KULTURË

Buzëqeshja e fshehur e Pano Taçit

12:26 - 30.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qerim Vrioni – Duke kaluar nëpër duar e nën sy disa foto të disa viteve më parë, ndala tek kjo shkrepje e Pano Taçit e mbas saj lexova vitin dhe vendin. Mandej, m’u kujtuan mirë mjaft gjera për atë foto, kohën dhe vendin e shkrepjes, por sidomos për personin e fotografuar. Nisa të kujtoj gjithçka dija për të, nga takimet e para, bisedat e drejtpërdrejta me të dhe miq të tjerë të përbashkët, por edhe nga leximet në shtyp. Një pjesë të madhe të tyre vendosa t’i hedh në letër duke u nxitur nga fotoja që shkrepa atë ditë të largët duke gjerbur kafe me miq për ta mbajtur përherë gjallë kujtimin e Pano Taçit.
Gjithsesi, me poetin Pano Taçi (Gjirokastër, 1929-Tiranë, 14 qershor 2012) më njohu gjatë një përurimi libri, miku ynë i përbashkët, shkrimtari dhe redaktori, Pandeli Koçi. Sidoqoftë, emrin e Panos, bashkë me poezitë e tij i kisha hasur në shtypin letrar, kryesisht pas viteve ’90, por më tepër e kisha dëgjuar ndër biseda me poetë dhe shkrimtarë, të cilët nuk kursenin lëvdatat, jo vetëm për artin e tij, por edhe për natyrën tepër të veçantë.
Qysh në moshë të njomë, rreth 13-14 vjeç, Pano u aktivizua me lëvizjen e grupit pararinor komunist me emrin “Debatik” për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar kundra pushtuesit fashist italian. Po ashtu, gjatë L2B, ai u rreshtua(rreth vitit 1944, kur ishte 16 vjeç) me vullnetin e tij si partizan me Brigadën 23 S të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, me të cilën mori pjesë edhe në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit gjermanë. Por këto veprimtari dhe kontribute atdhetare, pas mbarimit të luftës në vend, më 1944, nuk ja bënë më të lehtë jetën si shumë të tjerëve, madje përkundrazi,edhe më të vështirë.
Gjithsesi, do të ishte një figurë e tillë madhore dhe e shquar e kulturës shqiptare si poeti, Lasgush Poradeci, ai që do të ndikonte drejtpërdrejtë që Pano, ky djalë fare i ri, të futej tanimë përgjithmonë në rrugën e poezisë. E nuk kish si të gabohej poeti pogradecar, ai e pikasi menjëherë se Pano ishte poet i lindur. Poeti i liqenit e dalloi shpirtin e tij, kur ky djalë i vogël, rreth, 12-13 vjeç, recitoi para tij 2-3 poezi të shkruara nga vet ai. Njëra nga këto poezi u botua te gazeta “Bleta” (jetëshkurtër në qarkullim), dhe përbënë herën e parë që ai del në shtyp para publikut artdashës të poezisë. Kështu, Pano, prej asaj kohe ka shkruar gjatë të gjithë jetës së tij, kur voziste në liqen të qetë, po edhe kur lundronte në det të egërsuar, madje shumicën dërmuese në dallgët e këtij të fundit. Frymëzimet e tij poetike i shkruante edhe në copa letrash pas kafes apo konjakut. Madje pa u trembur se këto poezi mund ta dërgonin pas hekurave të burgut politik, aq shumë i rëndë edhe për njerëzit e artit dhe të kulturës gjatë diktaturës në Shqipëri, siç ndodhi më vonë me të vërtetë me Panon.




Kështu, për shumë kohë,duke filluar qysh prej vitit 1947,ai provoi përndjekje dhe privime të ndryshme politike, ekonomike dhe shoqërore. Kështu njohu së pari burgun për tentativë arratisjeje pastaj internimin, persekutimin politik dhe sidomos atë psikologjik, të shoqëruara me vetminë e detyruar, që e trishtonte shumë, por nuk e thyente moralisht. Veçse në sajë të shpirtit të artistit, interesave dhe kërkesave intelektuale, këto nuk arritën ta shtypnin natyrën e tij prej poeti dhe rebeli liridashës. Përsëri e burgosën edhe dy herë të tjera për agjitacion dhe propagandë dhe sërish internime.
Po ashtu, ky kalvar i gjatë vuajtjesh, me familje pa familje, me banesë pa banesë,me xhep plotë dhe xhep bosh, nuk ia thau shpirtin. Ai ishte mjaft i shoqërueshëm dhe mjaft i mirëpritur në shumë mjedise shkrimtarësh dhe poetësh, ku rrezatonte kulturë, dashamirësi, por edhe humor. Madje pronarët e një Bar-Kafe të njohur në Tiranë (Kafe “Europa”), duke e njohur nga afër dhe vlerësuar, nuk e lejonin fare të paguante dy filxhanët (të mëngjesit dhe të mbasdites) e përditshëm të kafesë expres, një sjellje fisnike, në mos e vetmja, shumë e rrallë në vendin tonë. Miqtë e tij të shumtë për jetesën dhe krijimtarinë e tij, i kishin ngjitur nofka të ndryshme miqësore, si, psh, Hokatar dhe tragjik njëherësh (Bejko), Pani Plak, Plak ashik e qejfli, rebeli i përjetshëm, këngëtari i vetmuar i dashurisë etj.
Në vitin 1963, u bë gati për botim përmbledhja e parë poetike e Pano Taçit me titull “Ura e ylberit”, por për mospërputhje me vijën e kuqe ideologjike të kohës, vepra u kthye në karton sapo doli nga shtypshkronja e, pak më vonë shërbeu si mjet fajësimi për dënimin e tij politik të vitit 1964. Gjithsesi, duhet përmendur se krijimtaria poetike e Pano Taçit para rrëzimit të diktaturës është vlerësuar me dy çmime. I pari i tyre me emrin e madh, “Naim Frashëri”, i u dha nga Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë në fund të viteve ’50 për poezinë “Ballada e gjahtarit”, dhe i dyti, disa vite më pas, por ai ishte krejt i veçantë. Ky çmim ju dha nga një jurie krijuar në burg (pa ndërhyrjen e administratës) me personalitete të shquara shqiptare të para L2B në fushën e arteve, kulturës, politikës dhe jetës shoqërore, si p.sh, Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Andon Frashëri, Et’hem Haxhiademi etj. Le të përmendim se në konkurs merrnin pjesë figura të tilla të njohura si Mirash Ivanaj, Astrit Delvina, Ferik Llagami, Kudret Kokoshi etj. Ai zhvillohej brenda kushteve të mungesës së lirisë, pra gjatë vuajtjes së dënimit. Duket si diçka e pakuptimtë ky konkurs poezie i organizuar nga të dënuarit Dhe natyrshëm, vlerësimi i tyre(përveç cigareve, kafes dhe sheqerit të mbledhura nga vet ata) kishte për Panon edhe një tis hyjnor, siç ishte gjithmonë poezia dhe ai e kujtonte përherë atë me mallëngjim.
Vetëm pas ndryshimeve të mëdha ekonomiko-shoqërore në vend, në fillim të viteve ’90, ai doli para lexuesve me rreth 13 vëllime poetike, dukuri edhe e shumë krijuesve të tjerë të cilët diktatura i kishte shikuar shtrembër e u kishte mbyllur hapësirat e botimit. Përmendim ndër to, “Poezi të zgjedhura”, “Blerim i thinjur”, “Hukama e Venusit”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, “Lakuriq”(erotikë) etj. Pano Taçi lëvroi edhe gjini të tjera letrare si dramën, fabulën dhe përrallën. Gjithsesi, ai mbetet një nga poetët më të shquar në lëvrimin e poezisë kushtuar bukurisë së femrës, sidomos në aspektin erotik.E në lëmin e poezisë erotike, edhe sipas shumë studiuesve të letërsisë shqipe, Pano Taçi mbetet zëri më origjinal dhe më i spikatur. Gjithsesi, një nga poezitë me karakter të fortë social, por edhe me rezonim të theksuar bashkëkohor është ajo me titullin dëshpërues,por dhe qortues, “Populli im vulëhumbur”….
Poeti i njohur Xhevahir Spahiu, miku i pandarë i poetit deri nga fundi i jetës, ka shkruar për të: “Pano Taçit si burgu dhe pasburgu, ia mpakën, por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuajse serembiane”, krahasim i goditur me Zef Seremben, hallemadhin e njohur të poezisë arbëreshe. Ndërsa sociologu dhe poeti Zyhdi Dervishi shkruan se Pano “është poeti më i lirë, ndonëse pjesën më të madhe të jetës e kaloi në burgje dhe internime“. E pra, liria për poetin tonë ka pasur kosto të padrejtë dhe ai me vetëdije e ka paguar atë me mungesën e saj, madje pa u ankuar për padrejtësitë dhe pa kërkuar dekorata për vuajtjet e tij.
Dy vargje nga njëra prej poezive të fundit të Panos: ”Tërë jetën ç’jam përpjekur/ si t’ia zbus shpirtit hallin”, flasin për gjendjen e tij të pllakosur nga dertet, por më tepër për këmbënguljen e mundimshme dhe kurajoze për përballjen e tyre. Nga një këndvështrim tjetër, duket sikur fati i Panos ishte i tillë dhe ai duhej të përpiqej që ta lehtësonte shpirtin nga ato…që të merrej me poezi.
Kthehemi tek fotoja, e cila ishte shkaku i këtyre rreshtave. Kështu gjatë një mbrëmje të ftohtëshkurti të vitit 2003, po pinim kafe një grusht miqsh të letrave tek Bar LUX, poshtë Bibliotekës Kombëtare. Dikush i kërkoi Panos që të lexonte disa poezi të tijat erotike, gjë që ai nuk e kundërshtoi, nisi menjëherë t’i lexonte, madje me kënaqësi. Ato i përkisnin një libri të sapobotuar, brenda të cilave gëlonte edhe humori. Natyrisht, leximi i tij shkaktoi edhe të qeshura e hoka të shumta tek dëgjuesit, fjalë hidh e prit, por autori e mbante nën buzë të fshehur të qeshurën e tij, atij i qeshte gjithmonë shpirti kur kënaqte të tjerët.
Në një nga këto çaste e fotografova.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.