KULTURË

“Nuk e lejojmë shembjen e Teatrit të Kukullave”

18:00 - 27.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Pas deklaratave të kryeministrit të vendit ditën e shtunë për Teatrin e Kukullave, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Historik Kombëtar, ka reaguar skena artistike. Përmes një deklarate, Skena e Pavarur Kulturore (SPK- një rrjet që përfshin organizata kulturore aktive në fushën e artit dhe kulturës) dënon atë që e quan retorikë negative, anakronike, antiligjore dhe antikulturore të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në një aktivitet elektoral të zhvilluar të shtunën, më 23 mars në Tiranë. Sipas SPK-së, atë ditë, në emër të vetëlavdërimit dhe në përpjekje për të shmangur diskutimin mbi shkeljet e panumërta ligjore të atij vetë në menaxhimin e pronës publike dhe trashëgimisë kulturore, paralajmëroi shembje të ndërtesave kryesore historike të qendrës së Tiranës, të tilla si Teatri Kombëtar, Teatri i Kukullave apo Muzeu Historik Kombëtar. Skena e Pavarur Kulturore gjykon në deklaratë se kërcënimet e kryeministrit për shkatërrimin e një pjese thelbësore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës nuk janë gjë tjetër veçse fjalë boshe. Ai nuk e ka shembur deri tani Teatrin Kombëtar jo se nuk ka dëshiruar ta shembë, por sepse deri tani nuk ka guxuar të vë në zbatim paligjshmërinë dhe antikushtetutshmërinë e planit të tij fillestar të koncesionit “Fusha”. Siç mund ta ketë kuptuar, vetë kryeministri, projektligji i tij personal “Fusha” ka skaduar tashmë prej muajsh pa rezultat. Afati i vënë në ligj për “mbylljen e negociatave me kompaninë Fusha” brenda një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, ka skaduar shumë muaj më parë. Ashtu si me koncesionet e tjera personale të kryeministrit, edhe ky nuk ka ecur përpara jo për mungesë dëshire, por për shkak të frikës se kjo shkelje ligji mund të bëhet nga rastet e para në historinë e re të Shqipërisë, që përfundon me dënim të shkelësve.




Skena e Pavarur Kulturore gjykon se protesta e vazhdueshme e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe sakrificat e aktivistëve në mbrojtje të teatrit dhe rrjedhimisht, të shtetit ligjor, ka dhënë frytet e veta duke ndalur një shkelje flagrante të ligjeve dhe të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Skena e Pavarur Kulturore mendon se Teatri i Kukullave, një ndërtesë me rëndësi historike për shkak se ka qenë parlamenti i parë, (e ndoshta i fundit) me të vërtetë demokratik në historinë e Shqipërisë, ashtu si edhe ndërtesat e tjera të kërcënuara nga Rama, mundet të shemben nga ndonjë tërmet, mundet t’i bjerë zjarri apo të rrënohen nga neglizhenca flagrante e autoriteteve. Por, shanset e Ramës për të shembur këto ndërtesa janë zero. Ne do të ndalojmë kryeministrin dhe çdokënd që mendon ndryshe nga shkatërrimi i trashëgimisë sonë historike dhe kulturore për llogari të pazareve të radhës me klientët e radhës.

ÇFARË THA KRYEMINISTRI
Më poshtë mund të gjeni transkriptin e deklaratës së kryeministrit.
“Sheshi ‘Skënderbej’ sot është një kryevepër urbanistike, e konfirmuar ndërkombëtarisht, e cila i bën Shqipërisë shërbime të mira duke i dhënë asaj çmime, komplimente dhe foto të pafundme nga vizitorët. Por, Muzeu Historik është ende një fantazmë e së shkuarës m’u në mes të sheshit. Opera është në kantier dhe fatmirësisht këtë vit do të rihapë dyert dhe do të tërheqë shumë më tepër vizitorë në qenien e saj tërësisht të rilindur. Por në krah të saj Biblioteka Kombëtare është i madhi i munguar në transformimin tonë të derikëtushëm.
Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron përpara fëmijëve tanë. Uroj dhe besoj që deri në fund të këtij mandati qeverisës ne do t’i hapim themelet e Bibliotekës së re Kombëtare dhe të teatrit të ri të fëmijëve, këtu pranë te Garda, ndërsa në mandatin e ri të Erionit do t’i hapim edhe dyert e këtyre dy institucioneve. Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar, të cilin do ta ndërtojmë se s’bën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht ashtu si ‘Qemal Stafën’ e vjetër, ‘Arenën e Re Kombëtare'”, deklaroi Rama. Për këtë deklaratë të Ramës, Skena e Pavarur thotë se kjo politikë është në vazhdën e degradimit të trashëgimisë dhe mungesës së vullnetit të institucioneve përgjegjëse, që nuk ndërmarrin asnjë veprim për ta mënjanuar këtë rrezik.


“Skena e Pavarur Kulturore është solidarizuar që në fillim me kauzën e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar për mos lejuar shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe shkeljen e Kushtetutës së vendit. Njëlloj sikurse ka ndodhur në rastet e Velierës, Butrintit, Teatrit Kombëtar dhe në të gjitha rastet ku z. Rama ka ndërhyrë me qëllim që njerëz të afërt me të dhe pushtetin e tij të përfitojnë financiarisht, (mjaftojmë të sjellim në vëmendjen e publikut Nenin 172 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore që shkon pikërisht në këtë drejtim)”, thuhet në deklaratë. Më tej shtohet se SPK do të kundërshtojë fuqimisht nëse do të kanoset prishja e Teatrit Kombëtar, Teatrit të Kukullave (ish-selia e Parlamentit Shqiptar), Muzeut Kombëtar dhe Biblioteka Kombëtare. SPK do të mobilizojë qytetarët dhe shoqërinë civile për ta kundërshtuar ashpër një gjë të tillë. “I kujtojmë z. Rama se shteti ka për detyrë ta mbrojë trashëgimisë kulturore, sepse ajo është e lidhur ngushtë me vazhdimësinë historike të shoqërisë dhe identitetin e vetë kombit. Elementi i shtetformimit duhet t’i motivojë njerëzit t’i ruajnë objektet e trashëgimisë kulturore. Njëlloj si shtetet europiane, si Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, të cilat trashëgiminë kulturore e shohin si element kyç për krijimin e identitet të përbashkët shoqëror dhe shtetformimin e shtetit, edhe qytetarët shqiptarë duan që godinat historike si pjesë e qenësishme e trashëgimisë kulturore të ruhen si pjesë e kujtesës dhe identitetit të kombit”, e mbyll reagimin SPK-ja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.