Një aksident tragjik i ka marrë jetën dy të rinjve, 16-vjeçarjes Elisa Pitussi, me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe Catalin Fendic, një 19-vjeçar me origjinë nga Maroku, të dy rezidentë në Spilimbergo në Itali.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 16:00 të së hënës në një rrugë mes Spilimbergo dhe San Giorgio della Richinvelda, kur 19-vjeçari në rrethana ende të paqarta ka humbur drejtimin e automjetit duke përfunduar në kanal.
Dy të rinjtë humbën jetën në vendngjarje, pavarësisht se në ndihmë të tyre shkoi edhe një helikopter.
Alarmin e dhanë dy miq të të rinjve, që udhëtonin para tyre me një tjetër makinë. Duke qenë se nuk Elisa dhe Catalin nuk po mbërrinin, ata i morën fillimisht në telefon.
Por kur asnjë prej tyre nuk u përgjigj, ata vendosën të ktheheshin pas me makinë, duke zbuluar kështu tragjedinë që kishte ndodhur.
Një prej tyre u përpoq që t’u vinte në ndihmë të rinjve, por rrymat e forta të ujit nuk e lejuan. Mësohet se edhe ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e vështirë për shkak se presioni i fortë i ujit nuk i lejonte të hapnin dyert e makinës.