MILOSAO

“Takim me një ‘hajdut’ të bibliotekës së Mbretëreshës Geraldinë”

15:00 - 01.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA NDREK GJINI *- Mbretëresha Geraldinë (1915 – 2002), pasionin më të madh të saj kishte librat. Autorja franceze Josephine Dedet, në librin e saj me
titull “Geraldina, Mbretëresha e Shqiptarëve” të botuar para disa vitesh thotë se ajo kishte një bibliotekë me mbi 7000 libra, lexonte pareshtur dhe zotëronte mjaft mirë në të shkruar, lexuar dhe folur frëngjisht, shqip, hungarisht, gjermanisht dhe anglisht.
Është shkruar pak ose më saktë aspak për këtë dimension të jetës së saj. Nuk dihet asgjë rreth fatit të kësaj biblioteke gjigande të ngritur me aq pasion e dashuri prej saj. Nuk i njohim ‘hajdutët’ që vodhën librat e bibliotekës së saj. Por unë pata fatin që virtualisht ta takoj njërin prej këtyre ‘hajdutëve’.
Ç’më shtyu të ‘takoj’ ‘hajdutin’ e librave të bibliotekës së Mbretëreshës Geraldinë?




Pas një shkrimi mbi Kim Philbyn-n që e botova në dhjetor të vitit të kaluar në suplementin e Gazetës Shqiptare, “Milosao”, regjizori i njohur Ylli Pepo më kontaktoi dhe më tha se po përgatit një film dokumentar mbi këtë personazh. Më kërkoi ndihmë t’i gjeja një film dokumentar të transmetuar në kanalin televiziv RTW në Irlandë në vitin 2009. E gjeta filmin dhe ia dërgova. Thirrja e Pepos me zgjoi një interes të fjetur për të hulumtuar me tej mbi Philby-n. Në Amazon gjeta dhe bleva online një libër të përdorur të botuar në vitin 1984. Libri titullohet “Tradhtia e madhe” dhe flet mbi veprimtarinë e kryespiunit Phibly. Autor i këtij libri është njëri nga Lordët më në zë në historinë e Britanisë së Madhe, përkthyesi dhe historiani i njohur Nicholas Bethell (1938 – 2007).

Pas nja 15 ditësh libri mbërriti. E hapa atë zarf me padurimin dhe kureshtjen e një fëmije. Një dedikim i shkruar mbi atë libër me një stilograf thoshte: “For H.M. Queen Geraldine with all the best wishes and thanks from Nicholas Bethell”. E lexova këtë fraze nja njëzet herë. Nuk po u besoja syve.
Si ka mundësi?! Një libër që i është dhuruar Mbretëreshës Geraldinë me një dedikim personal nga një autor si Bethell, që ishte pa dyshim Lordi më erudit i Mbretërisë Angleze të gjysmës së dytë të shekullit XX, të shitet në Amazon nga ca ‘hajdutë’ ordiner. Në fillim mendova se ky dedikim me shkrim dore nuk është origjinal por është ndonjë shaka e dikujt. Vendosa të bej diçka për ta verifikuar.
Po nga t’ja nisja? Mbretëresha Geraldinë ka vdekur që në 2002, Lordi Bethell që në 2007.
Kërkova në internet dhe gjeta djalin e Lordit Bethell, James Bethell. Edhe ai Lord, pasi ka trashëguar titullin nga i ati, si djali i madh i tij. Edhe ai aktualisht anëtar i Parlamentit Britanik. Të vetmin kontakt që munda të gjej ishte një email i tij. Email jo personal, por i punës si parlamentar. I shkruajta..

Pasi i shpjegova historinë dhe i bashkëngjita foton me dorëshkrimin e dedikimit të shkruar nga babai i tij e pyesja nëse ky ishte me të vërtetë shkrimi i të atit. Pa kaluar as 20 minuta në emailin tim mbërriti përgjigja nga Lordi James Bethell. Ai e konfirmonte këtë dedikim si shkrim origjinal i të atit: “Yes, that is indeed his distinctive writing. The quirky “e” comes from too much time studying Greek. Hoë lovely to hear from you.”
U hutova për një moment. Si ka mundësi, thashë me vete. Autografi ishte original. Dhe për me tepër më surprizoi fakti se si një anëtar i Parlamentit Britanik dhe Lord në të njëjtën kohë i përgjigjet emailit që merr nga një shqiptar në me pak se në 20 minuta. Shkëmbyem disa emaile të tjera. Më dha numrin e celularit të tij. E lamë të takohemi.

Një muze për Mbretëreshën
Geraldinë
Shqiptarët kanë qenë dhe janë të ndarë në qëndrimet e tyre mbi Mbretin Zog. Por e kundërta ka ndodhur me Mbretëreshën Geraldinë. Nuk ka qoftë edhe një shqiptar të vetëm të ketë thënë një fjalë të keqe për të, madje as gjatë regjimit komunist. Motivet e këtij fenomeni le ti studjojnë historianët apo antropologët. Por ne si komb i detyrohemi shumë kësaj gruaje fisnike. Ajo me zgjuarsinë, mirësinë dhe kontributin e saj i ka bërë një shërbim të shkëlqyer Shqipërisë. Janë mbi 4800 citime në libra të autoreve të ndryshëm të botuar në shumë gjuhë të botës që i referohen jetës dhe veprimtarisë së saj. Nga një kërkim i shpejtë në Google për emrin e saj të shfaqen 8,160,000 rezultate në (0.53 seconds) – referenca online. Shifër kjo shumë herë më e lartë së për çdo personalitet tjetër të botës politike apo jo politike shqiptare. (‘Hajdutët’ e bibliotekës së saj nuk shfaqen me emër, megjithëse janë aty të maskuar duke shitur ne Amazon librat e bibliotekës së saj, atë pasuri që ajo e donte aq shumë).
Një museum mbi jetën e saj do i bënte nder Shqipërisë dhe do kthehej shume shpejt ne një destinacion turistik për qindra mijëra shqiptarë, hungarezë, amerikanë, francezë, e shumë të tjerë nga mbarë bota.


Pak histori mbi Mbretëreshën
Geraldinë
Mbretëresha Geraldinë, më vonë Nëna Mbretëreshë Geraldinë ose Kontesha Geraldinë Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony ishte mbretëresha e shqiptarëve dhe bashkëshortja e Mbretit Zogu I dhe nëna e Leka Zogut.
Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shume e njohur Hungareze. Të gjithë paraardhësit e familjes Appony kanë pasur karrierë shumë të suksesshme politike dhe kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet shtetërore në Perandorinë Austriake. Nëna e Mbretëreshës Geraldine, Gledis Virxhinia Stjuart, ishte kushërira e ish- presidentit Amerikan Ricard Nikson.
Mbretëresha Geraldinë, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevoje, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Ajo dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak ne Tirane, dhe solli nga Austria mjeke shume të mire për drejtimin e këtij Spitali. Ajo themeloi Maternitetin e pare shqiptar ne Tirane, rihapi Kryqin e Kuq Shqiptar dhe mundësoi hapjen e edicionit të parë radiofonik ne Radio Tirana.
Të gjitha këto, dhe së fundmi gjesti i saj fisnik për t’u kthyer për të jetuar muajt e fundit të jetës së saj si një besnike shqiptare ne token e vendit të saj të adoptuar përbëjnë për ne shqiptarët një detyrim sublim për t’i ngritur asaj një muze dhe një përmendore të madhe në mes të Tiranës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.