EKONOMI

Inflacioni shkon në 7.4 për qind! Janë rritur çmimet e ushqimeve, mallrave dhe shërbimeve

15:27 - 08.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rritja e çmimeve ka vijuar edhe përgjatë qershorit duke goditur edhe më tej xhepat e qytetarëve.




Shtrenjtimi i fortë i tyre ka bërë që inflacioni sipas Institutit të Statistikave të prekë nivele rekord duke arritur në 7.4% muajin e kaluar, nga 6.7% që ishte në maj, mbi dyfish më shumë se objektivi i bankës qendrore.

Kostot janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet. Për transportin dhe artikujt ushqimore veçanërisht rritja e çmimeve ka qenë dyshifrore, grupe për të cilat shqiptarët çojnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre, mbi gjysmën e tyre për të dyja së bashku.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet kanë qenë të larta sidomos për produktet e bulmetit, drithërave dhe fruta-perimet që janë shtrenjtuar ndjeshëm këtë periudhë.

Veç tyre, tashmë më shtrenjtë shqiptarëve u kushton edhe të konsumojnë kafe apo ulen në restorante, pra për t’u argëtuar pasi rritja e çmimeve ka vijuar për këtë grup edhe përgjatë qershorit, si edhe për mobilimin e shtëpive apo për blerje e veshjeve.

Vala e rritjes së përgjithshme të çmimeve në vend i ka bërë qytetarët më pesimistë duke ulur besimin në ekonomi gjatë qershorit si dhe pritshmëritë e tyre për të shpenzuar e për bërë blerje të mëdha këtë periudhë, ndikuar nga pasiguritë dhe situata e përgjithshme ekonomike.

Përshpejtimi i inflacionit bëri që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për herë të dytë radhazi brenda vitit përmes politikës monetare duke rritur normën bazë të interesit në 1.25% si një kundërpërgjigje ndaj inflacionit që duket se do të vazhdojë të qëndrojë i lartë të paktën deri në fund të këtij viti.

Top Channel


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.