DOSSIER

Mes historish njerëzore në komunitetin malazez të Elbasanit

11:10 - 30.04.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula – Historia e ekzistencës së minoritetit etnik serbo-malazez në dokumentet zyrtare daton nga viti 1416. Ky minoritet është i përqendruar në zonën veriore të Shqipërisë, në qytetet Shkodër dhe Koplik, dhe në komunat Gruemirë, Vrakë… megjithatë, persona që i përkasin këtij minoriteti janë të vendosur, gjithashtu, edhe në qarkun e Lezhës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Librazhdit, Fierit… Në vitin 2017 komuniteti malazez rezulton si minoritet më vete, pas pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006. Nga censusi i popullsisë në vitin 2011, ky komunitet ka të regjistruar 366 vetë ndërsa pretendohet që të jenë rreth 25-30 mijë malazezë në Shqipëri. Në gjurmim të komunitetit të malazezëve në Elbasan për të mësuar më shumë rreth historisë së tyre, takojmë Marinko Culafiç, president i komunitetit malazez në Shqipëri (ZCGA) me të cilin vizitojmë disa nga familjet malazeze. Sipas tij është një plan i shpejtë për regjistrimin e këtij komuniteti në vendin tonë ndërsa në klubet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit janë regjistruar rreth 100 anëtarë. Në vitet ‘48-’70 në Shqipëri pati një valë emigracioni politik nga Mali i Zi, atëherë pjesë e Jugosllavisë. Kryesisht djemtë u martuan me vajza shqiptare e ndërtuan jetën e tyre në Shqipëri. Por kishte dhe nga ata djem malazez që u martuan me malazeze.




Dashuri malazeze
Jemi në shtëpinë e Ibrahim Gjonbaliç (Gjonbalaj) që origjinën e ka nga Vuthaj. Eshtë një shtëpi e thjeshtë e pastër dhe në ambient është përhapur era e mirë e një ëmbëlsire që po përgatit Hasimja, gruaja e tij. Ibrahimi është 82 vjeç dhe në vitin 1959 erdhi në Shqipëri si vizitor, dhe që atëherë nuk u kthye më në vendin e tij, deri pas viteve 1980. “Erdha për me pa, dhe këtu bëra ushtrinë dhe u bëra shtetas shqiptar. Në Elbasan na pritën mirë dhe erdhëm këtu, sepse e quanim qyteti i arsimit” – thotë Ibrahimi. Ai ka punuar gjatë gjithë jetës në kombinatin e drurit në Elbasan dhe po në këtë qytet vendosi të ndërtojë dhe familjen e tij. “Jam ndjerë më shumë si shqiptar”, thotë butësisht burri i gjatë e shpatullgjerë. Gruaja e tij është sërish malazeze dhe bashkë me Ibrahimin bënë dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Hasime Avdiç e ka marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 1967. Familja e saj është nga Skubina, Vladimiri. “Baba bashkë me nanën dhe ne 5 fëmijë na morën dhe jetuam për 25 vjet në Shkodër. Kur filloi demokracia, baba me vëllezërit e nanën u kthyen ndërsa unë jo”- thotë ajo ndërsa na shpjegon si u martua me Ibrahim Gjonbaliç. “Ne u njoftën me mblesëri po me ia bo shyqyrin, kena shku mirë shumë, e s’kena pas probleme kurë. Baba im kur e pyeti shkuesin prej nga është, i thanë, nga Vuthaj. E baba u shpreh se: Dhe tani me vdek s’kam kurrfarë gajle të paktën është nga vendi im” tregon Hasimja që ka një humor të hollë dhe të dashur. Ajo shprehet se vështirësitë në kohën e Enverit kanë qenë vështirësitë e çdo shqiptari. Për sa i takon nënshtetësisë shqiptare ajo thotë një tjetër batutë që na bën të qeshim: Ma mori Ibrahimi nënshtetësisë se pale ç’ka mendu po më ikën gruja andej”- shton Hasimja. Ajo shkon shpesh në vendin e saj në Vladimir pasi atje jeton edhe familja e saj.

dorss burri burri dhe gruaja plakaka dostetet dosjssj dododo dososo dosieiei 89479799_2797120283735693_2916834499713040384_n dososo
<
>
Nga e majta: Cedo Culafiç, Boro Soskiç, Milo Soskiç, Milovan (Tatko) Culafiç, Kristo Soskiç, Dobrilo Soskiç, Vlado Culafiç

Historia e familjes Culafiç
Babai i Marinko Culafiç, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1953 si emigrant politik nga ish-Jugosllavia e dikurshme. “Ka qenë një histori e dhimbshme ajo e familjes tonë. Gjyshi ka qenë gjeneral, komandant gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga fisi Culafiç janë vrarë 13 vetë nga gjermanët mes tyre dhe halla ime 15 vjeç”,-tregon Marinko. Tatko (baba) e thërrisnin të gjithë Millovan Culafiç, gjeneralin, i cili pas Luftës u bë sekretari i parë i krahinës së Andrijevica që përfshinte Plavë, Guci, Berane, ose 1/5 e territorit të Malit të Zi. Pas shkëputjes së Titos nga Rusia e Stalinit në vitin 1948 dhe konsideromi i udhëheqësit rus si armik i përbetuar i Jugosllavisë në atë kohë, nisi reprezalja ndaj mbështetësve të Stalinit. Tatko u arrestua në vitin 1949 dhe u dërgua në Goli Otok, burgun famëkeq që ndodhej në Dalmaci, ndërsa djali i madh i tij bashkë me 4 shokë u arratisën në Shqipëri. Dy djemtë e tjerë minorenë jetonin të vetmuar në shtëpinë e tyre, mes skamjes dhe frikës, pasi mamaja e tyre bashkë me një djalë tjetër, vdesin nga torturat e UDB-së. Në vitin 1954 pas lirimit të Tatkos ai rikthehet në shtëpinë e vjetër dhe merr dy fëmijët për të kaluar ilegalisht kufirin nga Vermoshi e për të ardhur në Shqipëri si emigrant politikë. Në Tiranë, Tatko pritet nga Enver Hoxha dhe sistemohen në Elbasan pasi ishte shkolla më e mirë, shkolla e Normales. Aty u arsimuan fëmijët e vegjël, të cilët më pas u bënë profesor të gjuhës ruse dhe u martuan me gra shqiptare.

Me profesor Boron
Boro Culafiç është djali i Tatkos dhe ka qenë 11 vjeç kur bashkë me babën dhe një vëlla erdhën në Shqipëri ndërsa vëllai i madh i priste në Shqipëri. “Qeveria asaj kohe na sistemoi menjëherë në konviktin e pedagogjikes. Vitin e parë mësuam gjuhën, pastaj unë fillova klasën e pestë në 7–vjeçare ndërsa vëllai në pedagogjike se ishte më i madh se unë. Na pritën në mënyrë të shkëlqyer ne emigrantëve se kishte dhe nga Mali Zi por dhe nga Kosova. Na siguronin ushqimin veshmbathjen dhe na jepnin dhe një mijë lekë për nevojat tona. Ai kujton ato vite të tmerrshme kur nëna dhe vëllai 20 vjeç i vdiqën nga torturat ndërsa ai dhe vëllai i madh jetuan të mbyllur në shtëpi për 3 vite radhazi në varfëri ekstreme deri sa Tatko u lërua nga burgu. “Në vitin 1952 baba doli nga burgu e kur mësoi tragjedinë që kishte ndodh na mori ne të dyve e kaluam kufirin. Më 30 korrik 53 u arratisëm. “Ishte periudhë shumë e vështirë, sepse shtëpia rrethohej çdo ditë nga njerëzit e UDB-së”- vijon ai. Pasi mbaroi shkollën Boro vazhdoi Institutin Pedagogjik për rusisht në Tiranë dhe u emërua mësues në Shtërme. Pas tre vjetësh ai shkoi ushtar dhe më pas u emërua në Cërrik ku punoi 12 vjet. “Aty njoha dhe bashkëshorten time Flutura me të cilën kam dy djem. Kur u hapën kufijtë u kthyem në vendlindje. Shtëpia ishte kthyer në shkollë dhe shteti malazez na ndihmoi të ndërtonim shtëpinë. Aty punova mësues në Plavë. 20 vjet jetova atje dimër verë mirëpo nuk isha mirë me shëndet. Që nga 2012 e sot, 6 muaj jetoj atje 6 këtu”,-përfundon Boro.
Profesor Shoshkiç
Nga qendra ku banon çifti Gjonbaliç shkojmë në lagjen Kala, një lagje tipike elbasanlie e shtruar me kalldrëm dhe me ato shtëpi e bahçe erëmira. Do takojmë Fatbardha Kavaja Shoshkiç, gruan e profesor Boros. Rreth të 80-ve me një fytyrë paqësore e buzagaz, ajo na pret ulur në verandën e saj, ndërsa për të shkuar deri aty, përshkojmë një oaz lulesh dhe bimësh të mirëmbajtura. Fatbardha me Boron u njoh në vitin 1962 dhe bashkë bënë tre fëmijë; Velimirin, Draganin dhe Milicën. “Kur u njoha me Boron m’u turrën të gjithë: Ça e do atë jugosllavin…, por ai ishte një burrë i nderuar e shembull në shoqëri. Me 4 prill 2020 profesori i njohur i Pedagogjikes në Elbasan bëri 10 vjet që është ndarë nga jeta e për Fatbardhën ai ka lënë një mungesë të madhe dhe ajo është krenare për zgjedhjen që bëri shumë dekada më parë. Pas Fatbardhës takojmë Merina Alla (Odroviç). Doberdan… – na thotë ajo teksa ulemi të shijojmë një ballokume Elbasani e të pimë kafen bashkë. Eshtë një grua bukuroshe, e gjatë, zeshkane dhe me tipare që mosha nuk ia ka sfumuar fare. Historia e saj është pak ndryshe me shumicën e malazezëve të Elbasanit. Isa, gjyshi i saj, bashkë me tre gocat, si ushtarak i lartë erdhi në Shqipëri në vitin 1937 në kohën e mbretit Zog. Ai u vra në luftë pak vite më vonë dhe ende nuk ka një varr. Vajzat u martuan dy në Tiranë dhe një në Elbasan dhe të tria flisnin shumë mirë gjuhën, ndërsa fëmijët pak më pak. “Kur i them njerëzve unë jam elbasanllije me kthehen- Ti je jugosllave s’ke lidhje me ne”- thotë ajo duke qeshur.
Marinko Culafiç, president i komunitetit malazez në Shqipëri (ZCGA) thotë se ajo që presin nga shteti është të kenë përfaqësuesit e tyre në institucione ashtu sikurse e përcakton dhe “Ligji për Minoritetet”. “Në Shqipëri kemi ligje të mira, por zbatueshmëria është zero”,- thotë presidenti i ZCGA duke marrë në krahasim zbatueshmërinë e ligjit për minoritetet në Malin e Zi, ku shqiptarët kanë akses deri në qeverinë e Malit të Zi. Përpjekjet e minoriteteve në Shqipëri do të vazhdojnë deri sa ligji te përkthehet ne zbatueshmeri.

Të dhënat e
komuniteteve ndër vite

Sipas të dhënave të mbledhura nga ana e shtetit shqiptar në periudha të ndryshme mbi numrin e popullsisë që i takon minoriteteve, vërehet se janë përdorur censuset mbi popullsinë dhe banesat të kryera nga institucione shtetërore specifike, sikurse Instituti i Statistikave (INSTAT). Sipas disa censuseve të kryera në periudha të ndryshme kohore, numri i popullsisë që i takon vetëm minoriteteve kombëtare ne vend rezulton të jetë:
Viti 1960 44.570 (individë) 2.7 % (e popullsisë në total, në Shqipëri)
Viti 1979 54.687 2.1%
Viti 1989 64.816 2.0%5
Në raportim nuk përfshihet numri i popullsisë që i takonte në atë kohë komunitetit rom dhe atij vllah. Në muajin prill 2001, u ndërmor një census i ri mbi popullsinë dhe banesat në vend, i cili nuk përfshiu deklarimin e kombësisë dhe besimit fetar. Ndërkohë në censusin e zhvilluar në vitin 2011, janë përfshirë edhe cilësimi për minoritete etno linguistike Rome dhe Vllahe dhe sipas këtij censusi, minoritetet rezultojnë me 52.700 individë në Shqipëri, ose 1.9 të numrit të popullsisë në vend. Sipas të dhënave të nxjerra nga ky census mbi popullsinë banuese sipas përkatësisë etnike dhe kulturore, rezulton:
Minoriteti grek 24.243 (individë)
Minoriteti maqedonas 5.512
Minoriteti malazez 366
Minoriteti arumun (Vllah) 8.266
Minoriteti rom 8.3017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.