OPINION

Shkarkimi i Sevdarit, jo vetëm i padrejtë, por ndoshta i paligjshëm

07:20 - 05.03.19 Besar Likmeta *
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores Antoneta Sevdari dhe të shkarkojë nga detyra anëtaren Këshillit të Lartë të Prokurorisë për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë dhe cenim të besimit të publikut te drejtësia.




Vendimi i shumicës së trupës gjykuese për shkarkimin e Sevdarit mbështetet në argumentin se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm pasurie, duke mosparaqitur dokumente për pagimin e taksave nga bashkëshorti i prokurores, për punën e tij si emigrant në Greqi dhe Arabinë Saudite.

Kryesuesi i trupës gjyqësore, Luan Daci, tha gjatë leximit të vendimit të shkurtuar se ndërsa ishin rrëzuar disa nga kërkesat e komisionerit Dariel Sina, një pjesë e pretendimeve të tij ishin gjetur të bazuara. Kolegji arsyetoi se “sa u takon të ardhurave me burim emigracionin, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të shpjegojë bindshëm vlerën e saktë të këtyre të ardhurave dhe të provojë ligjshmërinë e tyre”.

Kolegji po ashtu arsyetoi ndryshe nga KPK, edhe sa i përket kriterit të aftësive profesionale. Duke u bazuar kryesisht në një çështje të vetme, të cilën Sevdari kishte dështuar ta apelonte, Kolegji arsyetoi se megjithëse ajo mund të kishte pasur arsye objektive për pamundësinë e apelimit, ajo duhet të kishte bërë përpjekje që çështja të apelohej prej kolegëve.

Teksa u ula të shkruaja këto pak rreshta, në ‘inbox’ më erdhi një reagim nga një gjyqtare e Apelit, e cila shprehte dëshpërimin dhe trishtimin e komunitetit të juristëve ndaj vendimit të Kolegjit.

“Sot, komuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve që e njohin Antonetën, u shokuan e mbetën pa fjalë. Është kaq e vështirë të bësh drejtësi në këto kohë, kur vetingu nuk po bind në vendimmarrjen e saj. Mendoni, sa individë ka hetuar prokuroja dhe i ka dërguar para drejtësisë (dhe disa prej tyre kanë qenë njerëz me përkrahje jo të vogël politike). Imagjinoni që befas, këtij funksionari të ndershëm dhe të përkushtuar, i thuhet të shkojë në punën e vet, sepse minoi besimin e publikut te drejtësia! Në fakt, i vetmi besim që ajo minoi gjatë kohës që punoi ishte ndikimi i politikës dhe njerëzve të fuqishëm për ndërhyrje te drejtësia. Këta të fundit triumfuan dhe i imagjinoj tek qeshin me qesëndi nga vendimi që u mor”, shkruante gjyqtarja.

Nuk kam pasur mundësi të njihem me zonjën Sevdari, por si gazetar kam njohur dhe raportuar mbi punën e saj si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, në mënyrë të veçantë për procedimin e saj të çështjes CEZ-DIA kundër biznesmenit Kastriot Ismailaj – i dënuar me 11 vjet burg për një nga rastet më të rënda të mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipërinë e tranzicionit.

Anëtarët e Kolegjit mund të kenë memorie të shkurtër, por vetëm para pak vitesh, ky skandal rrezikoi t’u kushtonte taksapaguesve shqiptarë një faturë arbitrazhi prej 140 milionë eurosh. Nuk ishte çështje e lehtë për t’u hetuar, sepse përfshinte jo vetëm interesa të mëdha financiare, kriminale, por edhe zyrtarë të lartë të shtetit, që me shumë gjasë kishin ndihmuar një sipërmarrje që zhvaste nëpërmjet dokumenteve fiktive miliona euro nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ndërkohë që kostoja e kësaj vjedhjeje u faturohej konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike.

Ishte hetimi i ndërmarrë nga prokurorja Sevdari, me ndihmën e studios ligjore ndërkombëtare të kontraktuar nga shtetit shqiptar, që provoi se kompania e ngritur nga Kastriot Ismailaj për mbledhjen e borxheve ishte një ndërmarrje fiktive, e ndihmuar nga administratorët e kompanisë CEZ. Si rrjedhojë e këtyre gjetjeve hetimore, Ismailaj dhe mbështetësit e tij shqiptarë edhe të huaj dështuan në përpjekjen e tyre në arbitrazh, ndërkohë që biznesmenit iu sekuestruan miliona euro në llogaritë e tij, për të cilat gjykata arriti në përfundimin se ishin produkt i aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave që shtriheshin në disa kontinente.

Akuza e ngritur nga Komisioneri Publik, Dariel Sina dhe e miratuar nga shumica e trupës së Kolegjit, se prokurorja Sevdari ka cenuar besimin e publikut për shkak se bashkëshorti i saj ka zgjedhur të sigurojë të ardhura duke punuar emigrant në Greqi dhe Arabinë Saudite dekada më parë, një pjesë edhe para martese, janë dritëshkurtra. Si mund të sigurojë një emigrant shqiptar në Greqi që punëdhënësi t’i paguajë taksat kur ai nuk ka as status ligjor, aq më pak t’i imponohet ndonjë kompanie në Arabinë Saudite – një vend që është botërisht i njohur për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Edhe përsa i përket profesionalizmit, Kolegji e var gjykimin e tij pas një fije bari. Nga njëra anë pranon arsyet objektive për pamundësinë e apelimit dhe nga ana tjetër i hedh poshtë duke thënë se Sevdari duhet të kishte bërë përpjekje që çështja të apelohej prej kolegëve – një qëndrim sa kontradiktor po aq edhe cinik.

Vendimi i Kolegjit të Apelimit për shkarkimin e Sevdarit nuk është në frymën e ligjit të vetingut dhe as në frymën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, të cilat kishin për qëllim të nxirrnin nga sistemi prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, që kanë abuzuar me detyrën dhe ligjin, dhe jo t’i kthente anëtarët e Kolegjit të Apelimit në policë tatimorë dhe taksidarë të rëndomtë.

Nuk duhet të jesh një jurist dhe aq më pak anëtar i Kolegjit për të kuptuar se vendimi për shkarkimin e Sevdarit është jo vetëm i padrejtë, por mbase edhe i paligjshëm. Është i padrejtë ndaj prokurores dhe të singjashmëve të saj në sistem, të cilëve puna e ndershme dhe e ligjshme u cilësohet si një cen që cenon besimin e publikut te drejtësia. Është i padrejtë gjithashtu ndaj taksapaguesve shqiptarë, të cilët u deleguan organeve të vetingut vullnetin për të pastruar sistemin nga korrupsioni dhe rikthyer besimin e publikut te drejtësia.

Fatkeqësisht, ky vendim i Kolegjit të Apelimit vetëm sa e thellon hendekun e mosbesimit midis shqiptarëve dhe institucioneve të tyre kushtetuese.

* Reporter.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.