Ivan Perisiç nuk e preferon një kalim në Kinë. Për kroatin ka ofertë nga klubi i Shangai Shenhua, mirëpo anësorit duket se një propozim i tillë nuk i intereson. Në fakt, zikaltrit janë dakord për një transferim të Perisiç në Kinë, teksa do të përfitonin 25 milionë euro, kur e kanë transferuar për 10.
Megjithatë, lojtari ka vënë veton dhe nuk i bën përshtypje as një rrogë prej 12 milionë eurosh në sezon. Perisiç kërkon një transferim në Premier League, por problemi është se për momentin mungojnë ofertat konkrete. Ndërkaq, 30-vjeçari nuk do ta kishte problem edhe nëse do të qëndronte tek Interi, mirëpo trajneri Konte nuk e ka të përfshirë në planet e tij. Konte kërkon t’i japë një fytyrë të re Interit, ndërsa nuk e preferon Perisiç edhe për shkak të konflikteve që prekën skuadrën në sezonin e kaluar, ku Perisiç ishte një nga aktorët kryesorë.