Dy perla vlonjate, dy gola për të thyer Kukësin dhe për të festuar si gjithnjë në mënyrë unike. Motivi këtë herë ndryshon, pasi festa apo mesazhi është i qartë “leku letër”. Flamurtari feston një ditë përpara premtimit të administratorit Idrizi, i cili theksoi se të hënën do të shpërndajë rrogat, mbase ky ishte një motiv ekstra për të dhuruar një tjetër paraqitje fantastike, më saktë arritën një rezultat fantastik, një fitore 1-2 në transfertë kundër Kukësit ka gjithnjë një shije të veçantë. Ekipi i Ilir Dajës zgjohet pikërisht në momentin më përcaktues të sezonit, 3 fitore në 3 ndeshjet e fundit kanë bërë që kuqezinjtë të blindojë vendin e tretë. Jo vetëm kaq, por tashmë i ushtrojnë presion nga pranë Kukësit, diferenca është vetëm një pikë.
Ajo që ka bërë Flamurtari këtë sezon është një model frymëzimi, tetë muaj pa u paguar dhe me një ekip thuajse të shpërbërë pas merkatos së janarit, e të jesh në këtë nivele është diçka që nuk ndodh shpesh në futbollin shqiptar. Ilir Daja besoi deri në fund, tani është momenti i duhur për të shpërblyer këtë ekip, të paktën të marrin atë që i takon. Kukësi lan sërish duart me titullin, ajo fitore kundër Laçit ishte thjeshtë një mirazh, sepse jo vetëm që nuk arritën të zvogëlonin diferencën me Partizanin, por tashmë e shohin 12 ‘kate’ larg. Titulli tashmë thjesht një kujtim i larg për verilindorët. Në një sfidë ku Kukësi ishte dominues në çdo aspekt, ku për 30 minuta zhvilloi një presion asfiksues në zonën e Koliqit, ai që bëri diferencën ishte një “xhevahir” si Sukaj. Sulmuesi shkodran shtrin Cuculin në minutën e 39-të, duke kaluar Flamurtarin në avantazh. E njëjta muzikë edhe në pjesën e dytë, Kukësi ka kontrollin e lojës, por ekipi i Ernest Gjokës çahet pikërisht në zemër të mbrojtës, në minutën e 49-të ai që bën fenomenin në zonë ishte Musta. Verilindorët u rikthyen në lojë në minutën e 69-të me një aksion model, Shkurtaj shërbeu në zonë për Rexhinaldon, i cili ngushtoi diferencat në 2-1, një gol që shërbeu vetëm për suspancë, pasi asgjë nuk ndryshoi deri në fund, Kukësi bie sërish.