Kryesore

Nga thirrja për “durim”, te “Ballkani i Hapur”/ Mesazhet Rama- Varhelyi për negociatat me BE

17:05 - 28.04.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama ka pritur të enjten Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, me të cilin dha dhe një konferencë të përbashkët për shtyp në përfundim të takimit.




Në fillim të fjalës së tij, kreu shqiptar i qeverisë njoftoi se me Komisionerin biseduan për procesin e integrimit, marrëdhëniet rajonale, luftën në Ukrainë, si dhe mbledhjen e Këshillit Europian ku do të diskutohet përsëri çështja e hapjes së rrugës ose jo për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“… patëm një diskutim të gjerë dhe shumë të hapur si gjithmonë, mbi aktualitetin e procesit të integrimit, mbi marrëdhëniet rajonale, natyrisht edhe lidhur me situatën e luftës në Ukrainë, si dhe me pasojat e saj mbi ekonominë e vendeve tona dhe patjetër që folëm edhe për stacionin e ardhshëm, të afërt, mbledhjen e Këshillit Europian ku do të diskutohet përsëri çështja e hapjes së rrugës ose jo për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Siç e dini të gjithë, kjo nuk është një çështje që lidhet me çfarë kemi bërë apo nuk kemi bërë ne Shqipëria, apo me ndonjë rezervë të Këshillit Europian ndaj Shqipërisë sepse nuk ka asnjë rezervë, por lidhet me ngërçin e krijuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë e Mirë, Varhelyi bëri thirrje për durim nga qeveria dhe shqiptarët përsa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“…unë po bashkëpunoj shumë, po punoj nga afër me miqtë tanë bullgarë dhe maqedonas. E vlerësoj shumë durimin e Shqipërisë dhe durimin e kryeministrit Rama. Kërkoj për pak më shumë durim nga ana juaj sepse objektivi ynë është që kjo punë të kryhet, të mbarohet gjatë presidencës franceze.

Ta bëjmë këtë gjë dhe të vazhdojmë të ecim përpara për atë gjë që është vërtetë e rëndësishme sepse e rëndësishmja nuk ka të bëjë me Konferencën e Parë Ndërqeveritare, me atë apo këtë dokument, por çështja e vërtetë ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ne duhet të fillojmë të punojmë drejt anëtarësimit të vendit në BE dhe duhet të punojmë për integrimin e vërtetë në terren. Integrimi i vërtetë në terren nuk ka të bëjë vetëm me procesin apo kryesisht nuk ka të bëjë vetëm me procesin, por ka të bëjë me mënyrën se si ne do ta ndryshojmë realitetin në terren, jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga ai shoqëror dhe se si i integrojmë ne.

Ne do ta integrojmë Shqipërinë në mënyrë efikase në Bashkimin Europian. Kjo është detyra që ne kemi dhe nuk duhet t’i heqim sytë nga ky angazhim i përbashkët. Ndaj po e them këtë gjë e ndaj do shkoj në Shkup dhe Sofje çdo ditë, nëse duhet. Duhet të biem dakord dhe duhet ta mbyllim këtë punë, tani”, deklaroi Varhelyi.

Më pas, komisioneri BE-së u pyet nëse blloku që ai përfaqëson po tallej me shqiptarët, pasi “rekomandoni me raportet tuaja që të hapen negociatat, Këshilli mblidhet dhe vendos të shtyhen për presidencën e radhës”. Kësaj pyetjeje, ai iu përgjigj se nuk është Shqipëria ajo, e cila është bërë objekt talljeje.

“… pyetje e fortë kjo, por është në fakt një situatë serioze, dhe pyetja është serioze. Kështu që, në rast se do t’ju pyesja juve me të njëjtin ton që më keni pyetur ju mua, atëherë do të thoja: Nuk është Shqipëria ajo me të cilën po tallet njeri. Në rast se ne nuk vendosim për këtë gjë, ne po tallemi me vetveten, BE po tallet me vetveten, por është një fjalë shumë e fortë kjo për një Komisioner për ta thënë, kështu që nuk po them këtë gjë. Ajo që do të them është kjo: Që ne mund të promovojmë dhe ky është edhe roli i komisionit që të promovojë arritjet e secilit prej shteteve kandidate dhe  në ato momente që përmbushen, që janë plotësuar kriteret, ne e themi këtë gjë, por vendimin nuk e kemi ne në dorë, vendimin e kanë shtetet anëtare”, deklaroi Varhelyi.

Më tej, Rama u përpoq të tregonte pengesën që vjen nga Bullgaria për veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Situata aktuale është e krijuar nga vetoja Bullgarisë ndaj Maqeonisë së Veriut. Ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si pozicion konstruktov dhe të lidhur për mosndarjen e Shqipërisë ngaMqedonia e Veriut. Po ashtu e informova mbi faktin që kemi mbyllur një proces mbi Këshillimin Kombëtar ku u pyetën qytetarët shqiptarë që nëse sërish nuk mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëria të ndryshojë kursin dhe të kërkojë ndarjen nga Mqedonia e Veriut.

Varhelyi ka ardhur dje nga Maqedonia dhe e ka parë se distanca mes dy vendeve ishte më e shkurtër sesa udhëtimi nga njëri vend në tjetrin. Ka qenë një mbështetës i korridorit 8 dhe pas udhëtimit nga Shkupi në Tiranë është bindur se kjo është gjëja e duhur. Shpresojmë që procesi të ecë më tej dhe ne të shtyjmë më tutje realizimin e korridorit 8 me Maqedoninë e Veriut. Tani po i lë fjalën komisionerit se mua këtu më keni në çdo vakt të ditës”, theksoi ai.

Konferenca e plotë për shtyp Rama-Varhelyi:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Kemi përsëri në Tiranë Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, zoti Varhelyi, me të cilin patëm një diskutim të gjerë dhe shumë të hapur si gjithmonë, mbi aktualitetin e procesit të integrimit, mbi marrëdhëniet rajonale, natyrisht edhe lidhur me situatën e luftës në Ukrainë, si dhe me pasojat e saj mbi ekonominë e vendeve tona dhe patjetër që folëm edhe për stacionin e ardhshëm, të afërt, mbledhjen e Këshillit Europian ku do të diskutohet përsëri çështja e hapjes së rrugës ose jo për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Siç e dini të gjithë, kjo nuk është një çështje që lidhet me çfarë kemi bërë apo nuk kemi bërë ne Shqipëria, apo me ndonjë rezervë të Këshillit Europian ndaj Shqipërisë sepse nuk ka asnjë rezervë, por lidhet me ngërçin e krijuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Unë e ndava dhe me Komisionerin që ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe si një pozicion të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht në konformitet me pozicionin e Komisionit dhe me pozicionin e Këshillit, për mos ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky është pozicionin ynë aktual.

Po ashtu e informova lidhur me faktin që ne e kemi kryer një proces të Këshillimit Kombëtar me qytetarët shqiptarë dhe janë pyetur qytetarët shqiptarë nëse do të ishin apo jo dakord që në rastin që edhe pas këtij gjashtë mujori, me përfundimin e presidencës franceze gjendja mbetet e pandryshuar, Shqipëria të ndryshojë kursin e të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por kjo mbetet për tu aktivizuar si qasje mbas kësaj mbledhje të Këshillit Europian e deri në këtë takim të Këshillit Europian, ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat.

Nuk dua të zgjatem më shumë me të tjerat, kemi diskutuar patjetër për projektet e mëdha të cilat janë në proces.

Komisioneri Varhelyi më ka konfirmuar përsëri sot, ka ardhur dje nga Maqedonia e Veriut dhe e ka parë vetë se distanca në kilometra mes dy vendeve është shumë më e shkurtër se sa koha që harxhohet për të shkuar nga një vend në tjetrin, kështu që ka qenë një mbështetës i përfshirjes së Korridorit 8 në rrjetin evropian, gjë që na bën pastaj të aftë të aksesojmë fondet e nevojshme për ndërtimin e Korridorit 8, por mbas këtij udhëtimi nga Shkupi në Tiranë me makinë, është edhe më i bindur që kjo është gjëja e duhur dhe së shpejti ka një ministerial të transportit në kuadrin e Bashkimit Europian, kështu që ne shpresojmë që të merret dhe ky vendim e pastaj ne të fillojmë të shtyjmë më tej procesin e aplikimit sëbashku me Maqedoninë e Veriut për realizimin e Korridorit 8  me mbështetje sigurisht nga Bashkimi Europian, sepse janë vepra të mëdha që të gjitha vendet e reja të BE-së, i kanë bërë me mbështetjen e BE-së.

Po ndalem këtu për t’ia kaluar fjalën Komisionerit sepse është më e rëndësishme në këtë moment për ju të dëgjoni nga Komisioneri, se mua këtu më keni në çdo vakt të ditës dhe ka mbetur vetëm që të më keni dhe në frigorifer.

Komisioner, faleminderit për prezencën tuaj këtu dhe fjala është për ju.

Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë Oliver Varhelyi: Faleminderit zoti kryeministër. Në fakt, nëse do duhet të më bindnit se pse duhet të lidhen të gjithë kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën nëpërmjet, qoftë autostradave, qoftë hekurudhave dhe të më bëni të shkoj me makinë nga Shkupi në Tiranë, mendoj që shumë nga kjo punë bindëse është bërë tashmë. Kështu që, jam i kënaqur që t’iu them që kur kemi filluar që të përpilonim planin e investimeve ekonomike, kjo është pikërisht arsyeja se pse ne menduam që 290 kilometra në thuajse 5 orë? Ç’është kjo? Sigurisht që mund të jetë më e shkurtër koha dhe duhet ta shkurtojmë këtë kohë.

Sot që jam në Tiranë gjatë vizitës sime në Tiranë më dha një mesazh shumë të fortë; që plani i investimeve ekonomike nuk është më thjesht një plan, por plani i investimeve ekonomike ka filluar funksionimin, të funksionojë siç duhet. Për shembull, sot ne shkuam në Universitetin e Tiranës, vajtëm në Qytetin Studenti ku pamë projektet e para, projekte, të cilat po sjellin dhe po bëjnë bashkë dy përparësi të rëndësishme për ne, arsimin nga njëra anë, por edhe efikasitetin e energjisë dhe rikonstruktimi i këtyre ambienteve është gati. Ne nuk mund të fillojmë nga festimet sa kohë që na duhet akoma 5 orë kohë për të udhëtuar ndërmjet Shkupit dhe Tiranës. Kjo është arsyeja pse ne po e mbështesim idenë e Korridorit 8 dhe përse dëshirojmë ta përfshijmë atë në projektin tonë. Komisioni është i bindur që pa këtë nuk do ketë ndërlidhje të Ballkanit Perëndimor, pra lidhja mes shteteve, kryeqyteteve dhe qyteteve sepse kjo lidhje mungon ndërmjet detit Adriatik dhe Detit të Zi. Kjo do krijojë rrugë të reja për tregtinë, por edhe investime të reja.

Më lejoni t’i kthehem disa tema më pak të gëzueshme.

Ne sigurisht që diskutuam së bashku edhe luftën e provokuar nga Rusia në Ukrainë dhe ramë dakord e jemi dakord që kjo luftë duhet të marrë fund menjëherë.

Ne vlerësojmë së tepërmi, jo vetëm në Bruksel por do thoja në të gjitha kryeqytetet e shteteve anëtare të Bashkimit Europian rolin e rëndësishëm që po luan Shqipëria pasi Shqipëria ka qenë krah nesh gjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe është bërë pjesë e vendimeve tona, por mbi të gjitha, Shqipëria ka lehtësuar, ka moderuar pjesën më të madhe të punës në Këshillin e Sigurimit dhe Shqipëria është treguar një partner i vërtetë i yni në këtë aspekt.

Ndaj, dua të falenderoj Shqipërinë, kryeministrin Rama për gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin që ne kemi patur dhe do vazhdojmë të mbështetemi tek angazhimi dhe mbështetja juaj edhe në të ardhmen.

Sigurisht që, tema tjetër e madhe dhe e rëndësishme, është që kur do të mbahet më së fundmi Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë  dhe ndërmjet  BE dhe Maqedonisë së Veriut. Ju e shikoni që jam në një tur të Ballkanit Perëndimor, kam qenë në Sofje, isha në Shkup dhe tashmë jam në Tiranë. Ndoshta mund t’i keni parë disa nga ato mesazhet e mia publike, në Sofje për shembull, kështu që nuk dëshiroj të përsëris ato që kam thënë, megjithatë ajo që mund t’iu them është që ne duhet patjetër që të përdorim gjithçka që kemi në dorë, nuk mund të kemi një luftë në Europë dhe Europa të mos përdorë të gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor sepse i gjithë procesi i zgjerimit dhe integrimit ka të bëjë me stabilitetin dhe me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Është e vërtetë që në këtë proces, ne, jo vetëm shikojmë stabilitet, por mund edhe të krijojmë dhe të vendosim stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, nuk mund dhe nuk i jap aspak kohë atyre që janë të përfshirë në këtë proces që të mos bëjnë atë që duhet bërë. Ne e dimë të gjithë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë e të ecim përpara me punën sepse në rast se nuk marrim ato vendime që mund të marrim, atëherë do të thotë që ne po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi, nga ajo që ne mund të bëjmë.

Prandaj, unë po bashkëpunoj shumë, po punoj nga afër me miqtë tanë bullgarë dhe maqedonas. E vlerësoj shumë durimin e Shqipërisë dhe durimin e kryeministrit Rama. Kërkoj për pak më shumë durim nga ana juaj sepse objektivi ynë është që kjo punë të kryhet, të mbarohet gjatë presidencës franceze.

Ta bëjmë këtë gjë dhe të vazhdojmë të ecim përpara për atë gjë që është vërtetë e rëndësishme sepse e rëndësishmja nuk ka të bëjë me Konferencën e Parë Ndërqeveritare, me atë apo këtë dokument, por çështja e vërtetë ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ne duhet të fillojmë të punojmë drejt anëtarësimit të vendit në BE dhe duhet të punojmë për integrimin e vërtetë në terren. Integrimi i vërtetë në terren nuk ka të bëjë vetëm me procesin apo kryesisht nuk ka të bëjë vetëm me procesin, por ka të bëjë me mënyrën se si ne do ta ndryshojmë realitetin në terren, jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga ai shoqëror dhe se si i integrojmë ne.

Ne do ta integrojmë Shqipërinë në mënyrë efikase në Bashkimin Europian. Kjo është detyra që ne kemi dhe nuk duhet t’i heqim sytë nga ky angazhim i përbashkët. Ndaj po e them këtë gjë e ndaj do shkoj në Shkup dhe Sofje çdo ditë, nëse duhet. Duhet të biem dakord dhe duhet ta mbyllim këtë punë, tani.

-Një pyetje për komisionerin. Në fakt ju thatë që nuk do të zgjateshit me deklaratat, të mos përsërisnit çfarë thatë në Sofje, por mua më tingëllon sikur ju përsëritet vetveten në deklaratat që keni mbajtur një vit më parë, edhe një deklaratë edhe një vit më parë dhe vazhdon e njëjta situatë. Mbase do tingëllojë shumë e fortë duke ju bërë këtë pyetje, por duke qenë se jam gazetare dhe diplomate po guxoj. A mendoni se si përfaqësues i komisionit europian, por edhe shqiptarët duhet të ndihen të tallur nga KE? Ju rekomandoni me raportet tuaja që të hapen negociatat, Këshilli mblidhet dhe vendos të shtyhen për presidencën e radhës. Në këto kushte, do ta mirëprisnit ju, atë që kërkon Kryeministri Rama, që pas qershorit të ketë një ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces?

-Një pyetje tjetër lidhur me Kosovën. A ka një plan BE për Kosovën? Duket sikur shumë shpejtë mund të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan nisur nga konfliktet apo incidentet e zhvilluara në kufirin me Serbinë. Duket se SHBA kanë më shumë vëmendje të shtuar drejt rajonit tonë sesa BE. Nëqoftëse kryeministri do të përgjigjet për pyetjen e dytë, do isha mirënjohëse. Faleminderit!

 

Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë Oliver Varhelyi: Po, është pyetje e fortë kjo, por është në fakt një situatë serioze, dhe pyetja është serioze. Kështu që, në rast se do t’ju pyesja juve me të njëjtin ton që më keni pyetur ju mua, atëherë do të thoja: Nuk është Shqipëria ajo me të cilën po tallet njeri. Në rast se ne nuk vendosim për këtë gjë, ne po tallemi me vetveten, BE po tallet me vetveten, por është një fjalë shumë e fortë kjo për një Komisioner për ta thënë, kështu që nuk po them këtë gjë. Ajo që do të them është kjo: Që ne mund të promovojmë dhe ky është edhe roli i komisionit që të promovojë arritjet e secilit prej shteteve kandidate dhe  në ato momente që përmbushen, që janë plotësuar kriteret, ne e themi këtë gjë, por vendimin nuk e kemi ne në dorë, vendimin e kanë shtetet anëtare. Dhe kjo është arsyeja se pse unë po bëj këtë tur dhe këtë punë fort, në këtë tur intensiv, në mënyrë që ne të ecim përpara për një shtet anëtar që duhet të marrë vendimin dhe në qoftë se mund ta them në formë diplomatike sepse siguria e BE po komprometohet dhe prandaj ne duhet ta bëjmë këtë gjë tani dhe besueshmëria jonë po vihet në pikëpyetje.

Ndërsa përsa i përket planit për Kosovën ne po punojmë po ashtu dhe për një plan të investimeve ekonomike për Kosovën. Shpresojmë që puna për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë dhe që do të ketë ecuri, që do të shohim ecuri sepse vetëm nëpërmjet këtij dialogu do të kemi një zgjidhje afatgjatë.

Vetëm nëpërmjet këtij dialogu që është i promovuar nga BE-ja që do të gjendet një zgjidhje afatgjatë, por për këtë na duhet që të gjithë të jenë në tryezë me një frymë konstruktive dhe që të ketë, pra puna të sjellë rezultate, të ketë ecuri dhe pa këto besoj do të jetë shumë e vështirë për të ecur përpara dhe që të flasim pastaj për çështje shumë më të gjëra, si për shembull rrugëtimi i Kosovës drejt BE. Ne duam që Kosova më në fund të mbyllë historinë e saj dhe të investoj tek e ardhmja. Prandaj për këtë arsye edhe për Kosovën në tryezë kemi vendosur një paketë shumë të madhe dhe të fortë ekonomike dhe sociale pra shoqërore dhe duam të ecim sa më shpejt të jetë e mundur me këtë ashtu siç po bëjmë edhe me Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama: Së pari do thoja që nuk është e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë më shumë vëmendje ndaj këtij rajoni se sa Bashkimi Europian. Janë vëmendje të natyrave të ndryshme, por unë do thoja që Bashkimi Europian dhe këtu nuk është se po them diçka diplomatike por po them diçka shumë të vërtetë edhe falë politikës së re të ndjekur nga Komisineri Varhelyi, i cili është personi që Bashkimi Europian ka besuar për tu kujdesur për këtë rajon e si i tillë është edhe personi që dëgjohet kur flet për këtë rajon, ka rritur vëmendjen si asnjë herë më parë ndaj këtij rajoni për hir të vërtetës.

Plani ekonomik i investimeve është diçka e pa ndodhur ndonjëherë më parë e nuk bëhet fjalë për investime pak më të mëdha se sa ato që ne bëjmë vetë por bëhet fjalë për investime shumë më të mëdha se sa ato që vendet e Ballkanit mund të bëjnë vetë, e para.

E dyta, Komisioneri nuk e përmendi në këtë konferencë por po e përmend unë. Përpara se sa të vinte këtu për tu takuar ishte në territor, për të parë disa investime të Bashkimit Europian. Ne kemi vendosur një volum shumë të madh të ardhurash të shtetit shqiptar për rindërtimin por e vërteta duhet thënë deri në fund, që Bashkimi Europian ka vendosur gjithashtu një volum të konsiderueshëm fondesh, jo kredi por grant, për rindërtimin e shkollave e të kopshteve kështu që gjithë ai program ambicioz i rindërtimit të shkollave e kopshteve është një program ku qeveria shqiptare ka ndërtuar një pjesë, Bashkimi Europian një pjesë tjetër, ndërkohë që cilësia e punës dhe kushtet e krijuara për fëmijët e për mësuesit, flasin vetë, nuk kanë nevojë për koment.

E treta, përsëri nuk u përmend as nga unë, as nga Komisioneri por në ndërkohë, Bashkimi Europian sëbashku me ne, me Shqipërinë, është angazhuar shumë seriozisht për një projekt shumë të rëndësishëm strategjik për ne si Shqipëri, e për rajonin, që është gazsjellësi adriatiko-jonian, ose joniano-adriatik si të doni, meqë nis nga pika lidhëse këtu në Fier me TAP-in, për të shkuar lart në Mal të Zi, në Kroaci, në Bosnje, mund ta quajmë joniano-adriatik dhe qoftë Komisioneri Varhelyi i pari, qoftë Komisioni si i tërë, qoftë dhe ne nga ana jonë dhe unë, kemi intensifikuar marrëdhënien dhe bisedat me Azerbajxhanin për të pasur një orë e më parë një kapacitet të plotë për fillimin e ndërtimit të këtij gazsjellësi dhe këtu fondet i vë Bashkimi Europian, pavarësisht se mund të ketë aktorë të tjerë që mund të vendoset të përfshihen si partnerë në këtë investim të madh. Kështu që për të gjitha këto arsye unë nuk do thoja që Shtetet e Bashkuara e kanë më shumë në vëmendje rajonin se sa Bashkimi Europipan.

E fundit fare, sot ne kemi një sinergji të plotë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, është shume e rëndësishme edhe kjo. Nuk ka qenë kështu në çdo moment. Kemi një sinergji të plotë dhe edhe Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre nëpërmjet sigurisht figurave të tyre përkatëse, janë në një proces për të shtyrë përpara çeljen e negociatave zyrtarisht  ër Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një nga gjërat, për të mos folur për shumë aspekte të tjera.

Thënë të gjitha këto, unë mendoj, kjo nuk është e re por po e përsëris meqë kërkohet përgjigje për pyetjen, që ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është një arsye më shumë për të menduar se do kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan por është një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan.

Nuk diskutohet që është shumë e lehtë ta thuash dhe shumë e vështirë ta bësh paqen përfundimtare, por e tha Komisioneri, e thonë të gjithë, që nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe edhe historia e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, kulmin e të cilit e shohim ne sot por ka pasur një proces, duhet të na mësojë shumë për “pse”-në e intensifikimit të procesit të paqes përfundimtare dhe paqja nuk bëhet me mikun, paqja bëhet me armikun dhe në këtë rast paqja bëhet me armikun e deri djeshëm, që nuk është miku i sotëm i Kosovës, por që është aty, as Serbia, as Kosova nuk do ikin në ndonjë vend tjetër, ato janë aty.

Kosova është një realitet që është aty, nuk e ndryshon dot askush. Serbia po ashtu! Është në interesin e të dyja palëve që të bëjnë paqen përfundimtare, nuk diskutohet. Të paktën nga çfarë unë kuptoj e nga sa unë e kuptoj të gjithë qasjen e të gjitha kancelarive europiane, qasjen e Brukselit, qasjen e të gjithë liderëve të Europës, përfshirë edhe SHBA-të, nuk kam gjetur një që të thotë që Kosova nuk duhet të ulet në dialog me Serbinë. Nuk e kam gjetur një! Të gjithë përsërisin të njëjtën gjë dhe këta nuk janë njerëz që janë pro serb, as anti kosovarë, këta janë njerëz që përfaqësojnë shpëtimtarët e Kosovës, që të jemi shumë të qartë. Kosovën e kanë shpëtuar këto shtete, shtetet që janë shtetet e mëdha të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se pa këto Kosova nuk do ishte dot e pavarur, me gjithë respektin e jashtëzakonshëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E kur përfaqësuesit e këtyre shteteve përsërisin e përsërisin që duhet dialog e paqja përfundimtare arrihet me dialog, unë nuk e kuptoj se çfarë kërkojmë ne, e se si ne mund ta shohim ndryshe këtë punë. Patjetër që pastaj aty ka qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme e të tjera e të tjera, por kjo do durim, e për të cituar një mik të madh shumë të shqiptarëve, të të gjithë shqiptarëve por që është edhe mik i Serbisë, Kryeministrin Orbán, “ky proces kërkon durim strategjik”. Durimi strategjik nuk është një virtyt shqiptar, as ballkanik, por duhet durim strategjik.

– Nuk mora një përgjigje për kërkesën e Kryeministrit për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e veriut nëse edhe gjatë presidencës franceze nuk do të hapen negociatat?

Kryeministri Edi Rama: Po ju përsëris atë që e kemi pasur hera herës gjatë këtyre viteve së bashku. Tani, këtu fokusi është për të bindur Bullgarinë e për ti patur të dyja. Ju kërkoni tani një deklaratë këtu që të prishet fare puna që po bëhet me Bullgarinë. Kjo nuk mund të ndodhi këtu. Kështu që ne duhet të bëjmë çmos që në qershor t’i kemi të dyja “po”. Ne tonën, Maqedonia e Veriut të sajën. Kjo është ajo që duhet të bëjmë.

Natyrisht që mund të dukej më e lehtë që Shqipëria ta kishte filluar me kohë e të thoshte, “çfarë pune kemi ne me Bullgarinë, pse duhet ne, si ne”, e të tjera e të tjera, por duke u kthyer tek ajo që thashë pak më parë për Kosovën, ne jemi një vend dhe të dy bashkë me Kosovën jemi vende që kemi rëndësi relative në raport me problemet që kanë miqtë dhe partnerët tanë, dakord? Kështu që duhet të kuptojmë edhe pjesën tjetër dhe nuk mund t’i biem ne tani këmbës, që ose kështu si themi ne, ose tani, ose rrash e vdiqa, sado të drejtë të kemi, sepse përndryshe na mbyllin në banjë, siç ndodh me fëmijët që i bien këmbës nëpër filma.

Ne duhet të jemi të durueshëm e duhet të kërkojmë atë që na takon patjetër, por duke kuptuar që për ta marrë atë që na takon në këtë rast, e marrim vetëm bashkë me partnerët tanë, nuk e marrim dot me forcë, kështu që për momentin ne i respektojmë ekzigjencat e partnerëve për ta çuar këtë proces deri në fund të qershorit me të dy vendet.

Pasi edhe në këtë rast mund të mos funksionojë, atëherë ne do të ndryshojmë kursin, do ndryshojmë kërkesën e do shpjegojmë që ne nuk mund të presim pafundësisht Bullgarinë e me siguri do kemi më shumë mirëkuptim më pas, sepse në ndërkohë nuk i jemi bërë pengesë që këta t’i bëjnë të gjitha provat e tyre. Kështu funksionon. Një tango e nuk e kërcen dot vetëm, imagjino të hedhësh valle me 27 veta të tjerë, kështu që duhet “djegur me shumë kujdes shamia e beqarit”.

-Pyetja për ju, Komisioner. Nëse edhe në qershor do dështojë çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çfarë i mbetet tjetër Komisionit që të propozojë kur gjithçka është përmbushur dhe kur Këshilli vazhdon dhe e refuzon? Ndërsa për ju, kryeministër,  me ndryshimet politike dhe ndryshimet e qeverisë në Malin e Zi, japin shpresa që edhe ky vend t’i bashkohet nismës suaj të “Ballkanit të Hapur”? A keni marrë ju sinjale pozitive nga kryeministri i ri i Malit të Zi?

Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Oliver Varhelyi: Unë e kuptoj që kjo është vërtetë një çështje e nxehtë, të themi, pra, të vazhdojë të rrijë Shqipëria me Maqedoninë e Veriut apo të ndahet. Siç ju thashë, nuk mendoj se kjo është çështja, problemi i vërtetë. Çështja e vërtetë që ne duhet të shikojmë është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, se si do kemi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si anëtarë të Bashkimit Europian. Për këtë po punojmë. Ne nuk po punojmë për atë çështjen më imediate fare. Po, çështja tani e menjëhershme është të kemi marrëveshje për të dyja shtetet, për këtë po punojmë dhe po punohet fort. Nuk mendoj që unë do jem i besueshëm po t’iu them tani “Po sikur të dështoj, çfarë do bëj unë pastaj”? Në rast se do flisja me ju për këtë gjë, atëherë i bie që unë nuk po përpiqem aq sa duhet në punën time. Unë po përpiqem, po përpiqem fort, siç duhet dhe kjo kërkon durim, durim strategjik siç e tha kryeministri, por kjo është natyra e kësaj pune, bëhet fjalë për zgjedhje shumë të rëndësishme, jo vetëm sa i përket Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, por edhe zgjedhja që po bëjnë shtetet tona anëtare. Mbaj mend herën e parë kur ka ardhur në Tiranë, ne po punonim fort që të kishim marrëveshje si për Shqipërinë apo dhe për Maqedoninë e Veriut, pra, që të arrinim vendimin zyrtar për çeljen e negociatave për të dyja shtetet.

Atëherë, ju më bombarduat me pyetje, më thatë “Po nuk është e besueshme, ndarja”, nuk ka qenë vetëm këtu, por edhe në Shkup e njëjta gjë dhe të njëjtat përgjigje jap. E gjithë ajo punë që ne po bëjmë nuk ka të bëjë vetëm me këtë gjë, por ideja është se si do arrihet anëtarësimi.

Këtu duhet të jenë sytë tanë dhe këtu duhet të fokusohen të gjithë, këtu duhet të jemi të përqendruar. Pra, puna që ne po bëjmë për të arritur marrëveshje në qershor për të dyja vendet. Kjo është puna që po bëhet dhe nuk ka plan B. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë.

Në rast se ne e marrim veten seriozisht, e kam fjalën si Bashkimi Europian nga njëra anë dhe po ashtu Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, atëherë do ta kemi këtë vendim.

Jam besimplotë që të gjithë kanë të njëjtin mentalitet dhe këndvështrim kur flasim për këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama: Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ne jemi absolutisht të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje dhe sigurisht , paralelisht me vazhdimin e rrugës së nisur, ne jemi shumë të interesuar që edhe të tjerët të përfshihen sepse “Ballkani i Hapur” është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës, nuk  është krijuar për të qenë përjashtues. Duke folur për kryeministrin e ri të Malit të Zi, me të cilin ende nuk kam komunikuar dhe shpresoj ta bëj sot, imagjinoni sikur dikush t’iu thoshte, nuk e di, nuk po them 30 apo 20 vjet por 5 vjet përpara që Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte 3 kryeministra shqiptarë, do thonit….Sot është realitet. 3 shqiptarë në 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Tani, kjo mund të jetë shenjë e mirë, mund të jetë shenjë e keqe, unë nuk e di, por fakti është që janë 3 shqiptarë kryeministra të Ballkanit Perëndimor, përtej shakasë, dhe nuk është pak, është shumë.

Ashtu sikundër, është shumë e qartë që shqiptarët, në këtë kohë që kanë rilidhur urat me Europën, ecim përpara dhe fitojnë vetëm nëse dinë të sillen si njerëz të paqes. Kjo është pak, por e sigurt. Patjetër që ne do ta riftojmë Malin e Zi. Sigurisht i takon kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për ta bërë ftesën zyrtare sepse Samiti i ardhshëm i Ballkanit të Hapur do jetë në Ohër, në 9 dhe 10 qershor, në mos gabohem, por patjetër që edhe nga ana ime do bëj, si të thuash, inkurajimin tim për Dritanin që të jetë në tryezë.

Dritani ka qenë pozitiv ndaj Ballkanit të Hapur në parim dhe po ashtu, ne me shumë kënaqësi  do ta prisnim Malin e Zi në tryezë. Por, vjen Mali i Zi apo nuk vjen Mali i Zi, vjen Kosova apo nuk vjen Kosova, vjen Bosnja apo nuk vjen Bosnja, Ballkani i Hapur do vazhdojë sepse, përveç të tjerave, ky është dhe vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Të gjithë do vijnë një ditë. Kush do vijë më vonë, do ketë humbur më shumë por secili ka të drejtë të vendosë për veten e vet. Ne nuk vendosim për të tjerët, ne vendosim për Shqipërinë. Faleminderit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.