OPINION

Mbi domosdoshmërinë e ndihmës ligjore falas për qytetarët

16:43 - 04.06.21 Halil RAMA*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para disa ditësh, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj bëri të ditur për opinionin publik vijimin e promovimit të shërbimit ligjor falas për qytetarët.




Nisur nga problematikat e shumta që evidentohen apo prezantohen nga qytetarët pranë insitucioneve në mënyra të ndryshme dhe për të cilat domosdoshmërisht kërkohet asistencë juridike, kjo është vërtetë një nismë për t’u përshëndetur. Por që ky projekt të ketë sukses duhet shtrirë dhe implementuar deri në instancat e bazës, në prefektura, këshilla qarqesh, bashki e deri në institucionet, ndërmarrjet rajonale e në Njësitë Administrative.

Për faktin se forma e parë e ndihmës ligjore apo ndryshe “Ndihma Juridike Parësore”, (Rubrika “Akses për të gjithë”  në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë)  është ai lloj shërbimi ligjor i cili ofrohet për mosmarrëveshjet që mund të zgjidhen pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës, është e domosdoshme, që përveç juristëve (punonjësve me trajnim të posaçëm) pranë qendrave të shërbimit të ndihmës ligjore, organizatave jofitimprurëse të autorizuara sidhe Klinikave të Ligjit pranë Universiteteve, për këtë qëllim duhen ngritur struktura deri në nivelet fundore të pushtetit vendor.

Rastet e shumta të prezantuara në emisionet investigative të News 24, Tv Klan, Top chanal, Vizion+ etj, e sidomos në programet e njohura” “Shihemi në gjyq”, “Stop”, “Fiks fare” etj, dëshmojnë mosnjohen e bazës juridike për zgjidhjen e problematikave të tyre.

Është për t’u përshëndetur fushata ndërgjegjësuese e Ekipit të Drejtorisë së Përgjithshme të Ndihmës Juridike Falas të Ministrisë së Drejtësisë, për shërbimet ligjore që ofrohen falas nga shteti në disa qyetete të vendit, por kjo fushatë domosdoshmërisht duhet shtrirë deri në fshatrat më të humbur, ku mosnjohja e ligjeve është më evidente.

Madje, përveç bisedave me qytetarët, afishimit të posterave në institucione të ndryshme dhe shpërndarjes së fletëpalosjeve. kjo fushatë ndërgjegjësimi, që sipas Ministres së Drejtësisë Gjonaj, do të vijojë në gjithë qytetet e  Shqipërisë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, duhet të zgjerojë gamën e të angazhuarve, duke përfshirë në grupet asistencëdhënëse juristë të instanacave të pushtetit e të institucioneve vendore. Kësisoj do t’u jepet ndihma e duhur juridike, veçanërisht qytetarëve që bëjnë pjesë në grupet vulnerabël,  personave me aftësi të kufizuara,  individëve të paarsimuar ose me nivel arsimor fillor,  të vetëpunësuarve ose punëtorëve në fermat familjare në bujqësi etj.

Kjo, për faktin se ato ndodhen më pranë problematikave të qytetarëve, dhe asistenca e tyre juridike falas mund të shërbejë që disa prej këtyre problematikave qytetarët mund t’i zgjidhin pa qenë nëvoja t’u drejtohen dyerve të gjykatave.

Angazhimi i drejtorive apo zyrave juridike të prefekturave, këshillave të qarqeve, bashkive, institucioneve e ndërmarrjeve rajonale do t’i vinte në ndihmë zbatimit të projektit të Ministrisë së Drejtësisë që synon të informojë qytetarët në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor.

Gjithsesi, nisur nga efektiviteti i deritanishëm, ekipet përkatëse të Ministrisë së drejtësisë të përfshira në fushatën e ndërgjegjësimit në disa qytete të vendit meritojnë mbështetjen e të gjithëve, që ato të orientojnë/këshillojnë shtetasit mbi mënyrën se si ata duhet të veprojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre. Kjo asistencë është më evidente në ato raste kur qytetarë të ndryshëm duan të mësojnë se si të hartojnë shkresa apo kërkesa zyrtare, drejtuar institucioneve, me qëllim zgjidhjen e problematikës. Ndërkohë, strukturat e bazës mund të ndihmojnë qytetarët në plotësimin e formularëve për përfitimin e këtij shërbimi dhe në plotësimin e dokumentave që nevojiten.

Për ta kontretizuar këtë le ti referohemi përvojës së Sektorit të Koordinimit të Marrëdhënieve me Njësitë Administrative në Bashkinë e Tiranës, në të cilin vijnë me dhjetra kërkesa dhe ankesa të qytetarëve që konsistojnë në konflikte të bashkëpronësisë në banesa. Ato kanë të bëjnë me lagështirën që dikujt i është krijuar në banesën e tij nga komshiu i mësipërm që ka kryer ose po kryen punime rikontruksioni, me zhurmat, me ndotje ambienti etj.

Referuar Kodit Civil, Titulli III, neni 199 e vijues, nenit 27 të Ligjit Nr. 10112, datë 09.04.2009, për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” si dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, pronari/ bashkëpronarët kanë të drejta të barabarta në menaxhimin e hapësirave të përbashkëta dhe si rregull, bashkëpronarët mundohen t’i zgjidhin konfliktet me mirëkuptim.

Kur nuk arrihet mirëkuptimi, kryesia, administratori ose njëri prej bashkëpronarëve, për zgjidhjen e mosmarëveshjeve civile mes tyre, duhet ti drejtohen organeve kompetente në bazë të ligjit Nr. 8116 , datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar). Gjithashtu po në bazë të Kodit Civil, Titulli IV , Kreu I, neni 608 e vijues, detyrimet që lindin nga shkaktimi i dëmit bien mbi personin që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij. Gjithësesi, për arritjen e mirëkuptimit midis palëve Njësitë Administrative duhet të luajnë rolin e ndërmjetësit.

Megjithë punën efikase të Drejtorisë përkatëse me drejtor z.Aurel Çuko, një drejtues kompetent dhe i përkushtuar në zgjidhjen e problematikave të komunitetit, me performacë mjaftë pozitive në realizimin e programit zhvillimor të bashkisë së Tiranës, sekori i Koordinimit me Njësitë Administrative ndeshet me plot raste të mosnjohjes së kësaj baze ligjore nga qytetarët, të cilët mendojnë se çdo konflikt mes tyre mund dhe duhet ta zgjidhë Bashkia. Pikërisht edhe për këto raste (që ndeshen jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit) është e domosdoshme ndihma juridike falas. Dhe që të arrihet kjo është domosdoshmëri sensibilizimi i oponionit në mënyrë që qytetarët në konflikte mes tyre apo me institucione të ndryshme, të adresohen pranë qendrave të shërbimit të ndihmës ligjore falas, Organizatave jofitimprurëse të autorizuara sidhe Klinikave të Ligjit pranë Universiteteve që mbulojnë këtë shërbim. Dhe jo vetëm për raste të konflikteve të bashkëpronësisë në banesa, por edhe për njohjen e legjislacionit për titujt e pronësisë mbi tokën, legalizimet dhe pse jo, deri edhe për mënyrën e përpilimit të një kërkese për dekorim nga Presidenti i Republikës. Parë nga kjo optikë, duhet përgjithësuar përvoja e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku në institucionet e vuajtjes së dënimit, sektorët ose zyrat juridike japin asistencën e duhur falas në rastet kur të dënuarit që plotësojnë kriteret ligjore duhet të përpilojnë kërkesën për të përfituar falje dënimi për sjellje korrekte e zbatim rigogoroz të ligjit.

Gjithsesi, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejësisë, Gentian Deva, përveç rolit të këtij dikasteri në realizimin dhe ecurinë e reformës në drejtësi, si dhe arritjeve evidente në luftën ndaj korrupsionit në prokurori e gjykata, konsolidimin e institucioneve të vartësisë etj, është optimist edhe për efektivitetin e fushatës së ndërgjegjësimit dhe promovimit të shërbimit ligjor falas për qytetarët, fushatë kjo që do të shtrihet në gjithë vendin.

*Avokat,  Liçensë nr.7979, datë 31.10.2014.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.