DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Ekzekutimi, policia: Vrau Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin. Motra e Haklajve merr hakun e premtuar

07:00 - 03.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

3 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Ekzekutimi, policia: Vrau Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin

 Motra e Haklajve merr hakun e premtuar

Detajet e atentatit të djeshëm në qendër të Bajram Currit.

Përse policia cilëson Zylfie Haklajn si autore të krimit dhe kush është mësuesja e kimisë që goditi me kallashnikov 4 burrat duke vrarë 2 e plagosur 2 të tjerë. Cilët ishin viktimat e plumbave që motra beqare qëlloi në emër të katër vëllezërve të saj të ekzekutuar

 

 

Një grua trondit Bajram Currin

Policia: Autore është motra e Fatmir Haklajt

Zylfie Haklaj, motra e Fatmir Haklajt ekzekuton dy persona në qendër të Tropojës. Rasim Lumneshi, 36 vjeç dhe Ilir Gosturani, 27 vjeç, kanë ngelur të vdekur, ndërkohë që Hysen Biberaj dhe Izet Dushaj, janë plagosur letët, pasi ndodheshin në një tavolinë me dy viktimat. Vetëm mbrëmë në darkë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Rendit kanë konfirmuar se autorja e atentatit është Zylfie Haklaj. Në Bajram Curri ka mbërritur edhe Drejtori i Policisë Kriminale, Sokol Bizhga.

 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.45, ka përfshirë dhe forcat e policisë, që çuditërisht janë gjetur në vendngjarje, në momentin që atentatorja me automatik në dorë, po hynte në një makinë që po e priste jashtë. Madje ata kanë qëlluar dhe në ajër për ta trembur, por makina është larguar me shpejtësi, ndërsa furgoni i policisë është marrë me viktimat.

Autorja

“Autorja e krimit është Zylfije Haklaj” janë shprehur sapo kanë parë kasaphanën që kishte ndodhur në lokal, organet e rendit, të cilët kanë nxituar të japin ndihmën e shpejtë të plagosurve Biberaj e Dushaj, ndërkohë që Lumneshi e Gosturani, kishin dhënë shpirt, në mes të lokalit, me trupin e mbushur me plumba. Pas marrjes së 4-5 dëshmitarëve në vendngjarje nga të pranishmit, burime nga policia deklarojnë se kanë identifikuar autorin e krimit, por akoma nuk japin asgjë zyrtare. Emrin e Zylfijes e cilësojnë dhe disa telefonata që redaksia ka bërë në qytetin e Tropojës. Dy janë elementët, të cilët kanë çuar organet hetimore, që të mendojnë se krimi është kryer nga Zylfije Haklaj. Së pari, kontradiktat që kishin pasur viktimat me Fatmir Haklajn, inate të vjetra, larje hesapesh dhe hakmarrje që janë përzier në vorbullën e madhe të ngjarjeve në Tropojë. Madje mendohet se viktimat mund të kenë pasur dhe gisht direkt në atentatin ku gjeti vdekjen Fatmir Haklaj. Së dyti, është motra e vogël e Fatmir Haklajt, ajo që gjatë varrimit të vëllait është betuar se do të marrë hakun e tij. E njohur ndryshe me pseudonimin Shota, 28-vjeçarja, mësuese në fshatin Bujan, lëvizte gjithmonë e armatosur. Ajo spikaste për karakterin e saj impulsiv dhe shpeshherë është parë të lëvizte me armë në brez në krah të fatmirit, kur ai ishte gjallë.

Hetimi

Sipas burimeve të policisë, të cilat kanë arritur të ndërtojnë një tablo të ngjarjes, bazuar dhe në dëshmitë e klientëve të lokalit, atentati është përllogaritur mjaft saktë nga gruaja e re. Ajo kishte marrë informacion në lidhje me vendndodhjen e objektivit të saj, i cili akoma nuk dihet se kush mund të ketë qenë dhe është gjendur atje, pikërisht në momentin më të volitshëm për të. Me një kallashnikov në dorë, ajo ka hyrë në lokal dhe ka nisur të qëllojë me breshëri të gjata, në drejtim të tavolinës ku ndodheshin katër viktimat. Madje, ajo ka ndërruar dhe një karikator, ka qëlluar përsëri dhe më pas ka dalë jashtë. Pikërisht në këto momente, në vendngjarje ka ardhur dhe furgoni i policisë, nga ku është qëlluar 7-8 herë në ajër në formë paralajmërimi, por gruaja ka hipur në makinën që e priste jashtë dhe është larguar me shpejtësi.

Gosturani

Ilir Gosturani, mendohet të ketë qenë një ndër shënjestrat e gruas me kallashnikov në dorë. Ai është njohur në Tropojë, si pronar i një bingoje. Në trup ka pasur dy plagë të rënda, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen, ndërkohë që plumba të panumërt i kanë shpuar trupin.

Dushaj

Viktima me mbiemrin Dushaj, vjen me dy versione. Sipas komunikatës së Ministrisë së Rendit, ai quhet Izet, ndërkohë që sipas burimeve nga qyteti, ai quhet Kujtim Dushaj dhe është gjykatës në Gjykatën e Faktit të Tropojës. Ai ishte ulur rastësisht në tavolinë me viktimat dhe ka marrë një plumb në këmbë. Për momentin ai është jashtë rrezikut për jetën.

 

Biberaj

Krejt i rastësishëm mendohet të ketë qenë dhe Hysen Biberaj. Banor i fshatit Shoshan në rrethin e Tropojës, nuk është konfirmuar akoma në se ai ka të bëjë direkt me ngjarjen. Ai ka marrë dy plagë dhe gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, kanë konfirmuar mjekët.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.