DOSSIER

Dëshmia e studiuesit nga SHBA: “Kapedani i Mirditës, Gjon Markagjoni, nga Roma, i’u dërgoj një thirrje bashkatdhetarëve të tij në Shqipni, ku thuhej…”

07:25 - 05.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”




Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndër rit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

Teksti i Letrës: Kapidani i Mirditës. Fruer 1949.

MIRDITAS!

Gjendja e vështirë që u krijua në vendin tonë mbas sulmit të furishëm te bandave të kryesueme prej agjentëve Rus me 1944, më shtrëngoi me e lanë Atdhen bashkë me djalin t’em Nuen (djalin e dytë) për me gjetë strehë në tokë të huaj, ku, bashkë me shokë të mërgimit – u përpoqa si dita e mujta – me mbrojtë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, sod të shkeluna mizorisht prej anmiqve shekullorë. Për mos me e lanë vetëm popullin e Mirditës, lashë në vend t’em dy djemt e mi, Markun (djalin e madh), Lleshin (djalin e tretë), të cilët janë mundue me sa fuqi kanë pasë, me i mbrojtë ato të drejta, deri sa, – ma në fund – dhanë edhe jetën, vetëm e vetëm për me i shërbye atdheut e me i kthye lirinë Shqipnisë.

Mbasi nuk mundem me hjek dorë prej luftës së fillueme, e mbasi nuk mundem me tradhtue idealin e gjakun e djemve të mi, Markut e Lleshit, po e dërgoj kusherinin t’em, Nue Pjeter Gjomarkaj, që të kryesoj Levizjen Antikomuniste në Mirditë. Për këtë qëllim autorizoj, me anën e kësaj shkrese, me administrue në emën t’em, kështu që të mundet me organizue nji qëndresë të dobishme për të drejtat e popullit e të kombit, që aq mizorisht po vuajnë nën sundimin barbarë të komunizmit. E porosis në mënyrë të veçantê, të formoj sa ma parë Komitetin Ekzekutiv të Mirditës, e nëpërmjet të tij me u marrë vesh, e me bë lidhje me të gjithë liridashësit e Shqipnisë së Veriut, për me themelue nji Komitet Qendruer, i cili të ketë për qëllim: luftë kundër komunizmit e liri Shqipnisë e popullit shqiptar!

Porosis edhe t’organizohet sa ma parë nji qendër informatash, e cila do të përpiqet me krijue marrëdhënieje të sigurta ndërmjet krahinave të Shqipnisë, e sidomos me grupet e Dibrës e të Kosovës. Bashkë me Nue Pjeter Gjomarkajn, po e dërgoj edhe Nue Gjon Melyshin, i cili ka tagër me kenë krah i djathtë i tij. Bisedimet e çdo mbledhjeje të verbalizohen dhe të sigurohen në mënyrë, që mos të bijnë në dorë të agjentëve të Rusisë, që janë anëtarët e qeverisë mizore të Tiranës. Porosis në mënyrë të veçantë, të gjithë popullin e Mirditës, e sidomos ata që sot enden nëpër male me armë në dorë, të shkojnë mirë nder veti, të vëllazërohen e të ndjekin parimet e Kanunit: Besë – Nderë – Burrni!

Vetëm atëherë, keni me kenë të dejë me u quajt Mirditas, e si të tillë, me zanë vendin e merituem në historinë e Shqipnisë, kur ju të ndiqni këto parime, e të mbani naltë Flamurin e Tradicionit. Gjon Marka Gjoni, Nue Gjomarkaj P.S. – Bashkë me Nue Pjeter Gjomarkajn e Nue Gjon Melyshin, vijnë edhe z.z. prof. Alush Leshanaku e Xhevdet Blloshmi, të cilët, jo vetëm të përkrahen, por të sigurohen për sa të jetë e mundun dhe të përcillen deri në Elbasan, ku do të formojnë qendrën e tyre.

Letra që dërguam me babën – vazhdon z. Gjomarkaj – ishte pritë me entuziazëm të madh prej të gjithëve, pse u epte me kuptue se me atë veprimtari, t’ue dërgue Nue Pjetrin e Nue Melyshin, Gjon Marka Gjoni e Nue Gjomarku, konsideroheshin pranë tyre e në krye të tyre. Ajo letër ka fuqizue edhe ma tepër shpirtin e sakrificës të luftarëve të lirisë, të cilët kanë kuptue se pa të (pa atë letër), nuk ecet në rregull, dalin pengesa, nuk shkojnë punët mirë, ose ndokush me pa të drejtë, kishte me përvetësue tanë luftën e nacionalizmit, e me e paraqitë veten përmbi të gjithë.

N’at mbledhje asht bisedue gjanësisht mënyra e riorganizimit si mbas porosive theksue në letër dhe asht caktue nji mbledhje tjetër për në Bukmirë, me qellim me pasë prezent të gjitha çetat për të organizue ndërlidhjet e me vazhdue luftën si mbas drejtimeve të caktueme në letër. Mbas mbledhjes në Qafëmollë, Nue Pjetri e Nue Melyshi, të shoqnuem prej Preng Dod Gjon Keçit, Gjon Marka Çupit dhe Nue Nikollit, me 24 mars 1949, kanë mbrrijtë në Karma të Pshqeshit, për me kalue lumin Fan i Vogël por, aty ndeshin në forca të shumta komuniste, të cilat kishin rrethue tanë vendin e aty ka shpërthye nji luftim i rreptë. Tue u gjetë para nji rreziku të tillë, e tue mendue se për me pshtue kishin pak shpresa, kanë sulmue me nji turr të hovshëm dhe kanë ça rrethimin e kanë pshtue prej pritave komuniste. Në tërheqje e sipër asht plagosë Nue Nikolli, por shokët e kanë tërheq. Megjithëse ndjekjet komuniste ishin të forta dhe të vazhdueshme, me datën 10 Prill 1949, asht bâ mbledhja në Bukmirë. Kanë kenë prezent 63 luftarë.

Aty asht vendosë:

Me u nda në grupe të vogla dhe me qarkullue nëpër vende të ndryshme për me u mbrojt ma mirë prej ndjekjeve të shumta komuniste; 2. Me takue e me bisedue me popullin për të kenë ma të sigurt për strehim dhe veprimtari kundër regjimit komunist. 3. Asht caktue nji mbledhje tjetër për datën 1 korrik 1949, në Shqopen e Munegjes. Me datën 1 korrik asht bâ mbledhja. N’at mbledhje kanë kenë të pranishëm 60 luftarë. Mbledhja ka vazhdue për dy ditë, d.m.th., deri me 3 korrik. Aty asht vendosë me organizue e me fuqizue organizatën e krijueme prej Mark Gjomarkut në mars të vitit 1945 dhe mbas vrasjes së tij 14 qershuer 1946, e ka vazhdue Llesh Gjomarku, deri sa edhe ai ra dëshmuer me 9 gusht 1947 më Munegjë.

Vendim: 1. Riformohet Organizata luftarake e Mirditës; 2. Si mbas porosis me letër, kryetar zgjidhet Nue Pjetri; 3. Këshilli i Organizatës me këta antarë: Nue Melyshi, Marka Dod Lleshaj, Mark Jak Bajraktari; 4. Këshilli i gjanë me të gjithë luftarët; 5. Vehet në fuqi organi i shpagimit; 6. Dënimi me vdekje dhe ekzekutimi i komunistit Bardhok Biba, komisar i naltë për Mirditë dhe deputet në Tiranë, me pshtue popullin prej atij njeriu të rrezikshme; 7. Asht vendosë me u bë nji mbledhje tjetër me datën 7 gusht 1949 në Shqopen e Mëngjes.

Me 9 gusht janë bashkue për me shqyrtue situatën. Ishin prezent 53 luftarë. Nëse po diskutojshin, u shkon lajmi se Bardhok Biba, ishte tuj shkue në Kaçinar me mbledhë punëtorë e me i dërgue angarije nëpër vende të ndryshme jashtë Mirditës. At ditë do të nisej për në Sh’Pal. Lajmi ishte i sigurt. Të gjithë njizani vendosën ekzekutimin e tij. Për këtë detyrë janë caktue personat e organit të shpagimit dhe pushkëtarë të cilësuem, të cilët janë vendosë në pritë në Qafë të Valmerit dhe kanë realizue me sukses vrasjen e tij. Nue Pjetri, me vendosmëni të patundun e me dishmue se Bardhok Biba si komunist nuk bante ferk (ndryshim) me spiunët tjerë mirditas te pushkatuem, në emën të Komitetit të Rezistencës, me firmën e vet, lëshon fletë-vendimin e ekzekutimit.

Mirdita u trand në themel prej asaj ngjarje por nuk u ligshtue. Fuqia e qëndresës antikomuniste në Mirditë ka vazhdue edhe mbrapa me hove të pa ndërpreme. Tërbimi i regjimit komunist, shpertheu me vrull te trishtueshëm. Hakmarrja e Enver Hoxhës dhe e Mehmet Shehut, filloi me pushkatimin e 14 vetëve, burgjet, e internimet e të pafajshmëve nuk kanë mbërrit me e qitë fare popullin e Mirditës. Populli i Mirditës, edhe pse i sakatuem prej atij tërmetit të hatashëm, me kreni të lavdueshme ka qindrue i pathyeshem në llogorin e qëndresës kombëtare. Mbas kësaj ngjarjeje, nji shumice e madhe luftërash me Nue Pjetrin në krye, kalojnë në Jugosllavi. Prej Jugosllavie na lajmojnë mbi t’gjitha ngjarjet t’ue na tregue me saktësi se në Mirditë kishin qindrue disa grupe luftarësh e atje veprojshin.

Ato lajme përforcojshin qëllimin tonë me vazhdue me punën e fillueme prej Nue Pjetrit e Nue Melyshit. Mbas shumë përpjekjesh i’a dolëm qëllimit me përgatitë grupin e dytë me këta persona: Kol Çuni kryetar dhe telegrafist, Gjon Gjinaj udhëhjeks, Zef Lluka, Pashk Letaj, Nue Frisku, Mirash Marku, Bardhok Gjeta, Nikoll Nika dhe Pjeter Gjoci telegrafist. Ky grup, megjithëse në numër mjaftë i madh, udhëhiqej prej Gjon Gjinaj, luftëtar i provuem, njohës i thellë i vendit (Mirditës), ndjekës besnik i Mark Gjomarkut, bashkëpunëtorë me çetat e malit, qysh në orët e para të vjetit 1945. Me nji fjalë, ekspert për nji veprimtari të tillë. Mbas shumë përgatitjesh, këta besnik të çështjes kombëtare, me 28 dhetuer 1950, zbritën në pyllin e Qafë Kombit në Fan të Mirditës. Mbasi u bashkuan të gjithë, Gjon Gjinaj me shpejtësi të madhe, vendosi me u largue prej zonës së zbarkimit.

Mbas sa orësh udhëtim, nëpër vende të thyeshme e nëpër vështirësitë e motit të keq, me borë e akull, mbërrijnë në afërsinë e katundit Thirrë, ku vendos pushimin e parë. Por preokupimi i Gjon Gjinajt ishte se grupi ishte i madh (9 vetë) e vendi i pushimit tepër i ngushtë e në rrezik zbulimi. N’anë tjetër, Gjon Gjinaj kujtonte se mbas vrasjes së Bardhok Bibës, e sulmit të tërbuem të regjimit komunist me shfarosë nacionalizmin në Mirditë, mund ta kishte ligshtue qëndresën kombëtare. Këto t’dhana e shtërngojshin me kenë ma i kujdesshëm në lëvizje. Por besimi i ngulun i tij ishte se jo gjithçka do të kishte ndryshue, se besa e popullit të Mirditës nuk ishte shue, se persona të vendosun me i qindrue regjimit komunist, do te ekzistojshin ende, e ndoshta me vendosmëni edhe ma të madhe.

Me këtë pasqyrë të situatës, sa të nderlikueme por të kjartë, hyjnë në veprim me pasë kontaktin e parë. Fill mbas takimit të parë me kryetarët e çetave dhe luftarë që ndodheshin të pranishëm, Gjon Gjinaj lexon mesazhin që unë iu kisha dreitue forcave antikomuniste shqiptare në atdhe:

MIRDITAS TË DASHTUN!

Romë, 2 Nanduer 1949. Misioni i filluem në Fruer të këtij viti prej Nue Pjeter Gjomarkaj e Nue Melyshit, fatkeqësisht nuk dha rezultate të duhuna, jo për mungesë të zotësisë e të triminisë së tyre, pse ata meritojnë lëvdatat ma të mëdhaja, por për shkaqe krejtësisht teknike. Mbas tetë muajsh pune të dendun e mbërritëm me përtëri edhe njëherë misionin e filluem. Për këtë qëllim na u ofruan vullnetarisht nandë djem petrita të vendosun me ndjekë shembullin e të parvet, d.m.th., me i mbrrijtë në ndihëm Rezistencës Kombëtare. I dij vuajtjet dhe sakrificat e juaja, dhe çdo ditë i kam para sysh, prandaj t’a besoni se, jam mundue me sa fuqi kam pasë, bashkë me shokët e mij me ju ardhë në ndihëm e s’kam me pushue kurrë, deri sa të kam jetë me jetue, veçse me punue në këtë drejtim.

Për këtë arsye këshilloj të formohet Komiteti Ekzekutiv i Mirditës, i cili të dali si i vetmi autoritet qeveritar kombëtar i vendit tonë. Këshilloj që të bahet çmos për sistemimin e Radios, pse pa të, gjithçka çalon. Me shpejtue organizimin e çetave, harmonizimin e vëllazërimin e tyre, dhe herë mbas here me na lajmue e prej këndej keni me marrë udhëzimet e duhuna. Duke urue sukses në punë, ju përshëndes me mall e nëpërmjet jush gjithë popullin e Mirditës, që në këto kohë kaq të vështira, ka ditë me qindrue e me luftue, ka ditë me e mbajt nalt Flamurin e tradicionit të vet kombëtar.

Nue Gjomarkaj, Kapidan i Mirditës

Pyetje: Kush ishte Gjon Gjinaj?

Përgjegje: Ti e ke njohtë Gjonin dhe shumë bashkëluftëtarë të tij, të cilët jetuan dhe u shuan në mërgim. Me folë për Gjonin ose për secilin luftëtarë të atyre ditëve, duhen biograf të veçantë. Gjoni ishte njohës i thellë i jetës së malit, i kujdesshëm në lëvizje, praktik në shenj njoftimi, i matun me dal para ndokujt edhe pse i njihte njerëzit, për mos me râ në ndonjë kurth të papritur! Me këtë mjeshtri të jetës së malit, pati kontaktin e parë me luftëtarin Zef Voci e Pjeter Gjekën. Menjëherë u bashkue me ta Gjon Kuka, mandej Llesh Koraci, besnik e i kujdesshëm për furnizim të ushqimit dimnuer.

Dimni i fortë (frori), me murra, borë e akull, vështirësonte jetën e këtyre heronjve në jetën e malit, e toka e brishtë që nuk kishte nji bazë të shëndoshë për qëndresë, e shqetësojnë tepër Gjon Gjinajn, i cili mendonte me gjetë rasën e volitshme me n’rrue ven, me qëllim me i u afrue qendrës së Mirditës, për me pasë kontakte me popull. Lëvizjet prej nji vendi në tjetrin kërkojshin vëmendje të madhe, edhe pse grupi ishte tepër i madh e me disa jo Mirditas, që nuk e njihshin vendin e që nuk kishin kenë kurrë në mal me e provue veten. Si e kaluen dimnin, Gjon Gjinaj vendosë me u shpërngulë prej aty e me shkue në Korov. Në Korov takon Çup Palucen me shokë. Prej aty nisen për në Shkozë, te sh’pija e Nikoll Marka Prenit, i cili i priti dhe i ushqeu mas miri.

Prej Shkoze, nisen për Fushë të Lajes, pse atje do të përgatitshin organizimin e grupit të Elbasanit me Alush Leshanakun me shokë. Nësa po orvateshin me organizue zbarkimin, Kol Çuni dërgon Mark Palucën me u thanë t’a lanë Fushën e Lajes e të kthehen në bazë, se Nikoll Nika ka ikë e duhej me doemos me nrrue venin e radios. Nji ngjarje e papritur, e e cila mund të shkaktonte dame të pandreqshme, ndoshta edhe asgjësimin e grupit, pse Nikoll Nika mund të dorëzohej ose 67 t’u kapte prej policisë komuniste e të tregonte bazën. Kol Çuni transmetonte rregullisht, por këtë herë tue lajmue ikjen e Nikoll Nikës, e të shtërnguem me nrrue bazë, lajmon qendrën në Itali se transmetimi ndalohet për dy-tri ditë. Për nji shpërngulje të tillë lypej Gjon Gjinaj i cili gjendej në Laje. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.