AKTUALITET

Video/ “Jam gati të kthehem”, u denoncua se braktisi fëmijët, gruaja përballet ‘live’. Ish-burri: I kërkoj falje vetëm fëmijë të shkojnë në shkollë

14:28 - 24.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fieraku Arti Braka denoncoi në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ish-gruan e tij. U njoh me të vite më parë dhe jetuan së bashku për një periudhë 8-vjeçare, por ajo e denoncoi për dhunë dhe ai u burgos. Teksa ndodhej në burg është kryer dhe procesi i divorcit, gjykata ka lënë 2 fëmijët e mitur në kujdestarinë e nënës ndërsa atij i ka vendosur një pension ushqimor, të cilin nuk e ka paguar asnjëherë. Pas disa akuzave të rënda lidhur me jetën e saj ai është shprehur se ajo ka braktisur tani edhe fëmijët.
Fatbardha është larguar në shtetin italian ndërkohë që ata i ka lënë te nëna e saj. E ëma ka telefonuar Artin dhe i ka kërkuar të shkonte të merrte fëmijët pasi nuk i mbante dot më. Më pas edhe ajo është larguar për në Itali. Për shkak të zhvendosjes së vendbanimit ata nuk shkojnë dot në shkollë. Apeli i Artit si baba ishte që ata të riktheheshin në shkollë sa më parë. Pas apelit të tij ka reaguar Fatbardha e cila në një lidhje ‘live’ për Neës24 tha se ishte gati të kthehej vetëm që fëmijët të shkonin në shkollë.




“Unë po bëj 5 muaj afërsisht në Itali. Fëmijët i kam lënë tek nëna ime. Mbase dhe unë kam bërë gabim që i lashë tek nëna ime. Unë e planifikova ndryshe. Unë po punoj në të zezë. Kam bërë gabim që ia kam lënë nënës sime pa kujdestari dhe letrën për shkollën. Se përfunduan fëmijët në këtë pikë.
(Arti qan) Nëna më tha që unë do t’i çoj tek i ati. Dakord. Unë duke menduar që është i ati dhe nuk mund t’i lërë mes katër rrugëve, thashë mirë. Ato gjërat që unë kam braktisur fëmijët nuk është e vërtetë. Unë kam folur me fëmijët. Arti më ka kërkuar firmën por unë jam pa letra. Unë atë firmë nuk e dërgoj se kam frikë se më merr fëmijët. Ai zotëria aty po të ishte i zoti nuk i nxirrte fëmijët e të thoshte që i braktisi nëna. Unë ato 2 vjet që ishte në burg i kam mbajtur vetë, pa ndihmën e askujt. Unë do vij për fëmijët”, deklaroi nëna e dy fëmijëve.
Fatbardha tha se ka pranuar të flasë vetëm për të gjetur një zgjidhje për fëmijët për të cilët është shumë e shqetësuar. “Për këtë gjë kam hapur telefonin. Kurse ky zotëria shkon në televizion dhe shprehet në këtë mënyrë për nënën e tyre. Ai pse thotë i ka braktisur nëna?”, u shpreh gruaja.
Ndërkohë avokatja Adriana Kalaja deklaroi se fakti që zonja është larguar dhe ka lënë fëmijët, duke pasur një vendim gjykate dhe ka pasur të drejtën për të ushtruar detyrimin e kujdesit, nga ana ligjore tregon braktisje. “Nuk ke tagër ligjor dhe moral që t’ia lësh kujdestarinë nënës kur babai i fëmijëve është gjallë”, u shpreh avokatja.

Ndërkohë Fatbardha akuzoi ish-bashkëshortin se nuk është kujdesur për fëmijët pas divorcit. “A ka përgjegjësi ky baba për fëmijët kur isha në shtëpi. Nuk kisha as të haja, as të ushqeja fëmijët. Kur nëna nuk ka mundësi, çfarë të bëjë? Të paktën sa të vij unë të jepet një firmë, të më shpjegoni. Kam plan të rikthehem. Ka më rëndësi shkollimi i fëmijëve sesa puna këtu. Unë do vij në Shqipëri për fëmijët. Për ata kam ardhur në Itali. Nuk doja që fëmijët të arrinin deri në këtë pikë. Jam e gatshme të kthehem për të futur fëmijët në shkollë”, tha nëna e dy fëmijëve.
Babai i tyre u shpreh se për fëmijët është në gjendje të bëjë gjithçka dhe i kërkoi të gjejnë një zgjidhje.
“Unë gjithë muhabetin e kam për fëmijët. Tani më dalin muhabete të tjera. Ajo thotë nuk i kam braktisur. Ajo të mundohet, jo të gënjejë. Unë nuk kërkoj lekë që po i mbaj fëmijët. Ajo i braktisi fëmijët. Edhe nëna e saj i braktisi. Unë tani po ia çoj fëmijët nënës së saj. Pse nuk e jep prokurën?!
Kam tre vjet që dëgjoj thashethemet dhe presionet e tua. Unë për fëmijët bëhem copa, jo si ti që i braktise. Unë e kreva dënimin për atë që bëra, jo si ti që po i le fëmijët rrugëve. Nuk më intereson asgjë tjetër. Çfarë u bë, mbaroi. A ka mundësi të bëjmë diçka për fëmijët. Nuk do kërkoj lekë nga ty, sepse jam i aftë t’i mbaj vetë”, deklaroi babai.
Fatbardha tha kujdestaria nuk diskutohet më, pasi e ka ndarë ligji dhe i kërkoi ish-bashkëshortit të kujdeset për shkollimin e tyre.
“Ke ardhur për të mirën e kalamajve, jo për të drejtat. Ato i kanë ndarë ligji. Mendo për fëmijët, si janë katandisur”, deklaroi nëna e tyre.
Ndërkohë që ish-bashkëshorti i kërkoi të kthehej për të futur fëmijët në shkollë dhe i kërkoi falje publike për deklaratat.
“Nuk ia mbaj fëmijët gjallë në botë, sepse është nëna e fëmijëve. Le çfarë kam bërë, e kam rrahur, kam vajtur në burg, por vetëm dhe vetëm për ata fëmijë. Unë i kërkoj falje publike zonjës”, tha babai i fëmijëve


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.