SHËNDET

Intervista/ Rezart Xhani: Tumori i prostatës është shumë i shpeshtë, simptomat

12:30 - 01.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Zmadhimi i prostatës, e quajtur ndryshe edhe hiperplazia beninje është një ndër problemet më të shpeshta te meshkujt. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku urolog Rezart Xhani tregon se ka dy tipa simptomash të sëmundjes. Më tej ai thekson se pacientët duhet të kryejnë diagnostikimet përkatëse te urologu si dhe të fillojnë trajtimin medikamentoz të sëmundjes. Ndërkohë në rastet kur dështon kjo lloj terapie dhe pacienti nuk ka asnjë përmirësim klinik, rruga e vetme është ndërhyrja kirurgjikale.




Çfarë është zmadhimi i prostatës?
Hiperplazia beninje e prostatës është zmadhimi i prostatës si pasojë e rritjes së adenomës, e cila ndodhet në brendësi të saj. Adenoma është një strukturë, e cila e rrethon plotësisht uretren (kanalin ku kalon urina) duke dhënë një shtypje të saj.

Cilat janë simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje?
Ka dy tipa simptomash të sëmundjes, ato që lidhen me vështirësinë e zbrazjes së vezikës urinare, ulje te presionit urinar që është edhe një nga simptomat më të shpeshta që referojnë pacientët. Kjo ulje e presionit ndodh aq gradualisht saqë ka ndodhur që pacientët të vijnë të bllokuar pa vënë re asgjë më parë. Simptomë tjetër është shtrëngimi për të filluar urinimin në mënyrë që të tejkalohet efekti i shtypjes së adenomës mbi kanalin e urinës. Gjithashtu, këta pacientë referojnë për mbetje të urinës pas urinimit. Pacientëve ju duhet të urinojnë çdo 1 orë më pas çdo 30 min e kështu me radhë në varësi të stadit të sëmundjes. Gjithashtu, kemi edhe urinimin gjatë natës, por duhet pasur kujdes, sepse simptomat e zmadhimit të prostatës nuk janë numri i urinimeve gjatë natës, por është sasia e urinës që eliminohet gjatë aktit miksional. Kjo sepse gjatë natës bëhet filtrimi i urinës në veshkat tona duke shkaktuar urinime, pra me pak fjalë duhet të dallojmë shpeshtësinë e urinimit me sasinë e urinimit. Simptoma tjetër e rëndësishme është ajo që quhet “simptoma e garazhit”, e cila konsiston në urgjencën për të urinuar sapo kemi parkuar makinën dhe ngrihemi për të dalë jashtë saj. Disa herë moszbrazja e mirë e vezikës urinare shoqërohet dhe me pika urinimi të pavullnetshme.

A ekziston një lidhje midis hiperplazisë beninje të prostatës dhe tumorit të saj?
Tumori i prostatës është shumë i shpeshtë për shkak se ne jetojmë në kohën e depistimit të PSA (hormoni specifik i prostatës) i cili ka rritur ndjeshëm diagnostikimin e tumoreve të prostatës. Duhet thënë në mënyrë të qartë se tumori i prostatës dhe hiperplazia e saj nuk kanë asnjë lidhje por mund të ndodhë që të dyja këto patologji të jenë të pranishme tek i njëjti person. Kjo e bën të domosdoshme që mjeku i familjes apo mjeku specialist (urolog) të bëjë diagnozën diferenciale të këtyre sëmundjeve dhe jo siç ndodh rëndom ku pacienti vetinterpreton vlerën e PSA duke u bazuar në internet.

Kur është i domosdoshëm fillimi i mjekimit për hiperplazinë beninje të prostatës?
Trajtimi bëhet i domosdoshëm kur kemi ndryshim të cilësisë së jetës (klasifikim sipas organizatës botërore të shëndetësisë OBSH). Simptomat e hiperplazisë nuk janë si temperatura që shkon menjëherë nga 0 -40 gradë, por përkundrazi ato janë të ngadalta dhe progresive duke bërë që pacienti të mos shqetësohet dhe të mos i drejtohet mjekut.

Kur duhet të trajtohen pacientët me medikamente dhe për sa kohë?
Sipas mendimit tim trajtimi i hiperplazisë beninje të prostatës duhet të jetë i hershëm. Aktualisht ekzistojnë medikamente që kanë dy mënyra të ndryshme veprimi. Një grup medikamentesh vepron mbi volumin e adenomës, këtu bëjnë pjesë inhibitorët e 5-alfa-reduktazës, e cila është një enzimë që shndërron testosteronin në dihidrotestosterone. Duke bllokuar këtë enzimë ne bllokojmë rritjen e adenomës. Në grupin tjetër bëjnë pjesë medikamentet që veprojnë mbi simptomat duke bërë të mundur “zgjerimin” e kanalit të urinës si tamsulosinë, alfuzosinë etj. Në rastin e alfa-bllokuesve veprimi është brenda 24 orëve duke bërë që pacientit t’i duket sikur i ka ndryshuar jeta, por, në fakt, ka ndryshuar vetëm simptoma. Në rastin e inhibitorëve të 5-alfa-reduktazës veprimi arrihet pas 6 muajsh.
Pra, përdorimi i këtyre medikamenteve zgjat për një kohë të caktuar apo për gjithë jetën?
Këto medikamente na lejojnë të kuptojmë nëse mjekimi po funksionon (3-4 javë për alfabllokuesit dhe 3-6 muaj për inhibitorët e 5-alfa-reduktazës). Aktualisht në Europë ka medikamente që i bashkojnë këto dy mjekime në një tabletë (Duodart).

Në cilat raste është i nevojshëm realizimi i një operacioni?
Në radhë të parë pacienti nuk duhet operuar në rast se nuk i është nënshtruar trajtimit medikamentoz. Ekzistojnë protokolle të qarta të shoqatës europiane të urologjisë të cilat duhen zbatuar me korrektësi dhe ndershmëri nga të gjithë urologët. Kështu operacioni është i nevojshëm kur dështon terapia mjekësore dhe pacienti nuk ka asnjë përmirësim klinik pavarësisht se është nën terapi, kur pacientit i vendoset një kateter urinar, kur kemi praninë e infeksioneve, praninë e gurëve në vezikën urinare, shfaqjen e divertikujve dhe në fund insuficenca renale e shkaktuar si pasojë e obstruksionit.

Kush janë teknikat kirurgjikale të cilat përdoren për këtë patologji?
Standardi i artë është rezeksioni trans-uretral i prostatës, më pas të gjitha teknikat e tjera (TUI-p, Vaporizimi i prostatës, rezeksioni Green-light etj) janë zhvilluar duke pasur për bazë këtë teknikë dhe për ta bërë operacionin sa më të sigurtë për pacientin. Duhet theksuar se në rastin e prostatave më të mëdha se 80 gram duhet preferuar kirurgjia e hapur ose ajo që quhet adenomektomi trans-vezikale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.