OPINION

Jeta, personaliteti dhe dinjiteti, balancë jo e lehtë në jetën e përditshme

10:47 - 19.05.20 Xhezair Zaganjori
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak kohë më parë, duke lexuar revistën e njohur gjermane “Der Spiegel” të 15 shkurtit 2020, më tërhoqi vëmendjen artikulli me titull “I vendosur deri në fund”, i cili përmes një gjetjeje mjaft të goditur, evidenton bukur e qartë një nga problemet më delikate dhe më të ndjeshme të dekadave të fundit në shoqëritë e zhvilluara: raportin njerëzor, kushtetues e ligjor mes jetës, dinjitetit dhe personalitetit të njeriut, temë që në një të ardhme jo të largët normalisht që do të ketë më shumë relevancë edhe në shoqërinë shqiptare. Mendova ta përkthej dhe botoj të përmbledhur, por pa humbur lidhjen mes fakteve dhe problemeve që trajtohen aty. Detyrë kjo, jo shumë e lehtë për një artikull, që është tepër i lidhur organikisht dhe që përçon mesazhe të dobishme pa fund nga jeta reale në familje e shoqëri. Gjykova gjithashtu të bëj edhe një hyrje mbi këtë temë, për t’i sqaruar lexuesit problemin dhe disa nga qëndrimet më të spikatura rreth këtij raporti në vende të ndryshme, veçanërisht në Gjermani, me fokus vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane, vendim që u shpall vetëm dy ditë pas botimit të artikullit në fjalë.




Jeta në tërësi, e dhuruar nga Perëndia apo natyra, është gjëja më e bukur dhe më e mrekullueshme e kësaj bote. Çdo kushtetutë apo akt ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut thekson natyrshëm që shteti ka për detyrë ta mbrojë me ligj atë, sepse është e shenjtë. Është vlera më e lartë njerëzore dhe e drejta më e rëndësishme e më e qenësishme, pa të cilën nuk kanë aspak kuptim të drejtat e tjera. Pikërisht për këtë arsye, megjithëse e drejta e jetës në thelb ka natyrë negative, në kuptimin që individi duhet lënë ta jetojë e shijojë atë si të dojë, në fakt, shteti ka edhe një sërë detyrimesh pozitive për realizimin efektiv të saj në çdo situatë, vend apo kohë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar disa herë vitet e fundit se shtetet palë në konventë duhet të marrin “të gjitha masat e mundshme”, për garantimin sa më efektiv të saj. Nga ana tjetër, e drejta e jetës përfshin elemente apo çështje të shumta, që domosdoshmërish duhen identifikuar, sqaruar, standardizuar, rregulluar e respektuar me kujdesin më të madh. Mes tyre mund të përmenden çështjet që lidhen me abortin, trajtimin ose jo të fetusit si person, dënimin me vdekje në kohë paqe ose lufte, vetëmbrojtjen, përdorimin e armëve e municioneve, qelizat embrionale, me përcaktimin se kur është absolutisht e domosdoshme dhuna që mund të çojë edhe në marrjen e jetës e të tjerë. Përveç sa më sipër, me rëndësi të veçantë për të drejtën e jetës janë edhe trajtimi e përgjigjet praktike e ligjore për çështje të tilla tepër të ndjeshme si: A ekziston edhe e drejta për të vdekur? Kur dhe në ç’rrethana mund të ushtrohet Eutanazia apo Vetëvrasja Përmes Ndihmës? Në çfarë raporti qëndron e drejta e jetës me të drejtën e personalitetit dhe me dinjitetin e njeriut? Disa nga këto çështje trajtohen direkt apo indirekt edhe në artikullin e përkthyer më poshtë. Megjithatë, ne mund të sqarojmë paraprakisht se: Shumë vende apo edhe doktrina tentojnë të pranojnë gjithnjë e më shumë vitet e fundit se lidhur ngushtë me të drejtën e jetës, ekziston njëkohësisht edhe e drejta për të vdekur. Sepse vetë jeta është e tillë. Ndodh natyrshëm që njerëzit të sëmuren rëndë, në mënyrë të pashërueshme, shoqëruar me dhimbje e vuajtje të shumta, duke u kthyer në torturë e makth për individin e prekur dhe të afërmit e tij, në një kohë që përfundimi jo shumë i largët dihet. Ndodhin gjithashtu ngjarje dhe aksidente të ndryshme, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e vazhdimin e jetës normale. Nga ana tjetër, shkenca mjekësore ka avancuar shumë. Shpesh ajo është në gjendje të gjejë jo vetëm kurim të pjesshëm për të pakësuar dhimbjet e për të siguruar një jetë me probleme e vështirësi në rastet e mësipërme, por edhe t’i mbajë gjatë njerëzit në gjendje kome, pa asnjë reagim apo ndërgjegje, sepse rolin e organeve jetësore e zëvendësojnë aparatet apo tubat që punojnë ditë e natë për t’i mbajtur gjallë. Ashtu siç ndodhi me personalitetin e njohur të politikes izraelite, Ariel Sharon, i cili u mbajt në këtë gjendje për tetë vite me radhë, nga viti 2006 deri në vitin 2014. Por, ky kujdes shëndetësor që nuk jep asnjë lloj perspektive është nga ana tjetër shumë i kushtueshëm dhe nxit rritjen e dukshme të kontributeve të sigurimit shëndetësor në tërësi. Mbi të gjitha vlerësohet se mbajtja në këtë gjendje cenon njëkohësisht edhe personalitetin dhe dinjitetin e individit. Shumë prej tyre, me vetëdije e ndërgjegje të plotë, do të donin shumë apo edhe kërkojnë vetë shprehimisht të vdesin, me dinjitet, sepse gjykojnë që për ato, jeta e ka humbur tashmë kuptimin e saj. Përveç sa më sipër, ka edhe plot njerëz të tjerë me probleme të rënda psikike, ose njerëz që përjetojnë trauma të rënda për shkak të fatkeqësive natyrore apo njerëzore, të cilët do të donin shumë ta bënin gjithashtu një gjë të tillë. Të vdisnin. Por si? Si mund të realizohet? Cila është zgjidhja?

Në fakt, gjëja e parë që merret në konsideratë kryesisht në vendet e zhvilluara në këto raste është Shëndeti Mjekësor Paliativ, përmes të cilit synohet të përmirësohet apo të optimizohet sa më shumë cilësia e jetës dhe zvogëlimi sa të jetë e mundur i vuajtjeve të personave me sëmundje të rënda e komplekse. Ajo përfshin në vetvete jo vetëm trajtimin e veçantë shëndetësor, por edhe të problemeve psikologjike e shpirtërore të lidhura ngushtësisht me sëmundjen.

Por, ndodh shpesh që ky lloj trajtimi mjekësor i veçantë të jetë i pamjaftueshëm. Prandaj, vlerësohet se në këto raste në ndihmë vjen Eutanazia dhe Vetëvrasja Përmes Ndihmës, dy institute që përafrojnë shumë me njëra-tjetrën.

Eutanazia është dhënia fund jetës në mënyrë të qëllimshme, për të shpëtuar nga vuajtjet. Quhet ndryshe edhe vrasja për mëshirë. Bëhet nga doktori, por normalisht vetëm për të sëmurët e pashërueshëm, me vuajtje të mëdha dhe duke pasur paraprakisht kërkesën apo pëlqimin e qartë të individit. Në pamundësi për ta pasur drejtpërsëdrejti këtë pëlqim, ai mund të merret edhe nga familjarët. Mënyrat e përdorura nga doktori mund të jenë të ndryshme. Me ilaçe të rënda apo vdekjeprurëse, injeksion, gazi helium apo heqja e tubave që sigurojnë frymëmarrjen ose funksionimin e organeve të ndryshme. Rasti i fundit konsiderohet edhe si Eutanazi Pasive. Nuk ka asgjë të përbashkët me Fushatën e Eutanazisë, të cilën nazistët gjermanë e realizuan barbarisht në fund të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, duke eksperimentuar e vrarë në mënyrë selektive, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, rreth 300 mijë persona me probleme shëndetësore, kryesisht të moshuar. Fatkeqësisht, një gjë të tillë po e bën aktualisht në mënyrën më mizore ndaj kësaj kategorie të njerëzve COVID–19.

Vetëvrasje Përmes Ndihmës konsiderohet ndihma për vetëvrasje, që u jepet njerëzve në gjendje të rëndë shëndetësore e shpirtërore. Kjo ndihmë zakonisht jepet nga mjeku, por në dallim nga Eutanazia, ai nuk e realizon vetë vrasjen e pacientit. Detyra kryesore e tij është të japë recetën për marrjen e ilaçit vdekjeprurës, pasi është siguruar më parë për shëndetin dhe vullnetin e kërkuesit dhe pasi e ka sqaruar atë mbi pasojat e përdorimit të ilaçit të dhënë, që në shumicën e rasteve është Natrium-Pentobarbital. Përgatitja dhe marrja e ilaçit bëhet nga vetë personi që kërkon t’i japë fund jetës. Por në shtetet ku ligji e ndalon shprehimisht këtë lloj vetëvrasjeje, Kodi Penal e konsideron si vepër penale jo vetëm dhënien e recetës nga ana e mjekut, por edhe ndihmën e dhënë në formën e shoqërimit të personit kërkues për të shkuar në një vend tjetër, ku një gjë e tillë lejohet si: prerja e biletës, rezervimi hotelit, prania apo edhe vajtja për të tërhequr ilaçin e kërkuar. Ka prej atyre që thonë se Vetëvrasja Përmes Ndihmës, sipas kuptimit dhe përshkrimit të mësipërm duhet të quhet Vrasje Përmes Ndihmës. Qëllimi është për ta dalluar me vetëvrasjen e zakonshme, si zgjedhje e individit, pa pasur sëmundje të pashërueshme, e cila vjen si rezultat i streseve apo problemeve që sjell jeta, por sidoqoftë që ka një impakt negativ në shoqëri.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në kuadër të trajtimit e garantimit të së drejtës së jetës, është angazhuar prej vitesh me problemet e mësipërme. Historia, kultura, besimi, tradita apo trashëgimia e së kaluarës në vende të ndryshme ia kanë vështirësuar asaj në maksimum vendosjen e standardeve të gjithëpranuara mbi këto çështje. Rekomandimi i saj prej vitesh ka qenë garancia që duhet të merret në këto raste për ekzistencën e sëmundjes së pashërueshme të shoqëruar me vuajtje të rënda fizike e mendore, si dhe vullneti i personit (shih Pretty kundër Britanisë). Megjithatë, padyshim që në këtë drejtim, shtetet kanë hapësirë shumë të gjerë vlerësimi për të konsideruar vetë zgjidhjet kushtetuese e ligjore që vlerësojnë si më të përshtatshme. Mbi këtë bazë janë të shumta shtetet, që në forma e kushte të ndryshme njohin ligjërisht Eutanazinë apo edhe Vetëvrasjen Përmes Ndihmës, ashtu siç ka edhe shtete që nuk e pranojnë asnjërën prej tyre, në asnjë rrethanë.

Shtetet, doktrina apo shoqatat e shumta që e pranojnë Eutanazinë dhe Vetëvrasjen Përmes Ndihmës argumentojnë dhe pranojnë se në kushte e rrethana të caktuara ekziston edhe e drejta e vdekjes; se jeta e njeriut duhet të lidhet ngushtësisht me vullnetin, personalitetin dhe dinjitetin që ka çdo individ; se autonomia personale është vendimtare në këto raste e të tjerë. Ato që i kundërshtojnë si Franca, Irlanda, Islanda, Spanja etj., marrin në konsideratë Kodin e Etikës në Mjekësi, ku përcaktohet detyra kryesore e mjekut për të shëruar njerëzit; përmendin Betimin e Hipokratit për të mos dhënë e mos rekomanduar në asnjë rast shërbim mjekësor vdekjeprurës, e të tjerë. Megjithatë, kundërshtarët më të fortë janë institucionet fetare, veçanërisht kisha katolike, e cila thekson me forcë ndër të tjera se “Zoti e ka krijuar jetën, ndaj është vetëm Ai që mund të gjykojë se kur përfundon ajo”.

Siç u theksua më sipër, për shumë arsye, shtete kanë bërë zgjidhje të ndryshme, pavarësisht tendencës gjithnjë e në rritje për të njohur e rregulluar ligjërisht si Eutanazinë, ashtu edhe Vetëvrasjen Përmes Ndihmës. Le të marrim disa shembuj:

Në Portugali, me gjithë periudhën e pandemisë, ka pasur kohët e fundit debate të zjarrta në parlament dhe protesta të shumta qytetare kundër nismës së qeverisë të ndërmarrë në fillim të këtij viti për t’i legalizuar të dyja, megjithëse në mënyrë të kufizuar e në kushte strikte. Opozita kërkon me insistim që për këtë çështje të organizohet referendum popullor.

Belgjika e më pas Holanda janë vendet e para në Europë që e kanë njohur ligjërisht Eutanazinë që në vitin 2002, duke kërkuar për këtë qëllim respektimin e mjaft kushteve strikte të përmendura edhe më sipër.   Që nga ajo kohë, me mijëra veta, kryesisht të moshuar të sëmurë rëndë i kanë dhënë fund jetës në këtë mënyrë. Kështu për shembull, vetëm në vitin 2018, në Belgjikë ka pasur 2357 raste të tilla, ndërsa në Holandë në këtë vit ka pasur rreth 7 mijë. Në të dyja vendet ky proces është shoqëruar hera–herës edhe me ndonjë procedim ndaj mjekëve nga organ i akuzës, për mosmarrjen si duhet e në mënyrë të qartë prej tyre të vullnetit të pacientit, por deri tani asnjë çështje nuk ka përfunduar me dënim penal.

Italia nuk e ka njohur asnjërën prej tyre ligjërisht, për shkak edhe të ndikimit të madh që ka kisha katolike në këtë vend. Për më tepër, sipas Kodit Penal italian, nxitja apo ndihma për të kryer vetëvrasje mund të dënohet deri në 12 vjet heqje lirie. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese italiane, përmes një kontrolli incidental të iniciuar nga një gjykatë në Milano, në një vendim tepër kurajoz të marrë disa muaj më parë, konkretisht me 26 shtator 2019, theksoi ndër të tjera se ndihma e dhënë në Vetëvrasjen Përmes Ndihmës nuk përbën vepër penale, nëse personi që ka vendosur t’i japë fund jetës,  përjeton “vuajtje të patolerushme”. Në rastin konkret bëhej fjalë për procedimin penal të Marko Cappatos, i cili në vitin 2017 thjesht shoqëroi në udhëtim për në Zvicër shokun e tij dhe producentin shumë të njohur të muzikës italiane, Fabiano Antoniani, dëmtuar me pasoja të rënda për shëndetin në një aksident automobilistik në vitin 2014, i cili në pamundësi për të bërë Vetëvrasje Përmes Ndihmës në Itali, shkoi dhe e mori këtë “shërbim apo ndihmë” në Zyrih.

Britania nuk e njeh ligjërisht as Eutanazinë dhe as Vetëvrasjen Përmes Ndihmës. Për më tepër, Kodi Penal e cilëson Eutanazinë si vrasje, ndërsa Akti mbi Vetëvrasjen i vitit 1961 e konsideron vepër penale  nxitjen apo ndihmën për vetëvrasje, duke parashikuar një dënim deri në 14 vjet heqje lirie. Nisma e marrë në parlamentin britanik nga laburistët në vitin 2015 për t’i lejuar të dyja në raste tepër të rralla e në kushte strikte, pësoi një fiasko të vërtetë. Votimi ishte 330 vota kundër propozimit dhe vetëm 118 pro. Edhe Gjykata Supreme ka rrëzuar të gjitha kërkesat e bëra për këtë qëllim. Në këto kushte vazhdon debati i zjarrtë mbi këtë çështje në të gjitha nivelet. Zgjidhja për një pjesë të madhe të personave që kanë nevojë mbetet kryesisht Zvicra. Por edhe në këtë zgjedhje, problem mbetet shoqërimi i personit të sëmurë rëndë, përfshi edhe bashkëshortin respektiv, pasi siç u përmend, edhe kjo mund të konsiderohet si ndihmë apo nxitje për të kryer vetëvrasje, veprim ky i dënueshëm penalisht në Britani. Megjithatë, statistikat tregojnë se në vitin 2018, çdo muaj në Britani ka pasur rreth 14,800 klikime për marrje informacioni mbi shoqatën “Dignitas” në Zyrih/Zvicër, e cila është një nga më të njohurat në botë për ofrimin e Vetëvrasjes Përmes Ndihmës.

Edhe në SHBA ka pasur dhe ka mjaft debate mbi këto çështje. Ligjërisht dhe praktikisht Vetëvrasja Përmes Ndihmës njihet e zbatohet në 10 shtete të saj. Ka një Qendër Kombëtare për Vdekjen me Dinjitet, krijuar në vitin 1993, si organizatë jofitimprurëse. Me sa duket, kjo shoqatë frymëzoi më pas edhe shtetin e Oregonit që të lejonte për herë të parë në SHBA Vetëvrasjen Përmes Ndihmës, bazuar në Aktin (Ligjin) me titull “Të Vdesësh me Dinjitet”, miratuar aty për këtë qëllim në vitin 1997. Sipas këtij ligji, pacienti madhor, i aftë mendërisht e me sëmundje të pashërueshme, ka të drejtë të kërkoje një medikament  vdekjeprurës, “për të vdekur në mënyrë humane e paqësore”. Shteti më i fundit amerikan (i dhjeti) që e ka njohur këtë është Maine (në shkurt 2020).

Zvicra është në fakt vendi më liberal në ofrimin e Vetëvrasjes Përmes Ndihmës. Ligji zviceran thotë se  ndihma për vetëvrasje është ligjore, sa kohë që nuk është nxitur nga motive egoiste. Ka shoqata të shumta që e ofrojnë këtë shërbim, mes të cilave, siç është theksuar, është “Dignitas” me qendër në Zyrih. Normalisht ato kanë procedura strikte për pritjen, verifikimin e gjendjes mendore dhe të dokumentacionit mbi sëmundjen e pashërueshme që pretendohet. Ato mund të pranojnë edhe të sëmurë rëndë psikikë, me kushtin që të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme për këto raste, që do të thotë diagnostikimi paraprak i kërkuesit nga një mjek zviceran psikiatër. Në raste të rralla, ajo ka pranuar edhe njerëz pa diagnozë, thjesht të “stresuar e të lodhur shumë nga jeta”, siç ka qenë rasti i një ish-mësueseje arti nga Britania, e cila kërkoi dhe vdiq në Zyrih në vitin 2014, sepse “i kishte ardhur në majë të hundës jeta ‘moderne’ me email, televizion, kompjuter dhe ushqime të gatshme nga supermarketi”. Po kështu, në vitin 2009, kërkuan dhe vdiqën në Zyrih ish-dirigjenti shumë i njohur britanik, Edward Doënes, vlerësuar si një nga më të mirët në botë, veçanërisht për operat e Verdit, së bashku me gruan e tij. Në fakt, ai nuk kishte vetë sëmundje të pashërueshme, por gruas së tij iu shfaq kanceri që po avanconte në mënyrë shumë aktive. Në këto kushte,  ato vendosën të vdesin së bashku në Zvicër. Për shkak të diskutimeve të shumta, në vitin 2011, në Kantonin e Zyrihut u zhvillua një referendum, përmes të cilit ftoheshin qytetarët të përgjigjeshin nëse ishin ose jo dakord për heqjen e Vetëvrasjes Përmes Ndihmës për vendasit dhe për të huajt. Për të dyja pyetjet, përgjigja ishte një ‘Jo’ e qartë. Konkretisht, 85% e votuesve thanë që nuk duhet të hiqet për vendësit dhe 78% thanë që nuk duhet të hiqet edhe për kërkuesit jozviceranë.

Në Gjermani, për shumë kohë, Vetëvrasja Përmes Ndihmës ka qenë e ligjshme. Krijimi i shumë shoqatave për këtë qëllim, me anëtarësi shumë të madhe dhe rreziku i kthimit në biznes të Vetëvrasjes Përmes Ndihmës, e shtynë Bundestagun gjerman në vitin 2015 të bënte ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, duke përcaktuar qartësisht në Nenin 217 të tij se “nxitja apo ndihma për të kryer vetëvrasje dënohet me burgim deri në 5 vjet”. Disa nga shoqatat përkatëse u mbyllën, ndërsa disa të tjera u riregjistruan në Zvicër. Ndryshimi i menjëhershëm i kësaj situate krijoi shumë probleme për njerëzit e sëmurë rëndë, kryesisht të moshuar, pasi ndër të tjera, kontaktet dhe lëvizja e tyre deri në Zvicër nuk është gjithnjë e lehtë. Kjo dilemë apo ky stres përshkruhet qartësisht përmes një rasti konkret edhe në artikullin që vijon. Personazhi i tij është njëkohësisht edhe një nga kërkuesit në Gjykatën Kushtetuese, me objekt shfuqizimin e ndryshimeve të nenit 217 të Kodit Penal, të bëra në vitin 2015. Për vendimin do të flasim shkurtimisht në vijim të artikullit të përkthyer, në mënyrë që leximi i tij të jetë sa më tërheqës.

I vendosur deri në fund!

Helmut Feldman ka paguar prej kohësh shpenzimet e varrimit të tij: për arkivoli 589 euro, për krematoriumin (djegien e trupit) 370 euro, për një kurorë 99 euro, për varrin 1210 euro. Këtë e ka bërë për siguri, sepse siç thekson edhe vetë “Gjërat më të rëndësishme dua t’i bëj mundësisht me dorën time”, ashtu siç ka vepruar gjatë gjithë jetës.

Varrin e ka gjetur në një vend të qetë, nën një pemë. Ka përgatitur gjithashtu edhe një pllakë të thjeshtë guri me emrin e tij, ku parashikohet të shkruhen më vonë vetëm data e lindjes dhe data e vdekjes.

Feldman dëshiron shumë të përgatisë në fakt edhe vetë vdekjen e tij. Planet me dokumentacionin që kërkohet i ruan me kujdes në një dosje me ngjyrë të hapur. Aty është kërkesa apo porosia drejtuar ndërmarrjes së varrimit, dokumenti i anëtarësisë se tij në Shoqatën e Ndihmës për të Vdekur si dhe një letër e vetme e vendosur krejt në fillim të dosjes. Është një ekstrakt me diagnozën e tij, që është edhe shkaku i gjithë kësaj përgatitjeje. Mjeku ka shënuar aty se pacienti i tij ndodhet në fazën e tretë të një COPD Emphysemkomponente. Është një sëmundje e rëndë, që shkatërron mushkëritë. Është kronike dhe e pashërueshme.

Se si është kjo sëmundje, e ka parë me sytë e tij vetë Helmut Feldman. Rreth katër dekada më parë ajo i mori frymën babait të tij e pak më vonë edhe motrës së tij, Anni. Veçanërisht vdekjen e së motrës e mban mënd shumë mirë. Zgjati për një periudhë dyvjeçare, gjatë së cilës fillimisht ajo nuk mund të ngrihej në këmbë, më pas nuk mund të fliste e së fundi nuk mund të merrte frymë. Ai kërkon falje për fjalën që do të përdorë, duke theksuar se motra e tij ka pasur një vdekje të tmerrshme.

Prandaj, përpara se të rëndohet gjendja edhe më shumë, ai dëshiron t’i japë fund vetë jetës së tij. Në mënyrë të shpejtë dhe pa vuajtje, duke përdorur ndonjë medikament vdekjeprurës, të cilin në rast nevoje, duhet t’ia sigurojë Shoqata e Ndihmës për Vdekjen, në të cilën bën pjesë. Feldman thekson se, “Çdo njeri ka të drejtë të ketë një vdekje me dinjitet”.

Por, politika e përcaktoi krejt ndryshe çështjen e dinjitetit të njeriut, duke ia prishur të gjitha planet Feldmanit. Pesë vjet më parë, pas një debati të gjatë, Bundestagu miratoi një ndryshim në Kodin Penal, i cili parashikon tashmë si të dënueshme çdo ndihmë apo nxitje për të bërë vetëvrasje… Me këtë ndryshim, deputetët synojnë të ndalojnë aktivitetin fitimprurës të shoqatave në ndihmë të vdekjes, çështje kjo mjaft e debatueshme, pasi ato u kërkojnë anëtarëve pagesën e një kuotizacioni, me kushtin që në momentin e duhur, t’u ofrojnë atyre një vdekje të qetë.

Sipas interpretimit të ri mbi dinjitetin, të bërë nga Parlamenti në vitin 2015, shteti ka për detyrë të mbrojë jetën e njeriut në çdo rrethanë, deri në minutën e fundit të saj, pavarësisht pretendimeve apo kushteve nga më të ndryshme që mund të paraqiten. Asnjë i sëmurë nuk duhet të ndjehet për asnjë çast se është nën presionin e shoqërisë për t’i dhënë fund sa më parë jetës së tij. Por, kjo mbrojtje bie në kundërshtim me vullnetin e Feldmanit. Dhe në këtë çështje ai nuk është tashmë i vetëm… Atij i janë bashkuar edhe tre persona të tjerë të sëmurë rëndë dhe së bashku kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese…

Në fakt, kanë kaluar katër vjet që nga koha kur është paraqitur kërkesa. Nga katër personat që kanë bërë kërkesën në gjykatë, dy kanë vdekur gjatë kësaj periudhe. I treti është në gjendje tepër të rëndë… Praktikisht ka mbetur vetëm Helmut Feldman. Ai tashmë është 73 vjeç, me profesion elektroteknik, anëtar i Partisë Socialdemokrate gjermane, si dhe Kryetar Nderi i Shoqatës për Mirëqenien e Punëtorëve në qytezën Korne – Wambel në afërsi të Dotmundit.

“Do të luftoj deri në momentin e fundit”, thotë ai, megjithëse tingëllon paradoksale kjo shprehje, pasi Feldman lufton që të ketë mundësi të vdesë. Dhe është pikërisht kjo luftë, që e mban në jetë.

Ka ditë që ndjehet mirë, por ka edhe ditë në të cilat ai nuk arrin të shkojë as deri në supermarket për të blerë një kuti qumësht. Prej disa javësh i duhet të mbajë edhe maskë në fytyrë gjatë natës, për t’i mundësuar frymëmarrjen. Për këtë qëllim kishte hequr edhe mjekrën, në mënyrë që të mos i shkiste maska nga goja gjatë gjumit. “Kanë ardhur ditë të këqija – thotë Feldman – mjekrën e kam mbajtur për 50 vjet pa ndërprerje”. Por nuk ka zgjidhje tjetër. Feldman duhet të marrë frymë. E për këtë, ai ka nevojë për maskë. Nëse aparati arrin t’i sjellë oksigjen në mushkëri, ai mund të flejë. Dhe nëse zgjohet i çlodhur, ai mund të jetë në gjendje të flasë. Ai dëshiron të jetë çdo ditë sa më fit, për të qenë në gjendje për të vënë një kollare e për të takuar sërish, sado shkurt, ministrin Federal të Shëndetësisë, Jens Spahn. Ai bën pikërisht ministrin përgjegjës, për faktin se nuk është në gjendje të përcaktojë vetë se kur dhe si dëshiron të vdesë.

Rreth një muaj më parë, ky ministër erdhi në pritjen e Vitit të Ri në Marl, në afërsi të vendit ku Feldman jeton aktualisht. Në takimin që u zhvillua në bashki, ai arriti t’i drejtojë një pyetje të vetme ministrit Spahn… Por kur mori fjalën, fillimisht nxori një pllakatë, në të cilën shkruhej se kundërshtohej fort ndryshimin e bërë në Kodin Penal, e për këtë bëhej bashkëfajtor edhe Spahn. Shkruhej gjithashtu se përse shteti nuk i lejon të sëmurët rëndë të përdorin ndonjë nga ilaçet vdekjeprurëse. Në fund theksohej se edhe kur priten kafshët, me ligj bëhen përpjekje për t’ua zvogëluar sa më shumë vuajtjet. Më pas ai arriti të pyesë shumë shkurt zotin Spahn, se përse nuk i lejohet përdorimi i ilaçit vdekjeprurës Natrium-Pentobarbital? Span u përgjigj se e kuptonte vështirësinë e problemit, por shtoi se, “është gabim të mendohet që është pikërisht ministri, ai që vendos se kush duhet të vdesë e kush jo”. Feldman donte t’i thoshte ministrit menjëherë se, “pikërisht këtë keni bërë”, por tashmë mikrofoni i ishte hequr. Pyetjet e mëtejshme sigurisht që do ta kishin vënë në vështirësi zotin Spahn…

Në fund të tetorit të vitit që kaloi, Feldman paraqiti kallëzim penal kundër ministrit Spahn, me akuzën se me vendimet dhe veprimet e tij, ai ka cenuar dinjitetin e njeriut, garantuar nga neni 1 i Ligjit Themelor (Kushtetutës) gjerman. Në përgjigjen që Feldman mori pas pak kohësh nga Prokuroria e Përgjithshme e Berlinit, thuhej shkurtimisht ndër të tjera se “… nuk ka fakte të mjaftueshme për të filluar çështjen penale”. Feldman është sërish shumë i indinjuar. “Ato e kanë të lehtë të flasin kot”, thotë ai, duke shtuar se nuk mund të lihet gjithçka në dorë të politikës, megjithëse dikur edhe ai vetë ka qenë pjesë e saj.

Në dollapin që ka në dhomën e gjumit, Feldman ka grumbulluar gjithçka që ka nga biografia e tij politike. Aty ka letrën që kryetari i bashkisë i ka dërguar me rastin e 65-vjetorit. Ka një përshëndetje nga ish-Kancelari Gerhard Schrëder. Ka edhe një fotografi kapur dorë për dore me Franz Muntefering, i cili në atë kohë ishte zëvendëskancelar i Gjermanisë. Së bashku ata duken sikur janë vëllezër. 25 vjet me radhë Feldman ka qenë aktiv në politikën e pushtetit vendor, dukë qenë edhe në Kryesinë e Partisë Socialdemokrate të qytezës së vendbanimit të tij, Kernë. Ai ka luftuar shumë për vendosjen e shenjave të lëvizjes me biçikletë, për vendosjen e stolave në zonën e këmbësorëve, për rregullimin dhe mirëmbajtjen e stacioneve të autobusit…

Feldman bën gjithçka vetë, edhe tani. Ai pret gazetarë dhe jep informacion se si dëshiron të vdesë. Nuk e bën me dëshirë, por duhet ta bëjë. Ai thotë se, “Nuk është thjesht çështja ime, por e të gjithë atyre që janë në të njëjtën situatë me mua”. Për vete lutet çdo natë që të vdesë duke fjetur, por ai ka frikë se mund të jetë ndryshe.

Kur vite më parë motra e tij nuk ishte në gjendje të merrte frymë mjaftueshëm, ajo tentoi të priste damarët e dorës. Por nuk arriti ta bëjë si duhet këtë veprim. Edhe Feldman ka vrarë shumë mendjen për zgjidhje të tjera. Hedhja nga lartësia e një godine do të ishte një veprim i turpshëm dhe gjest i pahijshëm. Ta qëllojë veten me armë nuk i duket ide e keqe, por i mungon pistoleta.

Duke mos pasur ndonjë mundësi tjetër, në vitin 2012 vendosi të zgjedhë një rrugë më të sigurt. Pagoi një mijë euro dhe u bë anëtar në Shoqatën e Ndihmës për Vdekjen, të cilën në atë kohë e themeloi ish-senatori (ministri) i Drejtësisë së Landit të Hamburgut Roger Kusch. Ajo i dërgoi më pas Feldmanit mjeke për t’i vlerësuar gjendjen shëndetësore, e në vijim i dërgoi edhe një letër, në të cilën vihej në dijeni për numrin e tij të anëtarësisë dhe njoftohej se në rast nevoje, mund të mbante kontakte me shoqatën. Në letër nuk përmendej që shoqata do t’i ofronte në kohën e duhur medikamentin vdekjeprurës, sepse në atë periudhë diçka e tillë ishte krejt ligjore. Por, kur në fund të vitit 2015 Bundestagu bëri ndryshimet e përmendura në Kodin Penal, Feldman u ndje i tradhtuar, ndaj ende thekson me nervozizëm se, “Si mund të pranoj që disa qindra deputetë të vendosin vetë se si duhet të vdes unë”. Ai kontaktoi për këtë qëllim edhe kryetarin e shoqatës Kusch, duke i thënë se do të luftonte shumë. Prandaj, të nesërmen e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Penal, Feldman iu drejtua me kërkesë Gjykatës Kushtetuese gjermane në Karlsruhe. Shoqata e drejtuar nga Kusch i premtoi se do të merrte përsipër shpenzimet e nevojshme. Edhe disa mjekë dhe shoqata të tjera homologe në ndihmë të vdekjes iu drejtuan kësaj gjykate, me të njëjtin objekt kërkimi.

Që nga ajo kohë, Feldman shpreson shumë. Dhe pret. Ai respekton rekomandimet e mjekëve. Ha fruta. Në dhomën e ndenjës vjen era e kivit dhe e mandarinave. Ai shpejton të marrë pompën e frymëmarrjes sa herë ndjehet që nuk mbushet dot me frymë. Përpiqet gjithashtu të bëjë edhe një terapi tjetër, të cilën mjekësia e sotme nuk e rekomandon domosdoshmërish: Çdo ditë thith avull nga një fuçi e vogël druri, të cilën ia kanë dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, gjendja e tij shëndetësore nuk ka asnjë përmirësim. Përkundrazi, ai merr frymë me vështirësi dhe ajri nuk i shpërndahet aspak në trup. I duhet të shtrëngohet shumë për të marrë ajër sa duhet, duke u dukur sikur po i bie trumbetës. Fytyra i skuqet shumë. Kush e sheh, e kupton mirë se si mund të vdesë një njeri duke iu marrë fryma. 

Ndërsa pret, halle të tjera ka mbi kurriz. Gruaja është me alzhajmer, ndaj ajo jeton në një azil pleqsh, që është rreth pesëqind metër larg nga shtëpia e tij. Çdo ditë pasdreke, atij i duhet t’i dërgojë asaj një vezë të zier lehtë. Veza duhet të jetë e madhësisë L, duhet zierë gjashtë minuta dhe i duhet hedhur edhe pak kripë. Feldman thotë se për zierjen e vezës është bërë specialist i vërtetë. Por problemi është se ai e ka gjithnjë e më të vështirë për të bërë rrugën deri tek azili i pleqve. Kjo e shqetëson shumë. Kush mund t’ia sqarojë gruas së tij shkakun e vërtetë? Ai përpiqet t’ia sqarojë sado pak këtë çdo ditë, pasi sërish ajo çdo ditë e harron. E vetmja gjë që ajo kujton nganjëherë është vetëm që Feldman është në pritje të një vendimi shumë të rëndësishëm. Se perse bëhet fjalë, ajo nuk e mban aspak mend.

Në janar të vitit 2018, ende nuk ka të dhëna për vënien në lëvizje të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Por, Kusch i dërgon në këtë kohë një letër, ku i tregon se ka gjetur një mënyrë për të shmangur rregullimet e reja të Kodit Penal. Sipas ndryshimeve në këtë Kod, shoqata e tij nuk mund ta ushtrojë aktivitetin e saj në Gjermani, por në Zvicër, një gjë e tillë lejohet. Prandaj Kusch e njofton se ka krijuar sërish një shoqatë të ngjashme në Zyrih. Dy muaj më pas, Kusch i shkon në shtëpi Feldmanit për të biseduar. Në këtë bisedë merr pjesë edhe vajza e Feldmanit, Manuela. Asaj mund t’i bjerë barra për t’u kujdesur për marrëdhënien me shoqatën, pasi babai i saj e ka shumë të vështirë për të lëvizur, sepse është shumë i dobët fizikisht. Kusch u sqaron atyre se nuk është e ndaluar që të afërm të Feldmanit të shkojnë në Zvicër, për të marrë aty medikamentin vdekjeprurës. Manuela i thotë “po”, sepse ajo mund ta bëjë këtë për babin e saj. Ajo është punonjëse në një tjetër azil pleqsh dhe tregon se ka parë aty shumë njerëz që vdesin nga mungesa e frymëmarrjes, duke shtuar që nuk do të dëshironte kurrë ta shihte babain e saj ta përjetonte këtë vuajtje. Vetëm se Felman ka një ndjesi të keqe. Si mund t’i kërkojë ai vajzës së tij të shkojë në Zyrih për të marrë medikamentin e vdekjes? Mendon gjithashtu se sa kohë duhet të presë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Në një natë të majit të vitit 2018, tepër i indinjuar, ai i shkruan me makinën e tij të shkrimit një letër Gjykatës Kushtetuese. Përmes saj u kërkon gjyqtarëve ta marrin në shqyrtim kërkesën e tij, duke shtuar që “me sa duket po vazhdoni të hezitoni, duke pritur të vdesin edhe dy kërkuesit e fundit”, njëri prej të cilëve vete Feldman. Ai është i xhindosur kur shtyp letrën. Ndoshta tepër i xhindosur. Acarohet hera–herës edhe me veten e tij, duke menduar se në një natë si kjo, do të ishte mirë të mbyllte sytë përgjithmonë.

Por, lidhur me kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese shkruan ndërkaq po në vitin 2018, revista “Der Spiegel”. Më pas informojnë edhe disa kanale televizive. Ka ditë të mira për Feldmanin, kur i vijnë për ta filmuar në shtëpinë e tij, por ka edhe ditë të këqija, në të cilat ai nuk mund të marrë thuajse fare frymë.

Në fakt, kohë më parë mjekët i rekomanduan të bëjë edhe një operacion… Ato i thanë se suksesi i tij do të ishte 50% me 50%. Për hir të fëmijëve, ai vendosi ta bëjë operacionin. Përpara se ta detyronte vajzën e tij të shkonte në Zvicër për t’i marrë medikamentin e vdekjes, zgjodhi si rrugën më të mirë t’i nënshtrohej thikës. Por ai shton se në fakt, ai nuk ishte aspak kundër, nëse përmes këtij operacioni gjithçka do të merrte fund, duke mos u zgjuar më nga narkoza. Operacioni zgjati pesë orë. Mjekët i hoqën një pjesë të mirë të dëmtuar të mushkërisë së majtë. Ata i thanë më pas se mbase operacioni mund t’i ketë dhuruar edhe pesë vjet jetë. Sidoqoftë, Feldman shton se ai jeton me dëshirë, “… por vetëm nëse ke një cilësi jete që ia vlen..”. Dhe pretendimet e tij nuk janë shumë. Ai dëshiron të ketë mundësi t’i çojë bashkëshortes vezën e zier. Ai dëshiron të ketë mundësi të shkojë pasdreke në azilin e pleqve e të qerasë aty ndonjë të njohur me kafe. Ai dëshiron të ketë mundësi të flasë në darkë me vajzën. Por tani, mbi të gjitha, ai dëshiron të shkojë në Karlsruhe, sepse më në fund, në fillim të vitit 2019, mori një zarf nga Gjykata Kushtetuese. Në letrën e dërguar shkruhej se trupa gjykuese “… do të vlerësonte shumë që nëse e lejon gjendja shëndetësore, të mund të paraqitet personalisht në seancë” në datën dhe orën e caktuar… Më në fund diçka po lëvizte.

Shtatë ditë para seancës, Feldman shkon para dollapit të rrobave dhe u hedh një sy kostumeve që ka. Nuk preferon ato me kuadrate e ngjyrë të hapur. Përzgjedh një me ngjyrë të errët dhe model të vjetër, të cilin e përdorte në kohën kur ishte funksionar në pushtetin vendor… Para televizorit ka vendosur një letër, në të cilën ka shënuar të dhënat e udhëtimit. Do të niset një ditë para seancës dhe treni parashikohet të mbërrijë në Karlsruhe në orën 18.58. Por, Feldman mezi qëndron në këmbë. Ai s’mund të ecë. Ka shumë probleme me kolonën.

Kur në datë 16 prill 2019, në sallën plenare të Gjykatës Kushtetuese në të cilën dallon shqiponja e madhe e punuar në dru fillon gjykimi i çështjes, shihet se në rreshtin e parë mungon emri i shkruar i Feldmanit. Në darkën e një dite më parë ai i dërgoi një SMS administratës së Gjykatës Kushtetuese në të cilin shkruhej “Fatkeqësisht nuk mund të udhëtoj për në Karlsruhe. Jam duke bërë çdo mëngjes dy gjilpëra, pasi kam dhimbje shumë të forta. Do të kisha dashur shumë të isha i pranishëm”. Që do të ishte pikërisht kolona ajo që do të hidhte në erë planin e udhëtimit dhe jo mushkëritë, këtë nuk e kishte menduar kurrë.

Ndërsa Feldman nuk e ka të mundur, në Karlsruhe arrin të shkojë kërkuesi tjetër i mbetur gjallë. Pak para drekës, para trupit gjykues shfaqet një njeri i zbehët, të cilit i duken qartë vuajtjet që ka nga sëmundja e kancerit. Zëri i tij është kaq i ulët, saqë gjyqtarëve u duhet të zgjaten përpara.

Ai thotë ndër të tjera se më parë e kishte gjetur fuqinë për të jetuar kohën e mbetur, pasi e dinte që në fund të fundit do të ishte vetë ai, që do të vendoste për jetën e tij. Por, më pas u bënë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat ia prishën qetësinë dhe lehtësinë e shpirtit. Ndërsa ai flet, në sallë ka një qetësi absolute. Pasi mbaron, kryetari i trupit gjykues, Vosskuhle, thotë: “Argumente interesante”….

Që vendimi që do të merret do të jetë shumë i rëndësishëm, paralajmëroi qartësisht që gjatë seancës edhe Vosskuhle. Ai theksoi se, “jeta dhe vdekja si dhe ndikimi i secilit prej nesh mbi to duhet të mbështeten në bindjet e palëkundura etike, morale dhe fetare”…

Feldmanit i duhet të presë vendimin. Varrimin e ka tashmë të porositur, në mënyrë që të paktën vajza e tij të mos ketë telashe për t’u marrë edhe me këtë çështje. Nëse gjykata do t’i konsiderojë të drejta ndryshimet në Kodin Penal e nëse nuk mund të durojë më, do t’i duhet të marrë rrugën, në mënyrë që ndarjen nga jeta ta bëjë diku në ndonjë dhomë në Zvicër. Edhe Kuschs i Shoqatës së Ndihmës për Vdekjen ia ka ofruar tashmë këtë zgjidhje. Por, nëse ai nuk ishte në gjendje të shkonte nga Dortmundi në Karlsruhe, si mund të shkojë deri në Zyrih?

Vajza e tij vazhdon të jetë e gatshme të udhëtojë deri në Zvicër për të marre medikamentin vdekjeprurës. Por Feldman përsërit se ndjehet shumë keq kur mendon t’ia japë këtë ngarkesë psikologjike Manuelës, e cila do ta vuante atë gjatë gjithë jetës. Ai beson shumë që kërkesa e tij do të pranohet nga gjykata, duke shtuar se të gjitha shpresat i ka pikërisht aty. Megjithatë, mjekët e kanë këshilluar të mos shkojë në Karlsruhe për shpalljen e vendimit. Sidoqoftë, një ekip i një kanali televiziv i ka premtuar t’i japë mundësinë të jetë në një farë mënyre i pranishëm dhe të thotë diçka për këtë çështje. Ato i kanë premtuar se do ta transmetojnë shpalljen e vendimit nga shtëpia e Feldmanit ‘live’. Dhe Gjykata Kushtetuese gjermane foli. Më 26 shkurt, kryetari i saj shpalli vendimin, duke pranuar kërkesën e paraqitur. Ashtu si gjithnjë, është një vendim i qartë e i plotë. Në 115 faqet e tij jepen fakte dhe argumente interesante që çojnë natyrshëm te dispozitivi: Deklarimi si në kundërshtim me Ligjin Themelor i ndryshimeve të Kodit Penal të bëra në vitin 2015. Aty thuhet ndër të tjera se parlamenti është i lirë të miratojë ligje për të ndaluar vetëvrasjet dhe për të përmirësuar kujdesin shëndetësor paliativ, por ai nuk ka të drejtë të prekë pandëshkueshmërinë e Vetëvrasjes Përmes Ndihmës. Sepse e drejta e përgjithshme e personalitetit i garanton çdo individi të drejtën për të zgjedhur vetë mënyrën e vdekjes, bazuar në një vendim të qartë e të vullnetshëm personal… Nga ana tjetër, respektimi e mbrojtja e dinjitetit dhe lirisë individuale janë parime themelore të rendit kushtetues, pasi bazohen në nocionin qendror se qeniet njerëzore janë plotësisht të afta për vetëvendosje e përgjegjësi personale.

Vendimi ka ndezur sërish një debat të zjarrtë në Gjermani. Megjithatë, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjermane. Feldman dhe mijëra e mijëra persona si ai janë tashmë të lehtësuar. Parlamenti gjerman jo. Ai duhet të punojë e të përshtatë sa më shpejt Kodin Penal me detyrat e shumta që i dalin nga ky vendim.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.