DOSSIER

Si vdiq nga torturat në hetuesi Abdul Bani, roja personale e Islam Radovickës

10:14 - 14.06.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Enver Memishaj – Komunistët vendosën të lanin duart me kundërshtarët e tyre, kështu Sigurimi i Shtetit me urdhër të Enver Hoxhës kompozoi, krijoi grupe deputetësh që duheshin pushkatuar.




Grupit i parë i deputetëve, gjykohej e dënohej në vitin 1947. Një prej proçeseve më mizore dhe më të llahtarshme që ishte parë deri në ato çaste. Gjykata e Lartë me vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” Dënoi me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Zhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi. Shumë të tjerë u dënuan me burgime të rënda.

Grupi i dytë i deputetëve u dënua në vitin 1948. Kjo dosje ndonëse shtrihet përtej deputetëve ka në qëndër të saj Riza Danin, politikanin më me përvojë në politikën aktive që në vitet ‘20.

Ky gjyq i deputetëve u zhvillua i mbështetur në një ansambël akuzash që kishin një synim: asgjesimin e tyre nga jeta politike por edhe eleminimin fizik.

Me këtë gjyq përfundon faza e parë e asgjesimit të kundërshtarëve politikë brënda Frontit të cilët paraqitën pikëpamje demokratike perëndimore në Asamblenë Kushtetonjëse dhe në institucionet që ata drejtuan si Riza Dani dhe Kostë Boshnjaku.

Procesi ndaj grupit të dytë të deputetëve filloi më 31 dhjetor 1947 dhe u mbyll më 22 janar 1948. Mbahet mend si një proçes në të cilin nuk dolën prova dhe se “organizatën” që kishin krijuar të pandehurit e njohën vetëm në sallën e gjyqit.

Në dallim nga grupi i parë, grupi i dyti nuk u fotografua dhe nuk u incizua.

Nga ky grup:

U dënuan me vdekje dhe u pushkatuan 7 vetë: Deputeti Riza Dani, 63 vjeç,nga Shkodëra, Deputet Faik Shehu, 48 vjeç, nga Peshkopia, Deputet Islam Radovicka 49 vjeç, kolonel, nga Skrapari, tregëtari Syrja Selfo 35 vjeç, nga Gjirokastëra, mjeku Uan Filipi 47 vjeç, nga Fieri, juristi Hilmi Hysi, 35 vjeç nga Vërzhezha e Skraparit.

U dënuan me burgim të përjetshëm 6 vetë ndër ta deputeti komunist Kostandin Boshnjaku, n/kolonel Mestan Ujaniku, qe bujk, kaçak, themelues dhe komandant i çetës “Plakë” të Skraparit, etj. U dënuan me 20 vjet burg 4 vetë dhe 2 vetë me 15 vjet burg.

Shumë vetë nga ky grup vdiqën nga torturat gjatë hetuesisë si Paulin Pali, Myzafer Pipa, Ferit Hysenbegasi, vëllai i Isuf Hysenbegasit…etj.

Demir Kallarati dhe Mestan Ujaniku vdiqën në burg në vitin 1948 nga torturat çnjerzore, urija dhe mungesae barnave. Jurist Hivzi Kokalari do të vdiste në burgun e Burrelit në dhjetor të 1962. Adem Beli u lirua nga burgu më 1954, por nga torturat mbeti sakat, ulok, gjithë jetën.

*       *      *

Duhet theksuar se grupit të deputetëve iu bashkangjiteshin shumë të tjerë që nuk ishin deputetë, pa prova dhe fakte, por pavarësisht pafajsisë së tyre ata do të dënoheshin së bashku me deputetët, sepse komunistët i konsideronin kundërsharë të rezikshëm të tyre. Një ndër ta që iu bashkangjit grupit të dytë të deputetëve ishte edhe Abdul Bani nga Vlora.

Abdul Bani ishte roja personale i kolonel Islam Radovickës, ish deputet, vjeç 49. Radovicka kishte lindur në Radovickë të Skraparit dhe banues në Tiranë. Kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake në Itali, bir i një familje të njohur patriotike. Ishte internuar nga pushtuesit italian në ishullin Ustika së bashku me të vëllain Kasemin, ish-deputet në parlamentin e Nolit më 1924. Pas

 

kapitullimit të Italisë Radovicka arrin në Shqipëri dhe në vitin 1943 inkuadrohet në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, dy herë i plagosur gjatë luftës. U gradua si Komandant i Zonës I Operative si dhe Komandant i Divizionit të Tretë, dhe së fundi shef i Seksionit Operativë në Komandën e Përgjithshme me gradën e kolonelit, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Frontit, deputet i Legjislaturës së parë për krahinën e Konispolit. Arrestohet në mars të vitit 1947, dënohet me vdekje me pushkatim dhe pushkatohet.

Duke qenë se në ngarkim të Radovickës nuk kishte prova juridike, Sigurimi arrestoi edhe rojën personale Abdul Banin me qëllim që të nxirrte nga ai prova kundër Islam Radovickës.

Abdul Bani kishte marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare që në vitin 1943. U arrestua pa asnjë provë , për t’i nxjerrë ndonjë informacion mbi Islam Radovickën. (“Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist”, Tiranë, Vëll. I, A – Ç, f. 151)

Gjatë hetuesisë Abdul Bani u torturua barbarisht, duke mohuar akuzat që i bëheshin ish shefit të tij për tradhëti ndaj atdheut.

Po japim të plotë informacionin që ka hartuar gjeneral Patrit Hakani me cilësinë e zëvëndës drejtorit të hëtuesisë:

“Sekret” E përherëshme.         Tiranë, më 18.8.1971.

Informacion mbi Avdul Beqir Banin

Avdul Beqir Bani, ka lindur në qytetin e Vlorës, nga shtes e mesme (kasap). Ka marrë pjesë me lëvizjen qysh në fillim të vitit 1943 dhe në shtëtor të këtij viti ka dalë partizan pa u shkëputur gjatë gjithë periudhës së luftës.

Pas çlirimit është caktuar roje personale i Islam Radovickës. Ka vdekur në dhomat e paraburgimit në vitin 1947 në Tiranë.

Të dhënat rreth arrestimit dhe vdekjes së tij janë grumbulluar vetëm nga shokët, Stravri Xhara dhe Llambi Peçini ish hetuesit e tij, dhe dr. Ibrahim Dervishi, që në atë kohë është marrë me kontrollin mjeksor të të paraburgosurve në Tiranë, sepse në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gjykatës së Lartë dhe në atë të Ministrisë së Mbrojtes Popullore nuk u gjet asnjë material për të.

Në vitin 1947 është arrestuar nga Dega e Sigurimit të Ushtrisë me sa mbahet mend nga hetuesi i tij Stavri Xhara dhe Llambi Peçini, del se bazë për arrestimin e tij ka qenë nevoja për të vërtetuar lidhjet e Islam Radovickës me anëtarët e grupit të deputetëve tradhëtarë.

Nëse ka patuar mateiale në ngarkim të tij para se të arrestohej. Kjo nuk konkretizohej fare. Gjatë hetuesisë, sipas shokut Stavri Xhara, del se ai ka pranuar se “Islami e kish llafosur për ndryshimin e situatës dhe ndërhyrjen anglo- amerikane në Shqipëri dhe i kish treguar për një organizim që po bëhesh për kundra pushtetit nga elementët e goditur nga pushteti popullor”

Shoku Stavri Xhara nuk e konkretizon në se Abdul Bani të kishte kuptuar që Islam Radovicka punonte për kundra pushtetit. Po kështu edhe shoku Llambi Peçini pohon se “nuk rezultoi që Abdul Bani të kishte dijeni mbi organizatën etj, veprime armiqsore, veç disa bisedave për pakënaqësi dhe për ndryshimin e situatës që kishte dëgjuar nga Islam Radovicka”.

Doktor Ibrahim Dervishi thotë se kur e ka vizituar si të sëmurë në dhomat e paraburgimit e ka parë që vuante nga plagë të krijuara nga keqtrajtimi e tortura.

Pas vdekjes nuk është vizituar më nga Ibrahim Dervishi.

Në bazë të raportit që lëshuan mjekët, pas vdekjes rezulton se vdekja e tij qe shkaktuar nga T.B.C. (sipas shokut shokut Stavri Xhara).

Duke marrë parasysh aktivitetin e tij të pastër në Luftën Nacionalçlirimtare, pozitën e tij shoqërore dhe përgatiten e tij ideo – politike, sillet bindje se nuk ka patur vend për të dyshuar që Abdul Bani të

 

kishte shkas që të vepronte për kundër pushtetit popullor, nga ana tjetër meqënëse gjatë hetuesisë nuk është provuar asgjë me rëndësi që të formonte krim për veprimtari armiqësore, arrijmë në konkluzionin se:

Abdul Beqir Bani nga Vlora, vdekur në dhomat e paraburgimit në Tiranë në vitjn 1947, nuk duhet të konsoderohet element armik. ZV. DREJTORI /Petrit Hakani/ “

Pas leximit të këtj mateiali na lind pyetja se përse u bënë këto hetime dhe u përgatit ky informacion? Përgjiegjen e kësaj pyetje e marrim nga një shënim me dorë që është bërë në fund të informacionit: “Ky informacion u bë me porosi të shokut Ministër i cili do ta dërgoi në destinacionin e kërkuar. Nuri Çakërri, 1.9.1971”

Untitled-3 aassa Untitled-1
<
>

Po cili ishte destinacioni i kërkuar?

Edhe përgjiegjen e kësaj pyetje e marrim vesh nga një shënim me dorë: “ 1. Shokut Leka Shkurti në

K.Q. të P.P.Sh., me shënimin bashkangjitur, një shënim i shokut Stavri Xhara dhe një i Nuri Çakërrit.  2. Në arkiv të M.P.B. Dosjen e Islam Radovickës”.

Ja dhe shënimi i Nuri Çakërrit:

Shoku Stavri Xhara u pyet se kush ka qenë doktori që e ka vizituar para dhe mbas vdekjes. U përgjigj me nervozizëm që nuk e mbaj mend mbas 27 vjetësh!

Shoku Nesti Saraçi u pyet dhe tha që për Avdul Banin, rreth vdekjes së tij nuk di gjë, sepse ia dorëzova Stavri Xharës para dy javëve se ai të vdiste.

Shoku Ibrahim Dervishi u pyet dhe i kujtohej mirë Avdul Bani. Tha se gjatë kohës në hetuesi e ka vizituar si gjithë të tjerët. Gjendja fizike e tij ka qenë e dobët, ka qenë i vrarë me plagë nga torturat e asaj kohe. Nuk i kujtohej ndonjë diagnozë sëmundje sepse ata vetëm vizitoheshin, nuk u beheshin analiza mjeksore. Mbasi ka vdekur nuk e ka vizituar, d.m.th. e ka vizituar të gjallë dhe jo të vdekur. Tiranë, më 29.6.1971   Nuri Çakërri”

Më tutje Nuri Çakërri shënon me shkrim dore: “Me porosi të shokut Feçor dhënë nëpërmjet shokut Pilo, ky informacion iu dërgua Komitetit Qëndror të P.P.SH., shokut Leka Shkurti, pa firmë dhe pa konkluzion që jep zv. drejtori sh. Petrit Hakani. Nuri Çakërri. 3.9.71”

Siç del nga ky shënim i Nuri Çakërrit Komitetit Qëndror i janë dërguar dy informacione nga dy organe të ndryshme të Ministrisë së Brendëshme. (Arkivi M.P.B.)

Për fundin tragjik të Abdul Banit ka botuar një dokument edhe Dashnor Kaloçi: “Që nga nëntori i  vitit 1948-të kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Koci Xoxes në Kongresin e parë të PKSH-së e në muajit në vijim deri sa ai doli në gjyq në majin e vitit 1949-të, me porosi direkt të Enverit, nga Ministria e Brendëshme dhe kryesisht Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, u morrën një numër i madh dosjesh sekrete të cilat u dërguan në kabinetin e tij në Komitetin Qëndror të PKSH-së.

Në ato dosje që i përkisnin një periudhe kohore katër vjeçare (1945-1948) kishte dokumente me proces- verbale, relacione, raporte, informacione, letra të ndryshme etj, të cilat kishin të bënin kryesisht me veprimtarinë dhe punën e ish-Ministrit të Brendshëm, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, i cili ndodhej në procesin hetimore në qelitë e Burgut të vjetër të Tiranës…

Abdyl Bani, nga Vlora i cili ka qenë prapa Islam Radovickës. Asht arrestue me qëllim që të nxirrej diçka rreth aktivitetit të Islamit si dhe për shkak se implikohej në procesin e hajdutit Adem Çoku si nxitës i këtij për vjedhje dhe arratisje.

Gjatë hetuesisë nuk ka deponuar asgjë qoftë për Islamin dhe qoftë për Ademin dhe as për veten e tij, sado që është torturuar nga një ish-kapterr dhe mbajtje në presion (pa gjumë, pa bukë, në këmbë nga një n/toger).

Mbas një dite që është torturuar nga kapterri, ka vdek. Simbas raportit që ka lëshue dr. Ibrahim Dervishi, rezulton se ky ka qenë T.B.C në shkallën e fundit e sigurisht për vdekjen ja kanë shpejtuar torturat e jeta e keqe në birucë. Po atë natë (natën pa e parë njeri, asht varros nga toger Zydi Aga në bregun e lumit ku

varroseshin armiqtë e popullit. Kufoma para se të varrosej nuk ka qenë dërgue në garnizon siç thuhet në letër. Vëndin ekzakt të varrimit të tij e di toger Zydi Aga.

Në lidhje me çështjen e këtij, kapiten i I Stavri Xhara, mbas Kongresit të I të P.K.Sh. ka përpiluar një relacion të hollësishëm i cili u paraqit ose në Komitetin Qëndror ose në Prokurorinë Ushtarake. M a j o r (Zymer Jerina)

Shoku Tuk! Po ju dërgoj informatën që i kini kërkuar kol. Kadriut me anën e sekretarit. Ndoshta s’janë të plota, por tash për tash, këto kemi. 22.12.’49”. (Dashnor Kaloçi, gazeta “TemA”Tiranë, dt.18 gusht 2018) Sido qoftë ky artikull vlen për të konfirmuar një krim më shumë të regjimit komunist, vlen për familjarët të cilët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të kërkojnë dëmshpërblim moral dhe material, se po kërkojnë në Amerikë dëmshpërblim për skllevërit e vitit 1700


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.