Kronikë

Tentoi të niste kokainë me nëndetëse, del në gjyq “mbreti” shqiptar i drogës në SHBA. Si u “tradhtua” nga aplikacioni i njohur

16:43 - 23.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Didani, i njohur si superbosi i drogës, vijon të përballet me Gjykatën amerikane për dy akuzat e ngritura kundër tij.




Në seancën e fundit, Prokuroria ka nxjerrë edhe SMS-të me anë të të cilave dyshohet se është faktuar edhe aktiviteti i gjatë, i komplikuar dhe i sofistikuar i trafikut të tonelatave të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Evropës. Të dhënat konkrete janë bërë të ditura nga “Detroid News”, media e cila ka publikuar një sërë mesazhesh të Didanit, njeriut që tentoi të niste nëndetësen e mbushur me drogë të komanduar nga një dron amfib.

Detajet e reja nga zhvillimet e seancave ndaj shqiptarit 44- vjeçar janë sjellë në shqip nga “Abc news”. Sipas medias amerikane, bëhet me dije se prokurorët e çështjes, të cilët e akuzojnë Didanin për tentativat e shumta në harkun kohor të pak viteve për të dërguar në tri portet kryesore të Europës, Roderdam, Antverp dhe Bilbao qindra e mijëra kilogramë kokainë. Aktakuza, thuhet në “Detroid News”, për herë të parë, shpjegoi se si rrjeti i dyshuar i drogës i Didanit arriti të kontrabandonte kokainën dhe përshkruante përfshirjen e financuesit sekret të rrjetit të drogës, Marty Tibbitts (personi që humbi jetën teksa pilotonte një avion ushtarak. Ai ra mbi një stallë bagëtish, duke i vrarë të gjitha).

AKTAKUZA AMERIKANE PËR SHQIPTARIN

Po ashtu, bëhet me dije se në fashikujt e shumtë të kësaj aktakuze thuhet se organizata e drogës e Didanit ishte ende funksionale, një vit pas arrestimit të tij, pasi bashkëpunëtorët porositën, blenë dhe morën automjete të blinduara, duke përfshirë një “Lexus LX 570” të vitit 2020, një “Mercedes AMG63” të 2020-ës dhe një “Chevrolet” të vitit 2021. Po ashtu, është bërë edhe një pasqyrë e mijëra mesazheve të marra nga prokurorët federalë që punonin me homologët e tyre në Francë dhe vende të tjera, kryesisht Spanjë dhe Holandë. Mesazhet e shpërndara në aplikacionin e mesazheve sekrete “Sky ECC” kishin për qëllim të vetëshkatërroheshin, por hetuesit federalë morën fotografi të teksteve të shkëmbyera midis Didanit dhe trafikantëve të tjerë kanë thënë prokurorët.

Personi që bashkëpunoi me Didanin dhe që humbi jetën aksidentalisht nuk është identifikuar me emër në materialin hetimor. Në vend të kësaj, prokurorët e quajnë atë “Konspiratori Një”. Tibbitts akuzohet se i ka dhënë një trafikanti të dytë kontrolle të shumta për të blerë sasi të mëdha kokaine midis qershorit 2016 dhe dhjetorit 2017, sipas aktakuzës. Çeqet u arkëtuan më pas në banka, dyqane pengjesh dhe biznese të këmbimit të arit. Prokurorët thanë se rrjeti i drogës i Didanit kishte vepruar në zonën e metrosë së Detroitit të paktën që nga gushti 2016 dhe kishte lidhje me 14 vende të tjera.

Këto janë Kolumbia, Ekuadori, Meksika, Kanadaja, Kili, Shqipëria, Turqia, Brazili, Gjermania, Republika Dominikane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Belgjika, Spanja dhe Holanda. Shqiptari, i cili në Amerikë konsiderohet si mbreti i kokainës, nëse rezulton fajtor për akuzat e ngritura, ai rrezikon deri në 20 vjet burg. Ndërkohë që në vendin tonë, kohë më parë, atij i janë sekuestruar pasuri miliona dollarëshe, ndonëse ai aktivitetin e ka mbyllur pak para se të arrestohej me dërgimin e një ngarkese rreth 1- tonëshe në Britaninë e Madhe. Dyshohet se lënda ka hyrë në treg, pasi autoritetet e kanë zbuluar këtë kalim vetëm me anë të SMS-ve!

APLIKACIONI “SKY ECC”

Didani u mbështet në atë që ai mendonte se ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh për të mbikëqyrur një perandori droge që gjeneroi më shumë se 111.5 milionë dollarë, thonë prokurorët. Por, prokurorët thanë se aplikacioni “Sky ECC” përfundimisht e tradhtoi Didanin. Hetuesit zbuluan se Didani dhe bashkëpunëtorët anonimë po për dornin telefona celularë të koduar me softuer të ofruar nga “Sky Global”, një rrjet kanadez komunikimi dhe ofrues shërbimi. Në dosjen e qeverisë nuk bëhet e ditur se si janë sekuestruar mesazhet. Por në fillim të marsit 2021, Policia në Francë, Belgjikë dhe Holandë mbylli rrjetin pasi kishte sulmuar “Sky ECC”.

Kujtojmë se 17 tonë kokainë u sekuestruan gjatë hetimeve dhe operacioneve policore përgjatë një periudhe dyvjeçare, bëjnë me dije prokurorët amerikanë. Po ashtu, gjatë këtij hetimi janë përgjuar së paku 1 miliard mesazhe, të gjitha nga aplikacioni i ngritur në Kanada. Në fakt, zbulimi i atij aplikacioni çoi në një nga operacionet më të mëdha në botë me 80 të arrestuar për trafik kokaine.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.