BLUETOOTH

Ekskluzive/ Pjesë e “Voice of Italy”, rrëfehen Serena dhe Ina Sinani: Emocionet e para dhe sfida për të kënduar shqip

19:00 - 04.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Flasin binjaket shqiptare: Produksioni italian, i emocionuar që sillnim kulturën tonë në skenë – “Një nga objektivat tanë, ta bëjmë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën e të mrekullohet me të”




Pak net më parë ato morën pjesë për herë të parë përpara një jurie italiane në një nga formatet më të njohura në vend, “The Voice of Italy”. Habia dhe ajo që i mrekulloi të katërt anëtarët ishte fakti se dy vajzat kënduan këngën e Era Istrefit dhe Ledri Vulës, “Shumë pis” në një performancë të tyren unike. Këto emocione e shumë detaje të tjera binjaket Serena dhe Ina na i kanë rrëfyer për herë të parë në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”.

“Akoma nuk na besohet që u kthyen të katërt gjyqtarët. Për ne është që tani një arritje shumë e madhe. Nga ana tjetër, ‘The Voice’ është programi i parë në të cilin marrim pjesë dhe për ne është një eksperiencë e re dhe shumë e bukur”, janë shprehur ato.

Por, si nisi gjithçka dhe duhet theksuar se ato s’janë vetëm këngëtare, por edhe kompozitore e tekstshkruese. Nga nisi gjithë ky frymëzim e talent?

“Kemi qenë gjithmonë të apasionuara pas muzikës. Që të vogla na pëlqente shumë të këndonim dhe e bënim kudo. Përpara se të këndonim seriozisht së bashku, kemi mësuar të luajmë në kitarë dhe kemi marrë për një vit leksione kantoje, por pjesën më të madhe të kohës kemi mesuar autodidact (vetë)”, kanë thënë ato.

Për t’i njohur akoma më mirë binjaket Sinani ndiqni intervistën e mëposhtme, ku do të zbuloni akoma më shumë surpriza, ndërkohë që Serena dhe Ina vijojnë ëndrrën në “The Voice of Italy”, duke na bërë akoma dhe më tepër krenarë!

binjaket 8 binjaket 9 binjaket 4 binjaket 10 binjaket 7 binjaket 1 binjaket 2 binjaket 5 binjaket 6 binjaket 11 binjaket 3 binjaket 12
<
>

“Sindolls” janë dy binjaket shqiptare që dalluan në “The Voice of Italy”. Pse pikërisht ky emër?

Kemi zgjedhur këtë emër, sepse donim të përdornim fjalën “kukull”, por të anulonim konceptin e saj të perfeksionit. Kështu që i shtuam ‘Sin’ (mëkat në anglisht), për t’i dhënë konceptin e mëkatit si dhe tre shkronjat e para të mbiemrit tonë, Sinani.

Si ishte eksperienca juaj në “The Voice” dhe si e pritet pëlqimin e menjëhershëm nga juria?

Akoma nuk na besohet që u kthyen të katërt gjyqtarët. Për ne është që tani një arritje shumë e madhe. Nga ana tjetër, “The Voice” është programi i parë në të cilin marrim pjesë dhe për ne është një eksperiencë e re dhe shumë e bukur.

Keni thënë që do të këndoni në shqip edhe në netët në vijim. I qëndroni kësaj deklarate të bërë pas natës së parë të pranimit në “ Voice of Italy”?

Po, një nga objektivat tanë është ai që ta bëjmë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqiptare, sepse përfaqëson origjinën tonë dhe do të ishte shumë bukur që sa më shumë persona të zbulojnë sa e mrekullueshme është.

Si vendosët të merrnit pjesë në “Voice of Italy”? Kush ju nxiti, e kujt ishte ideja?

Kemi vendosur të futemi në këtë eksperiencë për të pasur një mundësi për t’u njohur nga një publik më i madh dhe të kalojmë nga koverat e bërë në “Youtube” në dhomë, në eksperiencën tonë të parë televizive. Fillimisht ishim në mëdyshje, por kur zbuluan se një nga trajnerët do ishte Guè Pequeno, nuk patëm më dyshime.

Prej sa vitesh jenoni në Itali? Si është historia e familjes suaj?

Prindërit tanë janë shqiptarë dhe janë transferuar këtu në Itali përpara se ne të lindnim. Por mundohemi të kthehemi në shtëpinë tonë në Shqipëri çdo verë, sepse na pëlqen shumë dhe jemi shumë të lidhura me tokën e origjinës.

Çfarë sakrificash kanë bërë prindërit tuaj për të qenë pjesë e komunitetit italian?

Nuk ishte e lehtë për ta të nisnin nga zero duke qenë se ishin të huaj, sidomos të bënin që të pranoheshin dhe të respektoheshin nga komuniteti. Por, avash-avash, duke punuar në mënyrë të ndershme dhe duke u njohur për atë që janë kanë fituar respektin që meritojnë dhe jetojnë shumë mirë.

Si lindi pasioni për muzikën? Sa kohë keni që merreni me muzikë?

Kemi qenë gjithmonë të apasionuara pas muzikës. Që të vogla na pëlqente shumë të këndonim dhe e bënim kudo. Përpara se të këndonim seriozisht së bashku, kemi mësuar të luajmë në kitarë dhe kemi marrë për një vit leksione kantoje, por pjesën më të madhe të kohës kemi mësuar autodidakt.

Pse menduat të shkoni dyshe në konkurs? Nuk mendoni se mund t’ju penalizojë sadopak kjo gjë?

Për ne të qenurit dy nuk është një pikë e dobët, por e fortë. Mund t’i bëjmë të mira këngët, të krijojmë harmonizime dhe ta bëjmë më të plotë harmoninë e teksteve.

A keni hasur vështirësi në konkurs apo edhe jashtë tij duke qenë se jeni shqiptare?

Fakti i të qenurit shqiptare nuk ka ndërhyrë asnjëherë me rrugëtimin tonë muzikor, përkundrazi vetë producentët e programit ishin të lumtur që sillnim kulturën tonë në këngën që u propozuam në prezantimin e fshehtë (blind).

Jeni binjake shumë të veçanta në stilin dhe muzikalitetin tuaj. Por, a janë njësoj Ina dhe Serena jashtë kamerës? Nga dalloni nga njëra-tjetra?

Në nivelin e imazhit dhe të muzikës jemi shumë të njëjta, por edhe pse jemi binjake, nga karakteret jemi shumë të ndryshme. Logjikojmë shpesh në mënyrë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe kemi shije të ndryshme si psh., në ushqim e sidomos tek djemtë. Miqtë dhe të afërmit na dallojnë nga zëri, sytë dhe sidomos nga mënyrat e të shprehurit.

Keni të dyja të njëjtat pasione dhe preferenca për të ardhmen?

Ndajmë të dyja të njëjtin pasion dhe në lidhje me të ardhmen jemi dakord mbi atë që duam të arrijmë: do të na pëlqente të publikonim punime tonat dhe të përfshijmë një publik më të gjerë dëgjuesish që na vlerësojnë për zhanrin që bëjmë.

Kush është më guximtarja dhe kush më çapkënia? Nga ju dallojnë njërezit përveçse nga veshja?

Jemi të dyja shumë guximtare dhe besoj se është vënë re, gjithashtu jemi të dyja shumë të gjalla si tipa. Unë (Serena), hapem shumë shpejt me personat që më bëjnë të ndihem vetvetja dhe mundohem të bëj të njëjtën gjë me ta. Ndërkohë që Ina nuk e ka aspak problem dhe mundohet të flasë me të gjithë edhe pa i njohur mirë.

Ju keni një pasion shumë të madh për muzikën, e cila s’ka lidhje vetëm me të kënduarit. Ju edhe kompozoni e i shkruani këngët. Si e realizoni këtë gjë, bashke apo i keni të ndara si procese?

Kur shkruajmë diçka, vendosim një ide të përbashkët dhe pastaj secila shkruan të vetën, pjesën e saj. Në vijim i vendosim të gjitha së bashku dhe përballemi për të vendosur modifikimet e duhura.

Kush ju ka frymëzuar për këtë stil muzike dhe a është dikush në familjen tuaj që ka një talent të tillë nga i cili e keni trashëguar?

Babi është artist, bën skluptura dhe vizaton shumë mirë, ndërkohë që mami dashuron muzikën dhe kur ka qenë e re ka dashur shumë të këndonte. Ata kanë ndikuar shumë në këtë aspekt. Gjithashtu jemi rritur duke dëgjuar R&B, Hip Hop dhe shumë zhanre të tjera që të vogla dhe lindi tek ne një pasion shumë i madh për muzikën dhe dëgjojmë çdo gjë.

Cili është sipas jush “kali i luftës” me të cilin mendoni se mund të rrëmbeni fitoren?

Për ne, “kali ynë i luftës” mund të jetë një pjesë muzikore që mikson të gjitha kapacitetet tona për të kënduar, diçka si në prezantimin e fshehtë (blind).

Së fundmi, për t’ju njohur më mirë. Serena dhe Ina janë sa të njëjta edhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Cila është pika më e fortë dhe më e dobët e secilës?

Serena: Pika e fortë e Inës është profesionalizmi në montimin e videove dhe të punojë fort për t’i nxjerrë sa më mirë regjistrimet tona. Pika e dobët është se bëhet shumë e vështirë kur nervozohet.

Ina: Pika e fortë e Serenës është se kur nis diçka, jep gjithmonë 100% për ta çuar në fund. Pika e saj e dobët është se sipas meje, ndonjëherë është shumë pesimiste.

Cila është shprehja apo muza që motivon secilën në çdo ditë të jetës suaj?

Serena: Ajo që më motivon është ambicia dhe dëshira për t’u bërë dikush në botën e muzikës, që e dua me gjithë zemër.

Ina: Frymëzimi im më i madh është arti në vetvete dhe nevoja për të ndarë idetë sipas kritereve të mija.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.