Kryesore

Shteti shqiptar, si duhej të ishte

10:30 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kostandin Ristani – Një fjalë e urtë angleze thotë që “knowing the problem is half of the solution” e cila do të thotë që “njohja e problemit është gjysma e zgjidhjes”. Duke u nisur nga kjo fjalë shumë e urtë ky cikël analize shkrimesh është hartuar mbi tri linja kryesore: 1) Përshkrimi i disa nga funksioneve më kryesorë të një shteti modern dhe ligjor; 2) Përshkrimi i gjendjes së deritanishëm e nxjerrja në pah e mangësive e boshllëqeve të disa nga funksioneve më kryesore të shtetit shqiptar të krahasuara me funksionet respektive të shtetit modern e ligjor; 3) Propozime mbi objektivat strategjikë së bashku me rrugët e mundshme për fshirjen e boshllëqeve, plotësimin e mangësive dhe transformimin e shtetit shqiptar nga gjendja e tanishme në një gjendje të dëshiruar plotësisht të krahasueshme dhe konkurruese me kërkesat e një shteti modern e ligjor. Në vazhdim të këtij shkrimi trajtohen vetëm dy linjat e para të përmendura më lart, dhe në vartësi të reagimit dhe të interesit që do të shprehet e tregohet nga opinionet dhe qarqet e interesuara shqiptare, linja e tretë mund të trajtohet më gjerë në një shkrim tjetër të veçantë.




Në hapësirën e këtij shkrimi nocioni shtet përfshin legjislativin, ekzekutivin dhe interpretimin e zbatimit të ligjit, d.m.th.: parlamentin, qeverinë ose këshillin e ministrave dhe gjykatën në tërësi. Shteti modern e ligjor ka një sërë funksionesh ndër të cilat më të rëndësishmit janë: funksioni ekonomik, funksioni publik, funksioni social, funksioni ushtarak, funksioni diplomatik dhe funksioni politik por brenda konturit të këtij shkrimi trajtohen: funksioni publik, funksioni ekonomik dhe funksioni social. Sipas mendimit tim paqja dhe rendi brenda një shoqërie të emancipuar është rezultati më i kapshëm dhe më i dukshëm i këtyre tre funksioneve të shtetit në fjalë.
Ky shkrim nuk pretendon absolutisht dhe në asnjë mënyrë që të zëvendësojë ose të shpjegojë përmbajtjen që mësohet në lëndët mbi teorinë e shtetit, të administratës publike dhe shkencave sociale në nivelin universitar ose pasuniversitar. Ky shkrim është thjesht përmbledhje mendimesh nën një këndvështrim analitik dhe vëzhgues i përvojës jetësore dhe të punës së vetë autorit.

Përshkrimi i disa nga funksioneve më kryesorë të një shteti modern dhe ligjor

Garantimit i paqes, qetësisë, rendit dhe rregullit brenda një shteti dhe shoqërie kërkon njohjen, zbatimin dhe harmonizimin e të gjitha funksioneve për të cilat shteti është i angazhuar detyrimisht nga ligji themelor – kushtetuta – e vendit dhe moralisht nga premtimet, kushtet, rrethanat e tradita sociale. Këto funksione materializohen në programet e ndryshme afatgjata dhe afatshkurtëra të ligjëruara ose të kontraktuara publikisht nga shteti modern ligjor. Për të bërë të mundur vazhdimësinë e qeverisjes dhe të administrimit, shumë nga funksionet e shteti modern ligjor bëhen të kapshme, të dukshme e të ndjeshme nëpërmjet shërbime të vazhdueshme e afatgjata me të cilat shteti furnizon e pajis anëtarët e shoqërisë që i kanë dhënë mandatin nëpërmjet zgjedhjeve direkte të përgjithshme ose nëpërmjet delegimit – nga disa mendimtarë të fushës së shkencave politike dhe filozofike kjo quhet edhe “social contract” d.m.th. “marrëveshje shoqërore”. Këto shërbime afatgjata janë të pavarura nga radhitja politike e parlamentit dhe nga grupimi politik që formon qeverinë; p.sh. pajisja me çertifikata lindje, me pasaporta apo me leje për drejtim automjeti të shtetasve është e pavarur nga se kush force politike është në fuqi. Po e njejta gjë mund të thuhet edhe për procesin e vjeljes së taksave e të ardhurave nga shteti. Si rrjedhim edhe administrata publike që merret me këto shërbime apo procedura s’ka se pse të jetë e varur nga ndryshimet politike në parlament apo qeverisje kombëtare ose lokale qoftë; kjo veprimtari vazhdon pandërprerje përsa kohë shteti e ka caktuar si një domosdoshmëri pajisjen e shtetasve me këto lloj dokumentash apo mbulimin e veprimtarisë së tij e shpenzimeve të tjera me këtë lloj të ardhurash. Po kështu mund të themi edhe për “census”-in që në shqip përkthimi i saktë është “regjistrim” por që në përmbajtje dhe në tërësi lë shumë veprimtari pa u përkthyer ose nënkuptuar.

Paraprakisht forcat politike mendohet që të kenë arritur atë pjekuri politike dhe janë të emancipuara deri në atë nivel sa të kuptojnë e të pranojnë pa bishta e hile domosdoshmërinë e shërbimeve afatgjata bazë dhe themelore të individëve e subjekteve që përbëjnë shoqërinë që ato qeverisin e drejtojnë. Kjo për faktin se asnjë forcë politike s’është e interesuar për t’u përplasur me elektoratin e vet për shërbime që konsiderohen jetike nga shteti dhe të gjithë subjektet e shoqërisë. Vendet me një shkallë emancipimi shumë të lartë politiko-shoqëror disa nga këto shërbime i kanë mbështetur në Kartën e të Drejtave Themelore të Individit që paraprin ose zakonisht plotëson kushtetutën e këtyre vendeve. Gjithashtu në një shtet modern e ligjor forcat politike, të çdo spektri e krahu qofshin, janë jashtëzakonisht të interesuara që administrata shtetërore dhe publike të vazhdojë punën e pashqetësuar nga ndryshimet politike ose rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara brenda dhe jashtë vendit për arsye të ndryshme. Pra, shteti modern dhe ligjor nëpërmjet konsensusit politik për funksionimin e administratës publike, për shërbimet afatgjata dhe themelore publike si edhe kundrejt individëve të shoqërisë që ai drejton, siguron vazhdimësinë e nevojshme dhe të domosdoshme për funksionimin e shtetit në çdo rrethanë. Gjithashtu po nëpërmjet konsensusit forcat politike caktojnë dhe pranojnë pozicionet më të larta të administratës shtetërore prej ku ndahet emërimi nga konkurrimi e si pasojë stafi politik nga stafi burokratiko-administrativ. Funksionet me emërim po ashtu ndahen në politike dhe në teknokrato-burokratikë; të parat nuk i rezistojnë lëkundjeve dhe ndryshimeve politike ndërsa të dytat, sipas rastit konkret dhe në vartësi të kontratës dhe detyrimeve kontraktuale të nënshkruar para emërimit, i nënshtrohen shumë më pak ndryshimeve politike.

Funksionet me konkurrim quhen pozicione dhe janë të aprovuara paraprakisht nga një instance ndërdikasteriale dhe asnjë titullar, ekzekutiv dikasteri apo qeveri s’ka asnjë të drejtë të emërojë, pushojë, marrë në punë, krijojë apo eliminojë këto pozicione sepse ka të bëjë me fondin e pagave të buxhetit të shtetit. Asnjë ndryshim politik s’mund t’i preki këto pozicione dhe burimin njerëzor që ka këtë pozicion, veçse në rastet e parashikuara dhe rregulluara me ligj, kontratë grupi ose kontratë individuale. Dikasteret propozojnë strukturën e nevojshme për të funksionuar dhe përshkrimin e detyrave dhe veprimtarisë që u takon këtyre pozicioneve; aprovimi bëhet nga instanca që aprovon shpenzimin e fondeve publike të pagave për gjithë administratën shtetërore kombëtare; punësimi për pozicionet bëhet në bazë të përshkrimit të detyrave dhe të aftësive e cilësive të kërkuara më parë e të testuara më pas me konkurrim para komisionit të aprovuar për këtë qëllim, pasi është shpallur e publikuar vendi vakant apo i ri nga komisioni i punësimit publik ndërdikasterial. Komisioni i punësimit publik ndërdikasterial ka edhe gjykatën e vet të apelit për të shqyrtuar ankesat dhe parregullsitë e vërejtura nga kandidatët ndaj komisionit të aprovuar për të mbikëqyrur e vlerësuar testimin e tyre.

Së fundi forcat politike ligjërojnë me konsensus funksionet shtetërore që emërohen prej qeverive të tyre por që dalin jashtë kontrollit të qeverisë fill pasi bëhet emërimi dhe nuk preken dot, veçse në rastet e parashikuara me ligj. Shembulli më tipik i kësaj kategorie janë gjykatësit por jo prokurorët. Për të përcaktuar një pozicion të tillë në një shtet ligjor dhe modern ka procedura dhe konsiderata të caktuara të cilat nuk janë objekt analize i këtij shkrimi.
Si prirje e përgjithshme, një shtet modern e ligjor, i ndodhur përballë trysnisë gjithmonë e në rritje nga ana shoqërisë, grupimeve dhe individëve që ai përfaqëson, përpiqet të ndajë sa më shumë që të jetë e mundur administratën e shërbimin publik nga militantizmi partiak, patronazhi politik dhe partizanizmi subjektiv si mënyra veprimi që në perspektivë dëmtojnë të gjithë anëtarët e shoqërisë pa përjashtim dhe asnjeri nuk del i fituar – filozofia moderne këtë fenomen e krahason me të ashtuquajturën “dilema e të burgosurit”.

Veç shërbimeve afatgjata dhe themelore shteti ofron ndaj individëve dhe grupimeve të ndryshme shërbime afatshkurtra dhe programe. Këto janë objekt i konkurrencës dhe premtimeve elektorale të bëra nga forcat politike. Ky shkrim nuk ka për qëllim të analizojë dhe të japë shembuj se si organizohen, mbikëqyren dhe realizohen këto shërbime dhe programe, por një shembull përfaqësues i këtij grupi shërbimesh apo programesh mund të jetë indeksimi i pensioneve të pensionistëve me treguesin vjetor të inflacionit. Një qeveri tjetër e një grupimi politik të ndryshëm nga ajo që e filloi këtë program mund ta ndryshojë apo ndërpresë përkohësisht por edhe përfundimisht këtë program për sa kohë është në pushtet dhe ka mandatin e zgjedhësve.

Një nga funksionet më të rëndësishme e më kryesore të shtetit modern dhe ligjor është ai ekonomik nëpërmjet të cilit shteti lehtëson e harmonizon krijimin dhe zhvillimin e mardhënieve të pronës, të prodhimit, të shkëmbimit, shërbimit e kontraktuale që rrjedhin si pasojë e tyre si edhe i mbron e ndërmjetëson këto marrëdhënie me ligj. Ky shtet nuk krijon marrëdhënie të reja por krijon kushte që shoqëria dhe veprimtaria e gjithanshme ekonomike e saj të krijojë marrëdhënie të reja, vazhdimisht në ndryshim, pa imponim dhe vetëm nëpërmjet qetësisë dhe rregullit. Ai gjithashtu paraprin me ligje e rregulla çdo zhvillim të mundshëm të ardhshëm të këtyre marrëdhënieve. Shteti i ndërtuar mbi bazën e marrëdhënieve të ekonomisë së tregut ka kryesisht në qendër të vëmendjes dhe veprimtarisë pronën dhe kontratën si dy shtyllat kryesore të ekzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë që ai përfaqëson. Me këtë lloj shteti s’bëhet shaka me trajtimin, mbikëqyrjen, keqpërdorimin, keqadministrimin dhe tjetërsimin e pronës dhe me ortodoksinë e rreptësinë e zbatimit dhe mbrojtjes së kontratës e cila përfaqëson marrëdhëniet e lira të shkëmbimit ndërmjet subjekteve ligjorë e socialë.

Tjetër aspekt shumë i rëndësishëm dhe jetik i funksionit ekonomik të shtetit modern e ligjor është krijimi, ruajtja, shumimi, administrimi dhe mbikëqyrja e të ardhurave publike. Në këtë funksion një burim i padiskutueshëm i krijimit të të ardhurave janë taksimi i të ardhurave kolektive apo personale të anëtarëve të shoqërisë, taksimi i fitimit neto të çdo njësie të vendit apo të huaj me veprimtari ekonomike të regjistruar në territorin e vendit që ka nën juridiksion dhe së fundi taksimi i çdo prone të patundshme nga administrata vendore. Taksat shpesh herë marrin edhe formën e pagesës për një shërbim të caktuar që shteti u ofron antarëve të shoqërisë që ai përfaqëson; këto pagesa sipas rastit mund të jenë të plota për të mbuluar shpenzimet ose simbolike për të mos u abuzuar nga kërkesa të pajustifikuara dhe të shpeshta të shërbimit. Shembujt nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Këtu merr një rëndësi shumë të veçantë vartësia e ndërlidhja e ngushtë, e ndërsjelltë dhe e pandashme e zbatimit të ligjeve të taksimit nga njera anë dhe inventarizimit të detyruar fizik e të regjistrimit fillestar e pastaj të vazhdueshëm periodik nga ana tjetër, të të gjithë objekteve e subjekteve që ushtrojnë veprimtari brenda të gjithë territorit nën juridiksion. Inventarizimi dhe regjistrimi nga ana e tyre kërkon si kusht paraprak ndarjen gjeografike, territoriale e administrative me kode të veçanta njësore identifikimi dhe adresimi të pa ngatërrueshëm, si edhe identifikimin e adresimin në po të njëjtën mënyrë të të gjithë subjekteve qëndrues e veprues brenda juridiksionit.
Të ardhurat publike si i vetmi burim i financimit të shtetit, shërbimeve dhe programeve që ai ofron, krijohen në forma të ndryshme dhe shteti përdor të gjitha mekanizmat që i lejon ligji apo krijon ligje për t’i krijuar e mbrojtur ato dhe që nuk janë objekt i këtij shkrimi. Krijimtaria e politikanëve dhe burokratëve të administratës shtetërore asnjëherë nuk rresht së menduari e prodhuari burime të reja të ardhurash publike. Një nga shembujt më të spikatur të kësaj krijimtarie është nxitja, mbështetja në të gjitha format dhe lehtësimi i veprimtarisë ekonomike private të çdo niveli qoftë duke penguar dhe luftuar vazhdimisht krijimin e monopoleve, nëpërmjet lehtësimeve që i krijohet konkurrencës së lirë dhe të ligjshëm në favor të blerësit e përdoruesit, qoftë edhe nëpërmjet kredive direkte për të ushtruar veprimtari ekonomike apo përjashtimeve të përkohshme nga detyrimet taksuese.
Shteti modern ligjor është shumë i ndjeshëm ndaj gjendjes së përgjithshme sociale të individëve të shoqërisë që ai drejton. Shteti gjithmonë është i interesuar që të krijojë, mbrojë dhe inkurajojë rregullin dhe paqen sociale në gjirin e shoqërisë dhe ndërmjet individëve e grupeve që e përbëjnë atë. Për këtë arsye një shtet modern i emancipuar e ligjor përdor parimin demokratik të shumicës duke respektuar dhe marrë parasysh kërkesat specifike të pakicës dhe njëkohësisht respektimin e tyre. Sidomos i kushtohet kujdes nëpërmjet programeve të ndryshme shtresave më të paprivilegjuara e më të pambrojtura të shoqërisë. Kështu shteti ligjor e modern garanton dhe zbaton shërbime dhe programe të barazvlefshme për të gjithë individët e subjektet e shoqërisë që drejton pa përparësi e preferencë. Kjo bën që seicili individ e subjekt të ndjehet i respektuar, i përfillur dhe i shërbyer me të njëjtat vlera të cilat janë të pavarura nga origjina, gjinia, funksioni, pasuria, pozita, detyra, shkalla shoqërore, arsimimi, raca, besimi etj. dhe çdo elementi të tillë që përbën shkak potencial për përplasje sociale, diskriminimi dhe injorimi të pakicave e grupeve të ndryshme.

Shteti krijon forma, metoda dhe tregues të stërholluar matje dhe kontrolli të kënaqësisë ose pakënaqësisë sociale dhe merr masa të menjëhershme kur vëzhgon se këta tregues janë jashtë parametrave të pranuar si normalë. E gjithë kjo shpjegohet thjesht me funksionin ekonomik të shtetit në shërbim të marrëdhënieve ekzistuese dhe të të ardhurave sepse çdo turbullirë sociale bëhet shkas për mosgaranci dhe paqendrueshmëri investimesh gjë që në perspektivë dëmton rëndë ekonominë dhe çon në dështim politik. Ndaj paqja sociale, në ndryshim nga gjykimi klasik dhe arkaik i sistemit të ekonomisë së tregut si “i egër” dhe “i pashpirt”, merr një rëndësi të veçantë për shtetin modern dhe ligjor që drejton dhe zbaton ligjet e ekonomisë së tregut në kushte të reja sociale.

Si përfundim i kësaj paraqitje të thjeshtë e të përzgjedhur, shteti modern ligjor i shoqërive të emancipuara perëndimore është një shtet përfaqësues, rregullues, mbrojtës, ndërmjetësues, funksionues dhe shërbyes për shoqërinë që ai drejton dhe që është i mandatuar nëpërmjet “marrëveshjes shoqërore”.

*Titulli origjinal që bashkon të gjithë traktatin është Një analizë krahasuese e vlerësuese mbi disa nga funksionet e shtetit shqiptar në raport me ato të një shteti modern


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.