KULTURË

Gazeta e Mid’hat Frashërit më 1908: Kemi qenë të egër, erdh dit’ e lirisë

15:30 - 26.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – O vëllezër! Dërgoni te dem se unë dy fjalë sqip: sot na erdhi ajo dit’e lirisë q’e prisnim qe kaqe koh’e tehu, sot na erdhi ajo dit’ e bukure, sot u -hap errësira se na erdh drita, sot lindi djell i bukur i lirisë.
Per me sot kemi rojturë ne t’epet, kemi qenë të çarë, të përndarë, t’egërë! Sot na erdh kopha që të zëmë bashkimin, vëllazërinë, dashruinë, tyë zëmë të bëhemi të urtë dhe të përparojmë n’udhë të qytetërisë dhe të trashëgojmë jetënë. Sot zëmë të rojmë, se sot për herënb e parë n’istori nxjerrim zënë të presim përpara nëj shumicë të tillë: Qoftë Lirija! Qoftë bashkimi! Qoftë Dashuria!




Me këtë frazë mbyllet një nga artikujt e gazetës “Lirija” që e botonte Midh’hat Frashëri në vitet 1908-1910.
Dy botime të reja do të jenë së shpejti në duart e lexuesve dhe studiuesve të Lumo Skëndos. Një njoftim i Bibliotekës Kombëtare, shpërndarë dje mediave, thotë se bëhet fjalë për gazetën e 1908-ës “Lirija” dhe për aktet e konferencës së mbajtur vitin e kaluar për themelimin e revistës “Diturija”.
Botimet vijnë si bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Fondacionit Arsimor Kulturor Humanitar – ALSAR. Puna mes tyre zuri fill me përgatitjen dhe botimin anastatik të revistës “Diturija” të Lumo Skëndos, pikërisht në vitin e kthimit të eshtrave të tij në atdhe dhe në kuadër të kremtimeve të 110-vjetori të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit Mid’hat Frashëri u zgjodh njëzëri.

GAZETA “LIRIJA” (1908-1910)

Duke çmuar dhe vlerësuar veprën e gjerë kulturore, shkencore e atdhetare të Mid’hat Frashërit, BKSH dhe ALSAR, gjykuan të vlefshme të pasuronin bibliotekat e sotme me një botim të ri anastatik. Bëhet fjalë për botimin e gazetës që ai themeloi më 1908 dhe e botoi deri në vitin 1910, me titullin simbolik “Lirija”. Ndonëse një pjesë e mirë e artikujve të kësaj gazete janë ribotuar në botimet e sotme bashkëkohore të veprës së tij, shfletimi i gazetës “Lirija” në tërësinë e saj do të lejonte një studim më të thelluar të veprimtarisë publicistike e politike të Lumo Skëndos si dhe kuptim e analizë më të mirë të kontekstit politik e kulturor në të cilin ajo u botua. Njoftimi i BKSH-së thotë se qysh më parë ishte vënë re fakti se koleksionet e kësaj gazete të hershme, kishin mangësi në plotërinë e tyre në disa biblioteka të vendit, si dhe dëmtime të konsiderueshme në shumë numra. Për këtë arsye, specialistët e Bibliotekës Kombëtare, mbasi përgatitën koleksionin e plotë, falë edhe bashkëpunimit me Bibliotekën publike të Elbasanit, i hapën udhë kësaj marrëveshjeje të re me Fondacionin ALSAR, që u lidh në “Sallën Lumo Skëndo” të BKSH-së jo rastësisht më 25 mars, pikërisht në ditën e lindjes së Mid’hat Frashërit, si një shenjë nderimi për të e veprën e tij, vepër që vijon të na falë bujarisht dije, kulturë e krenari të ligjshme. Së shpejti, ky botim anastatik, do të plotësojë bibliotekat e vendit si dhe ato të studiuesve e lexuesve gjithnjë e më të shumtë.

THEMELIMI I REVISTËS DITURIJA”
Konferenca shkencore “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija” synoi të hedhë dritë mbi vlerat ende të paçmuara apo të panjohura të Diturisë dhe të autorit të saj. Ajo u zhvillua në dy edicione të suksesshme, në Tiranë më 10 tetor dhe në Prishtinë më 6 nëntor, 2018. Bashkëpunimi e përkushtimi i studiuesve të mirënjohur në shqyrtimin dhe paraqitjen e vlerave unike të revistës Diturija dhe të personalitetit poliedrik të Lumo Skëndos i solli konferencës pasurinë e perspektivave të larmishme, prej të cilave figura e Lumo Skëndos u shfaq në plotërinë e saj përmes leximesh kulturologjike, historike, gjuhësore, imagologjike etj., duke rikthyer në bashkëkohësinë tonë profilin e një intelektuali të shkëlqyer të botës shqiptare.

Paralelisht me këtë, specialistët e Bibliotekës Kombëtare ndërmorën edhe hartimin e “Bibliografisë së revistës Diturija”, një kontribut i çmuar shkencor përmes të cilit vjen një ndihmesë e vlefshme për kërkuesit në thellimin e njohjes së kësaj vepre monumentale të kulturës shqiptare. Falë vijimit të bashkëpunimit me Fondacionin “Alsar”, kjo bibliografi do të botohet së bashku me aktet e konferencës si vijim i dy vëllimeve të hijshme të ‘Diturisë’.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast në sallën “Lumo Skëndo” të Bibliotekës Kombëtare ditën e hënë, 25 mars, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Prof. Dr. Persida Asllani, u shpreh se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi vjen pikërisht në ditën e lindjes së Mid’hat Frashërit, si një shenjë nderimi për të e veprën e tij. Koleksionet e kësaj gazete të hershme kishin mangësi në plotërinë e tyre në disa biblioteka të vendit, si dhe dëmtime të konsiderueshme në shumë numra. Ky botim anastatik do të plotësojë bibliotekat e vendit si dhe ato të studiuesve e lexuesve gjithnjë e më të shumtë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, u shpreh se “përkujtimi i figurave kombëtare dhe i veprave të tyre është tejet i rëndësishëm për të ardhmen dhe brezat që vijnë më pas. Bashkëpunimi i nisur me Bibliotekën Kombëtare, së pari, me botimin anastatik të revistës “Diturija”, do të vijojë më tej edhe me punë të tjera shkencore. Është shumë vyer të botojmë sa më shumë vepra shkencore të periudhës së Rilindjes shqiptare, si një etapë e rëndësishme e shtet-formimit dhe kombi shqiptar, të cilat do të dokumentojnë dhe risjellin në vëmendje këtë periudhë historike”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.