1,000 vendet e punës për studentët ekselentë, apo punësimi me prioritet në administratën publike.

Nëse do t’i shohim këto vendime 1 e nga 1, do të konstatojmë se asnjëri prej tyre nuk ka përmbushur asnjë kërkesë tonën.

Lidhur me pikën 5 të kërkesës për prezencën e studentëve në bordet e administrimit.

Qeveria e ka refuzuar qartazi këtë kërkesë. Një nga shkaqet kryesore të refuzimit të kësaj kërkese tonë është se kryeministri refuzon qoftë edhe të amendojë ligjin për arsimin e lartë. Në këtë vendim studentëve u është njohur e drejta për të propozuar 3 kandidatura që plotësojnë të njëjtat kushte me përfaqësuesit e ministrisë. Pra, studentët nuk mund të jenë anëtarë të bordit, pasi kriteret ligjore nuk mund të plotësohen nga studentët.

Kështu, për përfshirjen e një përfaqësuesi të studentëve anëtarë të bordit të administrimit, duhen ndryshuar nenet 47 dhe 48 të ligjit. Pra qartazi kjo kërkesë është e refuzuar. Prania e një studenti në bordin e administrimit është e domosdoshme pasi ky bord menaxhon të gjitha fondet të cilat lidhen me performancën, cilësinë e mësimdhënies, menaxhimin e kërkimit shkencor, sigurisht dhe financimin e jetës së studentit. Edhe ky vendim i qeverisë, plotëson boshllëqet e ligjit të arsimit të lartë, duke mbivendosur kompetencat e qeverisë në ato të parlamentit. Mjaft nga këto koncepte duhet të ishin rregulluar në ligj.

Në këtë situatë, e vetmja rrugë është shfuqizimi i ligjit dhe bërja e tij nga e para.

CITIMI I VKM: Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për Arsimin përzgjidhet nga studentët e IAL-së përkatëse, të cilët i paraqesin ministrit tri kandidatura. Ministri përgjegjës për arsimin emëron një prej kandidaturave të paraqitura nga studentët. Kandidaturat e paraqitura nga studentët duhet të plotësojnë të njëjtat kritere si dhe anëtarët e tjerë të bordit përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

Vlerësimi i performancës së mësimdhënies

Është një VKM që nuk  garanton kontrollin mbi cilësinë e as qëndrueshmërinë e sistemit. Duke dalë jashtë kuadrit të ligjit, është sjellë koncepti “sondazh kombëtar i studentëve”, për të cilin nuk ka përkufizim ligjor sesi do të inkorporohet në këtë proces, çfarë vlere ka dhe si garantohet objektiviteti i tij.

“Sondazhi i studentëve” ka më shumë karakterin e një premtimi sesa të një zgjidhjeje reale e konkrete që ndikon në kontrollin e performancës së mësimdhënies në IAL. Instrumentet e përcaktuara në dispozicion të agjencisë duhet të kenë karakter ligjor. Thuhet se në grupet e kontrollit marrin pjese dhe studentët nga universitetet. Kush i përzgjedh, e ç’detyra do të kenë?

I gjithë ky vendim është një arnë e shëmtuar mbi ligjin ekzistues që është në vetvete tejet problematik. E vetmja rrugëzgjidhje mbetet shfuqizimi i ligjit dhe zgjidhja e këtyre problematikave me një ligj të ri.

Për garantimin e transparencës në IAL

Vendimi i propozuar nga qeveria lidhur me garantimin e transparencës në institucionet e arsimit të lartë është i pabazuar në ligjin në fuqi për arsimin e lartë. Ai i referohet nenit 7/2  pikat B e E të këtij ligji që nuk kanë të bëjnë fare me transparencën.

I gjithë vendimi është një propagandë qeveritare që sido që ta sjellësh nuk prodhon asnjë efekt pozitiv. Së pari, nuk ka asnjë PENALITET për askënd që nuk e kryen transparencën. Së dyti, propozimi e ka rritur fushën e transparencës së veprimtarisë financiare duke përfshirë edhe aktivitetin e ministrisë, ndërkohë që secili prej nesh është i interesuar për transparencën e vetë universiteteve.

Pra, transparenca duke u shtrirë në fushë kaq të gjërë e HUMB QËLLIMIN për të cilin e kërkojmë ne. Në këtë VKM “FORMATI I RAPORTIMIT” të transparencës është i  posaçëm dhe përcaktohet nga ministri i arsimit dhe financave.

Pra, mbetet në vullnetin politik të qeverisë se cili do të jetë lloji i transparencës që do bëhet. Sa të garantuar do jemi ne për ketë transparencë të vërtetë?

Sipas kësaj VKM krijohet një strukturë e veçantë pranë ministrisë së Arsimit që garanton transparencën. Pra, në fund të fundit ajo që u ofrohet studentëve është një vendimmarrje e re, por përsëri 100% e bazuar në vullnetin politik po të së njëjtës qeveri, tashmë disi i ndryshuar si reflektim i protestave tona. Por çdo të ndodhë në të ardhmen kur ky vullnet politik të ndodhet në rrethana të tjera? Ku do të bazohet perspektiva për qëndrueshmëri dhe garanci të zhvillimit të procesit të mësimdhënies dhe dijes në universitetet tona?

 

Ky vendim qeverie është haptazi i pabazuar në ligj. Megjithatë me anë të këtij vendimi synohet të plotësohen boshllëqet, të metat dhe gabimet që pikërisht ky ligj përmban në vetvete. Për këtë arsye shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë dhe ribërja e tij nga e para është domosdoshmëri për kontrollin dhe transparencën e financave të IAL-ve

Përveç kërkesave tona, disa çështje të tjera që meritojnë vëmendje

Lëvizja studentore nuk është një përpjekje për të ndryshuar destinacionin e parave publike, në mënyrë që ne thjesht të paguajnë më pak dhe të qëndrojnë nëpër universitete që nuk japin dije të vlefshme për jetën.

Kush e degjeneron lëvizjen tonë thjesht në kërkesa financiare, në ca dyshekë më të mirë konviktesh apo vetëm në ulje tarifash, bën një gabim shumë të rëndë. Ne  synojmë para së gjithash të ndryshojë menyrën sesi planifikohet, programohet dhe realizohet arsimi i lartë në Shqipëri.

Kërkesa për shfuqizimin e ligjit klientelist për arsimin e lartë përmban në vetvete  përpjekjen dhe rrugën e vetme për të plotësuar 8 kërkesat e panegociueshme tonat.  Asnjë zgjidhje pjesore apo ofertë e pakërkuar  nuk do të arrijë të shmangë studentët nga protesta për të drejtat e tyre. Sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri nuk gjendet vetëm në një krizë të thellë financiare si pasojë e dominimit të interesave të ngushta.

Kriza e sistemit universitar, përveçse financiare është thellësisht morale. Ajo është krizë e qeverisjes së universiteteve, dhe vjen si pasojë e keqmenaxhimit dhe sundimit të politikës mbi sistemin arsimor. Kjo krizë nuk zgjidhet thjesht dhe vetëm duke i hedhur para taksapaguesish problemit. Shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë duhet t’i hapë udhën një procesi, rojtarët e nesërm të të cilit nuk mund të jenë ata që shkatërruan sistemin universitar dje.

Protesta jonë në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të përdoret nga pushtet mbajtësit dhe askush tjetër për të goditur, shantazhuar dhe nënshtruar profesorët. Për ne, profesorët janë njëra nga dy shtyllat e lirive universitare. Studentet  janë shtylla tjetër. Por ama, procesi i vetingut të kërkuar nga ne do të jetë absolutisht objektiv, dhe me 0 ndikim politik.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.