DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Intervista, shkrimtari: PS të dalë me një kandidat. Dritëroi: Unë jam për Meidanin President

07:00 - 04.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

4 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Intervista

Shkrimtari: PS të dalë me një kandidat

Dritëroi: Unë jam për Meidanin President

Përse Agolli propozon Rexhep Meidanin dhe si e parashikon ai rrjedhjen e ngjarjeve të mëvonshme: Aleatët e PD do votonin edhe kasapin e lagjes sime e jo më Nanon. Nuk mund të humbin vendet që kanë në parlament

Agolli: Në Kuvend fiton Meidani

“Ai është më i ekuibruar dhe më përfaqësues”

TIRANË

Dritëro Agolli komenton zgjedhjen e presidentit dhe thotë se Meidani është më favorit se Nano, por vetëm nëse arrin të shkojë në Parlament si kandidat.

Sipas Agollit, Meidani është më i ekuilibruar dhe i kujdesshëm me partinë.

Presidenti i ri e ka ndezur së tepërmi debatin, pikërisht edhe nga fakti se prej komunitetit ndërkombëtar është hedhur ideja e një figure konsensuale. Si e gjykoni ju këtë, si dhe emrat që janë diskutuar deri më tani jashtë politikës, si profesor Ylli Popa apo doktor Petrela?

“Presidenti duhet propozuar nga forcat politike, sepse këtë punë kanë, mazhoranca jep të sajët dhe opozita propozon të sajët, dhe cili të ketë vota më shumë, fiton. Sipas meje, kjo punë e presidentit është çështje e forcave që janë në pushtet. Nëse nuk e propozojnë këta, kot sa fitojnë zgjedhjet, se presidentin mund ta marrë dikush që ka një për qind. Kjo është e ngatërruar, se është si falje pushteti një tjetri. Këta që flasin për konsensual, janë të djathtë, por meqenëse këtu janë të majtët në pushtet, ata nuk e pranojnë. Kjo puna e presidentit konsensual është si sjellja e princ Vidit në Shqipëri. Europa na zgjodhi një mbret dhe e dërgoi këtu për stabilitet. Nuk them se përsëritet historia 100 për 100, por përsëritet në njëfarë mënyre. Ata, meqë kanë frikë për stabilitetin këtu, atëherë thonë që të zgjidhet një “Princ Vidi”. Ne që e mendojmë veten si të pavarur dhe shtet demokratik, s’mund ta pranojmë këtë. Unë mendoj që s’duhet lejuar askush që të thotë këtë dhe ta marrë partinë e romëve për shembull dhe të thotë zgjidhe ti presidentin. Ju më pyetët për persona që janë jashtë politikës. Unë s’para e besoj se mund të ketë të tillë, sepse të gjithë këta që propozohen, qoftë edhe jashtë partive, nga shoqëria civile, siç thonë, këta janë të lidhur me partinë. Doktor Petrela ka qenë kandidat i PD-së disa herë, domethënë nuk është një njeri i paprekur nga politika. Po kështu edhe Ylli Popa, dihet se anon nga PS-ja, se vetë origjina e tij të nxjerr në këtë përfundim”.

 

 

Sipas jush, si duhet të zgjidhet atëherë presidenti i ri i vendit?

“Puna është që të zgjidhet një njeri që të mos jetë partiak fanatik. Të tilla ka shumë. Fjala vjen, Sabri Godo s’është fanatik si kryetari i Partisë së tij, Mediu. Eshtë një njeri me logjikë të ekuilibruar. Apo edhe Pjetër Arbnori, nuk është fanatik apo, si i thonë, trim i marrë apo nga ata që thotë “unë do bëj kërdinë”. Ne duhet të zgjedhim nga këta njerëz, që të thonë “unë nuk do të bëj kërdinë”, por jo duke menduar se nuk duhet të jenë në ndonjë parti. Edhe në qelq t’i vësh, do t’i shkojnë sytë te një parti. Puna është se duhet t’ua mbushim mendjen këtyre dy forcave politike të mëdha, që të bëjnë një propagandës që ky njeri, kushdoqoftë, të jetë i përshtatshëm”.

Moszgjedhja e presidentit pritet të shkaktojë një krizë të rëndë për faktin se do të ribëhen zgjedhjet, mbase edhe disa herë, mendoni se mund të ndodhë kjo?

“Nëse nuk bojkotohet Parlamenti nga opozita, fiton ai që do të propozojnë socialistët. Pse do të ndodhë kjo… sepse ata që janë veçanërisht të interesuar që të mos bëhen zgjedhjet, janë deputetët e forcave të vogla politike. Ata nuk duhet të humbin atë mirëqenie që kanë (marrin 1.5 milionë rrogë në muaj)… po të mos zgjidhet presidenti, vjen kriza me zgjedhjet… Po a do ta fitojnë me këtë rrogë? Vështirë. Ata thonë: Më mirë të rrimë dhe të zgjidhet edhe shejtani vetë, sesa të ikim kaq shpejt”.

Dy rivalët më të mundshëm nga kandidaturat politike duket se janë Nano dhe Meidani. Ju si mendoni, kush fiton mes tyre?

“Varet. Po të propozohet nga Parlamenti, fiton Meidani, por, po të vendoset kjo gjë nga KPD-ja e socialistëve, atje vihet një pikëpyetje e madhe, sepse nuk dihet. Nga Parlamenti e ka më të sigurt. PS-ja do çojë vetëm një kandidaturë, sepse ndahen votat dhe nuk fiton asnjë. Puna është te KPD-ja, se cilin do të propozojë. Me këto lëvizjet e reja që janë, nuk dihet ç‘ndodh. Meidani fiton në Parlament se është më i ekuilibruar; është i kulturuar, më përfaqësues dhe që nuk i shtyn në nxitje partitë. Ne kujtojmë Berishën kur bërtiste si president kundër forcave politike. Meidani është i matur, nuk ofendon asnjë. Ai mban ekuilibër, mbase nga frika për të mos e prishur demokracinë, për të mos ndërhyrë në punët e partisë. Për këtë e quajnë Meidanin si inaktiv. Po të ndërhynte, do ta sulmonin. Disa parti kujtojnë se e kanë pronë Shqipërinë dhe Meidani është treguar i kujdesshëm me ta”.

Al.kre


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.