Kryesore

Raporti: 7 universitetet publike, 1.4 milionë euro për luks e investime zyrash

11:00 - 14.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në 8 muajt e fundit, 7 universitetet publike në vend kanë shpenzuar plot 1.4 milionë euro për investime, e nga këto vetëm 2900 euro janë shpenzuar për zërin e studimeve dhe kërkimeve. Por, skandali vijon edhe më tej, pasi vetëm universiteti “Fan Noli”, Korçë, ka shpenzuar para për kërkime e studime, ndërsa 6 universitetet e tjera kanë shpenzuar 0 lekë për këtë zë. Të dhënat alarmante janë bërë publike ditën e djeshme nga organizata jofitimprurëse “Qëndresa Qytetare”, e cila herë pas here publikon raporte mbi arsimin dhe menaxhimin e fondeve nga universitetet. Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi mbi raportin studimor të “Qëndresës Qytetare”, fokusuar në “Transparencën dhe menaxhimin financiar të IAL-ve publike” ishin edhe përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Situata vijon të mbetet e njëjtë, shumë pak ose aspak fonde për kërkim shkencor, shpenzime shpërpjesëtimore në sigurim godinash, karburanti, pajisje e orendi zyrash, personel akademik e joakademik. Njëkohësisht, asnjë administrator i 7 universiteteve të marra nën studim, si edhe asnjë përfaqësues i bordeve administruese, qoftë nga IAL-të, qoftë nga ministria përkatëse, nuk ishte i pranishëm në tryezë për të sjellë argumentet e këtyre strukturave në vendimmarrje të tilla”, – thekson KLSH. Më tej, përfaqësuesit e KLSH-së u shprehen se pritshmëri të tilla do të vijojnë t’i zhgënjejnë ata, që realisht “iu dhemb” arsimi i lartë publik.




Raporti
Sipas raportit të “Qëndresës Qytetare”, Universiteti Politeknik i Tiranës ka shpenzuar 100 mijë euro dieta, 160 mijë euro shpërblim dhe 70 mijë euro karburant makine në 8 muaj. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 3.2 milionë euro për restaurim godinash e oborresh dhe 0 lek për shkencë. “Bordet e administrimit ndryshuan emrat, por jo frymën e keqmenaxhimit. 0 kek për shërbimet ndaj studentëve, 219 000 euro karburant dhe makina për titullarët. Administrata e luksit në universitete e ka shpërblyer veten me 1 milion euro honorare. Inkurajojmë SPAK të nisë punën me zyrtarët e universiteteve. Ndërkohë vlen të theksohet se dy universitete, ai i Shkodrës dhe i Mjekësisë nuk kanë blerë asnjë libër për studentët në një vit të plotë akademik”, – thuhet në raport. Aktivisti i “Qëndresës”, Migen Qiraxhi, u shpreh se politikat qeveritare të ndërmarra pas protestës së studentëve si rikompozimi i bordeve dhe “Portali i Transparencës” kanë dështuar, pasi ndryshuan vetëm emrat, por jo frymën e keqmenaxhimit financiar. “Kemi të bëjmë me administratën, e cila shpërblen veten me 1 milion euro honorarë, ndërkohë që prodhon diploma që kanë më pak vlerë në rajon dhe Europë. Ky është momenti që SPAK dhe drejtësia e re të trokasë në dyert e universiteteve për të çmontuar hallkë të paligjshmërisë dhe keqqeverisjes së universitetit”, – përfundoi Qiraxhi. “Qëndresa Qytetare” në raportin e saj ka evidentuar shkelje të tjera ligjore nga ana e zyrtarëve të universiteteve si pagesat e kryera jashtë zërave përkatës të buxhetit, kalimi i pagave të stafit akademik në kundërshtim me ligjin drejt një individi të vetëm apo nënshkrimi i kontratave të dyshimta.

Shpenzimet në universitetet publike

-1.4 milionë euro kanë shpenzuar për investime 7 universitetet në 8 muajt e fundit, por vetëm 2900 euro janë shpenzuar për zërin e studimeve dhe kërkimeve (nga universiteti “Fan Noli”, Korçë, ndërsa 6 universitetet e tjera kanë shpenzuar 0 lekë për këtë zë).
– UPT rezulton universiteti me më shumë shpenzime të personelit dhe administratës, ku vetëm në 8 muaj ka paguar 100.000 euro dieta, 70.000 euro karburant makine, 17.500 euro telefon/internet dhe rreth 160.000 euro shpërblime dhe honorare për stafin.
– Universiteti i Tiranës ka shpenzuar në periudhën e monitorimit 3.2 milionë euro për rikonstruksion dhe mirëmbajtje godinash, ku përfshihet rikualifikim i oborrit të Histori-Filologjikut në vlerën 170.000 euro dhe rikonstruktim i Fakultetit të Ekonomisë në vlerën 2.9 milionë euro.
– Siguria e godinave zë sërish një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të universiteteve, ku Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 444.000 euro dhe Universiteti Politeknik rreth 300.000 euro për vitin 2019. Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka blerë kamera sigurie në vlerën 100.000 euro, si edhe ka shpenzuar 152 000 euro për sigurinë e godinës.
– UPT ka siguruar pasurinë me vlere 20 000 euro në një nga kompanitë e sigurimeve, por vlen të investigohet kontrata 24.000-euroshe, e lidhur me një kompani ndërtimi për riparimin e dëmtimeve nga tërmeti, punim të cilin duhej ta mbulonte kontrata e sigurimit të pasurisë.
-7 Universitete kanë shpenzuar në total 16 000 euro për blerje librash, por 106 000 euro për karburant makine. Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe Universiteti i Mjekësisë nuk kanë blerë asnjë libër në 1 vit të plotë akademik.
– UAMD ka paguar 44.000 euro për shërbimin e printimit ndaj një kompanie, 97.000 euro për rikonstruksione dhe 16.000 euro për perde kundër diellit. Ndërsa universiteti “Luigj Gurakuqi” ka shpallur tender për të blerë një “Rrufepritëse” në vlerën 45.000 euro.
– Portali “u-transparenca.al” nuk përmban të dhëna mbi prokurimet dhe kontratat e IAL-ve me të tretët për vitin 2019. Kjo mungesë u vështirëson studentëve të kuptojnë shpenzimet totale të universitetit dhe raportin e shpenzimeve për mënyrën se si harxhohen paratë e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.