MILOSAO

Buzë Valbonës është pirë verë dy mijë vjet rresht

18:00 - 28.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mehmet ELEZI – 1.Nëpërmjet emërvendeve të hershme në gjuhën shqipe prekim rrënjët tona. Shfletojmë edhe faqe të zhvillimit e të kulturës së moçme.
Pesëmbëdhjetë-njëzet minuta në këmbë nga qyteti Bajram Curri shpalohet lagjja Elezaj. Lloj-lloj pemësh, ara e kroje. Kashnjete pa fund e mbështjellin palë-palë. Në pjesën jugore të saj, diku kah mesi i rrugës që e lidh me qytetin, shtrihen pjerrëtazi do livadhe që kanë qenë gjysmëdjerrë. Këto livadhe quhen Vneshta. As sot, as në qindvjetëshin e shkuar, të moshuarit nuk dinin me kallëzue për ndonjë vreshtë në ato toka. E vetmja pemë ka qenë një dardhukël e moçme, diku në skaj.
A ka pasur vreshta aty? Në qoftë se po, kur u rrenuan? Përse?
Duke ndjekur udhën nga Vneshtat për në brendësi të lagjes, pas qindra metrash ecje përmes gështenjash të dendura, ngjitesh në një kodër. Aty pyetjet e mësipërme bëhen më intriguese. Quhet Kodra e Vneshtës. Ndryshe nga Vneshtat e zhveshura, Kodra e Vneshtës mbulohet me gështenja madhështore, trungjet e tyre janë të veshura me myshk. Specialistët i vlerësojnë rreth treqindvjeçare. Netëve të vjeshtës me erë e shushurimë fletësh kokrrat e pjekura pikojnë duke kërcitur, thua janë mollë.
Emri Kodra e Vneshtës tregon se ajo kodër dikur ka qenë mbjellë me rrush. Vreshtat kanë vijuar nga livadhet që quhen Vneshta, nëpër pyllin me gështenja, deri nalt në Kodër të Vneshtës. Dhjetra hektarë.
Traditën e kaditshme të rritjes së rrushit në këtë anë përgjatë qindvjeçarëve e mbështet edhe një e dhënë kryefortë nga kultura lëndore.
Diku kah mesi i viteve 1960, pronari i Vneshtave tashmë të kolektivizuara në kooperativë bujqësore, miemri i të cilit është pikërisht Vneshta, nis me çelë themelet e një shtëpie të re. Pak më poshtë, në rrafsh, në qendër të katundit, skaj shtëpisë së vjetër. Rastësisht gjatë gërmimeve zbulohet një gur varri i madh. Kishte një përkushtesë në latinisht, të zbukuruar me një amforë të gdhendur në fund të saj. Prej amforës përhapen gjethet e rrushit, duke rrethuar në trajtë kurore përkushtesën dhe krejt sipërfaqen e gurit. Sipas vlerësimit të arkeologëve, guri i përket kulturës vendase dardane, me ndikime prej kulturës romake. Është i qindvjetëshit të parë ose të dytë pas Krishtit .
Por nuk mbaron këtu.




3.
Në krahun tjetër të lagjes Elezaj, në anën veriore, pak a shumë simetrike me Vneshtat dhe me Kodrën e Vneshtës me gështenja treqindvjeçare, është një vend gjysmëlivadh, gjysmëpemëtore, gjysmëdjerrinë. Në fëmininë e autorit të këtyre shenimeve ky vend ka qenë joshës sidomos për katër-pesë qershi të mrekullueshme. Të larta e degëgjera, pushtonin hapësirën me kokrrat e mëdha plot shkëlqim, që ta shkelnin syrin qysh larg.
Ky vend nuk quhet Vneshta. Quhet Vêshtë. Por vreshtë as aty nuk mbahet mend kurrë.
Vihet re se në këtë emër mungon bashkëtingëllorja n, që në toskërisht u shndërrua në r me dukurinë e rotacizmit. Por zanorja e në rrokjen e parë është hundore e pastër, dëshmi e pranisë së dikurshme të n-së. Emri fillimisht ka qenë venshtë, n-ja është përngjashmuar (asimiluar), duke lënë pas një ê (e hundore).
Arsyeja thotë se tri emërvende të kaditshme ngjat shoqi-shoqit, me të njëjtën prejardhje, por në dy trajta fonetike, dy prej tyre Vneshtë, përkatësisht Kodra e Vneshtës, dhe i treti Vêshtë, kanë fotografuar dy kohë të ndryshme larg shoqja-shoqes. Mbase dy epoka.
Koha kur është shqiptuar vneshtë dhe koha kur është shqiptuar vêshtë kanë, me shumë gjasë, qindra vjet ndërmjet. Sot trajta fonetike e një fjale mund të ndryshojë shpejt, për shkak të ritmit marramendës të jetës, lëvizjes, urbanizimit, mediatizimit. Një shndërrim fonetik sot përgjithësohet shpejt në të folmen e bashkësisë, merr trajtë e mund të ngulet edhe për dhjetë a njëzet vjet. Në mesjetë dhe para saj duhej një kohë shumë e shumë herë më e gjatë. Kalimi nga njëra trajtë në tjetrën, siç kanë mbetur të ngurtësuara në dy emërvendet – përkatësisht Vêshtë dhe Vneshtë – mund të ketë dashtë, mbase, qindra vjet. Gjatë këtyre qindra vjetëve vreshtaria ka qenë gjithnjë shtyllë e ekonomisë vendase. Dëshmitë janë gdhendur te emërvendet.
Si Vneshtat, edhe Kodra e Vneshtës e Vêshta, janë shpate me tokë të lehtë dhe rrezina. Domethënë dhé që e rreh rrezja. Në një lartësi që shpalohet ndërmjet treqind dhe pesëqind metra mbi det, shohin me fytyrë kah dielli, nga Lindja e nga Jugu. Fort të përshtatshme me rritë dhe me pjekë rrush.

4.
Cili emërvend është më i vjetër, Vneshtë apo Vêshtë?
Përgjigja e kësaj pyetjeje, më shumë se çështje e zhvillimit fonetik, është një përgjigje për rrënjët e vreshtarisë në ato anë. Për thellësinë e shtrirjes së tyre në kohë.
Dihet, si vneshtë ashtu edhe vêshtë, vijnë prej fjalës venë.
Vneshtë është përftuar prej venshtë, me vendkëmbim (metatezë).
Vêshtë nuk është përftuar me vendkëmbim, por me përngjashmim (asimilim) të n-së.
Trajta vneshtë, përkatësisht vêneshtë, dëshmohet te Buzuku, te Budi dhe te Bogdani. Ruhet edhe sot në gegnisht. Pra të paktën pesëqind vjetët e fundit është përdorur në vazhdimësi. Edhe vreshtë në toskërisht është vneshtë me rotacizëm, çka rikujton se para rotacizmit në dialektin jugor fjala mbararbërore ka qenë vneshtë.
Duket se arsyeja prin kah përfundimi se trajta vêshtë është më e hershme se vneshtë (në toskërisht po ashtu krahas vreshtë përdoret edhe vështë, simotra e vêshtë). Ku mbështetet ky pohim?
Jo vetëm te dëshmitë e shkruara të fjalës vneshtë (Buzuku, Budi, Bogdani), në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit që shkoi.
Arsyetojmë duke u nisur nga e kundërta.
Nëse paramendojmë se vêshtë është më e re, atëherë del se trajta vneshtë paskesh “ndërruar mendje”, qenkesh rikthyer te forma fillestare venshtë për t’u bërë më pas vêshtë. Një udhë që i bie kaq rrotull duke u kthyer mbrapsht, në pikën e fillimit, nuk arsyetohet gjuhësisht. Më e besueshme mbetet mundësia tjetër. Vêshtë është zhvilluar në rrugë të pavarur, duke u nisur edhe ajo nga trajta fillestare e përbashkët venshtë.
Është një zhvillim palardhës (paralel), i njëkohshëm, i dy trajtave vêshtë dhe vneshtë, si degëzime fonetike? Nuk di sa mund të ndodhte një degëzim i tillë i njëkohshëm brenda një fshati, madje brenda një lagjeje të tij, siç është lagja Elezaj. Dhe a mund të vijonte ky degëzim aty aq gjatë dhe aq kokëfortësisht, sa me mbetë i ngrirë, i ngurtësuar nëpër emërvende: Vêshtë, Vneshtë dhe Kodra e Vneshtës.
Nëse as kjo nuk duket mbushamendëse, sa kohë që s’kemi një hulumtim më të përimtuar, mbetet me besue se këto dy trajta të fjalës nuk janë të njëkohshme. Vêshtë është më e hershme.
Në e marrshim të mirëqenë këtë, mund të pohohet se vêshtë është përdorur para dhe gjatë mesjetës së hershme. Qindra vjet, duke pasur parasysh se në shoqërinë e atëhershme shndërrimi fonetik dhe përgjithësimi i trajtës së një fjale kërkonte kohë të gjatë. Arsyet u shtjelluan më lart.
Gurvarri ilir me gjethet e rrushit e amforën e verës, i qindvjetëshit të parë ose të dytë pas Krishtit; tokat me emrat Vêshtë, Vneshta; pylli me gështenja i quajtur Kodra e Vneshtës; të tëra këto në një hapësirë disa kilometra katrore, i lidh një fill i përbashkët të paktën njëmijë e pesëqind vjet i gjatë.
I lidh lulëzimi i pandërprerë i vreshtarisë.
Prapa këtyre emërvendeve ndihet shija e rrushit, erëmira e vreshtave të mbara, që kanë hijeshuar e pasuruar shpatinat e përdiellura të Malsisë në krahun e djathtë të lumit Valbonë, nëpër qindvjeçarë.
Prania e vreshtave në këto anë ndeshet edhe nëpër njoftimet e misionarëve katolikë, dërguar Vatikanit nga dioqeza e Pultit. Kur bëjnë fjalë për ekonominë e trevës, për pasuritë e kishës e çështje të jetesës, në mjaft raste përmenden edhe vreshtat. Jo rrallë kokrra e rrushit vezullon si një glob i vogël, në të cilin pasqyrohet bota shqiptare, qysh prej ilirëve.

5.
Prej shumë brezash nuk dëshmohen më vreshta asajt. As në Vneshta, në Kodër të Vneshtës, as në Vêshtë. Dhe as përreth truallit, ku pronari i Vneshtave, edhe ai me mbiemrin Vneshta, gjeti gurvarrin ilir, ndërsa çelte themelet e shtëpisë së re. Rrushi vazhdoi me u mbarështue vetëm në trajtë pjergullash, me shtrat që lëshon hije e ftohtimë (fllad) mbi oborret e kullave ose duke u kacavarur nëpër lisa. Pak, kryesisht me u hangër i freskët në familje. Së voni, pas Luftës së Dytë, edhe për raki, për përdorim vetjak.
Prej këtu pyetja: për ç’arsye u bor e u shkretua vreshtaria, aq e lulëzuar nëpër qindra vjet?
Arsyeja thotë se heqja dorë nga prodhimi i verës ka çuar te heqja dorë nga mbarështimi i vreshtave. Rakia ende nuk njihej në Arbëri (dokumentohet për herë të parë, tërthorazi, në mesjetë, në një libër taksash në Shkodër, në trajtën taksë kazani). Për çka tjetër mund të shërbente asokohe vreshtaria, nëse jo për verë?
Braktisja e prodhimit të verës lidhet para së gjithash me shndërrimin e banorëve të trevës nga të krishterë katolikë në myslimanë. Sipas dokumenteve, ndërrimi i fesë në Krasniqe ka filluar në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë, pas vitit 1766.
Në rrenimin e vreshtave mund të kenë dorë edhe faktorë biologjikë. Filoksera (Phylloxera vastarix) ka qenë vrasëse e pamëshirshme, murtajë e njëmendtë e hardhisë. Në gjysmën e parë të qindvjetëshit të 19-të ka shkrumbuar vreshta të pafundme në kontinentin europian. Mungojnë të dhënat e sakta për dëmet e shkaktuara në Shqipërinë e asaj kohe, por është krejt e qartë se s’kish arsye me i kursye trojet tona. Edhe më vonë, në fund të viteve tridhjetë të qindvjetëshit që shkoi, filoksera në Shqipëri ka vrarë rreth njëzet milionë rrënjë hardhi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.