DOSSIER

Si u krijua më 1914 qeveria e përkohshme vorioepirote

19:30 - 27.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr. Hasan Luçi  – Pushtimi nazifashist i Greqisë në 1941 uli deri në tapitje veprimtarinë greke antishqiptare se Greqia kapitulloi shpejt.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, diktatorët monarkofashistë grekë që hipën në pushtet, me ndihmën e anglo-amerikanëve, rifilluan me zell e ashpërsi veprimtarinë e lëvizjes “vorioepirote”. Për këto qëllime, qarqet greke u përpoqën për të krijuar një bazë juridike të re për mëtimet e tyre, duke shpallur tezën absurde se gjoja Shqipëria ka marrë pjesë si agresore në luftën e Italisë kundër Greqisë, përkrah fuqive të boshtit fashist dhe mbi këtë mashtrim të pastër, pasi Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia e jo shtet sovran, Greqia e quajti veten me të drejtën ligjore të gjendjes së “luftës” me Shqipërinë. Sipas qeverisë greke kjo gjendje lufte e Shqipërisë do t’i jepte fund vetëm pasi Shqipëria të njihte mëtimet territoriale greke dhe t’i kthehej Greqisë “Vorio Epiri”. Ky ligj absurd mbahet ende sot nga Greqia, e cila sa për sy e faqe ka thënë se e paska hequr, një gënjeshtër me bishta. Mbi këtë bazë “juridike” u zbatuan planet e reja të provokacioneve, diversionit e propagandës, përfshi agresionin e armatosur në gusht 1949 për të realizuar mëtimet e vjetra shovene me mbështetjen e fuqive të mëdha të Luftës së Ftohtë për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri, të planëzuar qysh kur u bindën se PKSH, me Luftën Nacionalçlirimtare, siguroi lirinë e pavarësinë e vendit, si anëtare e plotë e aleancës antifashiste botërore fitimtare. Kështu Greqia mori pjesë në tërë komplotet për rrëzimin e pushtetit popullor me aleatët perëndimorë e lindorë më pas, duke përdorur provokacionet kufitare, propagandën, diversionin dhe rrjetet agjenturore brenda e jashtë Shqipërisë.




Pasi dështoi ky komplot perëndimor sidomos në 195o-1953, në vitet 1960 u vu në zbatim komploti i T.Sejkos me Flotën e 6 të ShBA e Anglisë. Por ky komplot u organizua me qëllim që të mos komprometohej qeveria greke, duke ngarkuar zbulimin grek “QIPI”, i cili më 1952 në Janinë krijoi organizatën terroristo diversioniste “Destle”, e cila si qendër e rëndësishme e zbulimit grek e CIA, organizoi, drejtoi e zhvilloi një veprimtari të egër politike, diversive e agjenturore kundër RPSH dhe luajti rol me rëndësi me përgatitjet e këtij komploti. Demaskimi i bërë nga PPSH i këtij komploti bëri që të binte disi përkohësisht veprimtaria e zbulimit grek dhe e lëvizjes “vorioepirote” në atë kohë.
Tradhtia e hrushovianëve ndaj PPSH e RPSH ringriti veprimtarinë armiqësore kundër vendit tonë nga të gjithë fqinjët në bashkëpunim me Perëndimin e Lindjen. Vizita e deklarata armiqësore e Hrushovit para nipit të Venizellosit, Sofokliut, duke i quajtur të drejta mëtimet shovene greke ndaj trojeve shqiptare, i dhanë hov zjarrit të veprimtarisë së lëvizjes “vorioepirote”, hapur e fshehtas që vijoi deri në prill 1967 kur erdhën në fuqi puçistët ushtarakë, kolonelët grekë. Në Janinë në 1967 u bë kongresi panepirot me bujë të madhe demonstruese kundër Shqipërisë. Sipas dëshmitarëve të kohës, ushtria greke e divizionit të 8 u afrua në kufijtë shqiptarë. E.Hoxha urdhëroi gatishmërinë nr.1 luftarake të ushtrisë në tërë kufirin e vendit. Ministri i Mbrojtjes B.Balluku, me shtabin për rreth në kufi, urdhëroi: nëse ushtria greke prek kufirin tonë, hapni zjarr me çdo mjet dhe sulmin e parë ndaleni në Janinë! Sa dëgjuan këtë urdhër të prerë, ushtria greke iku në panik 30 km larg kufirit tonë. Gjithashtu E.Hoxha mbajti fjalimin historik duke paralajmëruar qeverinë greke se, nëse do të bënin ndonjë aventurë Athina nuk do të përjashtohej nga goditja shqiptare.

Me ardhjen në fuqi të Papadhopullit dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve më 1971, veprimtaria e lëvizjes “vorioepirote” pësoi një farë rënie. Qeveria ushtarake greke, për arsye të gjendjes së brendëshme e të jashtme, ndërpreu ndihmat financiare për këtë lëvizje dhe gati ndaloi përkrahjen e hapur të saj, duke ndaluar manifestimet, mitingjet e propagandën armiqësore të qarqeve zyrtare vorioepirote kundër Shqipërisë. Por qeveria greke nuk i ndaloi as i hodhi poshtë mëtimet ndaj Vorio Epirit sidomos ato të organizmave gjoja private të qarqeve shovene. Në fakt, pavarësisht nga masat frenuese që mori, herë pas here zyrtarë të lartë të qeverisë Papadhopullos deklaronin se “Greqia nuk i tradhton për asnjë çast interesat e saja kombëtare”, se “vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë nuk do të thotë aspak se Greqia nuk i ka parasysh të drejtat e saja të paparashkruara” etj. Me hipjen në fuqi të Karamanlisit më 1974 u nxit ringjallja e plotë e lëvizjes “vorioepirote” pasi ai njihej si personalitet shoven dhe antishqiptar i vjetër, megjithëse gruan e kishte arvanitase. Në mesazhin e përurimit të tij si kryeministër, rrethet “vorioepirote” i shprehën bindjen se do t’i përkrahte e mbështeste ata hapur në veprimtarinë e mëtimeve antishqiptare. Këto rrethe nuk u gabuan se Karamanlisi u premtoi ndihmë e përkrahje pa rezerva qarqeve vorioepirote, me kusht që lëvizja e tyre t’i përshtatej brenda hullive të politikës së qeverisë greke që do të ndiqte ndaj Shqipërisë. Në fakt, koha tregoi se si qeveria e Karamanlisit dhe e Ralisit i kushtuan vëmendje të veçantë lëvizjes “vorioepirote”, nuk i kursyen për asnjë çast ndihmat financiare, premtimet e përkrahjen sidomos me forma pune të fshehta në përputhje me koniukturat politike në Greqi e Ballkan dhe më gjerë si dhe në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri. Në kohën e Ralisit, pas ngjarjeve të popullit në Kosovë për liri e pavarësi, u rrit edhe më veprimtaria e lëvizjes “vorioepirote”. Me hipjen në pushtet të Andrea Papandreut në 1981, rrethet “vorioepirote” e shtuan së tepërmi veprimtarinë e tyre armiqësore kundër RPSH. Kjo nxitje zjarri u bë edhe si presion ndaj Papandreut, të cilit nuk ia dinin qartazi qëndrimet e tij për problemin vorioepirot për të mos bërë lëshime. Në fakt qeveria e Papandreut nuk e pengoi veprimtarinë e rretheve “vorioepirote” por u përpoq që ta kontrollonte e ta kanalizonte në përshtatje me interesat politike të kohës që ajo ndiqte ndaj Shqipërisë. Për këtë qëllim ajo bëri përpjekje e vendosi në krye të disa sillogjeve, me veprimtari të theksuar antishqiptare, anëtarë apo simpatizantë të partisë së PASOK-ut. Me hipjen e Ramiz Alisë në krye të partisë shtetit në 1985 nisi gjoja normalizimin e marrëdhënieve me lëshime të ndryshme, por Greqia veproi me shpejtësi, që kulmoi gjatë tranzicionit shkatërrues “demokrat”. Prej kësaj kohe jeni vetë dëshmitarë, i madh e i vogël, se si u ngulën tentakulat shovene grekomëdha në tërë vendin dhe Greqia sot na shantazhon me “fshesat” greke ndaj mërgimtarëve tanë në Greqi, të cilët janë të çmuar për ekonominë greke por Greqia po i përdor politikisht sa herë i intereson. Harroi Greqia se si shqiptarët trajtuan emigrantët e uritur grekë që erdhën në Shqipëri herë pas here, megjithëse ka shkruar edhe shtypi grek.

Krijimi e përbërja organizuese e vepruese e lëvizjes “vorioepirote”
Struktura e lëvizjes “vorioepirote” është zhvilluar mbi një bazë të caktuar organizuese, e cila kohë pas kohe ka patur ndryshime, në përputhje me koniukturat gjeopolitike, të ndjekura nga qeveritë greke ndaj Shqipërisë e më gjerë por pa ndryshuar asgjë në thelb të mëtimeve të tyre për trojet shqiptare. Në qendër e në drejtim të saj vepron qeveria greke me organet e saja, sidomos me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në këtë ministri vepron seksioni i emigracionit që drejtohet nga një zv.ministër. Megjithëse de jure nuk qenka, siç thonë, por de facto pranë këtij seksioni vepron sektori i lëvizjes “vorioepirote” “To Dhima Vorioepiriu”, i cili është pikërisht organi nga ku varet drejtpërdrejt e tërë veprimtaria e vorioepirotëve etj., të këtij kallëpi. Të gjitha orientimet, objektivat e detyrat që i caktohen kësaj lëvizje veçanërisht në Greqi studiohen, përpunohen dhe paraqiten nga ky sektor për miratim qeverisë greke. Pasi miratohen vendimet u dërgohen organizatave në qendër e në bazë për t’i zbatuar. Në krye të këtij sektori ka qenë Jorgo Papadhopulli, me origjinë nga Derviçani i Gjirokastrës. Pra, sektori vorioepirot luan rolin e rëndësishëm në organizimin, drejtimin e ushtrimin e lëvizjes vorioepirote. Këto lidhje janë të kamufluara më së miri që të mos duket hapur dora e diplomacisë grekomadhe. Kjo lëvizje e quan veten si lëvizje politiko-shoqërore e “pavarur” e vorioepirotëve brenda e jashtë Greqisë. Pas sektorit vorioepirot në MPJ greke, në detyrë qëndron në krye të kësaj lëvizje “Komiteti i Përpjekjeve Vorioepirote”(QEVA). Ky komitet përbëhet nga këshilli drejtues: kryetari e 2 nënkryetarë, sekretari i përgjithshëm, 2-3 këshilltarë, 1 arkëtar dhe 5-6 anëtarë. Ky këshill drejtues emërohet më saktë se sa zgjidhet nga qeveria greke, një herë në 3 vjet. Këshilli organizon e përçon në masën e vorioepirotëve orientimet e QEVAs. Secili nga drejtuesit e anëtarët e këtij këshilli drejtues caktohet me detyra të veçanta për zbatimin e të cilave raporton në çdo mbledhje të këtij këshilli. Më 1982 Këshilli drejtues i QEVA-s kishte: Serafin Tikas, kryetar grek nga Epiri dhe njëkohësisht kryepeshkop i Greqisë, Ilias Konstas, nënkryetar grek, ish-sekretar i kishës greke në Tiranë dhe më vonë drejtues i sektorit vorioepirot në MPJ greke. Kosta Qiqli, nënkryetar nga Delvina, emigrant ekonomik në Greqi. Jani Kamberi nga Poliçani i Gjirokastrës, sekretar i përgjithshëm, emigrant ekonomik në Greqi. Megjithëse kryesisht e formalisht QEVA ka qenë e mbetet hallka bazë më e lartë drejtuese e lëvizjes vorioepirote, në fakt, ka edhe përçarje e grindje pasi disa degë vorioepirote si brenda por sidomos jashtë Greqisë, ato panepirote, nuk i zbatojnë gjithmonë urdhrat e vendimet e saja, disa e dënojnë atë se nuk po i përfaqëson sa e si duhet interesat e vorioepirotëve pasi, sipas tyre, zbaton verbalisht politikën e “butë” të qeverisë greke në marrëdhëniet me Shqipërinë etj. Këto propagandojnë e luftojnë për një vijë më të ashpër kundër vendit tonë për marrjen e Epirit të Veriut. Nga QEVA janë krijuar dhe varen kryesisht të gjitha sillogjet(klubet), degët dhe organizatat vorioepirote.

Në vitet 1980 në Greqi ishin këto sillogje: 1.Athinë-Pire 2.Selanik 3.Janinë 4.Korfuz 5.Follorinë 6.Patra 7.Ekaterinë 8.Bashkimi i delvinjotëve 9.Bashkimi i himariotëve 10.Bashkimi i dropullitëve 11.Bashkimi i korçarëve ose “Sellasforos”. Këto klube kishin edhe lidhjet e tyre agjenturore, miqësore e simpatizantë në territorin shqiptar edhe jashtë mjedisit krahinor, siç kanë dëshmuar proceset gjyqësore në vendin tonë nga 1945-1990. Në fillim të viteve 1990 dega e vorioepirit në Korfuz botoi programin e saj dhe ia paraqiti popullit të Himarës duke theksuar se “Kemi krijuar një organizatë të veçantë, të cilës ia kemi vënë emrin: “Himara e lirë vorioepirote dhe minoritarë grekë”. Deri në shtator 1992 kemi programuar këto veprimtari:1-vizita të përbashkëta në Korfuz, Janinë, Artë, Pargë, Paramithi, Filat, Himarë, Dhërmi, Palasë, Qeparo, Kudhës, Vuno, Sarandë, Konispol, Dropull. 2-mbledhje të madha në Spile të Himarës ose në Potam me pjesëmarrje të Sebastianos, Janullatos, e Aleko Dhimës, sekretar i përgjithshëm i kishës ortodokse shqiptare. Do dorëzohen 4 priftërinj, mesha të mëdha në katedralen e Himarës e të Dhërmiut, ku do meshojnë dhespotët Sebastianos e Janullatos. Do flasë edhe prifti dhërminjas, Klerkos Savas i dorëzuar në Athinë.3.Do nënshkruhet marrëveshje mes kishave për t-i pajisur kishat e vorioepirit e ato të Himarës në veçanti me sendet e nevojshme…4.Meshat në Himarë, Dhërmi, Palasë, Vuno, Qeparo, Kudhës do mbahen në greqisht, do të përcaktohen administratorët e krahinës autonome vorioepirote të Himarës, ku do marrin pjesë njerëzit më të devotshëm të familjeve më të shquara si Bollanot, Milot, Neranxët, Joshët, Ilot, Belerajt, Rondajt, Zotajt, Dhimojanajt, Dunajt, Anagnostajt, Protajt, Janilajt, Pjerot, Dafllajt, Bifshajt, Gorecajt, Janijat, Zhupajt, Fotiadhët..Do bëhen mesha përshpirtje për eposin grek 1940-1941 në livadhet e Shëngjergjit e Skutara, ku ndodhen eshtrat e ushtarëve e oficerëve….5.Do bëhen veprimtari kulturore, traditat nuk harrohen, por forcohen, do shpërndahen libra greqisht, ku flitet për Vorio-Epirin, minoritetin e epopetë…Do flitet për përpjekjet që bën kisha greke për të mos u shkëputur nga ajo shqiptare, se kurdoherë kanë qenë kundër myslimanizmit e katolicizmit.6.Do shpërndahen libra shkollore për shkollën greke të Himarës. Me këtë punë do merret familja Bollano, prej të cilës do të caktohen pjesëtarë me detyra me rëndësi në qeverisjen e Himarës, e Bollanot kanë dhënë prova të mëdha për besnikërinë ndaj atdheut të tyre Greqisë(Në fakt, kjo familje e ka origjinën nga Kurveleshi i Sipërm H-L).7.Në Himarë do vihet radiostacion vorioepirot minoritar që në bashkëpunim me Omonian do të jap programe të pasura të kulturës, muzikës e filozofisë greke për të rrënjosur thellë patriotizmin.8.Do përcaktohet afati transit i krahinës autonome të Himarës deri në bashkimin me atdheun, Greqinë mëmë.9.Do vendoset linjë e rregullt detare Korfuz-Himarë, tjetra me autobusë grekë Janinë-Himarë dhe udhëtimi i himariotëve vajtje-ardhje do jetë gratis.10.Në muajin nëntor 1992 do organizohet takim i dytë me proporcione të mëdha( duke u shtrirë gjer në Tepelenë).Kryetari Rafailidhis Andrikos, sekretarja Eftalias Papadhimitris”! Shënoj se sot në shtëpinë e Rondajve në Himarë ka zyrën “Agimi i Artë”. Shovinizëm e racizëm më të pastër nuk ka, po ta provojnë të hanë kokën. Labëria nuk vdes kurrë, kombi shqiptar është në këmbë sidomos sot Shqipëri e Kosovë, nesër të bashkuar më tej në territoret tona etnike, natyrore, historike. Mos u gënjejë mendja, o palikarë kuaj Troje! Kjo dashuri e “vorioepirotëve” me grekët shovenë është, si thonë labët, e pirdhur dhe e fëndur!

Përveç sillogjeve janë krijuar e veprojnë edhe organizata të rinisë vorioepirote, të cilat zakonisht janë vepruese pranë sillogjeve përkatës të vorioepirotëve të rritur. Gjithmonë por sidomos në vitet e fundit po i kushtohej kujdes i madh brumosjes së rinisë me ndjenjat shovene antishqiptare duke krijuar edhe sillogje të të rinjve në ato qytete, ku nuk ka patur më parë.
Organi tjetër qendror që varet nga QEVA është edhe “Këshilli i Ndihmës Ekonomike”, i cili është vendosur pranë sillogut vorioepirot të Janinës. Ky këshill e paraqet veten sikur merret me problemet e ndihmës për të varfrit vorioepirotë dhe për organizatat vorioepirote, ndërsa, në fakt, është organ i rëndësishëm i QEVA-s që merret me administrimin e fondeve që ka QEVA për veprimtari kundër Shqipërisë. Ky këshill ka edhe një depo armësh në Janinë e gjetkë afër kufirit tonë, ku ka armatosur gjithnjë vorioepirotët diversantë por edhe sot në raste nevoje militantët apo paraushtarakët vorioepirotë. Pra është një qendër për rast lufte kundër Shqipërisë. Në krye të këtij këshilli në vitet 198o ishte Spiro Lito, gjeneral i ushtrisë greke në pension, emigrant ekonomik nga Leshnica e Sarandës. Në Igumenicë afër një pylli është ende një zyrë e rëndësishme e zbulimit grek që vepron ndaj vendi tonë në vite, e cila është vizituar edhe nga ish kryeministri Fatos Nano. Organi tjetër qendror i QEVA-s është edhe “Këshilli Ushtarak”, në krye të të cilit ka qenë gjenerali Jorgo Zoto nga Himara që merrej me organizimin e drejtimin e problemeve ushtarake të lëvizjes vorioepirote. Prej këtij këshilli ushtarak është krijuar edhe grupi i vullnetarëve rezervë vorioepirotë ku janë regjistruar të gjithë vorioepirotët në moshë madhore. Por me gjithë përpjekjet e qarqeve shovene të ndryshme zyrtare e private greke, sidomos nga Averofi e Ralisi nuk është arritur që të krijohet e të forcohet njëshmëria ushtarake e radhëve të kontingjenteve vorioepirote për arsye të ndryshme politike e përçarje klanesh për format e metodat e veprimtarisë kundër Shqipërisë. Pranë QEVA-s, si organ vartës i saj, vepron edhe “Komiteti Qendror i Rinisë Vorioepirote”, i cili synon ruajtjen e rritjen e ndjenjave shovene antishqiptare tek të rinjtë. Ky komitet drejtohet nga këshilli drejtues i përbërë prej: kryetarit (në vitet 1980 ishte Ilia Zoto, i arratisur nga Himara),nënkryetari Harallamb Papa nga Saranda dhe sekretari i përgjithshëm Pilo Mërkuri nga Piluri i Himarës, nga fisi i Melina Mërkurit të mirënjohur. Nëpërmjet këtij këshilli QEVA organizon e drejton veprimtaritë e dendura me të rinjtë duke shfrytëzuar për këto festa e data të ndrysme historike e fetare, ku propogandohet në radhët e të rinjve “lufta heroike” që kanë bërë baballarët e tyre për interesat kombëtare greke, për gjakun e derdhur për çlirimin e Epirit të Veriut etj. Ky organ ka edhe degë në qytete të ndryshme të Greqisë si në Janinë, Patra, Selanik, Korfuz, Follorinë etj. Mes tyre shquhet sillogu i rinisë vorioepirote i Janinës i kryesuar nga Ilia Ajakos grek, armik i betuar dhe agjent i zbulimit grek e CIA, pasi ai zhvilloi njëkohësisht edhe veprimtari të dendur armiqësore kundër vendit tonë në vite. Anëtarët e sillogjeve vorioepirote sidomos ata në qytetet e krahinat kufitare me vendin tonë kanë qenë e janë kontingjente të përshtatshëm zbulimi e kundërzbulimi, në radhët e të cilëve zbulimi grek e CIA vepronin gjerësisht për studimin, zgjedhjen e përgatitjen e agjenturës që vepron kundër Shqipërisë dhe veçanërisht për ata që janë përdorur e do të përdoren në raste konfliktesh kundër vendit tonë ose si rasti i Peshkopisë në 1994 apo i Kacifas në Bularat. Struktura e organizmave e sillogjeve vorioepirote të të rriturve dhe e të rinjve është e njëjtë me atë të organit qendror QEVA-s. Rezidenturat agjenturore greke në Shqipëri kanë qenë gati kudo në jug të vendit e më gjerë. Vetëm në Himarë një prift rezident kishte rekrutuar 17 vetë, duke u dhënë nga 3 flori në muaj dhe vetë paguhej 6 flori, të cilët mblidhnin firma të grekomanëve për t’ia dërguar OKB për njohjen e Himarës si pakicë greke. Gjyqet socialiste kanë gjykuar me prova e dënuar plotë rrjete të tilla, veç atyre që janë këshilluar të heqin dorë nga kjo veprimtari armiqësore, pasi kishin të njëjtat të drejta si shqiptarët, punësim, gjuhën, radion e gazetën e vet në gjuhën greke dhe pronën. Çfarë donin më shumë kur janë të barabartë me ne, ndërsa më parë ishin bujq tek bejlerët vendës. Pakica greke mori pjesë në LANÇ dhe pas fitores gëzoi të gjitha të drejtat në të gjithë administratën shqiptare pa dallim. Si nxënës i gjimnazit në Gjirokastër në 1951-1955 dhe më vonë në punë kam qenë dëshmitar i trajtimit të barabartë të bashkënxënësve, përfshi edhe nga Bularati, etj., nëpër vend, duke patur të njëjtat përgjegjësi shtetërore kudo. Sot kjo gjendje s’ka ndryshuar në vendin tonë, veçse u bënë edhe pronarë ligjorë tokash. Lëvizja vorioepirote është e zgjeruar dhe e shtrirë edhe në vendet perëndimore si SHBA, Kanada, Francë, Angli, Gjermani, Turqi, Australi ,Egjipt, Afrikën e jugut etj. ku ndodhen të mërguar ekonomikë e politikë nga Epiri i Veriut, nga pakica etnike greke në Shqipëri. Nga këto qendra vorioepirote më tepër vepruese është organizata vorioepirote e ShBA-Kanadasë e quajtur “Konfederata Epirote e Amerikë-Kanadasë” me kryetar në vitet 1980 Minellla Xhelasin nga Poliçani i Gjirokastrës. Në disa raste kjo konfederatë vepron pothuajse e pavarur, jo vetëm nga QEVA, por edhe nga qeveria greke. Vija politike që ajo ka ndjekur është vija e ashpër për ndërhyrje të armatosur e agresion kundër Shqipërisë për të aneksuar “Vorio Epirin”, duke qenë kështu në krye të kësaj lëvizje shovene kundër Shqipërisë. Krerët e saj drejtues herë pas here kanë bërë e bëjnë vizita në Greqi ku marrin takime me personalitete zyrtare greke dhe krerë vorioepirotë atje e gjetkë, me qëllim bashkëpunimi e bashkërendimi të veprimtarisë armiqësore kundër Shqipërisë dhe në diasporën shqiptare ekonomike e politike. Në jo pak raste drejtues të saj kanë kryer provokacione në kufijtë tanë jugorë në vite. Kjo konfederatë ka të njëjtën strukturë organizuese si QEVA dhe prej saja varen degët e ndryshme në Nju York, Çikago, Boston, Detroit, Nju Xhersi, Toronto etj. Kjo lëvizje panhelene me kryetar Kristo Qirkon, me lobin grek në SHBA, nxitën mitet e “Vorio Epirit” në shtypin grek e jashtë tij. Nacionalshovinisti Nikollas Gage vizitoi Shqipërinë edhe në tragjedinë 1997 si misionar politik e i dërguar për qëllime propagande diversioni në shtypin perëndimor në favor të Janullatos e lëvizjes helene në vend e jashtë tij. Janullatosi paraqitet si shpëtimtar i ortodoksisë e frymëzues i shqiptarëve të përndjekur. “Askush nuk ka kontribuar më shumë se Anastasi në rilindjen e Shqipërisë si një komb i lirë europian”!, -tha ish-kryeministri Fatos Nano, duke e ngritur në qiell më mirë se kushdo tjetër (Koha jonë,27.o8.2oo3),Po në tetor 2003 ndodhi skandali i Himarës, ku shtetas grekë e shqiptarë ngritën flamujt grekë, bënë pyetje e sharje kundër shtetit shqiptar, duke shkelur hapur ligjet tona. Kozma Pelo shtetas shqiptar anëtar i PBDNj hodhi dinamit e u plagosën njerëz. Nuk u bë asnjë ndëshkim apo identifikim i personave të rrezikshëm. As organizatorët e tyre në Shqipëri e Greqi nuk u zbuluan, por në drejtim të ngjarjeve në Himarë ishin V.Dule e V.Bllano etj.

(vijon në numrin e nesërm)
(Ish-kuadër i lartë i Zbulimit Shqiptar, diplomat dhe pedagog)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.