KULTURË

Ç’bëhet me kallëzimet tona? Edmond Budina: Z.Soreca, “peshqit” i ke te Teatri

11:47 - 22.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Teatrin” ka dorëzuar në zyrat e delegacionit europian, një kërkesë përmes së cilës kërkon të dijë se çfarë ka bërë deri më tani SPAK-u, Struktura e Posaçme Antikorrupsion për 6 kallëzimet e tyre për çështjen e Teatrit. Ata iu drejtuan delegacionit, duke qenë se është një ndër mbështetësit e reformës në drejtësi, po nuk ngurruan të shprehin pakënaqësi. Edmond Budina, regjisor, tha para mediave atë që e cilësoi një mesazh për ambasadorin Soreca. “Z.Soreca, ju dhe unë kemi nënshtetësinë italiane dhe jemi qytetarë të BE-së. Dua t’ju them se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë. Po, por duhet të japë rezultat dhe prandaj duhet të nisë nga Teatri. Reforma në drejtësi duhet të kapë ‘peshqit e mëdhenj’ dhe ‘peshqit e mëdhenj’ janë te Teatri, hapni rrjetën dhe do i gjeni. Unë personalisht nuk kam besim te ju z.Soreca, sepse keni pasur deklarata të vakëta, por respektoj institucionin që përfaqësoni”, tha Edmond Budina, ndërsa më herët u lexua një kërkesë drejtuar vetë SPAK-ut, që të japë dëshmi që është një institucion serioz dhe të gjithë atyre që kanë besim te reforma në drejtësi. Në dijeninë e “Aleancës për Teatrin”, SPAK-u ka nisur një kërkesë për sekuestro të të gjithë dokumentacionit të përdorur nga bashkia për shembjen e Teatrit. Adriana Kalaja, juriste, tha se e ka informacionin, por shtoi se, “po presim reagimin zyrtar të SPAK-ut për hetimet”. E njëjta kërkesë që iu dërgua delegacionit të BE-së, iu dërgua më pas edhe ambasadës amerikane, si kontribuuese me 80 milionë euro për reformën, siç tha “Aleanca”, e që sipas saj, është pikërisht kjo reformë, që ka bllokuar gjykatat të cilat do të duhej të shqyrtonin kallëzimet e paditë për Teatrin dhe shembjen e tij. Regjisori Robert Budina tha pasi dorëzoi kërkesën se, “ambasadorja amerikane, zonja Kim, u takua me Ramën një ditë para shembjes së Teatrit dhe në perceptimin e opinionit publik u la të kuptohej se është dakord me shembjen e Teatrit, ose le të themi që i dha alibi kryeministrit. Unë nuk besoj se ka qenë kështu, por zonja ambasadore mbase duhet të sqarojë për çdo keqkuptim. Ne duam të dimë se ku janë hetimet, çfarë po bëhet me paditë tonë, ku u gabua dhe duam të dimë nëse reforma në drejtësi do të japë fryte”. Në këtë vazhdë, Budina shtoi se nëse diplomatët heshtin, ai gjithsesi ka një pyetje për ta: “Si u ndjetë kur patë që Teatri u shemb me njerëz brenda”? Për “Aleancën” mosfillimi i punës nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me Teatrin, duke qenë se janë dy paditë, që ajo do të shqyrtojë për këtë çështje.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.