Kryesore

Qeveria i rikthehet shembjes së teatrit, ja vendimi që u mbajt i fshehtë

11:00 - 04.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është publikuar këtë të hënë në Fletoren Zyrtare një vendim që autorizon ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private që do të ketë në objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar. Thënë ndryshe qeveria i kthehet synimit të saj për shembjen e dy teatrove kombëtare përmes një vendimi të miratuar në prill, që u mbajt i fshehur këta dy muaj.




Projekti i kundërshtuar fort që ka nxjerrë një shesh çdo ditë prej një viti artistë e shoqëri civile synon ngritjen e një godine trekatësh në vend të dy teatrove Kombëtarë. Vendimi i qeverisë i miratuar në datë 4 prill 2019 por që hyri në fuqi dje pas publikimit në Fletoren Zyrtare nënvizon se qëllim i tij është krijimi i komisionit për realizmin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.

Vendimi merret së dyti përcaktimin e kritereve kualifikuese e vlerësuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe të godinës së re të Teatrit Kombëtar. Del pra se qeveria nuk është tërhequr nga projekti i Teatrit, por vetëm ka reflektuar kërkesën e bërë nga Bashkimi Europian që procedura të ishte me një garë transparente duke qenë se më herët një projektligj i ngjashëm sanksiononte se operatori privat ishte Fusha sh.p.k. Autoritet Kontraktor në gjithë procedurat duket se do të jetë Bashkia e Tiranës.

Brenda pesë ditëve ministrat e Kulturës, Financave dhe Ekonomisë dërgojnë pranë Bashkisë së Tiranës emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision. Kryetari i komisionit thërret mbledhjen e parë brenda 5 (pesë) ditëve nga dërgimi i emrave të anëtarëve. Çdo institucion apo ent shtetëror, sipas kërkesës së komisionit, është i detyruar që brenda 3 (tri) ditëve nga kërkesa të vendosë në dispozicion të komisionit ekspertizën e kërkuar, nëpërmjet dërgimit të ekspertëve apo dhënien e saj me shkrim. Vendimi jep disa detaje për kriteret vlerësuese që duhet të plotësojnë palët private.

Kështu së pari çdo palë private që kalon fazën kualifikuese, në përputhje me dokumentacionin e paraqitur sipas përcaktimeve të kreut IV, të këtij vendimi, vlerësohet nga komisioni sipas disa kritereve si ai teknik, ai ekonomik duke përfshirë projekt idenë e zhvillimit të zonës si masterplani, zgjidhja e ofruar, arkitektura e Teatrit Kombëtar, niveli i gëzimit të të drejtave mbi pronën, referuar sipërfaqes totale të pronës private që preket nga projekti.

Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në muajin shkurt të vitit 2018 kur Robert Ndrenika në një mbledhje për ligjin e artit, pyeti çfarë do bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar. Në mars të vitit 2018, artistëve ju prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, ku shihej një godinë trekatëshe. Më vonë doli që pas godinës trekatëshe, në truallin e teatrit do të kishte edhe të paktën katër kulla.

Kjo solli përplasje të ashpër mes artistëve dhe qeverisë, derisa eksponentë të pushtetit nisën takimet ‘tete a tete’ me disa artistë duke i ndarë njerëzit e artit në dy kampe: ata që donin ruajtjen e godinave e ata që pranonin shembjen për një teatër të ri. Prej muajit shkurt 2018 dhe deri në qershor protesta për Teatrin ishte e përjavshme, çdo të hënë. Ndërsa prej qershorit 2018 deri në qershor 2019, ato janë të përnatshme. Kur në fund të prillit natën teatrit ju hoqën germat e emrit, Aleanca akuzoi dhe provoi me foto se germat i kishin hequr punonjës të bashkisë së Tiranës. Muajin e kaluar shkronjat u rivunë privatisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.