Dossier

“Bëjnë jetë të shthurur dhe duan të arratisen”/ Publikohet relacioni i sekret për dy artistet. Çfarë thuhet në letrën për Liri Belishovën

09:15 - 01.07.21 gsh

Dashnor Kaloçi/ Publikohet një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që i përket vitit 1959, ku ndodhet një raport-informacion i zv/ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-major Mihallaq Ziçishtit, i cili asokohe mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, dërguar sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Liri Belishovën, që asokohe mbulonte, propagandë, artin dhe kulturën, lidhur me “problemet” që u kishin dalë organeve të Sigurimit të Shtetit, me dy artistet e njohura me origjinë nga Shkodra, këngëtares së famshme të muzikës popullore, Luçie Miloti, soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe Ana Kçira, konferenciere në Estradën Profesioniste të Tiranës.



Raport-informacioni i plotë i gjeneralit të Sigurimit të Shtetit, me akuzat për dy artistet e njohura të skenës, si dhe masat që ai propozonte për të “parandaluar një skandal të mundshëm” prej tyre?!

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një raport-informacion me siglën “Tepër sekret”, i vitit 1959, ku zv/ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major Mihallaq Ziçishti, i cili gjithashtu mbante dhe funksionin e lartë të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, i dërgon Liri Belishovës, sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte sektorin e artit, kulturës dhe propagandës.

Siç shihet dhe nga dokumenti në fjalë, gjeneral Ziçishti i bën me dije asaj, lidhur me “problemin” që u ka dalë organeve të Sigurimit të Shtetit që ai drejton, nga përpunimi (ndjekja, përgjimi) me artisten e njohur, Luçie Miloti, e njohur si një nga legjendat e këngës popullore shqiptare (asokohe dhe më pas soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore), si dhe kolegen e saj, Ana Kçira, konferenciere në Estradën e Shtetit në Tiranë.

Të cilat sipas tij, jo vetëm që kanë shfaqur “sjellje jo të mira”, “jetë të shthurur dhe aventuriere”, por kanë tentuar dhe arratisjen?! Ajo që bie në sy në raport-informacionin e general Ziçishtit, ku nuk ka asnjë përgjigje apo shënim nga ana e Liri Belishovës, është fakti se për këto gjëra, ai sugjeron që: “të shikohet me drejtësi trajtimi i tyre…, pasi në të kundërt, prej tyre mund të pritej çdo lloj skandali”?!

 

Me shumë gjasa kjo gjë nuk ka të bëjë më shumë me një “punë humane” të organeve të Sigurimit të Shtetit, se sa me atmosferën disi liberale që mbizotëronte në atë kohë në Shqipëri, edhe si rezultat i ndikimit të Moskës zyrtare, në sajë të politikës liberale që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe denoncimit të krimeve të Stalinit. (Shto këtu edhe politikën pajtuese me Beogradin që Hrushovi insistonte të realizonte Tirana zyrtare në atë kohë, ndërsa dy artistet e njohur akuzoheshin për nxitje nga ambasada jugosllave?!)

Sa më sipër, të gjitha këto nuk mund të mos kishin “resonance” edhe në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, si një nga vendet satelite më të bindura të Bashkimit Sovjetik. Por, në ”trajtimin” që sugjerohet për dy artistet e njohura, nuk mund të përjashtohet edhe versione të tjera, si: p.sh., “përfitimet personale” që shpresonin të kishin kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit, nga ”këshillimi” që ata u bënin “objekteve” që kishin në përpunim, gjëra të cilat ndodhnin jo rrallë në punën e tyre?! Raport-informacioni në fjalë, ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve që kemi pasqyruar në këtë libër, publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim apo ndryshim.

Relacioni ‘Tepër sekret’ zv / ministrit të Punëve të Brendshme, dërguar sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Liri Belishova, për dy artistet e skenës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE                                       TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNVE TE BRENDESHME                             Tiranë, më 18/IV/1959

 

DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT

Nr. 05- 154

LANDA:  Mbi Luçie Pal Miloti e Ana Gjon Kçira

KOMITEIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE

SHOQES LIRI BELISHOVA

TIRANE

 

Ju informojmë mbi disa të dhëna që disponojnë organet t’ona për Luçije Pal Milotin soliste popullore në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, si dhe për Ana Gjon Kçira konferenciere në Estradën e Shtetit.

Të dyja këto, kanë një të kaluar mjaft të ç’thurur, aventuriere dhe në disa raste nën nxitjen direkte të funksionarëve të Legatës Jugosllave, me të cilat kanë pas kontakte, kanë ç’faqur dëshirën për t’u arratisur.

Më von, të penduara për rrugën e gabuar që kishin marrë, i janë drejtua sekretarit të organizatës bazë të Partisë, duke pranuar gabimet dhe premtuar se nuk e tradhëtojnë Atdheun dhe nuk e njollosin veten si tradhtare. Në të njëjtën kohë këto kanë ç’faqur disa pretendime se nuk trajtohen mirë, gjë që i ka hedh në pakënaqësi.

Pakënaqësitë e tyre konsistojnë bë këtë çështje:

Pse nuk dërgohen jashtë shtetit me ekipet, duke e konsideruar veten talent dhe me stash më të madh se sa të tjerët.

Pse nuk caktohen në pritjet dhe mbrëmjet që organizohen për artistët e huaj kur vijnë në vendin t’onë.

Pse përbuzen për të kaluarën, të cilën sipas tyre e kanë dënuar.

Ankohen për trajtimin e diferencuar që u bëhet në Estradë dhe Ansambël, si për programet, kostumet dhe çështjet të tjera.

 

Këto pretendime dhe pakënaqësi, të përmendura i kanë ç’faqur edhe para organeve t’ona, të cilat u thirrën me rastin e takimit që bëri për t’u mbytur në det Luçie Miloti me datën 26/II/1959.

Luçia kur u pyet para se tentoi të vet-mbytet, deklaroi se sa më sipër si dhe për disa fatkeqësi që ka pas në jetë, si sëmundje, e cila vuan nga t.b.c, vdekja e nënës, sëmundja e motrës, grindjet me të vëllezërit, etj., kjo gjë mbas hetimeve t’ona të gjitha janë të vërteta.

Duke marrë parasysh se të dyja këto kanë pranuar hapat, gabime dhe dënojnë të kaluarën, mendojmë të shikohet me drejtë trajtimi i tyre si nga drejtuesat, ashtu dhe nga gjithë kolektivi në ansambël dhe estradë, në të kundërt, prej tyre mund të pritet çdo lloj skandali./Memorie.al

ZV/MINISTRI I PUNVE TE BRENDESHME

 

GJENERAL – MAJOR

MIHALLAQ ZIÇISHTI

Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” i autorit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.