DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Sfida në Kuvend, Majko kërkoi votim të fshehtë për të provuar aleancat fluide të Berishës

07:00 - 03.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

3 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Sfida në Kuvend – Majko kërkoi votim të fshehtë për të provuar aleancat fluide të Berishës

Fatos Klosi bashkon grupet në PS

Gjithë detajet e maratonës së djeshme në Parlament. Shefi i SHIK merr 65 vota pro dhe 38 kundër. Sekretet për vrasjen e Azemit. Nga letra dërguar Tetës në 16 maj te zbulimi i vendit ku fshihej Izet Haxhia. Përse nuk u arrestua ish-truproja e Berishës dhe çfarë kishte deklaruar Fatmir Haklaj për ekzekutimin e Hajdarit

Kryetari i Shërbimit Informativ raporton në komision: Fshihej në Firence e Gjakovë. Ne e gjetëm

Fatos Klosi: Përse nuk u arrestua Izet Haxhia

Fatos Klosi tregon të fshehtat rreth vrasjes se Azem Hajdarit. Ai dje bëri publik edhe rolin e tij dhe të institucionit që drejton. Në komisionin parlamentar të Rendit dhe SHIK-ut Klosi ka dhënë shpjegime edhe për takimin e tij me Ismet haxhinë, një nga të dënuarit në procesin “Hajdari”. Sipas Klosit, takimi u bë për t’i dhënë garanci Izet Haxhisë që donte të dorëzohej.

 

 

Për herë të parë, fare hapur, Fatos Klosi ka treguar elementë të rëndësishëm për zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Mbi vendimin e Izet Haxhisë për t’u dorëzuar dhe më pas pendimin e tij. Për ndjekjen e gjatë që agjentët e SHIK-ut i kishin bërë Izet Haxhisë në Firence (Itali) dhe në Gjakovë, ku ai fshihej; letrën që Klosi i dërgonte Perikli Tetë, ku e njoftonte se Fatmir Haklaj kishte planifikuar vrasjen e 9 personave, mes tyre Azem Hajdari. Kryetari i Shërbimit Informativ dje bëri edhe një akuzë të rëndë ndaj partisë më të madhe opozitare, kur tha se akuzat ndaj tij, hedhur nga Ismet Haxhia, se Klosi i kërkoi të vriste Sali Berishën, duke i dhënë armë dhe para, u bënë pas disa telefonatave nga selia e PD-së në qelinë ku rrinte Ismeti. Zakonisht raportet e shefit të Shërbimit Informativ në komisionin e rendit dhe të SHIK-ut janë sekret dhe deputetët janë nën betim për të mos treguar asgjë nga ato që dëgjojnë, por dje rrëfimi i Klosit u bë i ndjekur nga sytë e gazetarëve dhe objektivat e telekamerave.

Izet Haxhia

“Pse u takove me Ismet Haxhinë, ç‘lidhje ke ti si Kryetar i SHIK-ut, me atë person”? Kjo ishte pyetja që iu bë Klosit dje dhe përgjigjja e tij ishte se “Izeti donte të dorëzohej dhe kërkonte garanci se do të ishte një element i rëndësishëm për çështjen që kishte nisur të shqyrtohej në gjykatë”. Por, sipas Klosit, Izet Haxhia ktheu mendje, “m’i shpjegoi të gjitha Ismet Haxhia. Ai tha se vëllai i tij kishte aq shumë gjëra mbi kurriz, sa nuk ia vlente, dhe do rrinte gjithë kohës në burg”. Kjo ka qenë e vërteta e takimit me Ismet Haxhinë, sipas Fatos Klosit. Ai ka hedhur poshtë akuzat se në këtë takim të realizuar në një nga lokalet në periferi të Tiranës, i kishte kërkuar Ismet Haxhisë të vriste Sali Berishën, duke i ofruar armë dhe para. “Si mendoni se mund të shkoja unë dhe t’i jepja paratë që ta bënte atë gjë! S’jam pa mend”, tha Klosi dje në komision. I pyetur nëse SHIK-u dinte se çfarë bëhej me Izet Haxhinë, ai tha se agjentët e Shërbimit e kishin ndjekur në Firence dhe në Kosovë, por s’kishin asnjë mundësi për të vepruar; nuk mund ta ndalonim dot. I jemi lutur KFOR-it dhe italianëve, sepse ai qëndronte në Gjakovë në zonën e italianëve. Kjo mund të kontrollohet sepse ka dokumenta, tha Klosi. Ai ka konfirmuar faktet se Izet Haxhia ishte në ndjekjen e agjentëve të shërbimit sekret shqiptar dhe ata kishin rënë në gjurmët e tij duke e zbuluar vendin ku qëndronte i fshehur dhe fotografuar, por agjentët shqiptarë nuk mundnin ta kapnin. Arsyeja ka qenë se Haxhia fshihej jashtë vendit. Kërkesat ndaj autoriteteve të KFOR apo edhe trupave italiane që vepronin në zonat ku fshihej Haxhia i kërkuar nga policia sepse kundër tij është ngritur një akuzë, s’kanë sjellë asnjë rezultat. Dje Fatos Klosi foli vetëm për kohën e shkuar por nuk tha nëse Izet Haxhia ishte sërish nën ndjekjen këmba-këmbës të agjentëve sekretë.

“Ismetin e telefonuan në burg nga selia e PD”

Akuzat ndaj meje erdhën pasi nga selia e PD-së u bënë disa telefonata në qelinë ku rri Ismet Haxhia”, ky ishte shpjegimi që dha dje kryetari i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi. Ai ishte thirrur nga komisioni i Rendit dhe SHIK-ut për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzat që iu bënë nga Ismet Haxhia, se SHIK-u i kishte kërkuar që të vriste Sali Berishën. Klosi e hodhi poshtë këtë akuzë, duke thënë se ato u bënë pas telefonatave të bëra nga PD-ja për Ismet Haxhinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.