OPINION

Pse e lënë punonjësit punën në Shqipëri dhe Kosovë?

11:10 - 04.11.20 Erald Pashaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në muajin tetor 2020 ne publikuam rezultatet e Sondazhit të Pagave dhe Përfitimeve 2020 që zhvilluam në Shqipëri dhe Kosovë.
Të dhënat e raportuara nga 23 kompani në Shqipëri dhe 14 kompani në Kosovë mbulojnë jo vetëm pagat e punonjësve, por edhe politikat dhe procedurat që zbatohen në këto kompani, të cilat shërbejnë si kampion për të analizuar tregun e punës në paga, përfitime dhe politika e procedura të zbatueshme në të dyja vendet.
Një aspekt i veçantë, të cilit ne i kushtuam rëndësi, qe arsyeja që deklarojnë punonjësit kur largohen nga puna në mënyrë vullnetare. E thënë thjesht, pse e lënë ata punën?
83% e kompanive pjesëmarrëse në Shqipëri dhe 79% e kompanive pjesëmarrëse në Kosovë deklarojnë se zbatojnë intervistën e largimit, e cila është një intervistë që i bëhet punonjësit që largohet me dëshirën e tij nga puna. Ndoshta jo të gjitha kompanitë kanë një procedurë të saktë dhe të formalizuar të kësaj interviste largimi, por ato bëjnë një bisedë me punonjësit që largohen për t’i pyetur se çfarë do të bëjnë, përse po e lënë punën etj.
Rezultatet janë si më poshtë (shuma nuk është 100%, sepse të intervistuarit mund të zgjedhin më shumë se një arsye, në varësi të shkaqeve të largimit):





Shifrat më lart tregojnë shumë për tregun tonë të punës dhe unë po përmend vetëm ato dy më kryesoret.
1. Shqiptarët në të dy anët e kufirit paguhen shumë pak dhe janë të gatshëm që të largohen dhe të punojnë për këdo që i paguan pak më shumë. Këtu nuk bëhet fjalë që një punëdhënës tjetër do t’i paguajë 50% më shumë, se kjo ka pak mundësi të ndodhë. Po çfarë do të thotë “paguhen pak”? E thjeshtuar do të thotë që nuk iu del të jetojnë me dinjitet dhe të plotësojnë nevojat bazë materiale si ushqim, ngrohje, një vend ku të flenë etj.
2. Shqiptarët në të dy anët e kufirit largohen për të ikur jashtë shtetit. Sot ne të gjithë e dimë që edhe në vendet e zhvilluara është shumë e vështirë që të ndërtosh një jetë normale dhe me dinjitet, por përsëri 65% në Shqipëri dhe 43% në Kosovë largohen. Kjo do të thotë që sado keq dhe vështirë mund të jetë në një vend të huaj, është përsëri më mirë se në vendin e tyre. Ata janë gati të rrezikojnë, madje të rrezikojnë shumë dhe t’ia nisin nga e para në një vend tjetër, sepse natyrisht nuk janë të kënaqur në vendin e tyre.
Uroj që këto të dhëna të ndikojnë sadopak për të përmirësuar tregun e punës në Shqipëri dhe Kosovë./ “Syri.net”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.