Kosova

Komisioni hetimor për energjinë bllokon Kuvendin

15:55 - 19.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i bëri thirrje opozitës që të reflektojë dhe të mos pres që kjo partia t’ua bëjë numrat në Kuvend për formimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë, teksa opozita ka paralajmëruar bojkot të organit ligjvënës.

Në një konferencë për media më 19 prill, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kërkesa e partive opozitare, që në seancën e sotme të votohej për themelimin e komisionit hetimor për periudhën kur Qeveria shpalli gjendje emergjente për energji, ishte në kundërshtim me ligjin.




“Sot ishte përpjekja e dytë e opozitës që në kundërshti me rregullat për formimin e komisionit hetimor parlamentar tentuan që të vendosin para aktit të kryer seancën plenare të Kuvendit. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje refuzoi të bëhet pjesë e kësaj ndërmarrjeje që shkel mbi normat e ligjit për hetimin parlamentar”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.

“Megjithatë, ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës në këtë rrethanë, veçmas jo në situatën kur parashohin që të bëjnë shkelje në raport me normat ligjore, e gjithashtu krahas tyre të pranojmë etiketimet, fyerjet dhe paragjykimet që çdokush që është në pozitë sillet njëjtë sikurse dikur është sjellë opozita e sotme”, tha Kusari-Lila.

Deputetët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan që të votohej një mocion procedural që të futej në rend dite pika e formimit të komisionit parlamentar.

Në seancën e së martës, opozita nuk arriti të mblidhte votat e duhura për këtë gjë dhe lëshoi sallën, duke njoftuar se nuk do të votojnë për ligjet e tjera derisa kjo pikë të votohet.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se sipas ligjeve, të gjithë inicuesit e kërkesës për formimin e komisionit parlamentar nuk mund ta kryesojë të njëjtin.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, bëri të ditur gjatë seancës plenare se nisma për formimin e këtij komisioni ishte përkrahur nga 40 deputetë. Megjithatë ai ka thënë se iniciues të kësaj nisme janë vetëm deputetët e PDK-së dhe të tjerët vetëm e kanë përkrahur këtë nismë.

Por, Rrustemi u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të reflektojnë, pasi tha se partia e tij nuk është kundër formimit të këtij komisioni.

Ndërkaq, në një konferencë të ndarë për media, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj akuzoi Qeverinë se ka penguar Kuvendin që të votojë për themelimin e komisionit hetimor, që sipas tij, ka për qëllim të hetojë shpenzimet dhe subvencionet për sektorin e energjisë.

Ai tha se Grupi Parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvend, derisa të miratohet ky komision.

Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor të vitit 2021 kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Megjithatë, në fillim të prillit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.