DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Fiton Pëllumbi/ Nga 124 deputetë, 70 votojnë “Profesorin”

07:00 - 01.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

1 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Fiton Pëllumbi/ Nga 124 deputetë, 70 votojnë “Profesorin”

 Avokati i Marksit në krye të Kuvendit

Çfarë ndodhi dje në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS dhe si u përkthye fitorja e Servet Pëllumbit ndaj Bashkim finos pas votimit në Parti. Përsë e hoqën nga Komiteti Qendror në vitin 1982 dhe kush është njeriu që prej 1993 ka udhëhequr për 4 vjet Partinë Socialiste…

Pëllumbi mundi Berishën në referendumin e 1994

Zgjidhet “avokati” i Marksit në krye të Kuvendit

 Zgjedhja e Servet Pëellumbit në krye të Parlamentit duhet ta ketë freskuar memorien e militantëve të PS-së,atë pjesë të kujtesës kolektive kur partia e tyre ishte në opozitë dhe kryetari i saj në burgun e Bënçës. Për thuajse katër vjet PS-ja është drejtuar nga “Profesori”. Mposhtja e Berishës në referendumin e vitit 1994 dhe polemikat pasionate për Marksin, janë dy nga momentet kyçe në të cilat Pëllumbi u shfaq si drejtues i opozitës.

 

 

Debati për Marksin

Rreziku i çarjes në PS ka ekzistuar që në ditën e parë të krijimit të kësaj partie, në Kongresin e dhjetë të Partisë së Punës, në qershorin e 11 viteve më parë, kur u vendos nisja e procesit të konvertimit në një subjekt të së Majtës europiane. Në preambulën e programit të partisë së re, krahas shumë filozofëve të tjerë të majtë, u fiksua si referencë dhe emri i Marksit. PS-ja ishte në atë periudhë një grupim që bashkonte nostalgjikët e Partisë së Punës dhe intelektualët që synonin një shkëputje kirurgjikale nga e kaluara 50-vjeçare. Prova e forcës mes këtyre dy kampeve u bë në vitin 1995. Meta, Hajdaraga, Çuçi nisën një fushatë ku kërkohej heqja e emrit të Marksit nga programi i PS-së. Si sfond i këtyre polemikave ishte dhe presioni i Berishës, i cili e akuzonte gati në çdo konferencë shtypi, PS-në si një parti “marksiste, që nuk ishte shkëputur nga diktatura e proletariatit”. Nano në atë kohë ishte në burg dhe nuk u përzje në këtë debat. Flamurin e mbrojtjes së Marksit në atë periudhë e mori Pëllumbi. “Marksi sulmohet nga ata njerëz që nuk kanë lexuar asnjë rresht prej tij. Ky filozof i madh është një prej referencave dhe në programet e shumë partive të tjera të majta europiane. PS-ja është një parti socialdemokrate dhe komunistët e pareformuar janë në krye të PD-së”, deklaroi Pëllumbi në atë periudhë. Por grupi tjetër këmbëngulte ashpër. “Nëse kërkojnë ta mbajnë akoma, ne do ta nxjerrim Marksin nga dritarja”, kundërshtonte Meta.

Përplasja mes pasuesve, nanoistëve dhe antinanoistëve, kishte filluar. Servet Pëllumbi u përpoq të qëndronte mes të dyja palëve, duke bërë moderatorin. Gjithsesi, kohezioni brenda radhëve të PS-së u ruajt, polemikat u tulatën deri kur një vit më pas socialistët aprovuan një program dhe statut të ri. Kishin kaluar 5 vjet nga krijimi i PS-së.

Fitorja e referendumit

Në kohën kur Nano ishte në burg, PS-ja ka pasur strukturën drejtuese më të çuditshme. Kryetari i PS-së e kishte të vështirë ta drejtonte Partinë me ca letra që dërgonte fshehurazi nga Bënça, të cilat ishin shpeshherë dhe kontradiktore, ndoshta për mungesë të informacionit. PS-ja kishte në atë periudhë një kryesi me gati 20 zyrtarë, por drejtimi real ishte në duart e “kryesisë së vogël”, që përbëhej nga Pëllumbi, Hajdaraga, Meta e Dokle. “Profesori” mbante postin e zëvendëskryetarit dhe për këtë arsye ishte de facto drejtuesi i PS-së. Sfida e parë e tij me pushtetin e Berishës ishte referendumi për Kushtetutën. Ishte vjeshta e vitit 1994. Berisha ishte në kulmin e pushtetit të tij. Presidenti i atëhershëm hodhi për votim popullor një projektkushtetutë që i shtonte së tepërmi kompetencat e tij. Votimi për këtë projekt u kthye në provën e forcës për opozitën. PS-ja, që drejtohej nga Pëllumbi, arriti të bashkojë të gjithë spektrin politik. Votimi ishte një disfatë e plotë për partinë në pushtet. Dy vjet më vonë Nano hodhi në tregun e PS-së “mocionin për ndryshim”. Në kongresin që u zhvillua në verën e vitit 1996, Servet Pëllumbi, pas polemikave me zyrtatë të PS – së, që bënin pjesë në klanin e Nanos, dha dorëheqjen. Në vendin e tij, si numër Dy i PS-së, u zgjodh Rexhep Meidani, i cili vetëm një javë më parë kishte marrë teserën e Partisë Socialiste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.