KULTURË

Shuhet Fuat Boçi, Kulla: Artistët vdesin ndryshe, si e krijova Belulin

13:46 - 22.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i njohur, Fuat Boçi. Miqtë flasin për një aktor unikal dhe të pavdekshëm për karakteret e tij. Aktori që njihet për rolin si “shoku i Belulit” ishte 89 vjeç.
Aktori i njohur fierak, Fuat Boçi, qe bërë i njohur për rolet e tij në estradën profesioniste të qytetit. Ish- elektricisti kino-mekanik që u bë artist i nderuar me disa urdhra e medalje mbahet mend për karakteret e veçanta që përjetësoi. Kiço Londo, regjisor, që është rritur me rolet e tij në teatrin “Bylis” të Fierit, e mban mend si një aktor unik, që punonte gjatë me rolet e veta. “Ai sot është në qiell dhe nga yjet e engjëjt do të marrë duartrokitjet që i munguan në tokë. Është aktor kombëtar, jo lokal. Brenga ime është se nuk punova me të si regjisor dhe nuk e duartrokita si regjisor”. Një prej regjisorëve që e ka njohur për më se 18 vite në Fier ku punuan bashkë për pjesë të ndryshme, e kujton me vlerësim. Pëllumb Kulla thotë: “Artistët vdesin ndryshe. Pjesa më e dobët, ajo fizike shuhet, por pjesa shpirtërore e artistike, ajo për të cilën artistët bëhen të njohur e duhen nga publiku, ajo mbetet ende. Ndaj edhe Fuat Boçi mbetet i pavdekshëm”. Kulla, një prej emrave më në zë të regjisë sjell në kujtesë edhe një prej roleve më të spikatura të Boçit, pasi ka vlerësuar punën që ai bënte me rolet, mimikën, plastikën e qëmtimin e karaktereve.




“Beluli ishte një rol që erdhi në kuadër të qëmtimeve që unë bëra në letërsinë e Dritëro Agollit, Shevqet Musarajt dhe më tej edhe të Qamil Buxhelit. Prej tij gjeta këtë personazh, Belulin, që duke dashur të fliste për shokun e tij e dinte mirë që po fliste më shumë për vete. Atë e luajtën si rol dy aktorë, por Fuati pati fatin që e regjistroi dhe kjo pjesë i dha një popullaritet të madh e të merituar. Fuati qëmtonte karakteret, i punonte me kujdes, ishte sistematik dhe ishte në lartësi të madhe. Ka qenë një nga aktorët e mi të pëlqyer, pikërisht prej cilësive që kishte”, – tha Kulla. Fuat Boçi prej vitesh ishte tërhequr nga jeta publike për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai ka jetuar deri ditën e fundit të jetës në Fier.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.