OPINION

Turizmi, i harruari i madh

18:14 - 18.05.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vitin 2019, vitin më të mirë të turizmit të Shqipërisë(megjithë goditjen nga tërmeti i 26 nëntorit 2919), ky sektor dha 2.1 miliardë euro. Vendin tonë e vizituan 6.2 milionë shtetas të huaj. Së bashku me agro-turizmin, transportin dhe artizanatin, turizmi dha gati një të katërtën e prodhimit kombëtar, mbi 3 miliardë euro. Jo drejt për së drejti, nga turizmi varen 290 mijë të punësuar, rreth 25 përqind e të gjithë të punësuarve në vend. Pandemia e gjeti Shqipërinë kur kishte lënë pas vitin më të mirë historik në turizëm dhe kur numri i agjencive të huaja të interesuara për bregdetin shqiptar, por jo vetëm, ishte në rritje. Të vetmit që arritën të vijnë në një vit pandemie nga të huajt, nëpërmjet turizmit të organizuar, ishin disa chartera(avionë të posaçëm) polakë, por shumë larg mesatares së tyre të viteve të fundit. Për periudhën 12 mars 2020 kur u mbyllëm plotësisht dhe deri në fund të prillit 2021, në 14 muaj, turizmi humbi 1.2 miliardë euro. Në turizëm nuk përfituan të gjithë nga paga e luftës, ndërsa nga dy garancitë sovrane 1 dhe 2 nuk përfitoi pothuajse asnjë operator turistik, pasi bankat e klasifikuan sektorin e turizmit me rrezik të lartë. Vendin gjatë vitit 2020 e vizituan mbi 3 milionë shtetas të huaj më pak. Humbën hotelet, motelet, bujtinat, dhomat me qera për verën, restorantet, kafenetë, dyqanet e artizanatit, veprimtarët turistikë, si agjencitë dhe guidat. Të gjitha, ose të mbyllura në pjesën më të madhe të kohës, ose agjencite turistike, edhe pse të hapura, pa punë. Në mes të muajit prill 2021, me temperaturat e larta dhe ditët e ngrohta, operatorët turistikë duhej t’i ishin përveshur punës për organizmin e guidave dhe akomodimin e vizitorëve dhe turistëve. Por pandemia nga koronavirusi ka paralizuar jetën dhe aktiviteti në fushën e turizmit ngjan me një mision i pamundur për momentin. Vetë operatorët turistikë pohojnë se kanë humbur 60-70 përqind të punonjësve, për shkak të mungesës së aktivitetit. Frika për përhapjen e koronavirusit ka mbyllur çdo aktivitet, kufijtë dhe lëvizjen e njerëzve, agjencitë turistike kanë marrë “pushimet e imponuara”, në një kohë kur aktiviteti i tyre duhet të ishte në kulm. Në dy muajt e fundit mars-prill 2021, kur filloi vaksinimi masiv tek ne dhe nisi edhe vaksinimi i operatorëve turistikë dhe punonjësve të hoteleve, kur numri i të infektuarve dhe vdekjeve ra shumë më ndjeshëm se sa në Greqinë fqinje, imazhi që duhej të kishim ndërtuar tek vendet nga ku na vijnë më shumë turistë duhej të ishte ai i një vendi pritës të sigurtë. Për katërmujorin janar-prill 2021, mediat greke i numëruan ministrit të turizmit të Greqisë Harris Theoharis vetëm 27 ditë qëndrimi në atdhe. Pjesa tjetër ka qenë udhëtime në Angli, Gjermani, vendet skandinave, Hollandë, etj., nga ku Greqia merr numrin më të madh të turistëve. Megjithë rreziqet dhe kufizimet nga pandemia. Sa do të doja që ky bilanc të ishte i ngjashëm edhe për ministrin tonë të turizmit. Do të ishte rasti i parë kur do të gëzoheshim që një anëtar i kabinetit tonë qeveritar ngeli rrugëve të botës, për të sjellë turistë në vend. Por nuk është kështu. Britania e Madhe ka vendosur karantinën 14 ditore për cilindo që nga ky vend kuturiset në Shqipëri. Nuk e ka vendosur për Greqinë, edhe pse shteti fqinj shifrat e infektimeve për 100 mijë banorë i ka më të larta se ne. Ne nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë këtë gjendje të vijojë! Kemi mbi 40 mijë përfaqësues të Diasporës së re shqiptare në Angli. Shumica e tyre duan të kalojnë pushimet në brigjet tona këtë verë. Ka dhe me dhjetëra mijëra shokë e miq të tyre anglezë, por edhe qytetarë të thjeshtë, që duan të vizitojnë dhe njohin Shqipërinë. Ministri ynë i turizmit dhe e gjithë qeveria duhet t’ japin garancitë e duhura qeverisë së Britanisë së Madhe. Duhet ta bëjnë mirë dhe sa më shpejt. Ministri ynë nuk është duke folur kafeneve dhe bërë fallxhorin(“do bllokojë Spanja, do bllokohet Egjipti nga kriza izrelite-palestineze, etj., dhe do na vijnë më shumë nga shtetet e rajonit), kur thotë se shpreson se do të kemi më shumë turistë nga Serbia. Çarteri(avioni i posaçëm) nga Ukraina me 200 turistë mbërriti në prill 2021. Ministri ynë i Turizmit duhet të shkojë në Kiev. Dhe në Moskë. Dhe në Varshavë, dhe në Pragë. Nuk ka shkuar. Të na rrojnë për verë të 100 fshatrat turistikë! Turizmi në paketat dhe interesin qeveritar nuk duhet të jetë më I HARRUARI I MADH!




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.