KULTURË

“Boll se u teprua”, Bujar Asqeriu: Larg politika, kryeministri kap fraza të shkëputura të miat

15:00 - 06.08.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama publikoi një deklaratë të aktorit të famshëm, Bujar Asqeriu, i cili shprehej se ishte pro ndërtimit të një teatri të ri. Pas këtij veprimi të Ramës, ka ardhur reagimi i Asqeriut. Ai në një prononcim për “Panorama”, ka thënë se Rama ka marrë në status disa fraza të shkëputura që ai ka thënë një vit më parë.




“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, ka thënë  Asqeriu, ndërsa i ka bërë thirrje artistëve që të bëjnë betejë për ta, jo për politikën.

“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.

“Gabimi më i madh është se artistët u bënë kashtë e koqe, i ndanë në ata që mendojnë si ne dhe në ata që mendojnë kundër nesh. Kur unë fola ashpër në fillim, ata që flasin sot u shpërndanë dhe nuk na mbështetën, nuk u prononcuan. Unë ua thashë në sy si ministres së Kulturës, ashtu dhe kryetarit të bashkisë”, u shpreh Asqeriu.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.