Kosova

Hapet aplikimi për shtesën 100-euroshe për punëtorët e sektorit privat

12:41 - 21.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë ka njoftuar se është hapur platforma online për aplikim për tërheqjen e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat.




Aplikimi për mbështetje do të bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në këtë fushë. Kusht për kualifikim është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore në muajin shkurt 2022.

Kurse, punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, dhe subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022. Aplikimi për këto shtesa do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj. Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Ndërkaq, javën tjetër, sipas Qeverisë do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik. Edhe të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit, sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021./REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.