AKTUALITET

Video/ Mësuesit protestojnë para Ministrisë së Arsimit: Qeveria të mbajë premtimet

12:41 - 02.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, mësues të arsimit parauniversitar kanë zgjedhur të protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Me pankarta në duar, ata kanë marshuar nga Muzeu Historik drejt godinës së ministrisë ku kanë shprehur shqetësimet e tyre. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Nevrus Kaptelli, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë tregon problematikat kryesore të mësuesve, ndër to edhe premtimin e pa mbajtur nga qeveria për rritjen e pagave. Gjithashtu, ai thekson se mësuesit prej vitesh nuk marrin shpërblimet e fundvitit, e shumë prej tyre, veçanërisht ata të zonave rurale kanë kushte të këqija pune e madje punojnë edhe me klasa kolektive. Kaptelli bën me dije se sindikata ka trajtuar një pjesë të shqetësimeve me sekretarin e Përgjithshëm dhe zv. ministrin, por një pjesë e tyre ende nuk kanë gjetur zgjidhje por ai shton se ministrja ende s’ka gjetur kohë të ulet dhe të bisedojë me përfaqësuesit e mësuesve edhe pse i janë drejtuar edhe me kërkesë zyrtare me shkrim.




Pse protestuan mësuesit e arsimit parauniversitar ditën e sotme (djeshme)?
1 maji në kohën e diktaturës ishte ditë parakalimesh jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Ne pothuajse të gjitha vendet e botës në këtë ditë protestohet për kushte pune e paga më të mira ndërsa në vendin tonë për rreth 28 vite të pasdiktaturës është kthyer në ditë piknikësh. SPASH nëpërmjet protestës së sotme bëri të njëjtin veprim si edhe kolegët tanë në Evropë dhe në botë. Ne protestuam dhe kërkuam më shumë vëmendje për arsimin, buxhet më të lartë deri në 5% të GDP-së, kushte më të mira pune, paga dinjitoze, vlerësim moral e material të figurës së mësuesit nga shteti etj.

Cilat janë disa prej problematikave që shqetësojnë më së shumti mësuesit?
Problemet që shqetësojnë sot mësuesit janë burokracitë shkresore në dokumentacion, pagat që janë më të ulëtat në rajon e në Evropë, kushtet jo normale të punës, mungesa e dialogut social në të gjitha nivelet dhe moszbatimi i neneve të veçanta të ligjit, kontratës kolektive dhe akteve nënligjore.

A jeni të kënaqur me pagën dhe a ju paguhen orët shtesë?
Mësuesit nuk janë aspak të kënaqur me pagat që marrin, pasi siç thamë ato janë më të ultat nga gjithë kolegët e tyre në rajon dhe Europë. Mësuesit kërkojnë rritjen e pagave sipas premtimeve që ka bërë qeveria. Rritja prej 7% është e papranueshme dhe nuk justifikon punën e vështirë që bëjnë mësuesit. MASR është e detyruar me ligj dhe kontratën kolektive të punës për pagesën e orëve jashtë orarit. Ne do të kërkojmë me këmbëngulje zbatimin e tyre dhe çdo të drejtë që u takon mësuesve.

A është mbajtur premtimi i rritjes me 40% të pagës së mësuesve nga ana e qeverisë?
Qeveria jo vetëm nuk ka mbajtur premtimin për rritje 40% të pagave deri në fund të mandatit, pasi tashmë kanë kaluar 2 vite dhe paga duhej të ishte rritur 20%, por me sa duket ky do të jetë mashtrimi i radhës, si premtimi i pagës së 13-të.

Po në lidhje me shpërblimet e fundvitit a keni arritur të gjeni një zgjidhje?
Kjo qeveri nuk ka ndërmend të na japë shpërblimin e fundvitit. Ai mund të fitohet vetëm me aksion sindikale gjithëpërfshirëse. Kur mësuesit të jenë gati për këtë ne jemi gati për t’i udhëhequr në çdo kohë.

A keni arritur të bisedoni me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit apo vetë ministren për shqetësimet tuaja? Cila është përgjigjja që keni marrë nga MASR?
Kemi trajtuar një pjesë të shqetësimeve tona me sekretarin e Përgjithshëm dhe zv. Ministrin, por një pjesë e tyre ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Ministrja ende s’ka gjetur kohë të ulet dhe të bisedojë me përfaqësuesit e mësuesve edhe pse i jemi drejtuar edhe me kërkesë zyrtare me shkrim.

Si janë kushtet e punës për mësuesit veçanërisht në shkollat e zonave rurale?
Mësuesit e shkollave rurale përveç rrugës së gjatë dhe kushteve të këqija të ambienteve ku japin mësim, u duhet të paguajnë nga xhepi për transportin, pasi biletat e udhëtimit kushtojnë më shumë se rimbursimi që ata marrin dhe për më tepër dy javët e para dhe dy javët e fundit të vitit shkollor nuk u rimbursohet fare transporti. Veç këtyre ata janë gjithnjë të kërcënuar nga mundësia e humbjes së vendit të punës, për shkak të rënies së numrit të nxënësve.

Sa i vështirë është menaxhimi i klasave kolektive?
Një vështirësi tjetër është puna e disave me klasa kolektive. Puna me klasa kolektive dhe shkresat e shtuara në emër të “reformave ” jo vetëm kanë bërë tejet të vështirë punën e mësuesve, por edhe niveli i mësimdhënies për nxënësit është i cunguar. Këto dhe shqetësime të tjera që kanë mësuesit do të jenë objekt i diskutimeve nga ana jonë në takimin e nesërm (sotëm) me Ministren në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.