MILOSAO

Golgota fluturash

14:33 - 02.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori i njohur Moikom Zeqo na ka sjellë këtë cikël, ku paraqitet me të gjithë gjerësinë e tij krijuese. Në nderim të 70-vjetorit dhe kontributit të madh në letrat shqipe i urojmë jo thjesht jetë të gjatë, por edhe fuqi krijuese…




Nga MOIKOM ZEQO

Dredhitë e Historisë s’kanë fund.
Me abstraksionet e aventurave
Rishfaq idetë e reja.

***
Them se të trillova ty, e dashur,
Dhe do të mbetesh patjetër
Dhe kur unë të zhbëhem!

***
Te çdo rrokje e peshoj vetë Kozmosin.
Si ta vjel tani lëngun e Jetës,
Që nga Poezia?

***
Jeta është një endacakëri,
Mes tempujve të braktisur
Dhe simboleve të rinj,
Që na shpërdorojnë
Pa vetëdijë,
Pafundësisht!

Një Femër e Panjohur
Ma sjell vetë Vjeshtën
Në dhomën time të vetmuar,
Ku shkruaj poezitë,
Që s’do t’i lexojë askush,

Por kjo s’më shqetëson!

***
Ah, mistika orgjiake me ekstaza të stilit,
Shpresat veniten si kopshtet e Babilonisë.
Dhe fjalët moderne
Do të vdesin pas fjalorëve të lashtë.
Dhe s’do të mundin dot
Ta rigjejnë vetveten!

Sa urtakë të pluhurosur dhe të heshtur
Të dështimeve tona rituale!

Dhe dëgjoj një zë
Si mësim kundër un-it të pakufizuar!

***
Në universin e modeleve dhe të formave
Shpirti zgjedh diçka,
Për të mos firasur përmbajtjen!

***
Pse ti ke frikë
Të largohesh nga unë,
Si ai, që s’di not dhe s’hidhet dot
Nga anija në det?

Ç’janë këto ujëvara,
Që si notare shtrydhin flokët?

Fjalët, që sapo i artikulova,
Janë si të porsalindurit
Të regjistruar në kartelat e maternitetit?

***
Ja, jargavani i zorrëve
Dhe meneandri i zorrëve!

Vargjet për jetët e venitura
Janë filmi i djegur,
I fotografive,
I nxjerrë pa kujdes në dritë nga aparati.

***
O, erë që barazohesh
Me semantikën e poezive dhe të librave!

Fjalët i them mes një teprije jete.

Dhe kjo vjershë largohet
Siç ikën tetori!

Njohësit e luleve
Janë dhe të besimit supersticioz për Progres.

Pse vargjet e mi i kam gjetur
Në librat e poetëve,
Që ende s’kanë lindur?
Patjetër këtë muzg me portokaj
Do të vendos
Në Inventarin e Gjuhës!

***
Kam punë
Për të larë hesape me veten time,
Pa mëshirë, pa reverenca!

Teoritë aforistike
Nuk e shpjegojnë të thjeshtën!

Në përkatësinë e ndjenjave,
Jemi si koncertet e vrullshëm të Vagnerit.
Ç’femra Valkire
Kokëtojnë me Heshtjen?

***
Shumëfishohen ndjenjat
Por jo dhe fjalët e kursyera.

Imazhet pa redaktim
Janë xhungla në kaos!

Gjersa frymojmë në skaje të kundërt
Ende s’kemi vdekur, e dashur!

***
Në çdo fund dite janë tërë mbeturinat e ditëve,
Që mblidhen në periferinë e plehrave të qytetit.

Padijet tona nuk takohen.
Pse kjo më bën më të qetë dhe pa shqetësime?
Ah, gjërat e përjetshme,
Në vend, që të na mbajnë
Jemi ne, që i mbajmë!

***
Gjaku më bjen
Në shputat e mia Akiliane,
Mbështjellë me fuqi të padukshme.

Kush e ndjen çastin,
Kur e Paarritshmja bëhet e afërt, e afërt!

***
Jam vërtet një shaman plak, i harruar,
Por s’shpjegoj dot
As poezitë e mia!

Kërkoj të fshehtat e thella
Dhe tek fjalët njëqindkuptimëshe!

Pse hartat në mur
Zbrazen dhe janë bosh?

Ullinjtë e tezgjahut të stinëve
Thurin shekuj ajri dhe muzgu.

Unë kopjoj transplantime kohërash
Dhe bëj me to ikonografinë kozmike të ideve.

***
Më sfilit kundërshtia,
Mes Heshtjes dhe Fjalës!

Nga frëngjia e një rrezeje
Kozmosi më përgjon trajtat,
Pavendosmëritë e epshet
Dhe njëmijë vdekjet e mia!

“- Mos ma shkatërro detin,”, më tha një fëmijë
“Është lodra ime!”

***
Hidhi fotografitë e fëminisë në zjarr,
Por s’digjen, s’digjen, s’digjen!

Valët e Currilave
Më vërshojnë në deje!

Ç’mbretëresha kripe janë fshehur
Në shpellat bregdetare?

Po më vjen rrotull çmenduria,
Por unë ende i shmangem!

***
Nga njëra anë e boshllëkut, je ti e dashur,
Nga ana tjetër jam unë,
Si dy vegjet e një amfore të zotave!

Dhe shpresa është një shpend nate
Brenda një agimi të përflakur.

Ndjej përplasje dhe energji
Si nënputrat e një luani në vrap!

***
Jetoj me mirëkuptim
Taktin e madh të natyrës!

S’më prekin detajet e përditshmërisë
Dhe jetoj në një ditë të vetme
Më të gjatë se ajo e “Uliksit” të Joyce-it!

Tingujt e shiut godasin
Bukurinë e errët të muzgut adriatikas!

***
Kjo shishe vere, e vjetër,
Ruan një rrufe të largët
Që nga shekujt e hershëm
Të krishterimit kryengritës!

***
Gjilpëra e Ankthit gërvisht
Pllakat e gramafonit Histori!

***
Qënia ime, bredharake në ëndrra
Është siameze
Me qenien time,
Që flen!

***
O, mermere, që fshihni vdekje të ardhshme,
Qielli ka substanca elektrike!

Bota e Re dhe Dituria e Vjetër
Përplasen gjer në copëtim!

***
Trupi reagon ndaj ngacmimeve sublime të Mendjes,
Rrëshqas në linja të parrëfyeshme,
Edhe me mungesën time sërish do të shfaqem,
Me meteorët, që kërcënojnë Tokën!

***
Tani, që ndihem i zbrazët,
Pse s’mbushem dot
As me këtë det fantazmagorik të mesditës?

***
S’më kap dot me duar
Të më shtrëngosh, e Pikëlluara ime,
Jam tym temjani, që humbet në mugëtirë!

Dhe ky zog si ashkël zjarri
M’i djeg imagjinatat!

***
Zgjatet pëllëmba e ditës,
Ku dy re, njëqind zogj
Dhe pak fjalë drithëruese
Janë për ty, e dashur!

***
Dhe kuptimet projektohen,
Jashtë fjalëve!

***
Një meteor ndrit qiejtë e errët,
Dikush më tha:
Mëzi yt në oborrin e fëminisë,
Mbasi u plak si kalë, tani sapo u dogj!”

***
Ç’energji nxjerr trupi im,
Mes elementëve të zbërthyer të materies?

***
Mbasi e peshkoj
Vetë Leviatanin
Ja tregoj me përkorje Thomas Hobsit
Aty ku ngjyra blu,
Është gozhduar
Mes të Kuqes dhe të Zezës!

***
Dhe era
Hedh tufat e zogjve
Si Farëmbjellësi biblik
Farat e sigurta
Të drithrave të Shpirtit!

***
Çdo motiv
Ka flatra!

Veç muzgu nxiton dhe klith:
“-Tepër vonë, tepër vonë,
S’ditët ta shijoni
Dritën e ditës së papërsëritshme!”

Dhe më në fund
Befas
E shoh dhe yllin
Me një bri!

***
Idetë e mia si lakmuesi,
E qiejve dhe e shpjegojnë
Acidin muzgor
Të ditëve dhe të shekujve.

Si ta shpik,
Si ta shpik,
Një Mitologji të Re?

***
Një avion në flakë
I ledhatohet dorës time
Si një luan me krifë!

***
Ç’stilografë të dikurshëm,
Që tani s’i përdor,
Që kanë shkruar kaq shumë
Dhe sot s’shkruajnë më!

Janë si ca lokomotiva të vjetra me avull
Të mbyllura në një magazinë!

Ku janë udhëtarët
E trenave të moshës?

Ç’sirena gjëmojnë
Përsëri?

***
Dua të gdhend
Me lëndën e mëngjeseve
Profilet e pafundme
Të Përjetësisë!

Po ku vanë
Vitet e mia
Të parrënjëzuara
Si dushqet antike?

Dhe gurgullimat e burimit
Kthehen në zanore njeriu!

Dhe Shiu Krisht
Lan këmbët
E apostujve drurë në pllajë!

***
Unë ngre ngrehina
Me eshtra zogjsh.

Ah, frymëzimi
Pa mëgojca!

Ç’është kjo dritë,
Që më dënon
Me sterilitet të bardhë?

***
Prek trupin tënd e dashur
Dhe them:
“Je ti, je ti, –
Po më kërkon
Në të tërë mijëvjeçarët!”

Një barbari e çuditshme
Është zgjuar dhe po lëviz!

Metali i muzgut
Bëhet parzmore
E qytetit bregdetar!

***
Kush shpik
Fantazma digjitale
Në kompjuter?

***
Dhe meridianet dhe paralelet
Janë flokët
E Gruas Fosforike
Të Majakovskit!

***
Kush e ka tani
Fjalën e fundit?

Libidoja?
Apo Thanatosi?

***
Harrimi pa kujdes, egërsisht,
Ma zhvesh botën,
Por jo shpirtin!

***
Dhjetë Hëna do të pyllëzohen
Në sytë e mi!
Dhe herbariumet e mia
Janë Golgota fluturash të çuditshme.

Dhe vdekja
Purifikohet
Në zjarr.

I shmang, i hedh tutje
Krahasimet,
Që janë për mua
Engjëj të rrëzuar!

***
Kjo lumbardhë e Milosaos
Ka bërë fole
Kafkën vigane
Të Adamit.

Dhe Koha
Bëhet
Nervi im i syve!

***
Avionët janë bërë përherë e më të përsosur,
Mobiliet, reklamat, video-clipet,
Makinat e shkrimit u shndërruan në kompjutra,
Por fjalët mbetën,
Po ato që qenë!

Kuptimet
Mbase
Kanë ndryshuar!

***
Këto degë,
Jashtë dritares
Janë duart që luhaten, përplasen,
Të atit tim të vdekur,
Gjysmë shekulli më parë!

Ajri bën Ekspozitë të Artit Post-Modernist
Padyshim në shtrëngata!

Ç’yjekuaj
Me jele agonie!

***
Ç’rrugicë dëshpërimi
Më çon
Tek ylberi?

***
Sa breshka kanë lindur
Në Vitin Alfa?

***
Kush e lexon
Orën e Zotit, Zotit
Me dy akrepa
Të fluturimeve të krillave?

***
Tek ky bregdet i zbrazët
E shpik një peizazh autokton
Si Canalleto
Ndërtesat e vjetra
Të Venedikut!

***
Në murin e dhomës
I kam ngrirë detet
Në një suva blu
Plot yje!

Ç’dru
Me elektrone muzikore
Në deje!

Dhe ca pleshta
Hidhen në sulm
Në një gjah zotash!

***
Tani kjo lule
Mund të rritet, të rritet
Duke shpërthyer
Me shpatulle
Tërë guackën e qiellit!

***
Pse shekulli XII
Del si parfum,
Nga ky trëndafil, që unë mbaj në duar,
Të mërkurën e parë
Të janarit 1999?

***
Dhe i krijoj një oaz të thellë fjalësh,
Ku mund të mbyten
Tërë profetët biblikë të lajthitur.

***
Trualli kumbon, kumbon…
Janë vende, ku janë groposur
Muzika të shekujve!

Se Hiçi
Është një Llupës Mizor,
Ne jemi veç kafshata të vogla!

***
Sa shpirtra detarësh të shekujve
Vijnë tek unë,
Për të më shndërruar në një anije, –
Të lundroj drejt Viseve hiperboreale!

***
Ja, ylberet,
Që lindin
Nga pentagramet
E George Ligetit!

***
Shpik krimba specialë për akullnajat.

Si mund të bëj
Beteja të imagjinuara
Mbi kuajt e drunjtë
Të cirkut?

Dhe tymtarët e qytetit
Fishkëllejnë mbi pullaze,

Si saksofone të Jahovait
Papritur…

Durrës 9 shtator 1999


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.