MILOSAO

Takimi me një showgirl

18:20 - 01.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Konstandin Dhamo – Ku dreqin i shkrepi në kokë të shkonte me atë femër skandaloze! E si do të lidhej me të, ku do ta takonte, pa shkaktuar ndonjë duhmë thashethemesh, prej të cilave zor se e ruaje qetësinë më pas? Po, ç’thashetheme! E kush pyeste sot për to? Madje, ca e ca, bezdiseshin mjaft, po t’ua fryje trutë me histori të tilla të qena e të paqena…
Megjithatë, ajo femra që dëshironte ta provonte, qoftë edhe një herë të vetme ai, ishte e njohur në publik, ngaqë drejtonte të shtunave në mbrëmje një spektakël shumë të ndjekur.
Prostituta mendjelehtë dhe ordinere, shfrynin me hipokrizi kur e shihnin të dilte në ekran, por në fshehtësi të gjithë psherëtinin përkëdhelshëm: ah, bythët e saj tonike, që tunden e s’binden; ah, xhinset e saj, të fetishizuara kaq shpejt, ah, buzët me kuqërrim prushi, ah, sytë që vështrojnë pa turp…
Një shoëgirl e plotësuar që këndonte e kërcente ishte ajo, dhe kërcimi i saj se ç’kishte diçka të njëllojtë me koreografinë erotike të zogjve, kur fillojnë të çiftëzohen.
Atij i dhimbte koka tashmë çdo ditë, grindej pa shkak me ata që bashkëpunonte dhe, herë – herë edhe trembej se mos i shpifej ndonjë gjë e keqe. Apo nuk dëgjoje nga të katër anët lloj-lloj çudirash…
Por nuk do ta zgjaste më, nuk do ta zgjaste më; me aq para sa kishte ai, ç’nuk rregulloje…
Në fund të fundit, e kush ishte ajo? Një copë mishi, që nuk do ta prekte më me dorë njeri, me t’u larguar nga ekrani. Sa për detyrimet morale, as që bëhej fjalë fare. E kush do ta meritonte të drejtën për të të gjykuar? Në Shqipëri edhe zyrtarët më të lartë, kurvërojnë më haptazi se edhe vetë artistët; hehe…




Po si nuk e kishte ndeshur ndonjëherë atë femër ballë për ballë, si nuk ishte përplasur nëpër dyert e hoteleve, apo kafeneve?
E çfarë rëndësie kishin tashmë të gjitha këto? Do të lidhej shumë shpejt me të dhe, përvoja që do të përfitonte, do ta ndihmonte të lidhej në vazhdim edhe me femra të tjera, më të bukura dhe më të famshme…

Pas shumë ditësh të errëta, me shira të pambarueshëm, koha më në fund u hap dhe, qielli i kaltër dukej veçanërisht i bukur dhe bujar. Nëpër degët e zhveshura të pemëve kishte ende rruzuj shiu, që xixëllonin fort nga dielli si shkrepja e papërmbajtshme e një të qeshure.
E pra ja, çfarë paskësh qenë ajo! Shkonte edhe më parë si çdo prostitutë dhe nuk fëlliqej aspak. Përkundrazi, argëtohej ndoshta me paturpësitë e saj dhe u bënte sfidë të gjithëve. Mirëpo ai, gjersa ta shtinte në dorë, do t’i dukej sikur i bënin një padrejtësi. Është një miku im që më pyet vazhdimisht për ty, i kishte thënë njeri nga djemtë që kërcente me të në spektakël. Ja ja, të ta tregoj se kush është; duhet ta njohësh; është fiksuar rendshëm pas teje. E pastaj? i qe kthyer ajo me mospërfillje. Më porositi me këmbëngulje të të them se, ka qejf ta bëjë një herë me ty. Ha ha ha, sa ngacmohem nga thënia e drejtpërdrejtë e gjërave! A ka pare ai miku yt, apo e mban frymën me asistencë sociale? Sikur ta thashë se kush është? Njëmijë euro, atëherë dhe të mos na e çajë trapin shumë…

Tani po e priste te Piazza, aty ku kishte kërkuar ajo vetë dhe u gëzua që zuri vend në njërën nga tryezat, që kamerierët i kishin nxjerrë me ngut përjashta, atë paradite me temperatura pranvere, meqë asnjë nga klientët nuk kishte dashur të ulej brenda. Por, a ishte e përpiktë ajo, apo vonohej e vinte kur t’i shkrepej, pikërisht atëherë kur ti e kishe humbur durimin dhe, ashtu i fyer, vendosje të çoheshe dhe të ikje? Apo, ende më keq, mos ishte penduar sakaq, kushedi përse, e nuk vinte fare? E, çfarë ishin për të njëmijë euro? Ajo me siguri që paguhej shumë mirë atje ku hidhej e pirdhej? Po, por ndoshta i nevojiteshin edhe ato njëmijë eurot shtesë, të cilat nuk duhet të ishin të vetmet. Kjo kuotë u kërkohej, siç dukej, të gjithëve atyre, me të cilët ajo e ndante mendjen të shkonte. Po si nuk i kishte kërkuar pesëmijë euro, si nuk i kishte kërkuar dhjetëmijë? Ç’intuitë prej femre zotëronte ajo? Si nuk e kishte kuptuar se ai kishte rënë brenda dhe do t’i jepte aq sa do të kërkonte? Por, erdhi, erdhi! Duke buzëqeshur tallshëm. Po ato pantallona xhins si të skenës, me po atë bluzë të çapëlyer përpara. Sipër saj kishte një peliçe fare të shkurtër dhe të ngushtë që të kujtonte ato jelekët e kostumeve popullore. Gjoksi i madh që epohej dukej sikur do t’i hynte në gojë.

Përshëndeti me dorë majtas dhe djathtas disa të njohur të saj dhe tek u përkul që të zinte vend, për pak sa nuk ia futi bythët në surrat dikujt që ishte ulur te tryeza ngjitur. Ç’t’i bëje; Piazza pjacë ishte dhe, pothuajse çdo herë e gjeje dëng me njerëz.
-Hahaha! Je tip i zorshëm? – e pyeti ajo dhe u rehatua pa ia dhënë dorën.
-Një tip i zorshëm, nuk do të kërkonte raporte të tilla.
-Nuk e kisha besuar kurrë se, një ditë do ta bëja me ty. Kur më ka qëlluar të të shoh në ndonjë kafene, më ke lënë përshtypjen e një njeriu të tërhequr, që sheh veçse punët e tija të pambarueshme.
-Pse, jemi ndeshur ne në ndonjë kafene? Si nuk të paskam vënë re.
-Me kë ke shkuar para meje? Nuk druhesh nga zonja jote? Apo ajo nuk rri fare në Shqipëri?
-Jeta prandaj vazhdon, nga të papriturat dhe nga rreziqet. Por nuk do ta pyesim shumë njëri-tjetrin.
-Femrat e ekraneve janë shumë në modë; ka mjaft nga ata që shklyhen pas tyre.
-Nuk po i përgjigjem bindjes tënde…
-Po. Atëherë, njëmijë euro; nuk kemi pse e zgjasim më. O, më sill një ujë të gazuar! – iu kthye pastaj kamerierit që po priste në këmbë.
-Ujë? As kafe, as xhin, as…
-Jo, jo. Po përse vështron tërë kohës përqark; të njohin në këtë kafene ty? Nuk është turp të ulesh në një tryezë me mua!
-Ç’thua?! Ti je gjithë kjo femër. Pastaj, unë kam aq para sa të bëj jetë të pavarur. Ja, eurot e tua; ta kryejmë edhe këtë detyrim…
-Patjetër.
-Mirë e kaloni me atë spektaklin?
-Lere spektaklin; ku e ke makinën, në trotuar? Shumë mirë, ngrihemi dhe shkojmë në shtëpinë time. Ah, tani për tani, nuk kam makinë, por sa mirë di ta ngas, po të ulem në timon!
-Mund të shkonim edhe jashtë Tiranës; mund të venim, bie fjala, edhe në ndonjë hotel…
-Pse, sa mendon ti se do të rrimë bashkë? Ke marrë viagra me vete?
-Nuk i përdor…
Kur kapërcyen trotuarin dhe iu afruan makinës së tij, ajo thirri e habitur:
-Uau! Ti paske një Hummer! Pavarësisht se ma kërkove mua, ti dukesh një burrë serioz.
-E përse nuk qenkëshe serioz, po qe se ke një Hummer, apo ngaqë ta kërkova ty?
-Një makinë si kjo, patjetër që është një teprim, patjetër që është ekstravagancë dhe dalldi. Hummer-i i përket një planeti tjetër, kurse ti, kështu i veshur me kostum të zi dhe me kravatë në qafë, sikur…
-Do ta kthejnë edhe Hummer-in shqiptarët në një makinë të zakonshme; mos ki merak. A i ke parë se sa lëvizin tani nëpër rrugët e Tiranës? Ikim?
-Ikim! Makinës do t’i jap unë; kështu mund të ndalim ku të duash. Ah, sa më shkon mua kjo makinë, sa më shkon!
-Nuk mund të ngasësh një Hummer, pa marrë më parë një instruksion.
-Nuk do të ma lësh, bëhesh xheloz për të më keq se disa të lojtur? Hajt, hajt, se s’bëjnë gjë të komplikuar amerikanët…
Ajo e ngiste makinën me një nerv prej mashkulli dhe, nën ritmin e një muzike që buçiste çmendurisht, hidhej e kërcente përpjetë nga ndenjësja e gjerë, që shtypej e gufohej. Por edhe atë nuk e zinte vendi, ngaqë nuk ishte ulur në makinën e tij asnjëherë në vendin e pasagjerit. Por, shih si e rrokte ajo me dorën elegante levën e përthyer të marsheve! Ai nënqeshi, kur e vuri re dhe sakaq nisi ta këqyrë të tërën. Ja, më në fund, e kishte aty ngjitur dhe nuk po i fanitej nga ekrani i vagullt i televizorit, ashtu e paprekshme dhe imateriale! Por asnjëherë nuk ia kishte parë sytë në profil! Ata paskëshin pasur një bisht që ngrihej përpjetë dhe atij iu kujtua rrëqethshëm bishti i një akrepi. Sa i marrë; po femër ishte ajo, e re dhe gjithë lezet dhe, me siguri që dinte njëqind marifete. Ia kaloi dorën në barkun e tultë, ia përdrodhi gishtin në kërthizën e thellë dhe kur e rrëshqiti pëllëmbën lart, gjoksi i madh iu peshua disa herë mbi të rëndë-rëndë. O zot, çfarë trupi! Si një kamerdare e fryrë fort. Ajo nuk u shpërqendrua nga manovrimet dhe nga kërcimet mbi ndenjëse, as atëherë kur ai ia kaloi dorën me vështirësi nën rripin e angësht të pantallonave dhe ia përlau vaginën. Po si shumë të buhavitur e kishte! Të buhavitur dhe të qullur. Ah, e lojtura mendsh; çfarë e kishte ngacmuar sakaq, muzika dhe kërcimi pupthi, apo ngarja e makinës? Apo ai, me atë dorën e tij të madhe dhe rrëshqitëse? Edhe ngarja edhe muzika dhe kërcimi, edhe dora e tij së bashku me levën e marsheve. Si të mos i harmonizonte ajo të gjitha këto, ashtu siç bënte edhe me përbërësit e spektaklit? U zgjat dhe e puthi pothuajse dhunshëm, duke harruar se ajo duhej të kontrollonte ndërkohë rrugën dhe, kur u shkëput i thirri:
-Hej, kur do të ndalemi? A s’e sheh që po nxjerrim tym?
-Po nuk u përmbysëm gjëkundi, ndalim atje ku të thuash ti; hahaha…
Aty nga ora pesëmbëdhjetë, drita e marrtë që përhapej mbi xhamat e gjerë të restorantit, kishte një ngjyrë të florinjtë, por të butë, si të ishte refleksi i largët i një zjarri që po shuhej. Dhe, vërtet, dielli po zhytej e po zhytej në det dhe tek e kundroje s’di përse pandehje se po ndiqje kuadrot e një filmi me kartona të animuar.
– O, zot çfarë urie që paskam! Do të ha nga të gjitha këto që kam përpara. Mendo, nuk kam vënë gjë në gojë që mbrëmë! – u ankua ajo.
-Kështu bën përherë ti? E si e përballon punën e lodhshme që ke?
-Kur ulem të ha, ha dhe nuk pyes më.
-E shoh. Ha dhe, të bëftë mirë! Nuk i duroj dot ata që hanë, duke u përndrydhur e duke bërë naze. Edhe unë për veten time ha me oreks. Çnuk porosis e çnuk provoj. Ah, në fëmijëri dhe në rini, nuk u ngopa kurrë me bukë…
-Si nuk të ra një herë të vetme zilja e celularit tënd! Me gjithë ato punëra që duket se ke ti…
-E fika, që kur u nisëm nga Tirana. Ja, na shqetësoi celulari yt.
-As që ke për ta ndjekur më, që sot e tutje atë spektaklin tim, apo jo? Tashmë nuk kam asnjë vlerë në sytë e tu, kuptohet. S’do mend, përderisa pallohem me pare.
-Po haje gjithë shije, ç’pate?
-Hera e parë veç, që marr para drejtpërdrejt si një prostitutë. Kam shkuar me shumë meshkuj; ca e ca edhe i kam dashur, jo kushedi se çfarë, por ja, ashtu maja-maja, sa për komoditet dhe takt dhe i kam grirë të tërë nga paret, ngaqë më janë dashur për të blerë veshjet e mia të shtrenjta dhe përherë firmato, për të blerë parfumet dhe kremrat, për të paguar qiranë e shtëpisë ku banoj edhe sot, për të udhëtuar jashtë shtetit, apo edhe për të bërë ushtrime në palestër, por në asnjë rast ato, paret pra, nuk ua kam kërkuar, që ata të fitonin të drejtën për të më shkërdhyer. Mos u mërzit, kam gojë të keqe unë.
-Ty të shkon, por ka ca femra, por edhe ca meshkuj, që duken të neveritshëm, kur përdorin fjalë të ndyra.
-Ç’të bësh, rroj në një panik të përhershëm, sepse një ditë zhdukesh papritur nga ekrani dhe i humb të gjitha privilegjet; kështu po e quajmë admirimin e publikut, vëmendjen, protagonizmin, interesin e meshkujve, mesazhet e politikanëve në celular, e të tjera si këto. Edhe ty, nami im të nxiti të ma kërkosh, mos thuaj jo!
-Ne u morëm vesh për mrekulli bashkë, ç’pate? Ta bëra një herë këtë vërejtje! Porosit edhe ndonjë gjë tjetër për të ngrënë, sepse sikur na u mbaruan këto që kemi përpara.
Ajo ktheu kryet nga dritarja e lartë.
-O zot sa i bukur qenka deti në këtë pasdite të shkurtër dimri! – psherëtiu e frymëzuar – Gjithë dallgë e shkumë të gëzueshme që të kujtojnë shpërthimin e një fuçie birrë! Apo një ordinereje si puna ime, nuk para i shkojnë vëzhgime të tilla poetike?
-Po ti je kaq e bukur! Ty të adhurojnë të gjithë. Fajin e ka ai uji i gazuar që po pi. Përse nuk more një birrë, meqë e përmende vetë?
-Nuk ma ka mbajtur asnjëherë të pi alkool kur kam qenë në shoqërinë e një mashkulli. Dehem menjëherë dhe nuk e di çfarë mund të më ndodhë më pas; mund të më fluturojnë nga dera e makinës drejt e në kanal. Disa nga ata miqtë e mi më kanë quajtur edhe iron horse duke i huazuar këto lloj nofkash nga posterat e shtëpive publike dhe klubet e natës, ku do të jenë harbuar, por, a jam unë një iron horse? Nganjëherë më duket vetja krejt e drojtur.
-Ha, dhe të porosita; mos pi vetëm ujë!
-Ma thuaj troç, prisje tjetër gjë nga unë, prisje që unë ta nisja me një striptizë përndezëse? O, nuk kam nerva, nuk kam nerva!
-Ti ishe e mrekullueshme; ti çdo gjë e paskëshe pasur të bukur njëlloj si edhe tiparet e fytyrës. E le kurvërinë atje, në krevat, tek ajo dhoma e hotelit dhe erdhe e u ule këtu në tryezë si zonjë. Unë do ta ndjek rregullisht spektaklin tënd. Kam më shumë arsye tashmë! – u shpreh bindshëm ai dhe u përkul që ta puthte rrëzë veshit, duke ia përfshirë në gojë edhe vathin rrëzëllitës.
-Prapë më shijon? – qeshi ajo e prekur.
-Dëgjo, m’i jep pak ato njëmijë eurot, të lutem!
-Po, ja t’i nxjerr. Ke të drejtë, nuk ka më asnjë kuptim që të t’i mbaj më. Urdhëro! Për fat të keq u miqësuam. Nuk duhet të ishim miqësuar; duhet të ishim ndarë me të dalë nga dhoma, po kushedi si merr puna…
-Atje lart në dhomën e hotelit, për asnjë çast nuk m’u duk se po shkrehesha me një lavire, të cilën e kisha paguar. Ndjeva se po bëja seks me një femër që e doja. Çudi, çudi sesi më ndriti një mendim tjetër! Nga ata që vijnë me krisje. Bli, pra diçka nga unë, mikja ime; ja njëmijë euro…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.