DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Përdhunimi, apeli i prindërve të një minoreneje. “Mjekët po lirojnë dhunuesin e vajzës sonë”

07:00 - 31.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

31 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Përdhunimi, apeli i prindërve të një minoreneje

“Mjekët po lirojnë dhunuesin e vajzës sonë”

Historia e dhimbshme e 13-vjeçarës nga Korça. Misteri mes ekspertizës mjeko-ligjore dhe asaj të bërë nga një mjek privat në Tiranë. Dyshimi i prindërve të varfër për presionin dhe ryshfetet që po lirojnë nga qelia 25-vjeçarin Arif Minga. Dëshmia e plotë e vajzës e cila dy ditë më parë doli para makinës së kryeprokurorit Sollaku. Gjithë detajet e një ngjarjeje që tregon korrupsionin e drejtësisë shqiptare

Fatos e Diana Mulla rrëfejnë dramën e së miturës së rrëmbyer nga Arif Minga

Prindërit: Mos e lironi dhunuesin e vajzës sonë

Prindërit e një të miture nga Korça apelojnë pranë institucioneve më të larta shtetërore për të mos lejuar lirimin e përdhunuesit të vajzës së tyre.

Të trembur nga një proces gjyqësor i dyshimtë (sipas tyre), bashkëshortët Fatos dhe Diana Mulla, banorë të lagjes nr.8 të qytetit juglindor, kanë provuar të trokasin në dyert e Avokatit të Popullit, të Ministrisë së Drejtësisë, Shëndetësisë, Rendit, Urdhrit të Mjekut, për të përfunduar dje në portën e kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Mesazhi i prindërve të vajzës fatkeqe E.M., drejtuar titullarëve të institucioneve të mësipërme, është sa i qartë edhe tronditës: “Mos e lironi përdhunuesin e dritës së vetme të syrit! 25-vjeçari Arif Minga e ka vendin në burg”. Protesta-maratonë e dy invalidëve korçarë, që me lekë të marrë borxh kanë udhëtuar disa herë radhazi nga Korça në metropol, duke u ndier jetimë nga Drejtësia e qytetit të tyre. Prindërve të 13-vjeçarës së përdhunuar u është ngulitur thellë në tru, se 8 seancat gjyqësore të zhvilluara në Korçë, për dramën e vajzës së tyre, nuk janë gjë tjetër, veçse një lojë e turpshme, një përpjekje në sinkron e përfaqësuesve të Drejtësisë (prokurorë, gjyqtarë të këtij qyteti), me ekspertët mjekoligjorë, për të lënë të lirë një kriminel. Duke rrëfyer në detaje për “Gazetën Shqiptare”, çifti Mulla kërcënon publikisht se në kërkim të së drejtës dhe të ndëshkimit të ligjshëm të autorit të krimit do të tentojnë të trokasin deri në Hagë dhe, në mos, në një vetëgjyqësi kanunore, aq të njohur për shqiptarët.

 

 

Dëshmia e 13-vjeçarës për ngjarjen e 23 tetorit 2001

Rrëmbimi

“Pas meje shfaqet një djalë, i cili më tërhoqi më futi në makinë dhe me thikë tek fyti më tha të mos flisja. Madje më dha një hapje që më detyroi që ta pija”.

Vajza tashmë i ka të fiksuar të gjitha detajet e rrëmbimit për disa orë, edhe pas kapërcimit të hapjes ajo e ka humbur toruan. “Fillova të mos ndjehesha mirë”, thotë ajo. Megjithatë vajza e ka njohur rrëmbyesin. “Personi që më rrëmbeu quhet Arif Minga, ndërsa shoferi i makinës ishte një djalë që nuk e njihja, me syze dhe me kapele”, thotë minorenia. Madje, megjithëse në një makinë me perde të zeza, vajza ka kuptuar se nuk kanë udhëtuar shumë larg nga shkolla. “U futëm në një pallat dhe nga shkallët që ngjita kuptova se hipëm në katin e tretë. Shtëpia ishte pothuaj bosh, vetëm në njërën nga dhomat ishte një krevat”, vazhdon rrëfimin e trishtë E.M. Duke i premtuar arsimim në Belgjikë, Arifi ka filluar ta zhveshë, por ajo ka kundërshtuar me forcën e një fëmije. “Por ai nxori nga xhepi një tjetër hapje, më detyroi që ta pija, dhe po më merreshin mendtë. Ai filloi të më zhvishte, më kishte mbyllur sytë dhe nuk ndjeja asgjë”, vazhdon vajza. Ajo është përmendur vetëm pas disa orësh, ku Arifi duke e shkundur me shpejtësi i ka veshur vetëm xhupin dhe kanatieren. Bluzën dhe rrobat e brendshme ia ka futur në çantën e librave. “Isha e këputur, më përzihej dhe ndjeja dhimbje tek fundi i barkut. Vetëm dëgjoja që shoku i tij po thoshte se po na ndjek policia”, kujton e përlotetet 13-vjeçarja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.