OPINION

Si u shkërmoq Pakti gjerman i Andeve?

07:25 - 26.07.19 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

40 vjet më parë, më 25 korrik 1979, 12 të rinj të CDU-së gjermane po ktheheshin nga një tur vizitash në disa vende të Amerikës Latine. Ata po fluturonin mbi Alpet e famshme të Andeve vonë pas mesnate. Aty lindi si një aventurë të rinjsh ideja e  një pakti apo marrëveshje fjale për të ardhmen e tyre politike. Konkretisht ata vendosën që kur të vinte momenti i duhur grupi i tyre të mbështeste pa rezerva atë që do të kandidonte për Kancelar. Kjo aleancë rinore që më vonë pati 17 anëtarë u quajt Pakti i Andeve II,  për ta dalluar nga traktati me të njëjtin emër i miratuar më 1969 nga liderët e vendeve latino-amerikane sipas modelit të BE-së. Logoja e tyre kryesore ishte “ Me shumë hapësirë politike” Ndonëse asnjë prej pjesëmarrësve nuk  është prononcuar publikisht dhe nuk ka ndonjë dokument zyrtar, ekzistenca e këtij Pakti në formën e një grupi interesi brenda CDU-së është fakt i njohur.




Bëhet fjalë për një “ klub djemsh”, sepse deri në vitet 2000 ,CDU-ja njihej si “ parti burrash” ku vajzat dhe gratë “ numëroheshin me gishtat e dorës” dhe pa funksione drejtuese. Gati dy dekada më vonë, “andinot”siç njihen ndryshe,  ia dolën të promovohen në poste të larta drejtuese në CDU, kryeministra landesh si Roland Koch, Christian  Wulf, Volker Buffier, Günther Oetinger, etj. Kurse “ stari” tjetër në ngritje, Friedbert Pluger u caktua si shef i jashtëm i CDU-së. Kësisoj, kancelaria po shfaqej gjithnjë e më pranë për ta; kjo vazhdoi deri në vitin 1990, kur me ribashkimin gjerman ndodhi një zhvillim i pazakontë. Kancelari legjendar i CDU-së, Helmut Kohl përzgjodhi “Gruan nga lindja”, fizikanten Angela Merkel si ministre Mjedisi në qeverinë e tij dhe kjo e fundit  filloi të ngjiste shkallët e karrierës politike në CDU. “ Burrat e Andeve” besnikë të Kohl nuk e nuhatën shpejt rrezikun që po u kanosej.  Gjithsesi, zhvillimi më i pakëndshëm për ta ndodhi në shtator 1998, kur Kohl humbi përballë social-demokratit Schroder pas 16 vitesh në pushtet. Gjërat po shkonin “nga shiu në breshër” në fillimin e viteve 2000 kur Kohl dhe pasardhësi i tij, presidenti i sotëm i Bundestagut,  Wolfgand Schäuble u larguan dhe nga kryesimi i CD-së pas skandalit të financimeve të paligjshme në parti.

Në këto kushte, “ andinot” menduan të hidhen në sulm duke krijuar pengesa për Merkel, pasi kjo e fundit po merrte në dorë të ardhmen e CDU-së dhe “ riskun” e tyre. Në vitin 2002 ata ia arritën qëllimit dhe në zgjedhjet parlamentare të atij viti Merkel u detyrua t’ia dorëzojë kandidaturën për Kancelar  CSU-së “motër” dhe liderit të saj karizmatik Edmund Stoiber. Në ato vite si diplomat në Berlin kam qenë  i ftuar  në disa veprimtari publike të CDU-së dhe aty kam parë se perceptimi si brenda saj dhe më gjerë në publik ishte se Merkel nuk e kishte staturën dhe karizmën e  duhur për Kancelare. Sot kjo duket e habitshme, por ky ishte realiteti i asaj periudhe. Në krijimin e këtij perceptimi duhet të kenë patur ndikimin e tyre dhe “ burrat politikë” të CDU-së. Moskonkurimi i saj, ndonëse lidere e partisë në ato zgjedhje, që u rifituan nga Schroder ishte një goditje morale për Merkel. Por ajo diti ta kapërcejë  shpejt këtë gjendje, pa “firo” dhe kosto të mëtejshme, falë gjakftohtësisë, durimit, llogaritjeve të sakta,  gjuhës dhe sjelljes politike  të përmbajtur, pa zhurmë dhe polemika.

E kundërta po ndodhte me “Paktin e Andeve” ku telashet nuk kishin të sosur. Momenti më i keq për ta u shënua në vitin 2005 me rastin e zgjedhjeve të parakohshme. Merkel tashmë ishte shumë më e fuqishme, falë dhe shumë grave e vajzave me vlera që kishte futur me guxim në qeveri dhe në udhëheqje të CDU-së; tashmë ajo kishte dhe të drejtën morale dhe politike të konkurronte për postin e Kancelares, si liderja e CDU-së dhe pa  kundërshtar tjetër. Madje, ajo e kishte fituar këtë post duke sfiduar ish-zëvendësin e saj, Fridrich Merz,  një ndër protagonistët e Andeve, polemist dhe debatues “ par excellence” Ai mbante postin e kryetarit të Grupit Parlamentar, praktikisht  Nr. 2 në parti me synime drejt kancelarisë. Por, Merz e pa se e kishte të humbur davanë dhe u tërhoq nga gara në momentet e fundit. Më  2008 ai u largua  dhe politika e CDU-ja, duke u marrë me biznese tejet fitimprurëse.

Me gjithë pështjellimin që krijoi fitorja e saj si Kancelare me një rezultat tejet të ngushtë ndaj Schroderit, sërish pjesëtarët e Andeve i ngushëllonte mendimi se Merkel do të ishte jetëshkurtër në këtë post dhe atyre do t’u vinte më vonë  mundësia e artë. Por, sërish ata gabuan në llogaritë politike. Për fatin e tyre të keq,  Merkel vijon edhe sot për 14 vite rresht si  Kancelare.

Vlen të theksohet se dhe kur ata vetë e njoftuan më 2003 për ekzistencën e Paktit, Merkel nuk bëri kurrfarë “gjueti shtrigash”; ajo nuk u përfshi në debate dhe polemika me protagonistët e tij, madje u la hapësirë të vërtetë veprimi, ua plotësoi dëshirat politike pa kurrfarë pengese, etj. Kështu, në vitin 2010, ajo pranoi që  kundërshtari i saj më i madh, Christian  Wulf të bëhej President Federal. Ndërkohë, shoku i tij i “armëve” Roland Koch, sfidant tjetër i vështirë për Merkel u tërhoq nga politika që t’i linte rrugën Wulf si Kancelar i ardhshëm, me mendimin se ai mund ta mposhte Merkel. Mirëpo  Wulf më 2012 u detyrua të jepte dorëheqjen pas akuzave për shpërdorim detyre dhe të fondeve publike, duke i dhënë goditjen më të rëndë objektivit të Andeve drejt Kancelarisë. Ndërkohë, Friedbert Plüger pësoi disfatë të madhe në garën për Kryetar Bashkie të Berlinit dhe u largua nga politika aktive. Protagonisti  tjetër, Elmar Broek vazhdonte në Parlamentin Evropian si kryetar i Komisionit të Jashtëm deri tani vonë, kurse Günther Oetinger, ndër kundërshtarët  më të fortë,  Merkel e caktoi në Bruksel si Komisioner ku vijon dhe sot. Po ashtu, një ndër yjet më shpresëdhënës të  Andeve, Franz Josef Jung, më 2005  u emërua ministër i Mbrojtjes deri në vitin 2009 kur pas disa aludimeve Merkel e transferon në Ministrinë Federale të Punës, ndër më të rëndësishmet. Pasardhësja e tij në Ministrinë Federale të Mbrojtjes u caktua Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von den Leyen, besnike e Merkel krahas disa grave të tjera në dikasteret e arsimit, shëndetësisë, familjes, etj. Por Jung qëndroi vetëm 33 ditë si Ministër i Punës, sepse dha dorëheqjen pasi u dëshmua se kishte gënjyer lidhur mee një incident të rrezikshëm në Afganistan kur ishte në krye të mbrojtjes. Me largimin dhe të Jung nga politika aktive, Pakti i Andeve u katandis, siç i thonë fjalës, “ kokoshi një thelë”

Në ato rrethana, aty nga viti 2012, ai u shpall i shpërbërë dhe pothuajse ishte harruar. Mirëpo, çuditërisht, në Mars 2018, gjatë ceremonisë mortore të Kardinalit gjerman Lehman, disa nga pjestarët e tij patën një takim informal në prani dhe të Presidentit të Bundestagut,  Wolfgang Schauble, mbështetës i atij Pakti. Nisur nga gjendja e vështirë që po kalonte koalicioni qeveritar dhe mundësisë së tërheqjes së shpejtë e të mundshme të Kancelares Merkel nga drejtimi i partisë dhe qeverisë, në atë takim  u vendos t’i jepej mbështetja e plotë Friedrich Merz, si kandidat  për garën e ardhëshme për drejtimin e CDU-së. Parashikimi i tyre u vërtetua dhe Merkel tetorin e kaluar dha dorëheqjen nga drejtimi i CDU-së. Merz shpalli menjëherë kanditaturën e tij në zgjedhjet e muajit Dhjetor 2018. Megjithë fushatën aktive pavarësisht nga mungesa 10 vjet e tij në politikën aktive, ai humbi me rezultat tejet të ngushtë përballë sekretares së Përgjithshme të caktuar nga vetë Merkel, Annegret Kramp Karrenbauer ose AKK siç e thërrasin shkurt.

Praktikisht, kjo ishte humbja e dytë e Merz përballë Merkel por kësaj radhe dinjitoze dhe mbresëlënëse. Gjithsesi, humbja me një diferencë fare të vogël votash e mban Merz sërish në lojë; për më tepër, ai beson te thënia  “ E treta, e vërteta” I rikthyer në CDU ai mban postin e Kryetarit të Komisionit Ekonomik në Parti dhe kërkon një post ministror. Por sa të jetë Merkel Kancelare nuk ka kurrfarë shansi. Gjithsesi shpreson në rënien e koalicionit e të Merkelit, sidomos kur në shtator janë zgjedhjet në tre lande lindore tejet problematike për CDU-në dhe aleaten e saj SPD-në, as dy vjet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të rregullta. Ai e sheh postin ministror si trampolinë drejt kanditaturës për Kancelar, nga e cila nuk ka hequr dorë. Kështu, ai mendon t’i marrë revanshin AKK-së e sidomos Merkel; por, mbi të gjitha për të realizuar  ëndrrën 40 vjeçare tashmë si i “fundit i  Andeve”.

Të 17 “Burrat e Andeve të CDU-së” kanë dështuar të paktën deri tani sepse nuk kishin vizion të qartë veç ëndrrës së tyre, ishin të prirur më shumë nga dëshira e mirë se sa realpolitika; ata nuk i zgjeruan territoret e influencës së tyre elektorale, veç zhvillimeve të tjera të cilat ata  nuk mund t’i parashikonin tek fluturonin mbi Ande natën e 25 Korrikut 1979, sidomos ribashkimin gjerman dhe atë evropian. Ndikim negativ pati dhe integraliteti i tyre i pamjaftueshëm politik dhe moral, ku nuk munguan dhe aferat e ndryshme, ca më tepër përballë figurës së pacenuar dhe emblematike të Merkel; për të cilën nuk ka patur asnjë aludim të vetëm, sado të vogël.

Meqenëse politikën shpesh e krahasojnë me futbollin, duke përdorur termat e tij mund të thuhet se përballë ekipit të “vajzave” të Merkelit që luajnë bukur me dhe pa top, në mbrojtje e në sulm dhe me presing në gjithë fushën «  klubi i djemve » i Andeve ka luajtur dobët dhe pa ritëm, me plot faulla dhe pozicione «  jashtë loje » e deri te «kartonët e kuq»

Në përfundim, siç  është përmendur në disa shkrime të tjera kushtuar Merkel,  të gjithë, por sidomos liderët dhe politikanët tanë mund dhe duhet të mësojnë shumë, duke filluar nga gjuha dhe sjellja politike model sidomos me kundërshtarët e vet të shumtë, fryma dhe kultura politike  e Merkel, gruas më të fuqishme të botës; kësaj europianisteje të palëkundur e cila dhe tani, ndonëse në perëndim të “ yllit” të saj, gëzon popullaritetin  më të madh në arenën ndërkombëtare dhe në Gjermani, madje dhe mes kundërshtarëve  të saj më të ashpër politikë.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Jorgji,me pelqejne shkrimet e juaja,sepse ne pergjithesi,nuk jane te sajuara,sic mund t’i kesh qejf ti,por i ke te bazuara ne fakte dhe ngjarje konkrete.Per kete te pergezoj.Por nje verejte,do me lejosh ,t’a bej.Disa here,si ne kete rast-p.sh.i ke rene gjate,por shume gjate,dhe imagjinova vehten duke u nisur nga Poradeci,per te shuar ne Korce,i rash nga Qafa e Thates,dola ne Maqedonine e veriut,vijova nga jugu i saj,sa u futa ne token Greke,e prej andej dola ne Follorine,qe nepermjet Kapshtices,te arrija me ne fund,por ama me ne fund,ne Korcen e serenatave te dikureshme,apo te festivalit te birres.

    Përgjigju ↓