OPINION

Tahiri, kur gjykata hyn dhunshëm në sherrin politik

07:31 - 22.09.19 Skënder Minxhozi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trupi gjykues që ndante fatin personal të Saimir Tahirit ka harxhuar shumë kohë në dhomën e këshillimit të enjtenpasdite. Raportimet e gazetarëve të terrenit thoshin se tre gjyqtarët kishin nisur madje të debatonin ashpër në lidhje me tre akuzat e rënda me të cilat prokuroria kërkonte të mbyllte pas hekurave ish-ministrin për 12 vjet.
Në fund të rreth tetë orë debatesh, vendimi i trupit gjykues duket se la gojëhapur të akuzuar dhe akuzues bashkë: shpërdorim detyre e jo grup i strukturuar kriminal apo trafik droge. Zyrtar që ka zbatuar keq detyrën, e jo kriminel që ndante paratë me trafikantët. Ky është thelbi i një akuze, e cila paradoksalisht, për sa kohë që s’kemi parë provat konkrete, e futi panelin e gjyqtarëve në zonën e rrezikshme të akuzave politike ndaj të gjithë maxhorancës, e jo vetëm ndaj personit të Saimiri Tahirit. Dhe ja pse.
Së pari, vendimi ndaj Tahirit nxori si të pavlerë hetimin disavjeçar të organit të akuzës. Kush kujton insistimin e prokurorisë për ta arrestuar Saimir Tahirin, ka tani mundësinë ta vendosë në kontekst të drejtë atë kërkesë që asokohe acaroi gjakrat dhe gjuhën e të gjithë politikës shqiptare. Me devijimin e minutës së fundit nga akuzat e prokurorëve, gjyqtarët kanë ndërtuar një teoremë krejt të re të pozitës dhe përgjegjësive të vetë ish-ministrit të brendshëm, por kanë përfshirë potencialisht, në akuzën e rëndë që kanë formuluar, shumë më tepër persona me pushtet dhe institucione e instanca, sesa vetë Saimir Tahiri.
Së dyti, ky spostim i beftë i akuzave ndaj Tahirit, ka hedhur në opinionin publik shqiptar të parën akuzë zyrtare të formuluar nga sistemi i drejtësisë, për atë që njihet si “kanabizimi i vendit”. Një akuzë e cila nuk flet më për skafe të prishur e makina të dhëna e marra borxh mes Tahirit dhe trafikantëve, por për një fenomen kombëtar të disa viteve më parë. Eshtë dënimi i parë i një politikani për fenomenin, për të cilin s’i ka hyrë deri më sot gjemb në këmbë as atij që dilte në televizion e deklaronte me qetësi të plotë “Lazaratin e lejova unë, ishte vendimi im politik”! Ky pozicionim i ri e fut me të dyja këmbët drejtësinë shqiptare, në debatin e hershëm politik për fenomenin kanabis, që siç e dimë ka qenë në fokusin e posaçëm të politikës shqiptare në 30 vitet e fundit.




Së treti, vendimi për të ndërtuar një vendim gjyqësor mbi bazën e akuzës për shpërdorimin e detyrës në lidhje me përhapjen e kanabisit në të gjithë Shqipërinë, sjell në mënyrë të pashmangshme përfshirjen në listën e të akuzuarve, të një mase potencialisht të frikshme zyrtarësh, përfaqësuesish politikë e shtetërorë.
Sepse Saimiri Tahiri nuk mund ta ketë kanabizuar i vetëm një shtet, sado të vogël si Shqipëria. Akuza që i dha atij gjykata, përfshin drejtpërdrejt ose indirekt, një masë të madhe të institucioneve e agjencive të qeverisë qendrore, asaj lokale, policisë, shërbimeve inteligjente etj. Në këtë aspekt, dënimi ndaj Tahirit, ndonëse pa etiketën e sikletshme të grupit të strukturuar kriminal apo të trafikut të drogës, është shumë i rëndë, pasi është më i shtrirë në hapësirë dhe në kohë. Nga lidhjet e vogla me ca kushërinj trafikantë, Tahiri akuzohet tani se ka prodhuar me anë të keqpërdorimit të detyrës, kanabizimin e gjithë shtetit.
E nga përmasa e akuzës rrjedh edhe barra e provës që ka sot gjykata. Sepse të prodhosh brenda disa orëve diskutimi në dhomën e këshillimit një akuzë kaq globale dhe të rëndë, ndërkohë që hetimi i prokurorisë nuk e përfshinte këtë aspekt në materialin disavjeçar të paraqitur në proces, do të thotë të marrësh mbi vete barrën e të provuarit të kësaj akuze. Gjykata ka luajtur një lojë të rëndë, atë të hedhjes poshtë të episodit dhe të ngritjes lart të fenomenit. Eshtë një ndryshim cilësor i gjykimit, për të cilin gjyqtarët duhet të kenë prova, madje të hekurta. Ndryshe bëjnë rolin e atij që ndodhet në hall e flet sa për të folur.
Çfarë provash ka trupi gjykues për nxitjen, bashkëpunimin, koordinimin dhe zbatimin e strategjisë së kanabizimit në shkallë kombëtare nga ana e ministrit? A ka objektivisht ai mundësi ta ketë bërë këtë i vetëm këtë gjë, ndërkohë që flitet për një fenomen që shtrihet nga malet e thella të Jugut e deri në pjesët më të harruara të Malësisë së Madhe?
Nëse këto pyetje dhe të tjera si këto nuk do të zbërthehen nga trupi gjykues në vendimin e plotë që do të bëjnë publik, atëherë vendimi për dënimin e Tahirit me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me kanabizimin e Shqipërisë, është një flluskë sapuni që do të bjerë në apel. Dhe të provosh konkretisht dhe me fakte se një ish-ministër paska koordinuar një “plan kombëtar” kanabizimi, nuk është një punë e lehtë. Kur e ngre stekën lart, duhet të kesh provat, ose bën thjesht shou për t’i ikur sikletit të një dosjeje të dobët prokurorie që të kanë vënë përpara.
Javanews.al


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Jam plotesisht dakord me shkrimin, kjo edhe per faktin se është në sinkron me një koment tjeter timin të bere në nje gazete tjeter periodike, kuintesenca e të cilit zgjerohet edhe më sot në shkrimin e Minxhozit. Thjesht më vjen mire që, pavaresisht njëri-tjetrit dhe në nje distance të konsiderueshme, ndajme të njejtin mendim dhe argument per gjyqin në fjale. Në fund të fundit gjykata tha: I pandehur Tahiri, je i pafajshem, por këtë nuk kemi këllqe të ta pohojmë! Fatkeqesisht keshtu ka qenë dhe do të jete persa kohe në çeshtjet e drejtesise do të fute dhunshem hundët politika. Shpresojme që ‘drejtesia e re’ ta minimizoje kete në maksimum, per mos kaluar në eufori dhe të kerkojme që të elimiinohet fare.
    Eshte thënë nga njëfilozof i lashtesise se, është me mire të jene të lire 100 të fajshem se në burg një i pafajshem. Ndoshta gjyqtaret do ta kene patur parasysh edhe kete citat, që me siguri ua kane mesuar që në shkolle. Ndoshta!

    Përgjigju ↓