OPINION

IN MEMORIAM / Iku Zonja, e u përcoll Çupa…

07:12 - 03.05.19 Pano Hallko
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vargu i makinave që udhëtonin atë ditë drejt Fushëbardhës, kishte zënë gjithë gjatësinë e rrugës, që nga Ura e Kardhiqit, e deri në fshat.




Të gjitha Qafat, “nxinin” nga makina të markave të ndryshme, makina që vinin kryesisht nga Tirana, por edhe nga rrethe të tjerë të Shqipërisë.

Trafiku ishte si në Tiranën tonë, kur bie shi. Qafa e Zenele, Lapidari i Prongjisë, Fusha e Kardhiqit, Kakodhiqi, e Qafa e Taroninës, plot me makina që shkonin në Fushëbardhë…

…Të njëjtat makina, e kishin përshkuar këtë rrugë, vetëm katër  ditë më parë. Ato makina atë ditë, shoqëronin “dhëndrin”, të zotin e shtëpisë në Fushëbardhë, Gjençi Kazon.

Kurse vetëm katër ditë më pas, ato makina, por edhe shumë të tjera, që nuk ishin herën e parë, shoqëronin “nusen”, Çupën(alias Afërditën), zonjën e asaj shtëpie, bashkëshorten e Gjençit…

MISTERI I EMRIT “ÇUPA”

Ditën e premte, ditën që u përcoll Gjençi Kazo, kryeplaku i Fushëbardhës i cili mbajti Fjalën e Lamtumirës, teksa fliste për jetën e tij, ndër të tjera, tha: -“Gjençi e ndërtoi familjen e tij me Çupën”…

Qysh ditën që mësova emrin me të cilin njihej nga i  gjithë komuniteti nëna e familjes Kazo-Çupa, më ka intriguar veçanërisht ky fakt.

Më intrigoi në dy drejtime: Së pari, pse i mbeti ky emër? E së dyti, si qe e mundur që ky emër i mbijetoi Asaj, aq sa ajo jetoi, duke eklipsuar tërësisht emrin Afërdita, të shkruar në letrat zyrtare të shtetit?

Pse i mbeti emri i pandryshueshëm Çupë? Pse ishte e paracaktuar që ajo të kishte dy emra në jetën e saj; njërin që e dinte vetëm gjendja civile dhe ca njerëz të paktë, e tjetrin, atë me të cilin  e njihte e gjithë shoqëria? Çfarë ka qenë ajo zonjë, qysh  në paralindjen e saj? Apo mos kishte të drejtë Naimi, kur shkruante për paralindjen e tij, e mos vallë Naimi ndoshta parashkroi edhe se çfarë do të ishte Çupa? Sepse Naimi shkroi në dy shekuj e për të gjithë shekujt, shkroi për të gjallët, të vdekurit, por edhe për ata që do të lindin në shekuj, pas vdekjes së tij… Pra, mos kishte të drejtë ai kur shkruante: -“Qeshë Diell, ishnja Hënë/U bëshë ujë e baltë dhe erë/Yll e zog, e dash kam qënë/Pa dhe njeri, shumë herë”?…

Nuk është thjesht çështje kërshërie, e as kureshtje e njeriut që mëton të studiojë fakte dhe fenomene, e të shkojë deri në rrënjën e gjërave.

Është shumë më tepër sesa aq, shumë më përtej kureshtjes.

Gjithë sa pyeta, m`u përgjigjën me një sinqeritet vrastar duke ngritur supet:-“Po ja, babai i saj i thoshte çupa, e ashtu i mbeti”!!!

E pamundur kjo. Sepse çdo baba e çdo nënë, e përdor këtë fjalë kur i referohet fëmijës që ka lindur femër. Ashtu siç përdoret fjala bijë, por në përdorim të gjerë, edhe fjala vajzë.

Nuk e kemi edhe aq të varfër gjuhën tonë Shqipe në sinonime. Pavarësisht se këto katër përcaktime; koce(në trajtën nëndialektale), çupë, vajzë, e bijë, fliten në faza të ndryshme të jetës së femrës. Për shembull, fjala bijë, e ndjek pas gjithë jetën femrën. Sepse ajo, edhe kur bëhet gjyshe në derën ku ka shkuar nuse dikur, për derën nga ku doli vajzë, domethënë në derën e babës-apo në Gurin e Babës, siç i thonë, mbetet Bijë. E prandaj bijave, u rezervohej nderim dhe vend i veçantë.

E prandaj ekziston edhe sot shprehja:-“Bijat, në qoshé”. Në dhomën e grave, kuptohet.

Kurse fjala çupë, me njohuritë modeste që ka shkruesi i këtyre radhëve në gjuhësi, ka tjetër kuptim, e tjetër kumbim.

Që një femre t`i mbetet emri Çupë, do të thotë që personi që e bart përjetësisht këtë emër apo “paranom”-siç thotë huazimi gjuhësor, të ketë cilësi të veçanta. Jo thjesht të jetë e zgjuar, apo me zgjuarsi të jashtëzakonshme siç ishte Çupa, jo thjesht të jetë e pastër, jo thjesht të jetë e sinqertë, jo vetëm të jetë e çiltër, por të jetë…e qashtër.

Ashtu siç një jetë të tërë ishte Çupa-Afërdita Kazo(Mullai), bijë dhe nuse e Fushëbardhës. Një grua fisnike, e një femër e qashtër.

Asaj gruaje, ndoshta do t`i shkonin për shtat vargjet që Naimi ynë i madh, në dedikimin që i bëri nënës:-“E lartme dhe` poshtme/E gjithësisë je ti/ S`e di se ç`je/Por gjithësija je vetë!”

 

U HIDHËRUAN EDHE GURËT, PËR ÇUPËN…

 

Shprehjen e mësipërme që është nëntitull, e tha nënë Alemja, bashkëmoshatare e Çupës. Ajo e tha, por e përjetuan edhe gjithë sa ishin atje. Ashtu siç e shprehu nënë Alemja…

…Çupa erdhi në jetë ndaj të gdhirë, afër mëngjesit, “sa kishte dhënë dritë”, një ditë pranvere. Prandaj edhe kur e regjistruan, nuk e vranë mendjen shumë. –“Aty më të dirë, leu çupa. Shkruaje Afërditë-i thanë nëpunësit të gjendjes civile. Po ku e dinin ata, se do të mbizotëronte në gjithë jetën e saj, ai emri i parëndësishëm në dukje-çupa, që e thanë si nëpër dhëmbë atë ditë?

Ky popull, shumë gjëra nuk i ka shprehur me fjalë. Ose për mungesë njohurish në gjuhësi(patjetër kjo e para), por edhe për kryeneçësi.

Por familja, fisi, komuniteti, fshati e më gjerë, e gjithë “gjendja” siç i thonë në ato vise, i ka bërë “grafinë” e shpirtit secilit e secilës, ndër vite, ndër shekuj.

Një lloj grafie, që nuk mund ta realizojnë dot rrezet e rontgenit. Grafinë e Shpirtit.

E kjo lloj grafie, e këtij njeriu, për pastërtinë dhe qashtërsinë e karakterit të saj, pranonte vetëm një emër: Çupë. Emri Çupë dikur, u mbetej përjetësisht vajzave që kurrë s`u martuan, por edhe që kurrë nuk patën “partner”, siç me pacipësi e shqiptojmë sot, këtë fjalë të pështirë. E pështirosi vetë njeriu shqiptar, me konotacionin që i dha, duke nënkuptuar vetëm marrëdhëniet seksuale.

Por kjo ishte e vetmja çupë që u martua dhe lindi fëmijë, e që mbajti emrin Çupë.

 

ATA U RIMARTUAN…

 

Ata i ndau fati. Iku Gjençi. Po pse të mos themi, se Gjençi shkoi në Fushëbardhë, “për ca punë, e për pak ditë”, “për të punuar dhe krasitur” pemët e selitura të asaj shtëpie, se stina e tyre ishte.

Atëherë, “e drejta” e tyre, të ribashkoheshin. Atë ditë, Çupa, pësoi goditje nga hipertensioni arterial.

Kaluan tre ditë. E veqili donte edhe gruan në shtëpi. Atëherë duhej t`i shkonte atje pranë, në shtëpi. E tha, dhe e bëri. 24 orë para se të nisej për në shtëpinë e saj, nuk komunikoi me njeri. E la veten në intimitetin e vetvetes. Fundjafare, truri i saj që kishte punuar si “perpetum mobile” për 76 vite e 349 ditë rresht, a nuk e kishte të drejtën të pushonte, qoftë edhe vetëm 24 orë?!? Ajo iku ndaj të gdhirë, një dite të hëne. Ashtu siç erdhi ndaj të gdhirë, një ditë pranvere.

Dhe sipas kërkesës së saj, e çuam në shtëpinë e saj, në Fushëbardhë. Atje ku kishin gjithë mundin dhe djersën e jetës së saj dhe të burrit.

Në atë shtëpi, nuk ishte hequr xhezvja nga zjarri. Ziente kafeja, e bijtë e Derës ndanin me lugën e kafes, me miqtë dhe me shokët, hidhërimin për babain e tyre, Gjençin. Gjençi punëtori proverbial i minierës, burri që kërkoi aq shumë nga vetvetja dhe nga të afërmit e tij, të cilët i deshi po aq shumë në mënyrën e vet.

E futëm Çupën në shtëpinë e saj. Me të gjithë nurin dhe hiret që pati një jetë të tërë. Në atë shtëpi mbizotëronin dy aroma, në gjithë mjediset e saj: Aroma e Djersës dhe Aroma e Gëlqeres!

Hyri zonja brenda, e pyeti:-“Po i zoti i shtëpisë, ku është”?

–“Ka shkuar të çlodhet në “Shullëre”-i thanë.

-Mirë, më çoni edhe mua atje, përkrah tij, të çlodhemi bashkë-tha Ajo.

Dhe ashtu u bë…

Fushëbardha, i ngjan një amfiteatri gjigand, i cili përshkohet nga një lumë, i cili në gjysmën e muajve të vitit, është i rrëmbyeshëm. Diku aty nga kreu i “shkallëve” të këtij amfiteatri, është një kodrinë e bukur, rrëzë një pylli. “Shullëret”- quhet vendi që Fushëbardha ka zgjedhur si Fjetinë të përjetshme, për të pushuar atje, në amshim të ikurit. Një kodrinë e bukur që shikon diellin, e punuar me merak, nga duart e të gjallëve. Nëse kemi parasysh aksiomën se varrezat e një vendi tregojnë kulturën e tij, Fushëbardha e justifikon plotësisht nivelin e qytetërimit që ka…

Mbishkrimi poetik në varrin e Abdyl Frashërit, ishte një perlë bektashiane. Nga Naimi, ose nga Samiu(nuk dihet saktësisht), janë përzgjedhur dhe shkruar dy vargje: “Njeriu i gjallë është në gjumë. Kur vdes, zgjohet nga gjumi”. E Naimi me zgjimin e tij, zgjoi një popull të tërë, por edhe e bëri komb. Dhe po e mban zgjuar, për ata që dinë të lexojnë…

Nëse çdo jetë e ka vdekjen si mundësi, ka edhe vdekje që kanë mundësinë e mos vdekjes. Ashtu siç u krijua kjo mundësi, për çiftin Kazo…

 

…SEPSE LANË PASARDHËS

 

….1500 vjet para erës së re, në Egjipt u shkrua “Libri egjiptian i të vdekurve”. Në mbyllje të atij libri, shkruhen vargjet:-“Vdekja është në sytë e mi sot/Si malli i njeriut për t`u kthyer në origjinë/Jetën e rëndë, për ta zhveshur si një rrobë!”…

…Ne vdekatarët e zakonshëm, ende nuk kemi mësuar për të vdekur siç duhet. Sepse ende nuk kemi mësuar të jetojmë siç duhet. Ti, Çupa e përjetshme, ke ditur të jetosh, prandaj ke ditur edhe të vdesësh.

Kjo botë, sa vjen dhe bëhet më tepër një vizion, një shpirt i shkëputur nga trupi i vetvetes. Ndodh rëndom ky fenomen, por jo me familjet e shëndetshme.

Të katër fëmijët e këtij çifti të mrekullueshëm, Eldari, Njaziu, Anxhelua dhe Vjollca, i përcollën prindërit e tyre, në moshën kur kishin njohur dy jetë njëherazi: Jetën e prindërve të tyre, por edhe jetët e tyre personale.

Prandaj ata sot nuk janë si ai nxënësi që pyeti dikur Konfucin: -“Çfarë kuptimi ka vdekja? E Konfuci iu përgjigj: -“Kur ende nuk ke kuptuar jetën, si mund të kuptosh vdekjen”?!?

Fëmijët e atij çifti, janë të gjithë në moshë të pjekur, me familjet dhe fëmijët e tyre. -“Kurrë në jetën time, nuk e kisha bërë rrugën nga shtëpia deri në Shullëre me vrap”-thotë Anxhelua. Dhe kishte të drejtë, sepse nxitoi të shkonte e t`i takonte të dy. Kur shkoi për të dyzetat e Çupës…

Kur të rriturit vdesin, fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre, që gjithmonë lindin në pambarim, i mbartin ata në trupat e tyre. Por jo vetëm në trupat e tyre. Fëmijët dhe stërnipat i mbartin paraardhësit e tyre, në karakterin e tyre, në sjelljen e tyre, në jetët dhe arritjet e tyre.

 

NË VEND TË MBYLLJES

 

…Perënditë janë fatkeqe dhe të mjera, pikërisht sepse nuk dinë të vdesin fizikisht. Kjo edhe për arsyen se ato kurrë nuk ekzistuan fizikisht, por vetëm në fantazinë njerëzore. Kurse njerëzit vdesin fizikisht dhe sigurojnë pavdekësinë e tyre, vetëm nëpërmjet pasardhësve dhe cilësisë së tyre….

Njerëzit e mençur të kësaj bote, mendojnë pas-vdekjen. Çfarë gjurmësh lamë në jetë? -Çdo të rrugëtojë pas fundit tim?-shtrohet pyetja. Sepse ajo që mbaron, përherë nis. Në një formë tjetër, e me thelb të njëjtë.

Ndoshta vdekja është fundi i të gjitha fundeve. Apo është fillimi i të gjitha fillimeve?!?

Me shumë dhimbje, e plot të drejtë dhe me kulturë, zoti Nexhip Onjea, në fund të fjalës së Lamtumirës që mbajti, kërkoi duartrokitje.

Në këtë kuptim, duartrokitjet që shoqëruan vendosjen e Çupës në banesën e përjetshme, të përthyera në lotët e të gjithë të pranishmëve(lotët nuk mund të diktohen dot), e në dënesat e gjithë fëmijëve të Çiftit që sapo u rimartua, kishin brenda tyre, dy fjali thirrore, në shqipërimin e pastër: -“Në djall vdekja! Vdekje vdekjes!”…

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk kam lexuar Reportazh më emocionues, por edhe më të plotë. Një Reportazh, që zbërthen Hijen e vdekjes, Thelbin e jetës, por edhe shpresën e madhe. Autori është i mirënjohur, e në këtë kuptim nuk përbën “surprizë” për mua ky shkrim i tij. Edhe pse është shkrim i një lloji të veçantë, i pa hasur deri më sot.
    Prandaj do të dëshiroja të përgëzoj gazetën që e ka botuar. Është meritë e saj, e njerëzit kanë nevojë për shkrime të tilla. Përtej dramës së Familjes Kazo, vdekja është pjesë e kësaj jete, por e veçanta është sjellja me art dhe me shumë kulturë e saj, nga autori.

    Përgjigju ↓