KULTURË

“Teatri? E dinim se duhej ta mbronim edhe fizikisht”

15:10 - 05.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Një ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit që i hap rrugës ngritjes së një komisioni që do përzgjedhë projektet për Teatrit Kombëtar dhe rrjedhimisht shembjes së dy teatrove kombëtarë ekzistues, ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrin.
Përmes një deklarate për mediat, Aleanca shprehet se kanë qenë të vetëdijshëm se do të vinte dita kur godina duhej mbrojtur qoftë edhe fizikisht, ndaj nuk janë të trembur. Sipas Aleancës, projekti për Teatrin e ri ka “qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor”.
Projekti i kundërshtuar fort që ka nxjerrë një shesh çdo ditë prej një viti artistë e shoqëri civile synon ngritjen e një godine trekatësh në vend të dy teatrove kombëtarë. Vendimi i qeverisë i miratuar në datë 4 prill 2019, por që hyri në fuqi dje pas publikimit në Fletoren Zyrtare nënvizon se qëllim i tij është krijimi i komisionit për realizmin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.




Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në muajin shkurt të vitit 2018 kur Robert Ndrenika në një mbledhje për ligjin e artit, pyeti çfarë do bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar. Në mars të vitit 2018, artistëve iu prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, ku shihej një godinë trekatëshe. Më vonë doli që pas godinës trekatëshe, në truallin e teatrit do të kishte edhe të paktën katër kulla. Kjo solli përplasje të ashpër mes artistëve dhe qeverisë, derisa eksponentë të pushtetit nisën takimet ‘tete a tete’ me disa artistë duke i ndarë njerëzit e artit në dy kampe: ata që donin ruajtjen e godinave e ata që pranonin shembjen për një teatër të ri. Prej muajit shkurt 2018 dhe deri në qershor protesta për Teatrin ishte e përjavshme, çdo të hënë. Ndërsa prej qershorit 2018 deri në qershor 2019, ato janë të përnatshme. Kur në fund të prillit natën teatrit iu hoqën germat e emrit, Aleanca akuzoi dhe provoi me foto se germat i kishin hequr punonjës të Bashkisë së Tiranës. Muajin e kaluar shkronjat u rivunë privatisht.

DEKLARATA
Me botimin (par)dje në Fletoren Zyrtare të VKM-së për ngritjen e komisionit të negocimit sipas “ligjit special”, Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë shpallur luftën përfundimtare jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.
Nuk mjafton fakti që “ligj special”, i miratuar në fund të vitit të shkuar mbas dy refuzimesh nga ana e Presidentit dhe pas kritikave nga ana e Komisionit Evropian, është tërësisht anti-Kushtetues.

Nuk mjafton fakti që në VKM-në e botuar dje qeveria ka përfshirë paturpësisht të drejtën për të shpronësuar prona të tjera private ngjitur me Teatrin, në përftim të një kompanie tjetër private.

Nuk mjafton fakti që VKM-ja duhet të ishte botuar në fund të dhjetorit 2018, duke e bërë tashmë të pavlefshme ngritjen e komisionit.
Ngritja e këtij komisioni teksa vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe krijimi i saj mbetet një nga prioritetet kryesore edhe në komunikimet e të gjithë vëzhguesve të brendshëm e të huaj, tregon edhe njëherë dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush! Projekti për Teatrin e ri ka qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor.

E megjithatë, ne nuk trembemi! Kemi qenë të bindur që kur e nisëm këtë betejë, thuajse 18 muaj më parë, se një ditë do na duhej të përballeshim qoftë fizikisht me qeverinë. Sot jemi të bindur më shumë se kurrë se kemi me vete të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar ditë për ditë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sot jemi shumë më shumë seç ishim kur filloi kjo histori, e prandaj jemi të vendosur ta mbrojmë Teatrin deri në fund.

Historia do e gjykojë këtë ngjarje si fundin e një tirani grabitqar, i verbër deri në limite në dëshirat e tij për të grabitur çdo gjë të shenjtë në këtë vend. Por historia do gjykojë edhe ata që heshtën, ulën kokën dhe u bënë palë me veprimet apo mosveprimet e tyre. Nuk është e largët dita kur termi “artist” nuk do mund të përdoret më nga ata, të cilët nuk ishin një ditë në mbrojtje të djepit të artit shqiptar. Nuk do mundë kush të flasë për interesin publik nëse nuk shpenzoi të paktën një pasdite në protestën më të gjatë të këtyre 30 viteve. Ngjarja e Teatrit sot është një moment përcaktues në historinë e Shqipërisë, ndërmjet atyre që këtë vend donin ta grabisnin dhe atyre që e mbrojtën.
Sot më shumë se kurrë jemi të bindur se ne dhe të gjithë miqtë që na kanë mbështetur jemi në anën e duhur të historisë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.