EKONOMI

Të dhënat e BSH: Tregu i shoqërive të kursim-kreditit u rrit me 13.3%

21:40 - 08.03.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tregu i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) u rrit me 13.3% vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit 2021 arriti vlerën e 13.5 miliardë lekëve ose pothuajse 112 milionë eurove. Shoqëritë e kursim-kreditit apo siç njihen kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime të tjera pagesash.




Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Kjo vlen sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit. Megjithatë, modeli i SHKK-ve mund të aplikohet edhe në shoqata për kategori të caktuara të profesionistëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri veprojnë 16 SHKK të licencuara, si edhe një Union i tyre. Pjesa më e madhe e SHKK-ve janë të përqendruara kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë së Mesme, më së shumti në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit.

Kredidhënia për anëtarët përbën edhe zërin kryesor në bilancin e këtyre kompanive, me 69% të totalit të aktiveve. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të vitit të kaluar të këtij viti arriti në 9.3 miliardë lekë, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të vitit 2021, depozitat përbënin afërsisht 71% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 9.6 miliardë lekëve, në rritje 10.2% me bazë vjetore.

Ndryshe nga sa ndodh në sistemin bankar, tregu i SHKK-ve nuk karakterizohet nga një përdorim i zgjeruar i valutave të huaja në aktivitetin e vet. Si kredia, ashtu edhe depozitat nuk vuajnë nga fenomeni i euroizimit dhe janë të dominuara nga leku.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, duke qenë institucione me kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare, shpeshherë plotësimi i kritereve rezulton i vështirë. Për këtë arsye, një pjesë e SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore. Nga 16 SHKK të licencuara aktualisht nga Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton nëntë subjekte të anëtarësuara zyrtarisht në skemën e sigurimit të depozitave./ Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.