OPINION

Një dallëndyshe për investimet e huaja?

07:15 - 13.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fakti që kompania jugkoreane “Yura” Corporation, një kompani lider në botë, me vëllim vjetor biznesi disa dhjetëra miliarda dollarë, për prodhimin dhe furnizimin e gjigandëve të prodhimit të automjeteve me pajisje elektrike(të tillë si Mercedes-Benz, Audi, Hyundai dhe Kia), zgjodhi Poloninë dhe Shqipërinë për të investuar, përbën një lajm të mirë për ne. Jo vetëm pse po investon sërisht në Europë 9 vjet më vonë pasi ndërtoi fabrika në Sllovaki dhe Serbi. Jo vetëm për rreth 7 milionë eurot e investimit fillestar në Fier, duke punësuar 600 vetë dhe pastaj dyfishimin në fazën e dytë, pas dy vitesh, duke punësuar një mijë e njëqind vetë. Por edhe për thyerjen e akullit. “Akullit” të përbëre nga projektet e pakërkuara të partneriteteve publike-private, ku buxheti i shtetit angazhohej të paguante qindra milionë euro. Dhe rreziku i projektit i ngelej gjithnjë atij, si dopiogjashta e dominosë. Edhe për t’i thënë “jo më!” sprovave të këtyre PPP-ve me vetëm kompani ndërtuese apo të shërbimeve vendase, që nuk kanë kapital të mjaftueshëm për projektin që kanë marrë përsipër dhe presin t’ua gjejë paratë sistemi ynë bankar, me garanci të dhëna nga shteti ynë! Kompania Yura Corporation vepron në 14 vende të botës me mbi 60 fabrika të prodhimit të sistemeve elektrike dhe pjesëve elektrike për automjete. Investimi i saj është kapital i huaj tërësisht i ardhur nga jashtë! Ajo është kompania e tretë ndërkombëtare që hyn tek ne, pas investimeve fillestare të dy kompanive gjermane të pjesëve të këmbimit për automjete, PSZ dhe Forschner. Yura mori 4.9 hektarë tokë shtetërore në vendin e quajtur “Baza e Tubovës” në Zhupan të Fierit.




Pas një viti bisedimesh, ministria e Financave dhe Ekonomisë e zhbllokoi gjendjen me kontratën e enfiteozës(dhënies së tokës në përdorim për një periudhë të gjatë kohe 33-99 vjet). Pati një koordinim pune mes strukturës shtetërore të nxitjes së investimeve të huaja AIDA, bashkisë Fier dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Më në fund! Më në fund jo përgjumje dhe mospërgjigjeje telefonatash apo e-mail-esh të interesimit të të huajit, qëllimisht, jo vetëm dhe thjesht nga papërgjegjshmëria apo injoranca. Por për t’i dhënë “kumtin” se duhet të paguajë “zarfin” në një drekë apo darkë pune me titullarin-çifligar të radhës. Ndoshta është hera e parë kur investuesi i huaj i interesuar nuk duhet të paguajë nën dorë titullarët e këtyre institucioneve, për të marrë lejen e investimit. Në Serbi nëntë vjet më parë(si edhe sot) ligji u jepte 4 mijë e pesëqind euro bonus për çdo vend të ri pune që kompania hapte. Të paktën këtu tek ne, nuk u kërkuan jugkoreanëve pagesa nën dorë për të firmosur letra. Edhe pse investimet e huaja të drejtpërdrejta te ne kapën shifrën rekord të 1 miliard eurove për vitin 2018 dhe në tremujorin e parë janar-mars 2019 ishin 285 milionë euro, këto shifra nuk na ngrohin dot. Si TAP-i(gazsjellësi Azerbajxhan-Itali) edhe dy hidrocentralet mbi lumin Devoll përfundojnë këtë vit.

Këto investime të huaja kanë përbërë një komardare të mirëfilltë shpëtimi për ekonominë tonë. Për rritjen tonë ekonomike. Duhet ta mendojmë seriozisht se si mund t’i zëvendësojmë miliardat eurove që këto dy investime madhore i sollën ekonomisë. Ja përse fabrika në Zhupan është lajm i mirë. Ja përse gjetja e naftës në Shpirag nga shpimet e gjigandit ndërkombëtar të naftës “Shell” është po ashtu lajm fantastik. Ky zbulim nafte ka ofruar dy kompani të tjera shumë serioze për kërkim dhe shfrytëzim nafte në zona të tjera të vendit. Dhe jo më kompani-çakenj të regjistruara në parajsa fiskale(që nuk u njihet pronari), të cilat shfrytëzojnë barbarisht vendburimet që kishim(historia e trishtë e 15 viteve të fundit). Më në fund po shohim disa sinjale, disa dallëndyshe të ndrojtura, që ekonomia jonë po përpiqet të ndryshojë model zhvillimi. Nga një ekonomi bazuar mbi konsumin e të ardhurave nga emigrantët dhe shfrytëzimin barbar të pasurive të nëntokës e mbitokës, në një ekonomi që po hedh sytë nga prodhimi. Kishim kaq nevojë për një ngjarje të tillë pikërisht tani, kur politika jonë e ditës na kishte hipnotizuar për afro gjashtë muaj rresht me gërmëret dhe absurditetet e saj, me tensionet e pseudo-tensionet, si dhe me stuhitë në një gotë ujë të luftës për pushtet.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ja,me ne fund ,shpetuam.Po na vjen kjo kompania koreane,dhe shikojeni si do na nxjerre nga balta dhe llumi (sic shprehet edhe Spiropali dhe Peza ),bile,nuk do iu kerkoka,as ndonje “zarf”nen dore,per lejet dhe gjithe arzuallet e tjera te domozdoshme.Po natyrisht,gjitha ato para,te fituara deri me sot,nga qeveria,e paskan bere kete,qe te mos i qyrravitet koreaneve.Sa mbrekulli!

    Përgjigju ↓